Lufta kundër ndotjes së ajrit, shpëtimi i Mjedisit
(last modified Wed, 05 Jun 2019 07:29:29 GMT )
Qershor 05, 2019 09:29 Europe/Tirane
  • Lufta kundër ndotjes së ajrit, shpëtimi i Mjedisit

5 qershori përkon me ditën që Kombet e Bashkuara r kanë shpallur si Dita Botërore e Mjedisit. Qëllimi i organizimit të një dite të tillë është rritja e vetëdijes së njerëzve dhe qeverive për të mbrojtur mjedisin dhe për të marrë masa kundër  shkatërrimit të mjedisit. Kjo ditë mbahet çdo vit në mbarë botën dhe është një çështje globale që synon ndalimin e  kërcënimeve që i bëhen mjedisit.

Ajri është një element mjaft i rëndësishëm për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin që na rrethon, i cili vazhdimisht është nën ndikim të ndotjes. Edhe pse ndotja e ajrit vjen nga aktivitetet njerëzore, ai gjithashtu mund të ndikohet edhe nga fenomenet natyrore. Ndotja e ajrit ndodh kur në ajër lirohen substanca në sasi që mund të dëmtojnë shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve ose mund të shkaktojnë dëme materiale. Disa ndotës të ajrit mund të kenë edhe ndikime globale p.sh. rritja e efektit të gazeve serrë ose dëmtimi i shtresës së ozonit. Transporti rrugor është një nga burimet më të mëdha të ndotjes, duke kontribuar në cilësi të dobët e ajrit, zhurmës, çrregullimet nga ndryshimet klimatike. Udhëtimi me makinë shpesh është opsioni i vetëm dhe praktike. Ndotësit e ajrit nga transporti përfshijnë oksidin e azotit, grimcat, monoksidin e karbonit dhe hidrokarbure. Të gjithë kanë një ndikim të dëmshëm në shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe bimësisë në nivel lokal. Në qendrat e qyteteve dhe rrugëve së automjeteve, ndotja është më e madhe. Makinat janë të pritura të lëshojnë më shumë ndotje disa kilometra para nisjes, derisa behet ngrohja e plote e motorit.

Një studim ka treguar se ndotja e ajrit shkurton jetëgjatësinë mesatare të njerëzve rreth globit për rreth dy vite, duke e bërë këtë rrezikun e vetëm të madh për shëndetin e njerëzve. Studimi vrojtoi ndotjen e grimcave të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile nga automjetet dhe industria. U zbulua se në shumë pjesë të vendeve më të prekura- Indi dhe Kinë – jetëgjatësia po zvogëlohej për gjashtë vite. Studimi hulumtoi jetëgjatësinë e reduktuar të shkaktuar nga ekspozimi afatgjatë ndaj grimcave. Ndikimi i ajrit toksik është më i madh se ai i pirjes së duhanit të cigareve apo HIV / Aids.

Shkencëtarët e konsiderojnë ndotjen e ajrit si pasojë e revolucionit industrial që filloi rreth 300 vjet më parë, dhe me zhvillimin e rritjes industriale dhe urbane, madhësia dhe intensiteti nga atëherë e deri më tani është rritur. Mbështetja bazë në burimet fosile të energjisë si qymyri, nafta, gazi dhe përfundimisht lirimi i materialeve të djegies do të rezultojë në produkte të dëmshme që kërcënojnë jetën e qenieve të gjalla, veçanërisht të njerëzve. Shkarkimet e gazrave nga transporti kanë kontribut të rëndësishëm te ndryshimet klimaterike. Ndotja e motorit te automjeteve gjithashtu kontribuon në formimin e shiut acid dhe shton gazrat serë që shkaktojnë ndryshimin e klimës.  Nga dekadat e para të shekullit të njëzetë, dhe duke parë lidhjen ndërmjet ndotjes së ajrit dhe degradimit mjedisor, shumë vende të përparuara industriale filluan kërkime dhe programe shkencore për të kontrolluar ndotës shumë të dëmshëm, por për fat të keq, situata e ndotjes së ajrit, veçanërisht në qytetet e mëdha, po përkeqësohet ditë pas dite.

Për shkak të rreziqeve të ndotjes së ajrit, shumë vende kanë marrë masa për të zvogëluar ndikimin mjedisor të ndotjes së ajrit. Ndërsa shkencëtarët studiojnë efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit në bimët, kafshët dhe jetët njerëzore, ligjvënësit gjithashtu kanë miratuar ligje për të kontrolluar reduktimet e emetimeve. Shumë vende kanë vendosur kufizime për emetimet e makinave dhe industrive. Kjo bëhet përmes koordinimit të agjencive që janë përgjegjëse për monitorimin e mjedisit dhe ajrit. Kombet e Bashkuara po zbatojnë një plan të menaxhimit të klimës për projektet mjedisore në mbarë botën. Sigurisht, ka politikanë që, pavarësisht nga efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit, lëshojnë komanda që rrezikojnë jetën e të gjitha gjallesave në botë, përfshirë Presidentin e SHBA Donald Trump.

Rritja e përqendrimit të CO2 atmosferik, së bashku me ngrohjen globale, gjithashtu rrit prodhimin e palmave. Për më tepër, ndryshimet e shpeshta të klimës mund të ndryshojnë ndërveprimin midis ndotësve të ajrit dhe alergjenëve të frymëmarrjes. Në këtë mënyrë, rritet edhe sëmundshmëria tek personat me probleme të astmës, pikërisht për shkak të pjalmit. Avujt e benzinës që përhapen në atmosferë gjatë furnizimit me karburant, dhe kur karburanti përdoret nga motorët me djegie të brendshme, krijojnë për pasojë çlirimin e monoksidit të karbonit, oksidet e azotit, dhe hidrokarburet. Të gjitha këto, lënë një impakt të madh në mjedis. Ato ndikojnë në dëmtimin e indeve të mushkërive dhe mund të ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, të tilla si astma.

Kështu, mund të thuhet se edhe pse janë marrë deri tani masa të rëndësishme dhe serioze për ndotjen e ajrit nga organet ndërkombëtare, interesat e vendeve hegjemonike dhe mungesa e burimeve financiare në vendet në zhvillim kanë penguar arritjen e qëllimeve paqësore ndërkombëtare. Por të gjithë ata që mendojnë për veten dhe të mbijetuarit e tyre e dinë se e drejta për të përdorur një mjedis të shëndetshëm nuk është vetëm e drejta e njerëzve të tanishëm të botës, por edhe e drejta e brezave të ardhshëm. E ardhmja gjithashtu kërkon ajër të pastër, qiell të çiltër dhe tokë të gjelbër.

 

 

Tags