Mars 14, 2023 07:18 Europe/Tirane
  • Udhëheqësit e grupit Aukus bien dakord për ndërtimin e një nëndetëse bërthamore për Australinë

Kryeministri australian Anthony Albanese shprehu kënaqësinë e tij për rezultatin e takimit trepalësh me liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Anglisë në lidhje me ndërtimin e një nëndetëse bërthamore për Australinë, duke thënë se ky takim çoi në investimin më të madh të Canberras në fushën e mbrojtjes.

Siç njofton Sputnik , Albanese të martën në mëngjes, në takimin e grupit Aukus, i cili u formua në vitin 2021 midis Australisë, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, theksoi: "Marrëveshja, e cila u miratua sot në San Diego, Kaliforni, është investimi më i madh ushtarak i Australisë në të gjithë historinë tonë". Sipas Sputnik, ky grup bashkëpunues është një kuadër shumëfazor për rritjen e aftësive ushtarake të Australisë duke i ofruar vendit nëndetëse bërthamore. Presidenti i SHBA Joe Biden, në një konferencë të përbashkët për shtyp ku morën pjesë Albanese dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, tha se Londra dhe Canberra janë "dy aleatë të fuqishëm dhe të vendosur të Shteteve të Bashkuara" që "ndajnë një qëndrim të përbashkët." Ai gjithashtu i quajti Anglinë dhe Australinë "partnerët më të mirë të Shteteve të Bashkuara në rajonin e Indo-Paqësorit". Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara do t'i sigurojë Australisë tre nëndetëse bërthamore të klasit Virginia nga fillimi i viteve 2030 dhe Canberra ka mundësinë të porosisë dy nëndetëse të tjera bërthamore. Presidenti amerikan shtoi: Këto nëndetëse do të jenë bërthamore, por nuk do të jenë të armatosura me armë bërthamore dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara janë "thellësisht të përkushtuara për të forcuar regjimin e mospërhapjes së armëve bërthamore, prandaj Australia nuk do të prodhojë lëndë djegëse bërthamore për këto nëndetëse". Biden vuri në dukje gjithashtu se qëllimi përfundimtar i marrëveshjes është ndërtimi i nëndetëseve të reja bërthamore të armatosura me armë konvencionale për t'u përdorur si nga marina britanike, ashtu edhe ajo australiane. Sipas Reuters, një zyrtar ushtarak australian tha se projekti do t'i kushtojë Australisë 368 miliardë dollarë deri në vitin 2055. Nëndetëset do të ndërtohen nga kompanitë Rolls-Royce dhe BAE Systems. Megjithëse grupi Aukus pretendon se kjo aleancë nuk drejtohet kundër një pale të tretë, struktura dhe deklaratat e zyrtarëve të këtij grupi tregojnë se qëllimi i tij është të përmbajë Kinën në rajonin e Indo-Paqësorit.

 

Tags