Qershor 05, 2019 08:48 CET
  • Politika e jashtme në periudhën e qeverisë së njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë

Me rastin e dyzetvjetorit të fitores së Revolucionit Islamik të Iranit në një program disa edicionesh, po shqyrtojmë politikën e jashtme të Republikës Islamike të Iranit në katër dekadat e kaluara. Në këtë edicion do të flasim shkurtimisht rreth politikës së jashtme të Iranit në periudhën e qeverisë së njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë.

Parimet e politikës së jashtme të qeverisë së maturisë dhe shpresës

Hasan Ruhani në zgjedhjet e njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta presidenciale në Irani fitoi dhe u zgjodh president i Republikës Islamike të Iranit. Hasan Ruhani gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve presidenciale të njëmbëdhjeta moton e tij e caktoi “qeveria e maturisë dhe shpresës”. Në këtë mënyrë, politika e jashtme e qeverive të njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë gjithashtu u zhvillua në boshtin e maturisë dhe shpresës. Qeveria e maturisë dhe shpresës caktoi parimet dhe strategjitë e saj në fushën e politikës së jashtme si bashkëpunimi konstruktiv, shmangia e tensioneve dhe mënjanimi i tensioneve, racionalizmi dhe maturia në sferën e politikës së jashtme, krijimi i mirëbesimit dhe përmirësimi i imazhit dhe prestigjit të Republikës Islamike të Iranit në arenën globale. Në realitet politika e jashtme e qeverive të njëmbëdhjeta dhe të dymbëdhjeta në një farë mënyrë mund të konsiderohet vazhdim i politikës së jashtme të qeverive të ndërtimit dhe të reformave.

Hasan Ruhani në librin e tij me titull “Siguria Kombëtare dhe Diplomacia Atomike”, në lidhje me politikën e jashtme shkruan: “Strategjia e përgjithshme e politikës së jashtme është krijimi i mirëkuptimit dhe konsensusit në nivel kombëtar dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet e jashtme në bazë të tre parimeve: dinjiteti, urtësia dhe interesat e vendit. Këto parime gjithnjë janë theksuar edhe nga ana e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit. Kjo strategji përcaktohet në kuadër të përballjes me propagandën e iranofobisë në botë dhe sidomos në rajon, në kuadër të ngritjes së kredibilitetit dhe rritjes së respektit dhe dinjitetit të Iranit në nivel rajonal dhe në arenën e Bashkësisë Ndërkombëtare në gjendje tranzicioni. Në këtë kuadër, politika e jashtme është mjet dhe mekanizëm për të prodhuar rezultate të mira në nivele kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Prej rezultateve të mira është reduktimi i tensioneve dhe armiqësive, ndërtimi dhe forcimi i koalicioneve dhe unioneve, krijimi i mirëbesimit, shtimi sa më shumë i interesave të përbashkëta dhe administrimi i mirë i mosmarrëveshjeve natyrore”.

Hasan Ruhani gjithashtu bashkëpunimin konstruktiv në politikën e jashtme e përkufizon në këtë mënyrë: “Bashkëpunimi konstruktiv nuk është një ide abstrakte e cila do të mund të pranojë çfarëdo lloj interpretimi. Bashkëpunimi konstruktiv është me kuptimin e marrëdhënies dy ose shumëpalëshe ku parashihen interesat e të gjitha palëve. Me fjalë të tjera, në fushën e politikës së jashtme, koncepti i bashkëpunimit konstruktiv nuk do të jetë një lojë me rezultatin e shumë zero”.

Negociatat bërthamore, manifestim konkret i krijimit të mirëbesimit të qeverisë së maturisë dhe shpresës

Manifestimi konkret i parimeve të politikës së jashtme të qeverisë së maturisë dhe shpresës, janë negociatat bërthamore. Qeveria e njëmbëdhjetë e cila çuarjen përpara të programeve të saj në fusha të ndryshme e kishte lidhur me çështjen bërthamore dhe çuarjen e negociatave bërthamore deri në rezultatin e duhur, përgjegjësinë për ndjekjen e dosjes së programit bërthamore e transferoi nga Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit dhe ia dorëzoi Muhamed Xhavad Zarif, ministrit të punëve të jashtme. Qeveria e njëmbëdhjetë ndoqi diplomacinë “fitues-fitues” dhe respektimin reciprok për zhvillimin e negociatave bërthamore.

