Korrik 14, 2019 10:48 CET
  • Dyzetë vite armiqësi e Amerikës kundër Republikës Islamike të Iranit (2)

Me rastin e dyzetvjetorit të fitores së Revolucionit Islamik të Iranit në një program disa edicionesh do të shqyrtojmë politikën e jashtme të Republikës Islamike të Iranit në katër dekadat e kaluara.

Në edicionin e kaluar shkurtimisht kemi shqyrtuar dy faktorë të armiqësisë së dyzetvjeçare të Amerikës me Republikën Islamike të Iranit dhe në këtë edicion do të shqyrtojmë edhe dy faktorë të tjerë në këtë kontekst, mbështetjen ndaj Izraelit dhe kundërshtimi i natyrës vetëdijësuese të Revolucionit Islamik të Iranit.

Dy konceptet kompromisi dhe rezistenca përball frontit të regjimit sionist

Një prej arsyeve kryesore të armiqësisë së Amerikës me Republikën Islamike të Iranit është kjo që me ndodhjen e Revolucionit Islamik në Iran, u formua fronti kundër kompromisit, do të thotë rezistenca në rajonin e Lindjes së Mesme. Fronti përball kompromisit është rezistenca në rajon kundër regjimit sionist. Boshti i kompromisit është nën mbështetjen e fuqive perëndimore sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili ec në rrugën e normalizimit dhe deklarimit të hapur të marrëdhënieve me regjimin sionist ndërsa boshti i rezistencës gjithashtu është nën udhëheqjen e Republikës Islamike të Iranit që nuk e njeh zyrtarisht regjimin sionist.

Kundërshtimi i Iranit me regjimin sionist ka filluar që nga fillimi i fitores së Revolucionit Islamik me iniciativën e Ajetullah Khomejnit (ra) i cili ka thënë: "Izraeli duhet të fshihet nga faqja e historisë së kohës". Martin Indyk, ish-zëvendës sekretari amerikan i shtetit, në lidhje me këtë çështje thotë: "Arsyeja kryesore e vazhdimit të armiqësisë së Amerikës me Iranin është kjo që në politikën e Iranit nuk është krijuar kurrfarë ndryshimi në lidhje procesin e kompromisit me Izraelin".

Republika Islamike e Iranit gjithmonë e ka njohur dhe e njeh regjimin sionist si një regjim fals dhe me të gjitha veprimet e veta ka kundërshtuar ndjekjen e projektit për paqe mes arabëve dhe regjimit sionist. Disa prej këtyre veprimeve ishte kundërshtimi i konferencës për paqe në Madrid në vitin 1991, kundërshtimi me marrëveshjen e Oslos në vitin 1993, kundërshtimi me marrëveshjen e Kamp David dhe kundërshtimi me planin "Lindja e Mesme e Madhe". Gjithashtu një prej arsye kryesore të disfatave të regjimit sionist në luftën 33 ditore kundër Rezistencës Islamike Libaneze (Hezbullah) dhe në luftërat 8 ditore, 22 ditore dhe 51 ditore kundër rezistencës palestineze në Rripin e Gazës, ishte mbështetja e Republikës Islamike të Iranit ndaj Hezbullahut të Libanit dhe grupeve të rezistencës së Palestinës.

Dy konceptet kompromisi dhe rezistenca gjithashtu tregojnë identitete politike dhe fetare të ndryshme të të dy vendeve. Këto dy koncepte me bosht regjimin sionist, janë bërë më të dalluar edhe në qeverinë e Donald Trump në atë mënyrë që Arabia Saudite, regjimi sionist dhe Amerika janë tre këndet kryesore të boshtit të kompromisit të cilat kanë formuar trekëndëshin e së keqes gjatë dy viteve të fundit në Lindjen e Mesme kundër Republikës Islamike të Iranit. Këto dy koncepte kompromisi dhe rezistenca janë bërë shkak për shfaqjen e kundërshtimit të politikave rajonale të Iranit dhe Amerikës. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në lidhje me këtë ka thënë: “Qëllimet e Amerikës në rajon kanë dallim 180 shkallë me qëllimet e Iranit”.

Republika Islamike e Iranit për t’u përballur me politikat e Amerikës në rajon, duke mbështetur politikisht dhe me instruktorë ushtarak vendet e pavarura të rajonit, forcimin e marrëdhënieve me popujt e rajonit e ka vendosur në krye të prioriteteve të saj dhe popujt e rajonit gjithashtu duke pranuar idealet e Revolucionit Islamik të Iranit, kanë formuar grupet e rezistencës në vendet e tyre dhe si rezultat është krijuar gjeopolitika e rezistencës në rajonin e Lindjes së Mesme. Janë formuar lëvizjet e Hezbullahut në vendet e rajonit dhe aktualisht po vërejmë formimin dhe forcimin e forcave të Hashd Sha’bi në Irak, lëvizjen Ansarullah në Jemen dhe grupet e rezistencës në Siri dhe që të gjitha kryejnë një funksion të ngjashëm me atë të Hezbullahut të Libanit dhe gjithashtu është shtuar edhe pesha e këtyre grupeve të rezistencës në strukturën e pushtetit të këtyre vendeve, për arsye se populli ka mbështetur funksionin e këtyre grupeve të rezistencës dhe e konsideron atë në përputhje me identitetin dhe dinjitetin e vet.

