Nëntor 27, 2023 08:14 Europe/Tirane
  • Fitorja e Stuhisë al-Aksa; Lirohen disa të burgosur të tjerë palestinezë

Një numër tjetër i të burgosurve palestinezë në burgjet  e regjimit sionist janë kthyer në krahët e familjeve të tyre në kuadër të marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit në Rripin e Gazës.

Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, një numër tjetër i grave dhe fëmijëve palestinezë nën moshën 19 vjeç u liruan të dielën nga burgu "Ofer" i regjimit sionist në perëndim të qytetit Ramallah, qendër e Bregut Perëndimor. Sipas marrëveshjes katërditore të armëpushimit të përkohshëm në Rripin e Gazës, 150 gra dhe fëmijë palestinezë të burgosur do të lirohen nga burgu i regjimit sionist. Sipas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes së Rezistencës Islamike Palestineze (Hamas) dhe regjimit sionist me ndërmjetësimin e Katarit, ky numër i të burgosurve do të lirohen nga burgu i regjimit sionist në disa faza dhe procesi i lirimit ka nisur që të shtunën. Kur familjet e të burgosurve palestinezë dhe gazetarët pranë burgut sionist “Ofer” prisnin lirimin e të burgosurve, ushtarët izraelitë hodhën gaz lotsjellës ndaj tyre dhe disa u plagosën.  Me kërkesë të Rusisë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot (e hënë) një mbledhje me dyer të mbyllura për të shqyrtuar marrëveshjen e përkohshme dhe humanitare të armëpushimit në Rripin e Gazës. Ndërkohë vazhdojnë përpjekjet politike rajonale dhe ndërkombëtare për vazhdimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit është shprehur optimiste se kjo marrëveshje do të shtrihet për vazhdimin e shërbimeve humanitare për banorët e Rripit të Gazës.

Tags