Që nga koha e ardhjes në pushtet të qeverisë së njëmbëdhjetë e deri më 14 korrik të vitit 2015, do të thotë kur përfunduan negociatat bërthamore, janë zhvilluar 26 raunde negociata mes Iranit dhe Grupit 5+1. Që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes së Gjenevës më datë 24 nëntor të vitit 2013 e deri më 14 korrik të vitit 2015, ekipi negociator i Republikës Islamike të Iranit përgjatë 119 ditë ka qenë në negociata bërthamore me përfaqësuesit e Grupit 5+1 dhe nganjëherë vetëm në negociata me përfaqësuesit e SHBA-ve. Këto negociata rezultuan me miratimin e rezolutës 2231 në Këshillin e Sigurisë së OKB më datë 20 korrik të vitit 2015 dhe me anulimin e rezolutave të sanksioneve kundër Republikës Islamike të Iranit dhe gjithashtu zbatimi i marrëveshjes bërthamore filloi nga data 16 korrik e vitit 2016. Me miratimin e rezolutës 2231, Republika Islamike e Iranit në mënyrë zyrtare doli nga kapitulli i shtatë i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Çështje e rëndësishme është kjo që deri më tani asnjë vend i cili është vendosur nën kapitullin e shtatë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, nuk ka arritur pa luftë të dalë nga ky kapitull, prandaj për herë të parë Republika Islamike e Iranit pa luftë dhe vetëm nëpërmjet mjeteve diplomatike arriti të dalë nga kapitulli i shtatë i Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Armiqësia e thellë dhe rrënjësore e Amerikës me Republikën Islamike të Iranit

Negociatat bërthamore rezultuan me kulmin e krijimit të mirëbesimit dhe mënjanimit të tensioneve të Republikës Islamike me Perëndimit, mirëpo këto negociata më shumë se çdo çështje tjetër vërtetuan se qeveria e SHBA-ve jo vetëm që nuk synon mënjanimin e tensioneve dhe krijimin e mirëbesimit me Republikën Islamike të Iranit, por ajo shfrytëzon edhe negociatat për të goditur sigurinë dhe interesat e Republikës Islamike të Iranit. Në periudhën e qeverisë së ish-presidentit amerikan Barak Obama, Republika Islamike e Iranit nuk mundi të shfrytëzojë privilegjet e marrëveshjes bërthamore për arsye se në politikën e deklaruar dhe në veprimet e ish-qeverisë së Amerikës sa i përket zbatimit të marrëveshjes bërthamore ekzistonte kontradiktë e madhe, prandaj edhe pse Amerika deklaronte se janë zhdukur kufizimet dhe sanksionet financiare për transferimin e parave ose për investime në Iran, mirëpo në veprim në mënyrë të fshehur autoritetet amerikane i frikësonin institucionet dhe investitorët nga shkëmbimi financiar dhe nga investimi në Iran. Nga ana tjetër, Donald Trump, presidenti aktual i Amerikës, shumë herë ka deklaruar se do ta nxjerrë Amerikën nga marrëveshja bërthamore dhe me këto deklarata praktikisht ka zhvilluar një luftë psikologjike kundër Republikës Islamike të Iranit dhe ka frikësuar investitorët nga investimet në Iran derisa në fund ai me një vendim të paligjshëm më datë 8 maj të vitit 2018 deklaroi daljen e Amerikës nga marrëveshja bërthamore dhe përgjatë dy periudhave kohore 90 ditore dhe 180 ditore, riktheu në fuqi sanksionet e kaluara ekonomike dhe financiare kundër Republikës Islamike të Iranit dhe vendosi edhe sanksione të reja kundër Teheranit. Ky model i sjelljes së qeverisë së Amerikës vërtetoi se armiqësia e Uashingtonit me Iranin në asnjë mënyrë jo vetëm që nuk do të zgjidhet, por as nuk do të reduktohet, për arsye se problemi i thellë dhe rrënjësor i Amerikës është me pavarësinë politike dhe me identitetin islamik të Iranit.

