Shejkh Zakzaki, luftëtar i rrugës së vërtetë
(last modified Wed, 03 Feb 2016 11:01:56 GMT )
Shkurt 03, 2016 12:01 Europe/Tirane

Ibrahim Jakub Zakzaki, lideri i myslimanëve të Nigerisë ka lindur më 5 maj 1953 në qytetin Zaria në veri të Nigerisë.

Shejkh Zakzaki shkollimin fillor e kreu në shkollat kur’anore dhe islamike dhe në qendrat tradicionale arsimore të qytetit historik Zaria. Ai në ato qendra arsimore mësoi pranë profesorëve dhe mendimtarëve të mëdhenj të atij qyteti si profesori Thamen Abdulkadir dhe profesori Isa Madaka. Shejkh Zakzaki që nga viti 1971 deri në vitin 1975, vazhdoi mësimet në shkollën e studimeve arabe në Kano ku arriti suksese të rëndësishme në këtë qendër arsimore dhe pastaj drejtpërdrejt hyri në Universitetin “Ahmed DU Belov” në qytetin Zaria. Zakzaki në këtë universitet studioi në degën e ekonomisë dhe diplomoi në fakultetin ekonomik në vitin 1979. Mirëpo universiteti nuk i dha diplomën atij. Ky veprim i universitetit është bërë për shkak të veprimtarisë së tij islame, për arsye se Zakzaki ishte një prej aktivistëve të rëndësishëm të Unionit Islamik të Studentëve. Ai edhe gjatë periudhës kur ishte student për shkak të nivelit të gjerë të veprimtarive fetare dhe islame, ishte i njohur në nivel vendor. Për këtë arsye, universiteti në të cilin sundonte një atmosferë laike, nuk i dha diplomën atij. Një prej shkaqeve të mosdhënies së diplomës universitare për Shejkh Zakzak ishin ngjarjet që ndodhën në vitin 1979 në Nigeri. Në këtë vit në kohën kur Shejkh Zakzaki ishte sekretar i përgjithshëm i Unionit Islamik të Studentëve, janë zhvilluar protesta të gjera në Nigeri dhe myslimanët e Nigerisë kërkonin të vendoset Sheriati Islam në Kushtetutën e këtij vendi. Edhe pse myslimanët e përbëjnë gjysmën e popullsisë së Nigerisë, mirëpo Kushtetuta e këtij vendi është hartuar në bazë të standardeve dhe kritereve të tjera dhe këto protesta qytetare ngjallën irritimin e funksionarëve shtetërorë të Nigerisë. Në këtë periudhë Shejkh Zakzaki konsiderohej projektues i të gjitha protestave të cilat organizoheshin në mbështetje të vendosjes së Sheriatit Islam në Kushtetutën e Nigerisë. Prandaj ai u përballë me hidhërimin e funksionarëve dhe autoriteteve të Nigerisë. Mirëpo ngjarjet më të mëdha në jetën e Shejkh Ibrahim Zakzakit ndodhën në vitet 1978 dhe 1979. Ai në këto vite në Paris u takua me Ajetullah Khomeinin. Zakzaki një vit pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit në vitin 1980, në kohën kur ishte student në degën e ekonomisë në Universitetin Zaria, në rolin e zv/sekretarit të përgjithshëm të Unionit të Studentëve Myslimanë të Afrikës vizitoi Iranin dhe u takua me Ajetullah Khomeinin. Kur Ajetullah Khomeini në atë takim i dhuroi atij një Kur’an, i tha: “Shko dhe udhëzo me Kur’an popullin e vendit tënd.” Atëherë jeta e Ibrahim Zakzakit gjeti kuptimin e vërtetë të saj dhe thuajse para syve të tij u shfaq një rrugë e ndriçuar e cila me dritën e saj e çonte atë drejtë të vërtetave të mëdha. Ai pas atij takimi, u fut në shkollën e Ehli Bejtit (a.s.) dhe pranoi shkollën shiite të mendimit islam dhe vendosi që në sjelljen dhe veprimet e tij të tregojë bukuritë e moralit islam të nxjerra nga sjelljet e të Dërguarit të Zotit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe të Ehli Bejtit të tij të pastër. Shejkh Zakzaki duke imituar metodën e Profetit të nderuar të Islamit dhe të Ehli Bejtit të tij (a.s.), gjithnjë ishte i pari edhe në përshëndetjen e fëmijëve me “selam”. Ai mbante rroba të thjeshta, por të pastra dhe gjithmonë tregonte edukatën dhe respektin ndaj të gjithëve, si ndaj myslimanëve ashtu edhe ndaj jomyslimanëve. Një prej shkaqeve të pranimit të Islamit dhe të shkollës së Ehli Bejtit (a.s.) nga ndjekësit e fesë krishtere dhe të besimeve të tjera në Nigeri, ishte sjellja e moralshme e Shejkh Zakzakit dhe lufta e tij për drejtësi. Në lidhje me personalitetin e tij, thuhet se kur krijoheshin mosmarrëveshje mes myslimanëve dhe jomyslimanëve dhe njerëzit referoheshin pranë tij për këtë çështje, ai menjëherë fillonte të hulumtonte të vërtetën dhe nëse ajo ishte në favor të jomyslimanëve, ai u jepte të drejtën atyre. Kjo sjellje e drejtë e tij përkrah personalitetit dhe virtyteve të larta, ka përhapur dhe zgjeruar Islamin në masë të madhe në Nigeri, si dhe përhapi dashurinë e pastër ndaj Ehli Bejtit, sidomos ndaj Imam Huseinit (a.s.) mes myslimanëve në këtë vend.

