Dhjetor 29, 2023 08:39 Europe/Tirane
  • Grupi G7 do të diskutojë konfiskimin e 300 miliardë dollarëve të aseteve ruse

Reuters të premten në mëngjes, duke cituar dy burime të mirinformuara dhe një zyrtar britanik, raportoi se udhëheqësit e grupit G7 në takimin e tyre të ardhshëm do të diskutojnë bazat ligjore të konfiskimit të 300 miliardë dollarëve të aseteve të ngrira ruse.

Kjo agjenci e lajmeve shkruan se zyrtarët amerikanë dhe britanikë në muajt e fundit kanë bërë shumë përpjekje për të përshpejtuar konfiskimin e aseteve ruse në Belgjikë dhe në vende të tjera evropiane dhe shpresojnë se liderët e G7 në takimin e shkurtit do të japin një deklaratë më të fortë në këtë drejtim. Këto përpjekje po bëhet në një situatë ku republikanët kanë kundërshtuar kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden për të ofruar 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Reuters shkroi se SHBA, në një propozim të mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Kanadaja, ka kërkuar që grupet e punës të G7 të dalin me opsione për ndihmën për Ukrainën. Sipas një prej opsioneve ligjore që po shqyrtohet, konfiskimi i aseteve të vendit sulmues do të lejohej "në rrethana shumë specifike". Deri më tani nuk është marrë vendimi përfundimtar dhe është e nevojshme që me këtë opsion të pajtohen edhe anëtarët e tjerë të grupit G7. Drejtuesit e grupit G7 në përgjithësi kanë argumentuar se sipas ligjit ndërkombëtar, Rusia duhet t'i japë fund luftës në Ukrainë dhe të paguajë kompensim për dëmin që i ka shkaktuar vendit. Banka Botërore vlerësoi se dëmi i shkaktuar në Ukrainë tejkaloi 400 miliardë dollarë.

Tags