Tetor 16, 2023 22:19 Europe/Tirane
  • Raisi në bisedë me Putin: Mbështetja e verbër e SHBA-së dhe e Perëndimit për Izraelin, shkaku rrënjësor i gjenocidit në Gaza

Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha se mbështetja e verbër e vendeve perëndimore, veçanërisht e Shteteve të Bashkuara për Izraelin u ka dhënë sionistëve një nxitje për të intensifikuar krimet e tyre dhe për të vazhduar gjenocidin kundër popullit palestinez në Gaza.

“Katastrofa e rëndë që po ndodh në rajon është rezultat i politikave të SHBA-së dhe mbështetësve të tjerë perëndimorë të regjimit sionist, të cilat janë të dënuara të dështojnë”, tha Raisi të hënën në një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin.

Ai përshëndeti qëndrimin pozitiv të Rusisë në dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit të Izraelit në Gaza dhe paralajmëroi për përhapjen e mundshme të luftës në pjesë të tjera të rajonit.

"Duke pasur parasysh zhvillimet aktuale në Gaza, ekziston mundësia e zgjerimit të fushës së luftës dhe konfliktit në fronte të tjera. Në një rast të tillë, do të jetë më e vështirë të kontrollohet situata", tha Presidenti iranian.

Raisi u bëri thirrje të gjitha vendeve dhe qarqeve ndërkombëtare, përfshirë Rusinë, si një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të luajnë një rol më efektiv në ndalimin e krimeve të luftës të regjimit izraelit në Gazën e rrethuar.

Ai shpjegoi se regjimi izraelit ka përdorur gjenocid dhe krime kundër civilëve të pambrojtur në Gaza për të kompensuar disfatat e tij të turpshme.

Presidenti iranian theksoi se bombardimet e gjera dhe përdorimi i armëve dhe pajisjeve të rënda dhe jokonvencionale kundër zonave të banuara, si dhe detyrimi i një popullsie të madhe të largohen nga shtëpitë e tyre janë padyshim ndër shembujt e qartë të krimeve kundër njerëzimit.

Irani ka njoftuar vazhdimisht se mbështetja për Palestinën është ndër prioritetet e politikës së jashtme të Republikës Islamike, "por grupet e rezistencës janë të pavarura në marrjen e vendimeve," shtoi Raisi.

Nga ana e tij, Putin tha se Rusia ndan të njëjtën analizë me Iranin në lidhje me shkaqet e krizës aktuale në Gaza dhe shtoi se nuk ka asnjë justifikim për sulmet e gjera të Izraelit në një zonë të dendur me më shumë se dy milionë banorë të pambrojtur.

Presidenti rus i kërkoi regjimit izraelit të ndalojë urgjentisht agresionin e tij, duke paralajmëruar se një operacion tokësor në Gaza do të ishte i kushtueshëm dhe do të kishte pasoja shumë të rënda ushtarake dhe humanitare.

Rusia është e shqetësuar për përhapjen e konfliktit aktual në zona të tjera, shtoi Putin.

 

Tags