Deri para animit të Shejkh Zakzakit drejt shkollës së Ehli Bejtit (a.s.), medhëhebi shiit në Nigeri ishte i panjohur dhe vetëm një numër i vogël i myslimanëve ishin ndjekës së këtij medhëhebit. Mirëpo nëpërmjet veprimtarisë së tij, aktualisht Nigeria është një prej vendeve me popullsi më të madhe myslimanë në Afrikë dhe ka një numër shumë të madh të myslimanëve shiitë, por sistemi shtetëror i këtij vendi është laik. Veprimtaria e Shejkh Zakzaki ka marrë emrin “Lëvizja Islamike” dhe ai vet njihet si lideri më i dalluar i myslimanëve të Nigerisë. Kjo lëvizje ka mbi 300 shkolla fillore në rajone të ndryshme të cilat kryesisht gjenden në pjesën veriore të Nigerisë. Ato njihen me emrin “Shkollat Feovzije”. Kjo lëvizje gjithashtu ka në dispozicion edhe gazetën me tirazh më të madh në Nigeri të quajtur “Al-Mizan” e cila publikohet në gjuhën “husaji”. Shejkh Zakzaki si lideri i Lëvizjes Islamike të Nigerisë, i ka kushtuar shumë vite të jetës së tij predikimit të mësimeve burimore islame dhe të shkollës së Ehli Bejtit (a.s.) dhe shumë herë është arrestuar dhe burgosur nga regjimet sunduese në Nigeri për shkak të bindjeve të tij fetare. Shejkh Zakzaki gjithashtu është hafëz i të gjithë Kur’anit dhe një pjesë të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar studimeve dhe hulumtimeve në fusha të ndryshme islame. Duke marrë parasysh se ai zotëron gjuhët husaji, angleze, spanjolle, arabe dhe persiane, ka mbajtur fjalime dhe ligjërata të ndryshme në Nigeri, Sierra Leone, Niger, Algjeri, Angli, Francë, Spanjë, Amerikë, Liban, Azerbajxhan dhe Iran. Shejkh Zakzaki ka një respekt dhe dashuri aq të madhe ndaj Ehli Bejtit (a.s.) saqë disa herë ka vizituar varrin e Imam Reza (a.s.) në Mashhad të Iranit. Ai në një intervistë në lidhje me Imam Reza (a.s.) ka thënë: “Të flasësh rreth Imam Rezait (a.s.) nuk përkufizohet vetëm me atë që thuhet rreth tij në libra dhe në konferenca të ndryshme, për arsye se ne, ashtu siç ka thënë Imam Reza (a.s.), këto sjellje dhe këtë moral të tij duhet ta vendosim në qenien tonë dhe pastaj ta institucionalizojmë atë në shoqërinë në të cilën jetojmë. Këto sjellje dhe ky moral duhet të manifestohen në sjelljen dhe veprimet tona. Kjo është me rëndësi shumë të madhe. Edukatën, luftën në rrugën e Zotit, racionalizmin, përpjekjen, durimin dhe tolerancën etj., duhet t’i mësojmë nga Imam Rezai (a.s.) dhe t’i zbatojmë ato në jetën tonë të përditshme”. Shejkh Zakzaki në vazhdim vë në dukje një çështje të rëndësishme e cila tregon qëllimin e tij në veprimtarinë islame në Nigeri. Ai ka thënë: “Kur ne të kthehemi në vendet tona, le të zbatojmë në jetë këto porosi të Imam Rezait (a.s.) sepse ai ka thënë: “Zoti e mëshiroftë atë që ringjallë urdhrin tonë”. Kur atë e pyetën se çfarë është urdhri juaj? Ai tha: “T’i mësojnë njohurit dhe mësimet tona dhe t’i transmetojnë ato për njerëzit e tjerë, për arsye se nëse njerëzit do të dëgjojnë bukuritë e mësimeve tona dhe do t’i njohin ato, padyshim se do të ndjekin rrugën tonë”.

