Të njihemi me qytetin Jazd, kryeqytetin turistik të Asamblesë së Vendeve Aziatike (ACD)
(last modified 2024-05-18T18:32:08+00:00 )
May 18, 2024 20:32 Europe/Tirane

Zgjedhja e qytetit Jazd si kryeqyteti i turizmit të vendeve anëtare të Forumit të Dialogut Aziatik në vitin 2024 konsiderohet një arritje e rëndësishme për turizmin iranian dhe tregon kapacitetet e larta të Iranit përsa i përket tipareve historike, natyrore, kulturore dhe artistike.

Asambleja e Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik me 35 anëtarë është organizata aziatike më gjithëpërfshirëse e krijuar me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit kulturor, ekonomik dhe social. Organi më i lartë vendimmarrës i asamblesë është mbledhja e ministrave të jashtëm, e cila mbahet dy herë në vit.

Propozimi për formimin e Asamblesë së Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik (ACD) u propozua për herë të parë në vitin 2001 nga Kryeministri i Tajlandës në takimin e 34-të të ministrave të jashtëm të vendeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe u themelua në vitin 2002 në Tajlandë.

Duke pasur parasysh objektivat e përcaktuara, duke përfshirë promovimin e konvergjencës midis vendeve aziatike në përpjekje për të formuar Bashkimin Aziatik, zgjerimin e tregut komercial dhe financiar, promovimin e rolit të Azisë për të ndikuar në ekuacionet globale dhe gjithashtu shndërrimin e Azisë në një grup të aftë për ndërveprim me pjesët e tjera të botës, qasja mikpritëse dhe kryesimi i asamblesë u është besuar vendeve anëtare në mënyrë të alternuar. Kryesimi i Asamblesë së Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik (ACD) mbahet nga Irani që nga tetori 2023 dhe qyteti Jazd është prezantuar si kryeqyteti i turizmit të vendeve anëtare të Asamblesë së Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik (ACD) për vitin 2024.

Zhvillimi i rrjetit të marketingut turistik të vendeve anëtare të ACD-së (Asamblesë së Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik), krijimi i lehtësirave të udhëtimit dhe turizmit për vendet anëtare me qëllim rritjen e turistëve të ardhur nga këto vende, si dhe prezantimi i kapaciteteve dhe aftësive të provincës me synimin për të ecur drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë disa nga arritjet e propozuara të zgjedhjes së Jazdit si kryeqytetin turistik të vendeve anëtare të Asamblesë së Dialogut të Bashkëpunimit Aziatik.

Jazdi së bashku me provincat Fars dhe Isfahan, të njohura si trekëndëshi i artë turistik i Iranit, është destinacioni i parë i turistëve të huaj. Qyteti që Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në takimin e tij të 41-të në vitin 2017 në Krakov të Polonisë e regjistroi një pjesë të teksturës së tij historike në Listën e Trashëgimisë Botërore dhe iu prezantua botës si një trashëgimi e përbashkët njerëzore.

UNESCO e prezantoi qytetin Jazd si unik, të jashtëzakonshëm dhe përfaqësues të një tradite të vlefshme kulturore dhe qytetëruese, i cili është një shembull i shquar i vendit të jetës tradicionale njerëzore në formën e një kulture harmonike dhe ndërvepruese me mjedisin. Në prezantimin e këtij qyteti thuhet se banorët e këtij vendi kanë jetuar në harmoni me natyrën për shekuj me radhë dhe kanë krijuar një kulturë të pasur e të qëndrueshme.

Në Jazd, përdoren ende të njëjtat teknika dhe materiale të vjetra dhe ka tradita të vjetra të paprekura. Edhe pse në këtë qytet përdoret teknologjia, ajo ka gjetur një përputhshmëri të mrekullueshme me jetën e banorëve të këtij qyteti prej mijëra vitesh dhe qyteti vazhdon të jetojë mbi këtë bazë. Arkitektura unike është formuar nga bashkëjetesa e njeriut me natyrën, sepse qyteti i Jazdit është në zemër të shkretëtirës dhe ky qytet prezanton një model të ndryshëm të jetës njerëzore.

