Speciale për përvjetorin e martirizimit të Imam Hasan Askeri (a.s.)
(last modified Wed, 13 Nov 2019 13:41:38 GMT )
Nëntor 13, 2019 14:41 Europe/Tirane
  • Speciale për përvjetorin e martirizimit të Imam Hasan Askeri (a.s.)

Imam Hasan Askeri (a.s.) në vitin 260 hixhri kameri që përkon me 873 të erës së re, në një ditë si kjo, është martirizuar si rezultat i një komploti të pushtetit të dinastisë Abasite.

Në vitin 260 hixhri kameri (873 të erës së re), u tha një prej luleve të gjelbëruara të kopshtit të Ehli Bejtit (a.s.) dhe perëndoi dielli i jetës së begatshme të tij. Imam Hasan Askeri (a.s.) në një ditë si kjo u martirizua me anë të një komploti dhe intrige të pushtetarëve të dinastisë Abasite. Duke shprehur ngushëllime me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imam Hasan Askeri (a.s.), po transmetojmë një program special me këtë rast.

 

Khalifët e dinastive Emevite dhe Abasite gjatë sundimit të tyre gjithnjë kanë bërë përpjekje të mëdha për të parandaluar ndikimin intelektual dhe shpirtëror të Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit në mesin e myslimanëve. Kjo është për arsye se ekzistenca e këtyre personaliteteve të nderuara konsiderohej pengesë serioze për zbatimin e politikave të tyre të padrejta dhe mashtruese për opinionin publik mysliman. Për këtë arsye, Ehli Bejit i Hazretit Muhamed s.a.v.s. përgjatë gjithë kohës është vendosur nën presione të mëdha të pushtetarëve të ndryshëm dhe jetonte në kushte më të vështira të mundshme. Sunduesit e dinastisë Abasite e kishin çuar në kulm presionin dhe kufizimet ndaj Imam Hadi (a.s.) dhe ndaj Imam Hasan Askeri (a.s.). Këto kufizime dhe ky presion ishte deri në atë masë sa që ata as nuk mund të merrnin pjesë me lehtësi në mesin e njerëzve dhe ndjekësve të shkollës së Ehli Bejtit. Khalifët Abasit e kishin dërguar Imam Hasan Askeri (a.s.) së bashku me babanë e tij në Samar që ishte qendër e pushtetit të tyre në mënyrë që të kenë nën mbikëqyrje dhe nënë kontroll të plotë të gjitha lëvizjet dhe veprimtarinë e tyre.

Në mesin e udhëheqësve të dinastisë Abasite, khalifi Mu'temid ka zbatuar politika më të ashpra dhe më shumë keqtrajtuese ndaj Imam Hasan Askeri (a.s.) dhe ndaj ndjekësve të tij dhe për një periudhë edhe e kishte burgosur Imam Hasan Askerijun (a.s.). Khalifi Abasit Mu'temid ishte një person ambicioz dhe e dinte që në raste se do ta lejonte Imam Hasan Askerijun (a.s.) të vepronte në mënyrë të lirë dhe të predikonte mësimet e tij dhe të vetëdijesonte njerëzit, herët apo vonë përkrahësit e Imam Hasan Askeri (a.s.) do ta rrëzonin atë nga pushteti. Nga ana tjetër, khalifi Mu'temid dhe pushtetarët e tjerë të dinastisë Abasite kishin dëgjuar disa transmetime dhe hadithe të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. që në bazë të tyre Imam Hasan Askeri (a.s.) do të ketë një djalë i cili do ta vendosë drejtësinë në të gjithë botën dhe do të shkatërrojë pushtetet e dhunshme dhe të padrejta. Pikërisht për këtë arsye, Imam Hasan Asekri (a.s.) ishte vendosur nën masa shumë të rrepta të vëzhgimit dhe mbikëqyrjes. Imam Hasan Askeri (a.s.) në lidhje me këtë çështje ka thënë: "Dinastitë Emevite dhe Abasite për dy arsye neve na kanë vendosur në shënjestër të shpatave të tyre. Arsye e parë është kjo që ata e dinin se khalifati dhe udhëheqja e Shtetit Islam është e drejtë e jona dhe ata nuk kanë të drejtë në këtë çështje. Ata ndodheshin në frikë dhe tmerr të madh për shkak se frikësoheshin që ne do të bëjmë kryengritje dhe do ta vendosnim një shtet të drejtë. Arsyeja tjetër është kjo që ata e kishin kuptuar nga hadithet e qarta profetike se shkatërrimi i pushteteve të dhunshme dhe të padrejta do të realizohet nga pasardhësi ynë dhe ata vetë e dinë shumë mirë se janë pushtetarë të padrejtë dhe tiranë. Këta janë munduar që të vrasin familjen dhe lozën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në mënyrë që të mos lejojnë lindjen e zëvendësuesit të familjes së Muhamedit s.a.v.s. Mirëpo Zoti i madhëruar nuk dëshiroi që ata ta zbulojnë vendin e tij deri në atë kohë kur do të shfaqet sundimi i tij, edhe pse këtë nuk e pëlqejnë jobesimtarët". 