Lideri i myslimanëve shiitë të Nigerisë gjatë fjalimeve të tij ka folur edhe rreth lëvizjeve fetare të Imam Rezait (a.s.) dhe për kryengritjen e Imam Huseinit (a.s.) dhe ka thënë: “Ne kemi dy lëvizje ripërtëritëse në jetën e imamëve masum (a.s.); njëra është lëvizja e Imam Huseinit dhe tjetra është lëvizja fetare e Imam Rezait (a.s.). Imam Reza (a.s.) në periudhën në të cilën ka jetuar, ka ripërtërirë fenë edhe në ato rrethana në të cilat në botën islame kishin depërtuar mendime dhe ide të devijuara. Imam Reza (a.s.) ka shkuar në Khorasan dhe ka zgjedhur këtë rajon për hixhretin e tij. Me të vërtetë, prania e tij në Mashhad ishte një urtësi hyjnore dhe Zoti i madhëruar dëshiroi që Imam Reza (a.s.) të shkojë në këtë rajon dhe të jetojë në mërgim dhe të martirizohet gjithashtu në mërgim, si dhe të varroset në një vend të huaj. Këto të gjitha janë urtësi hyjnore”. Shejkh Ibrahim Zakzaki i cili ka një pasion dhe respekt të veçantë për Revolucionin Islamik të Iranit dhe liderët e tij, do të thotë për Ajetullah Khomeinin (ra) dhe për Ajetullah Khamenei, beson se tensionet dhe dhuna në botë ka arritur kulmin e saj. Ai mendon se Republika Islamike e Iranit duke u mbështetur në shkollën e Ehli Bejtit (a.s.), e cila është një shkollë e dialogut racional, aktualisht luan një rol të madh në botë. Lideri i myslimanëve shiitë të Nigerisë gjithashtu pohon se: “Republika Islamike e Iranit duke përdorur racionalizmin dhe kulturën e Imam Reze (a.s.), e ka zgjidhur çështjen bërthamore në tryezën e bisedimeve dhe ky është një mesazh të cilin ne duhet ta marrim nga ky vend dhe ta dërgojmë në vendin tonë”. Në edicionin e ardhshëm do të njihemi më tepër me personalitetin fetar të liderit të myslimanëve të Nigerisë, Shejkh Ibrahim Zakzaki.

Tags