Jazdi është qyteti i parë prej qerpiçi dhe qyteti i dytë historik në botë pas Venecias së Italisë. Në disa burime, ndërtimi fillestar i disa qyteteve në këtë provincë, si Meibodi, i është atribuar profetit Sulejman (a.s.) dhe Abarkuh profetit Ibrahim (a.s.). Koleksioni i objekteve antike të shpërndara në këtë provincë është tregues i kësaj të shkuare historike. Artifakte të tilla si vegla dore prej guri, gdhendje në gurët e malit Ernan, copa qeramike me figura, shpella të shumta dhe vepra të lashta arkitekturore dhe urbanistike tregojnë se qytetërimi i Jazdit ishte i përqendruar në katër qendrat antike Mehriz, Jazd, Rostak e Meibod dhe Ardekan.

Karakteristikat e arkitekturës tradicionale të Jazdit në teksturën urbane janë: hapësira e mbyllur urbane, tekstura urbane e dendur dhe plotësisht kompakte, ndërtesat pa boshllëqe dhe të ngjitura me njëra-tjetrën, rrugicat e mbuluara dhe të ngushta, vendosja e shtëpive në bazë të dritës së diellit dhe drejtimit të erës dhe drejtimi shtëpive nga verilindja në jugperëndim në drejtim të Kiblës.

Elementët arkitekturorë të qytetit të Jazdit janë shtatë, ndër të cilët kulla e ajrimit është një nga më kryesorët, gjë që e ka bërë këtë qytet të njohur si qyteti i kullave të ajrimit. Ky element është i domosdoshëm për shkak të kushteve klimatike të rajonit dhe nevojës për ajër të freskët e ajrim të kondicionuar dhe është ndërtuar në ndërtesa të tilla si depot e ujit, shtëpitë e banimit dhe xhamitë.

Qyteti i Jazdit mahnit dhe shkëlqen si një xhevahir i çmuar në zemër të shkretëtirës iraniane. Ky qytet është qendra e provincës Jazd me 12 qarqe dhe 21 qytete, njerëzit e të cilit ende ruajnë dialektin e tyre të bukur.

Jazdi ndodhet midis vargmaleve Shirkuh dhe Kharanak dhe në një fushë të quajtur Jazd-e Ardekan, dhe me shqyrtimin e historisë së tij, kuptojmë se origjina e këtij qyteti daton në mijëvjeçarin e tretë para erës sonë.

Jazdi është një nga ato qytete ku pakicat e ndryshme fetare të hebrenjve, të të krishterëve dhe të zoroastrianëve kanë jetuar në qetësi dhe paqe përkrah myslimanëve për shekuj me radhë. Natyrisht, shumica e popullsisë së Jazdit janë myslimanë dhe shiitë.

Një nga karakteristikat më të dukshme të qytetit Jazd është arkitektura e ndryshme e ndërtesave të tij historike dhe shtëpive prej qerpiçi, e cila vjen nga klima e nxehtë dhe e thatë e këtij rajoni. Në një zonë të tillë, ajo që befason më shumë turistët janë livadhet e saj të gjelbëruara dhe shpatet e bukura, të cilat janë si pasojë e përdorimit efikas të ujit dhe sistemit të avancuar të ujësjellësve dhe rezervuarëve, në një mënyrë që në këtë qytet ndodhet një muze i quajtur "Muzeu i Ujit", kushtuar tregimit të historisë së shkëlqyer të këtyre ndërtesave dhe shkathtësinë e njerëzve të këtij rajoni në lidhje me përdorimin e ujit.

Kjo provincë, për shkak të lashtësisë së saj, në teksturën e saj historike përmban numrin më të madh të ndërtesave historike dhe atraksioneve turistike si tregjet, xhamitë, varret e sheshet dhe si të thuash është tregues i sinqeritetit dhe dashamirësisë së banorëve të Jazdit, në një formë që çatitë janë të lidhura me njëra-tjetrën, rrugicat janë të mbuluara dhe në disa shtëpi ka hyrje të përbashkëta.

Moti i Jazdit në pranverë është i këndshëm dhe i butë, edhe pse vapa vjen herët dhe ka verë shumë të nxehtë. Klima e Jazdit është shkretinore dhe temperatura e saj gjatë ditës dhe natës ka mjaft diferencë, qoftë në dimër apo në verë. Madje, disa meteorologë e kanë ndarë klimën e qytetit të Jazdit dhe rajoneve të tjera të provincës në dy stinë.

