Qershor 27, 2024 11:43 Europe/Tirane
  • Martirizohen 8 palestinezë në sulmin ajror të regjimit sionist në veri të Gazës

Burimet e lajmeve raportuan të mërkurën mbrëma se tetë palestinezë u martirizuan në sulmin ajror izraelit në veri të Gazës.

Sipas raportit të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga rrjeti televiziv Al-Mayadeen, avionët luftarakë të regjimit sionist bombarduan zonën Al-Alami në kampin Xhebalia që ndodhet në veri të Gazës, si pasojë e të cilit 8 palestinezë ranë dëshmorë dhe disa të tjerë u plagosën.

Avionët luftarakë të regjimit sionist kanë sulmuar edhe lindjen e provincës Khan Yunis që ndodhet në jug të Gazës, ndërkohë edhe njësia e artilerisë së ushtrisë sioniste ka vënë në shënjestër edhe pjesën perëndimore të qytetit Rafah.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, njoftoi se sulmet e Izraelit kanë lënë pa strehë dhe kanë zhvendosur më shumë se tre të katërtat e banorëve të Gazës.

Të mërkurën, Guterres, në një fjalim të tij theksoi se agresioni i vazhdueshëm i Izraelit kundër Rripit të Gazës ka shkaktuar zhvendosjen e tre të katërtave të banorëve të Gazës dhe se pengimi i hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza i ka vënë palestinezët në këtë rajon në prag të zisë së bukës dhe urisë.

Ai shtoi: "Ka pengesa të rrezikshme në rrugën e hyrjes së ndihmave humanitare në Gaza, gjë e cila ka bërë që njerëzit e këtij rajoni të jenë në prag të krizës së urisë."

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, nga 7 tetori e deri më tani, si pasojë e agresionit të regjimit sionist në Gaza, kanë rënë dëshmorë më shumë se 37 mijë 718 persona.

 

Tags