Lajmërimet kur’anore (8) (speciale për Ramazanin)
(last modified Tue, 12 May 2020 07:49:56 GMT )
May 12, 2020 09:49 Europe/Tirane
  • Lajmërimet kur’anore (8) (speciale për Ramazanin)

Një pjesë e ajeteve të Kur’anit të shenjtë flasin për mirësitë të cilat Zoti i mëshirshëm dhe falës i ka vendosur në dispozicion të njeriut.

Përshëndetje miq të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Lajmërimet kur’anore”. Lutemi pranë Zotit që të pranohen adhurimet dhe agjërimi juaj pranë Zotit të Madhëruar.

Në ajetet 109-112 të srues Safat të Kur’anit të shenjtë thuhet:

« سَلامٌ عَلی‌ إِبْراهیمَ / کَذلِکَ نَجْزِی الْمُحْسِنینَ / إِنَّهُ مِنْ عِبادِنَا الْمُؤْمِنینَ / وَ بَشَّرْناهُ بِإِسْحاقَ نَبِیًّا مِنَ الصَّالِحین.»

“Përshëndetja qoftë mbi Ibrahim. Kështu i shpërblejmë bamirësit. Ai (Ibrahimi) është prej robërve tanë besimtar. Ne atë e kemi përgëzuar për Is’hakun, një prej profetëve të mirë”.

Një pjesë e ajeteve të Kur’anit të shenjtë flasin për mirësitë të cilat Zoti i mëshirshëm dhe falës i ka vendosur në dispozicion të njeriut. Mirësitë hyjnore për çdo çast zbresin si një lum drejt njerëzve dhe sasia e panumërt e këtyre mirësive, sipas Kur’anit është aq e madhe sa që ato nuk mund të numërohen. Ndërkohë pikërisht ky shtim i mirësive e fut njeriun në neglizhencë. Një prej këtyre mirësive, është posedimi i fëmijës së mirë që në këto ajete Zoti përgëzon profetin e vet për një gjë të tillë dhe arsyen e kësaj e ka përmendur bamirësinë dhe besimin e sinqertë të Hazretit Ibrahim a.s.. Ajetet e Kur’anit të shenjtë tregojnë këtë se edhe pse Hazreti Ibrahim a.s. doli me kokën lartë nga sprova për sakrifikimin e djalit të tij Hazreti Ismail a.s., mirëpo kjo mirësi dhe mëshirë e Zotit nuk kufizohet në mënyrë të veçantë vetëm për Hazretin Ibrahim a.s., por çdo kush në bazë të pasurisë dhe jetës dhe dëshirave të veta që i sakrifikon në rrugën e Zotit, do ta meritojë shpërblimin hyjnor. Ai që është besimtar dhe në rrugën e robërimit para Zotit dorëzohet dhe nënshtrohet në mënyrë absolute para urdhrave hyjnorë, do ta meritojë shpërblimin dhe përshëndetjen e Zotit ashtu siç e meritoi Hazreti Ibrahim a.s. dhe kjo çështjeje vazhdon pandërprerë përgjatë gjithë historisë. Kur’ani i shenjtë thekson se përshëndetja dhe përfshirja në mirësinë e Zotit, është një shpërblim të cilin ne ua japim njerëzve bamirës.

Zoti i madhëruar gruan dhe fëmijën që bëhet shkak për qetësinë, gëzimin dhe mbetjen e emrit të mirë, e konsideron mirësi të madhe dhe pikërisht për këtë arsye pronarët e kësaj mirësie e kanë obligim të falënderojnë Zotin. Në ajetin 72 të sures Nahl të Kur’anit të shenjtë, lexojmë:

واللَّهُ جَعَلَ لَکُمْ مِنْ أَنْفُسِکُمْ أَزْوَاجًا وَجَعَلَ لَکُمْ مِنْ أَزْوَاجِکُمْ بَنِینَ وَحَفَدَةً وَرَزَقَکُمْ مِنَ الطَّیِّبَاتِ ۚ أَفَبِالْبَاطِلِ یُؤْمِنُونَ وَبِنِعْمَتِ اللَّهِ هُمْ یَکْفُرُونَ

“Zoti i madhëruar për ju ka vendosur bashkëshorte nga lloji juaj dhe nga bashkëshortët tuaja për ju ka krijuar fëmijë dhe nipa e mbesa dhe iu ka furnizuar juve me mirësi të pastra. Ata përsëri besojnë në të pavërtetën dhe mohojnë mirësitë e Zotit?!”