Mauzoleu i Imam Hadi (a.s.) dhe i Imam Hasan Askeri (a.s.) në Samara

Me të gjithë armiqësitë që ushtronin pushtetarët e dinastisë Abasite ndaj Ehli Bejtit (a.s.), kjo sjellje armiqësore nuk bëhet shkak që Imam Hasan Askeri (a.s.) të mos udhëzojë këta sundues, të mos i dëshirojë të mirën Umetit Islam dhe të ndal përpjekjet për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat është përballur Shteti Islam përgjatë historisë së vetë. Imam Hasan Askeri (a.s.) ishte prijësi e dijetarëve dhe udhëheqës i veprimtarëve politikë dhe fetare në kohën e tij. Shkolla e Ehli Bejtit (a.s.) në periudhën e imametit të Imam Hasan Askeri (a.s.) me përkushtimin e një grupi të shokëve të Imam Hasan Askeri (a.s.), ishte qendër e transmetimit të haditheve të Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe studentët e shkollës së këtij imami ishin kërkues të diturisë dhe i ftonin njerëzit që të ndiqnin linjën e shkollës së Ehli Bejtit (a.s.) dhe të zbatonin dispozitat e Sheriatit Islam.

Imam Hasan Askeri (a.s.) pavarësisht vështirësive që kishin krijuar rrethanat politike në kohën e tij, në procesin e mbrojtjes së Sheriatit Islam, ai ka zhvilluar një veprimtari të gjerë kundër risive devijuese që bëheshin në shoqërinë islame. Kontributi i tij në shkencat islame, shpjegimi i ideve dhe mendimeve origjinale të Islamit, krijimi i rrjetit komunikues me myslimanët shiitë në të gjithë Shtetin Islam dhe përgatitja e tyre për periudhën e zhdukjes së Imamit të 12-të; konsiderohen boshte kryesore të veprimtarisë së Imam Hasan Askeri (a.s.).

Imam Hasan Askeri (a.s.) në fushën e adhurimit dhe të qenit rob i Zotit, gjithashtu ishte i dalluar dhe shëmbëlltyrë për të tjerët. Abu Hashem Xhafari, një prej shokëve të Imam Hasan Askeri (a.s.), thotë: "Kur vinte koha e namazit, Imam Hasan Askeri (a.s.) ndalte punën dhe nuk i jepte përparësi kurrfarë pune ndaj namazit. Ekzistenca e Imam Hasan Askeri (a.s.) pasqyronte bukurinë më të madhe të mundshme të adhurimit dhe përuljes para Fronit Hyjnor". Në burimet historike transmetohet se në një rast disa ushtarë të pushtetit Abasit sidomos disa roje të burgut duke vërejtur pasionin dhe dashurinë e Imam Hasan Askeri (a.s.) në namaz dhe adhurimin e Zotit, kishin kuptuar pastërtinë dhe sinqeritetin e Imam Hasan Askeri (a.s.) dhe në këtë mënyrë ata u udhëzuan në rrugën e drejtë.

Pamje të mureve rrethuese të reja të varreve të Imam Hadi (a.s.) dhe imam Hasan Askeri që janë ndërtuar në Kum

Imam Hasan Askeri (a.s.) ishte më bujari prej njerëzve dhe në shumë rajone të Shtetit Islam kishte caktuar përfaqësuesit e tij për të mbledhur nga njerëzit dhurimet dhe pagesat sipas Sheriatit Islam dhe për t'i shpërndarë ato për të varfrit dhe nevojtarët. Ata kishin lidhur besë me atë që këto pasuri do t'i shpenzojnë në rrugën e bamirësisë dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes myslimanëve dhe për kryerjen e qëllimeve të tjera. Megjithëkëtë Imam Hasan (a.s.) në porositë e tij i ftonte njerëzit për durim në përballje me vështirësitë e jetës dhe për ta ruajtur dinjitetin njerëzor. Një prej këtyre porosive të rëndësishme mund të vërehet në një pjesë të këshillave të Imam Hasan Askeri (a.s.) që i kishte dhënë njërit prej shokëve të tij ku thotë: "Deri në atë masë që mundesh dhe që kesh durim, mos kërko gjë nga askush. Kjo është për arsye se për çdo ditë është një furnizim i ri dhe dije që insistimi në të kërkuar, e shkatërron personalitetin dhe dinjitetin e njeriut. Prandaj, behur i durueshëm në mënyrë që Zoti i madhëruar të hapë një derë të re për ty. Mirësitë dhe begatitë, secila prej tyre kanë kohën dhe vendin e vetë. Prandaj, në ngrënien e një frute që akoma nuk është pjekur, mos nxito sepse do ta shfrytëzosh atë më mirë në kohën e vetë".

