Qershor 17, 2024 10:59 Europe/Tirane
  • Ministria e Punëve të Jashtme të Iranit: Deklarata e tre vendeve evropiane është absurde dhe e pavlefshme

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit e cilësoi deklaratën e përbashkët të tre vendeve evropiane, Gjermanisë, Anglisë dhe Francës në lidhje me programin bërthamor të Iranit si absurde dhe të pavlefshme, me përmbajtje pretendimesh të rreme dhe e dënoi atë.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Iranit lëshoi ​​mbrëmë një deklaratë, ku dënoi deklaratën e tre vendeve evropiane, Gjermanisë, Anglisë dhe Francës, duke shtuar: "Siç është paralajmëruar shumë herë, programi bërthamor i Iranit ka patur gjithmonë natyrë krejtësisht paqësore dhe se armët bërthamore nuk kanë asnjë vend në doktrinën ushtarake dhe mbrojtëse të Iranit."

Gjithashtu, në këtë deklaratë thuhet: "Ironia e hidhur e çështjes është se vendet që kanë një qasje politike dhe jo konstruktive duke qenë vetë përgjegjës dhe shkaktues të gjendjes aktuale të JCPOA-së (marrëveshjes bërthamore), e akuzojnë Iranin për zbrazje të JCPOA-së nga përmbajtja e saj."

Ministria e Punëve të Jashtme shtoi në këtë deklaratë: "Republika Islamike e Iranit ka qenë e përkushtuar të vazhdojë ndërveprimin konstruktiv dhe bashkëpunimin teknik me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) në kuadrin e të drejtave dhe detyrave të saj dhe do të vazhdojë të zbatojë planet dhe projektet e saj paqësore bërthamore në përputhje me Traktatin e Mospërhapjes dhe Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Masave Mbrojtëse."

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme theksohet: "Veprimtaritë bërthamore paqësore të Iranit nuk janë reagime, por do të vazhdojnë në bazë të programit kombëtar të zhvillimit bërthamor dhe në kuadër të të drejtave dhe detyrimeve ndërkombëtare; dhe spekulimet e rreme të perëndimorëve në këtë drejtim, ashtu si gabimet e tyre të tjera, nuk do të çojnë askund."

Ministria e Punëve të Jashtme shtoi: "Republika Islamike e Iranit ka qenë gjithmonë e gatshme për ndërveprim dhe dialog konstruktiv dhe beson se mirëbesimi, shmangia e veprimeve të pasuksesshme e të dështuara politike të së kaluarës, së bashku me shfaqjen e seriozitetit dhe të një qasjeje pragmatike, është e nevojshme për të trajtuar problemet dhe çështjet e të gjitha palëve."

 

 

Tags