Çdo krijesë me dashja ose padashje, bënë përpjekja për ta ruajtur llojin e vet. Kjo ruajtje e llojit edhe pse në mesin e shumë krijesave bëhet në kuadër të një ligji dhe tradite hyjnore dhe kjo përpjekje në formë të instinktit ndodhet në qenien e të gjitha krijesave, mirëpo në llojin njerëzor për shkak të posedimit të vullnetit dhe zgjedhjes, kjo përpjekje gjen një kuptim dhe koncept tjetër. Në pikëpamjen e Islamit, lindja e fëmijëve bëhet shkak për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e familjes, prandaj lënia mbrapa e një gjenerate të pastër dhe të mirë konsiderohet një çështjeje e bekuar dhe begatshme për çdo mysliman. Kështu që nuk është mirë që asnjë mysliman me dëshirë dhe zgjedhje të tij të mbetet pa pasardhës. Kur’ani i shenjtë për përshkrimin e fëmijëve ka përdorur fjalët “bakijat” dhe “salihat” dhe pasurinë dhe fëmijët i ka quajtur bukuri e jetës në këtë botë.

Në transmetime fetare, fëmijët janë quajtur dhe përshkruar gjithashtu me fjalë të bukura si “fryti i zemrës”, “drita e syve”, “brumë i lumturisë”, “shkak i shpërblimit në botën e amshueshme” si dhe “mëshirë dhe falje hyjnore”. Një çështjeje e rëndësishme dhe themelore që ekziston në Kur’anin e shenjtë, është vëmendja ndaj lindjes së gjeneratës së re të njerëzve të merituar dhe besimtarë. Me fjalë të tjera, ajo që ka rëndësi është shtimi i numrit të njerëzve bamirës dhe të mirë. Rëndësia e kërkimit të fëmijës për shkak të vazhdimit të gjeneratës së njeriut, nuk është vetëm për shkak që emri ynë të mbetet gjallë, sepse nëse edukojmë një fëmijë të mirë, dosja e veprës tonë nuk mbyllet me vdekjen tonë, por vazhdon edhe pas vdekjes tonë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në një hadith ka thënë: “Njeriu kur do që të vdesë, ndërpritet edhe vepra e tij, me përjashtim nëpërmjet tre rrugëve: lëmosha e vazhdueshme, vepra nga e cila përfitojnë të tjerët, si dhe nëpërmjet fëmijës së mirë i cili bënë lutje dhe dua për atë”. Hazreti Ibrahim a.s. edhe pse kishte arritur në moshën e pleqërisë, akoma kishte dëshirë për të pasur një fëmijë dhe për t’iu gëzuar kësaj mirësie hyjnore.

Hazreti Ibrahim a.s. dhe bashkëshortja e tij Sara kanë qenë shumë mikpritës. Sara mundohej që ta shoqërojë Hazretin Ibrahim a.s. në çdo vepër të mirë, sidomos në mikpritje. Atë ditë Hazreti Ibrahim a.s. së bashku me Saranë ishin në shtëpi kur papritur disa persona të rinj, të bukur dhe të mëdhenj erdhën te Ibrahimi dhe e përshëndetën. Ibrahimi a.s. shumë shpejtë përgatiti ushqim dhe gjëra të tjera për mikpritjen e mysafirëve dhe theri një viç të madh për ata. Sara gjithashtu i ndihmoi bashkëshortit të saj për përgatitjen e ushqimit dhe gjërave të tjera për mysafirët dhe i priten ata me fytyrë të qeshur. Mirëpo ata nuk ishin mysafir të zakonshëm, por ishin engjëj të cilët ishin paraqitur në formën e njeriut, prandaj ata nuk hëngrën ushqim. Mosngrënia e ushqimit të mikpritësit në atë kohë konsiderohej një lajmërim i rrezikut, prandaj Ibrahimi a.s. me gjithë atë burrëri dhe trimëri, u shqetësuar se çfarë do të ndodhë. Ndërkohë engjëjt i thanë atij: “Mos u frikëso, ne kemi ardhur që të përgëzojmë dhe të japim një lajm të mirë ty, sepse Zoti i madhëruar së shpejti do të dhurojë ty një fëmijë dhe emri i tij do të jetë Is’hak i cili do të jetë profet. Pasta Is’hakut do t’ia dhurojë një djalë me emrin Ja’kub i cili gjithashtu do të jetë profet i Zotit”. Sara e cila qëndronte aty, me të dëgjuar këtë përgëzim u çudit dhe filloi të qeshë ndërsa tha:

قَالَتْ یَا وَیْلَتَىٰ أَأَلِدُ وَأَنَا عَجُوزٌ وَهَٰذَا بَعْلِی شَیْخًا ۖ إِنَّ هَٰذَا لَشَیْءٌ عَجِیبٌ

“O mjerë për mua! A do të lind unë fëmijë në kohën kur jam një grua plakë dhe burri im është një burrë plak?! Kjo me të vërtetë është e çuditshme”. (Surja Hud, ajeti 72). Engjëjt lajmëtarë i thanë bashkëshortes së Hazretit Ibrahim: “A po çuditësh nga urdhri dhe mëshira e Zotit? Ai është Zoti i mëshirshëm dhe kështu ka dëshiruar për juve”. Nuk zgjati shumë kohë kur familja e ngrohtë e Hazretit Ibrahim a.s. u bë edhe më e gëzuar me ardhjen e një foshnje të re me emrin Is’hak. Hazreti Ibrahim a.s. falënderoi Zotin e madhëruar dhe tha: “Falënderimi dhe lavdërimi i takon Zotit të madhëruar i cili më ka dhuruar Ismailin dhe Is’hakun në moshën e pleqërisë!”.

Is’hak ishte fëmija i dytë i Hazreti Ibrahimit a.s. pas Ismailit i cili ka lindura nga bashkëshortja e tij Sara. Zoti i madhëruar Hazretit Ibrahim i ka premtuar se edhe ai do të jetë profet i Zotit. Një profet i Zotit i cili ashtu si profetët e tjerë, do të jetë prej njerëzve të mirë dhe prej bamirësve të kohës së vet dhe do të gëzojë gjithashtu mëshirën dhe mirësinë hyjnore.  

Në lajmërimet e Kur’anit ajo që është më e rëndësishëm se sa dhurimi i fëmijës për Hazretin Ibrahim a.s., është përgjegjësia e Imametit dhe udhëheqjes së shoqërisë njerëzore nëpërmjet pranimit të shpalljes hyjnore dhe pozita e profetësisë të cilën Zoti i madhëruar pas Ibrahimit a.s., ua ka dhënë edhe fëmijëve dhe pasardhësve të tij të pastër dhe në këtë mënyrë i ka konsideruar ata njerëz të merituar për të pranuar dhe zbatuar këtë përgjegjësi të madhe. Natyrisht kjo përgjegjësi e madhe ka filluar me robërim para Zotit dhe me adhurimin e Zotit dhe ka vazhduar me sinqeritet dhe dorëzim të plotë dhe absolut para urdhrave të Zotit të madhëruar.

Zoti i madhëruar i ka dërguar përshëndetje Hazretit Ibrahim ashtu si profetëve të Zotit dhe ka premtuar se nga Hazreti Ibrahim a.s. do të mbetet emri i mirë në historinë e njerëzimit. Tani të gjitha ritualet e ceremonisë së Haxhit duke filluar nga tavafi deri te namazi prapa pozitës së Hazretit Ibrahim dhe paraqitja e profetëve të Zotit nga loza e familjes së tij, të gjitha janë shembuj të kujtimit të emrit të mirë të tij në histori. Tani që ndodhemi në muajin e lutjeve dhe duave, duhet t’i kushtojmë vëmendje se Hazreti Ibrahim a.s. me besim të thellë te Zoti i madhëruar, të gjithë ekzistencën e vet dhe fëmijën e tij të dashur pa kurrfarë dileme e ka vendosur në tabakun e sakrificës dhe flijimit në rrugën e Zotit të tij. Prandaj duaja e Hazretit Ibrahim a.s. për fëmijët dhe pasardhësit e tij krijoi kushtet që fëmijët e tij Islamili a.s. dhe Is’haku a.s. dhe gjeneratat pas tyre të meritojnë shpërblimin dhe mëshirën hyjnore. Prandaj edhe ne gjithnjë duhet të lutemi që fëmijët dhe pasardhësit tanë të jenë njerëz të mirë dhe besimtarë që e meritojnë shpërblimin dhe mëshirën e Zotit.

Tags