Marrëdhëniet e qeverisë së maturisë dhe shpresës me Evropën

Marrëveshja bërthamore e Iranit mund të konsiderohet prej rezultateve më të rëndësishme të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian e shikon këtë marrëveshje në kuadër të progresit në një prej dosjeve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme ndërkombëtare e cila ka rezultuar edhe me suksesin e politikës së jashtme të përbashkët të Bashkimit Evropian. Marrëveshja bërthamore në mënyrë zyrtare deklaron përfundimin e bojkotimit të marrëdhënieve të nivelit të lartë diplomatik dhe bashkëpunimeve të gjëra ekonomike dhe tregtare të Evropës me Iranin. Në këtë kuadër edhe Parlamenti i Evropës gjithashtu në seancën e datës 26 tetor të vitit 2016, me 456 vota pro përball 174 votave kundër miratoi vendime të reja në lidhje me strategjinë e Bashkimit Evropian ndaj Iranit pas zbatimit të marrëveshjes bërthamore. Kjo rezolutë kërkon nga Bashkimi Evropian që të rifillojë marrëdhëniet e veta me Iranin nëpërmjet bisedimeve të gjithanshme, konstruktive dhe në bazë të bashkëpunimit të gjerë. Kjo rezolutë në vazhdim mbështet zhvillimin e tregtisë me Iranin dhe kërkon nga Bashkimi Evropian me një diplomaci aktive të ndihmojë në reduktimin e tensioneve mes Teheranit dhe Riadit. Në këtë rezolutë gjithashtu është theksuar se marrëveshja bërthamore e Iranit dhe Grupit 5+1, është një sukses i rëndësishëm i diplomacisë multilaterale dhe në veçanti të diplomacisë së Evropës. Parlamenti i Evropës gjithashtu mbështet zhvillimin e marrëdhënieve tregtare të Bashkimit Evropian me Iranin dhe beson se niveli i këtyre marrëdhënieve duhet të zgjerohen deri në atë nivel sa që Bashkimi Evropian të bëhet partneri më i madh tregtar i Iranit.

Ndërkohë si rezultat i vendosjes në zbatim të marrëveshjes bërthamore, u shtuan edhe vizitat e delegacioneve të larta politike, diplomatike, ekonomike dhe tregtare nga Bashkimi Evropian në Teheran dhe anasjelltas. Vizita e delegacionit të lartë ekonomik dhe tregtar të Gjermanisë i drejtuar nga ish-zëvendësi i kancelares dhe ish-ministri i ekonomisë së Gjermanisë në Teheran, vizita ministrit të jashtëm të Francës në krye të një delegacioni të Francës në Teheran, vizita e zonjës Federika Mogherini, shefes së Diplomacisë Evropiane në Teheran, vizita e delegacionit italian, spanjoll, grek, vizita e presidentëve të Austrisë, Finlandës, Bosnjës dhe Hercegovinës etj., pas marrëveshjes së Vjenës treguan fillimin e një kapitulli të ri të marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve mes Iranit dhe shteteve evropiane. Mund të thuhet se Bashkimi Evropian ishte prej fituesve kryesor të marrëveshjes bërthamore dhe kjo dëshmohet nga konkurrenca dhe rivaliteti i shteteve evropiane për pjesëmarrje në tregun e Iranit.

Arritja në rezultat i negociatave bërthamore dhe vendosja në zbatimi i marrëveshjes bërthamore në realiteti ngriti më lartë rolin e Bashkimit Evropian në ekuacionet globale. Në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian në krahasim me Amerikën, kishte më shumë motiv dhe interesim për zhvillimin e marrëdhënieve me Republikën Islamike të Iranit dhe për këtë arsye vazhdon të theksojë ruajtjen e marrëveshjes bërthamore pas daljes së Amerikës nga kjo marrëveshje. Dalja e Amerikës nga marrëveshja bërthamore përveçse ushtroi ndikim negativ mbi interesat ekonomike të Evropës, reduktoi edhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian në rendin dhe nivelin global, për arsye se Evropa ka bërë përpjekje të mëdha për t’i çuar deri në rezultat negociatat bërthamore, mirëpo Amerika me daljen nga kjo marrëveshje, praktikisht e vendosi këtë traktat ndërkombëtar në prag të dështimit të plotë.

Tags