Gjuha që flasin banorët e qytetit të Jazdit është persishtja, e cila flitet me një dialekt jazdian, dhe pa dyshim, dialekti jazdian mund të konsiderohet si një nga dialektet më të bukura të gjuhës persiane. Ndryshe nga shumë dialekte dhe të folme në qytetet e tjera të Iranit, ky dialekt është ruajtur në qytetin e Jazdit dhe njerëzit komunikojnë po me të.

Qyteti i Jazdit është një nga qytetet më industriale në Iran, ndër këto industri e zejtari mund të përmendim thurjen e qilimave, thurjen e pëlhurave të thjeshta dhe me model, si dhe aktivitete industriale në fushën e industrisë së çelikut, minierave të hekurit dhe fabrikave të qeramikës dhe pllakave.

Kopshti Daulat-Abad është një nga kopshtet e famshme iraniane dhe një nga vendet turistike të qytetit të Jazdit. Gjelbërimi i pemëve, zhurma e ujit dhe bukuria e jashtme e këtij kopshti e ndan vizitorin nga përditshmëria dhe e çon në histori. Kopshti Daulat-Abad dikur ishte rezidenca e sundimtarit të qytetit dhe familjes së tij, por sot është kthyer në një vend për t’u vizituar nga turistët. Ky kopsht i bukur është i regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe kulla e tij e ajrimit me një lartësi prej afro 34 metrash është kulla më e lartë e ajrimit prej qerpiçi në botë.

Kopshti Daulat-Abad i Jazdit u ndërtua në vitin 1125 hixhri hënor (1713 e.r.) nga Mohammad Taki Khan Bafkiu, kreu i dinastisë Khavanin të Jazdit. Së pari, ai ndërtoi një ujësjellës prej 65 kilometrash dhe solli ujë nga Mehrizi në Jazd në vendin aktual të Kopshtit Daulatabad, dhe më pas ndërtoi kompleksin e tij qeveritar. Ky kopsht me një sipërfaqe prej rreth 70 mijë metrash katrorë përfshin shumë ndërtesa, hauze dhe shatërvanë ku në hapësirat ndërmjet tyre, pemët e shegës dhe të rrushit si dhe lule të shumta zbukurojnë mjedisin.

Ujësjellësi i madh historik i Daulat-Abadit, i cili është më shumë se 200 vite i vjetër, përbëhet nga ndërtimi i pesë kanaleve ujësjellës duke arritur në Jazd pasi ka përshkuar 50 kilometra dhe ujit Kopshtin e Daulatabadit. Ky kopsht përbëhet nga dy pjesë, ajo e brendshmja dhe e jashtmja, të cilat janë të njohura në arkitekturën e kaluar të Iranit dhe kanë një ndarje tërheqëse dhe inteligjente. Nga pikëpamja e tipologjisë funksionale, Kopshti i Daulat-Abadit është rezidencë qeveritare. Në mënyrë të tillë që kopshti i jashtëm të ishte vendi për ceremonitë qeveritare, eventet sportive dhe administrimin e qytetit, dhe kopshti i brendshëm konsiderohej si pjesa private dhe rezidenciale e kompleksit. Në kopshtet e rezidencave qeveritare, oborret e brendshme i ndanin nga të tjerat dhe caktonin roje të veçantë për t’i mbikëqyrur.

Në këtë kopsht të bukur është përdorur një nga dizajnet më origjinale të kopshtit iranian dhe si kopshtet e tjera iraniane, ku hapësira e kopshtit është në mes dhe ndërtesat janë formuar rreth tij.

Jazdi njihet me tituj të tillë si "Qyteti i Kullave të Ajrimit", "Qyteti i Punës, Ujësjellësve dhe Suvasë prej Balte e Kashte", "Vendi i Ibadetit", "Vendi i Dijes dhe i Punës", "Qyteti i Biçikletave", "Qyteti i Ëmbëlsirave”, dhe “Qyteti i Kanateve, Kunutit dhe Kanaetit” (Qyteti i kanalit ujitës, lutjes dhe i të kënaqurit me pak), dhe përmban në vetvete një thesar të artit, kulturës dhe qytetërimit iranian. Ky qytet do të presë turistët aziatikë në vitin 2024.

Tags