Në këto rrethana, Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë gjatë viteve të fundit në mënyrë serioze kanë theksuar në prezantimin e Iranit si kërcënim rajonal. Në dokumentet e sigurisë kombëtare të Amerikës gjithashtu kërcënimi rajonal i Iranit ka një pozitë të veçantë. Sipas pohimeve të autoriteteve amerikane “Republika Islamike e Iranit ka ndryshuar balancimin e fuqisë në rajon dhe kjo është me kuptimin e kërcënimit të interesave të Amerikës në rajonin e Lindjes së Mesme”. Kjo është saktësisht fjalia që është theksuar në dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare të Amerikës në vitin 2018.

Instituti hulumtues “Rend” i Amerikës gjithashtu në raportin e tij më të fundit në lidhje me kërcënimet me të cilat përballet Amerika, një prej kërcënimeve më të rëndësishme e ka quajtur ndikimin rajonale në shtrirje gjithnjë e më shumë të Iranit që sipas sugjerimit të këtij raporti, duhet të parandalohet shtrirja e ndikimit të Iranit. Ky institut amerikan, gjatë një studimi për të ardhmen, Iranin në një perspektivë kohore 2035-2050, e ka prezantuar si fuqi kyçe rajonale dhe ka paralajmëruar në lidhje me pasojat e këtij procesi për interesat e Amerikës. Pikërisht kjo çështje është bërë shkak që Amerika të hartojë strategji për përballje të njëanshme ose strategji të luftës zëvendësuese nga ana e aleateve rajonal të SHBA-ve kundër Republikës Islamike të Iranit.

Natyra vetëdijesuese e Revolucionit Islamik të Iranit

Një prej arsyeve të tjera kryesore të armiqësisë së Amerikës me Republikën Islamike të Iranit është natyra vetëdijesuese e Revolucionit Islamik të Iranit. Vetëdijesimi ka për qëllim çlirimin e popujve të tjerë nga prangat dhe zgjedha e despotizmit të brendshëm dhe kolonializmit dhe hegjemonisë së arrogancës botërore. Në realitet, misioni i Republikës Islamike të Iranit si një sistem politik i krijuar nga Revolucionit Islamik, është mobilizimi dhe zgjimi i popujve myslimanë dhe popujve të shtypur të botës për gjendjen e padrejtë, të padëshiruar dhe të pavetëdijshme.

Fitorja e Revolucionit Islamik të Iranit dhe pasqyrimi i tij në media, është bërë shkak që të forcohet ndjenja e identitetit fetar në mesin e myslimanëve të botës si dhe të përshpejtohet procesi i ripërtëritjes së jetës politike të Islamit në shoqëritë islame, për arsye se përpjekjet e shoqërisë myslimane të Iranit për rrëzimin e një regjimi shtetëror anti-fetar ka ushtruar ndikim pozitiv mbi popujt e tjerë myslimanë. Me formimin e Revolucionit Islamik në Iran disa vëzhgues dhe analistë të zhvillimeve islame kanë parashikuar se vendet si Malajzia dhe Indonezia mund të shndërrohen në “Një Iran tjetër”.

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në lidhje me natyrën vetëdijesuese të Revolucionit Islamik, ka thënë: “Sot pjesa më e madhe e vështirësive me të cilat po përballet kampi i arrogancës sidomos Amerika dhe sionizmi, është kjo që këto vështirësi janë shumë të mëdha dhe janë krijuar për shkak se myslimanët kanë arritur në një vetëdijesim dhe në këtë proces të vetëdijesimit ka luajtur rol të madh Imam Khomejni dhe populli iranian dhe Revolucioni Islamik i Iranit. Prandaj problemi më i madh i tyre është krijuar nga ky aspekt dhe pikërisht për këtë arsye ata synojnë ta shtypin këtë lëvizje me çdo mjet dhe me çdo kusht”.

Një prej arsyeve të shpërthimit të Zgjimit Islamik në botën arabe që nga viti 2011 e më pas, është pikërisht kjo natyrë vetëdijesuese e Republikës Islamike të Iranit. Nga njëra anë, populli është ngritur në revolucion kundër mbretërve dhe sunduesve autoritar dhe nga ana tjetër, popujt kanë kundërshtuar ndërhyrjen e Amerikës në çështjet e brendshme të këtyre vendeve. Këta dy faktorë kanë rrënjë në natyrën vetëdijesuese të Revolucionit Islamik të Iranit. 

Shkurtimisht duhet thënë se me fitoren e Revolucionit Islamik në Iran dhe me vendosjen e diskursit të fesë në këtë vend, u zhduk modeli i varësisë së Republikës Islamike të Iranit nga fuqitë e mëdha dhe Irani doli nga boshti i Amerikës dhe perëndimit dhe në realitet u krijuar një kontradiktë ose përballje e identiteteve mes Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit. Duke ndjekur modelin e pavarësisë në politikën e jashtme dhe paralel me atë, forcimin e rëndësisë dhe pozitës strategjike të Republikës Islamike të Iranit në rajon, u rrezikuan shumë prej interesave politikë, ekonomikë dhe ushtarak të Amerikës. Kundërshtimi i Iranit me regjimin sionist dhe me politikat e paligjshme të këtij regjimi, gjithashtu konsiderohet prej arsyeve të rëndësishme për vazhdimin e armiqësisë së Amerikës me Republikën Islamike të Iranit. Në këtë kuadër, natyra vetëdijesuese e Revolucionit Islamik të Iranit është bërë shkak për krijimin e vetëdijesimit dhe urrejtjes së popujve në botën islame ndaj Amerikës dhe shpërthimi i Zgjimit Islamik në botën arabe nga viti 2011 e më pas, ka ndodhur pikërisht në këtë kuadër. Ky cikë është bërë shkak i armiqësisë dyzetvjeçare të Amerikës me Republikën Islamike të Iranit ndërsa me kalimin e kohës janë zgjeruar përmasat dhe është shtuar intensiteti i kësaj armiqësi.

Tags