 Imam Hasan Askeri (a.s.) në të gjitha porositë e tij ka kërkuar nga ndjekësit e tij që të jenë njerëz të mendimit dhe logjikës. Ai ka thënë: "Ju duhet të mendoni. Pra me të vërtetë, të menduarit bëhet shkak për jetën e një zemre të zgjuar dhe në të menduar ndodhen çelësat e portave të urtësisë". Njerëzit të cilët nuk mendojnë me mendjen e tyre dhe nuk vështrojnë me saktësi të vërtetat nëpërmjet syrit të shpirtit, në ditën e Kiametit do të ringjallen të verbër. Imam Hasan Askeri (a.s.) këtë të vërtetë e shpjegon në një letër dërguar për Is'hak bin Ismail Nishaburi ku thotë: "O Is'hak! Zoti i madhëruar ka plotësuar mirësitë dhe begatitë e Tij për ty dhe njerëzit e ngjashëm me ty të cilët janë përfshirë nën mëshirën e Zotit dhe ashtu sikur ti, posedojnë vigjilencë arbitrare. Prandaj, me të vërtetë dije o Is'hak që çdo kush që kalon nga kjo botë i verbër, edhe në botën tjetër do të jetë i verbër dhe i humbur. O Is'hak! Sytë nuk bëhen të verbuar, por zemrat që ndodhen në gjoksin e njerëzve bëhen të verbuara si pasojë e mungesës së mendimit...". Më pas Imam Hasan Askeri (a.s.) në lidhje me rëndësinë e pozitës së veçantë të të menduarit dhe logjikë, ka thënë: "Adhurimi nuk është me faljen e shumë namazeve dhe agjërimin e shumë ditëve, por me të vërtetë adhurimi është të menduarit shumë në çështjen e Zotit".

Në këtë mënyrë, besimi i fituar me mendim, rezulton me veprim dhe kujtimin e Zotit dhe gjithashtu me kryerjen e disa adhurimeve të veçanta të cilat janë shumë çmuara. Pikërisht për këtë arsye, Imam Hasan Askeri (a.s.) duke porositur njerëzit që ta kujtojnë vazhdimisht Zotin dhe vdekjen dhe gjithnjë të lexojnë Kur'anin e shenjtë dhe të dërgojnë përshëndetje për Hazretin Muahmed s.a.v.s., ka thënë: "Njerëzit më të zgjuar dhe më vigjilent janë ata të cilët e kujtojnë botën pas vdekjes dhe e përgatisin ndërgjegjen e vetëm për shqyrtimin e veprave të tyre para Gjykatësit Suprem".

Më në fund khalifi Mu'temid nuk mundi të durojë praninë e një personaliteti të tillë përkrah tij dhe nëpërmjet një agjenti të tij, e helmoi Imam Hasan Askerijun (a.s.). Imam Hasan Askeri (a.s.) si pasojë e këtij helmimi, për disa ditë qëndroi i sëmurë në shtrat. Gjatë këtyre ditëve khalifi Mu'temid për çdo ditë dërgonte mjekët e oborrit mbretëror pranë Imam Hasan Askeri (a.s.) në mënyrë që njerëzit të mendojnë s Imam Hasan Askeri (a.s.) po vuante nga një sëmundje natyrore. Imam Hasan Askeri (a.s.) pas vuajtjes së madhe për një periudhë të shkurtë nga ky helmim, ditën e premte më 8 rabi'ul-aval të vitit 260 hixhri kameri, gjatë kohës së namazit të agimit, u martirizua dhe trupi i tij u varros në Samar përkrah varrit të babait të tij.

Rendi i parë nga e majta: varri i Imam Hadi (a.s.), varri i Imam Hasan Askeri (a.s.), varri i zonjës Narxhes. Varri që ndodhet vetëm është varri i zonjës Hakime

Xhafar bim Ali i njohur me epitetin "Xhafar Kedhab", është vëllai i Imam Hasan Askeri (a.s.) i cili me pa të drejtë dëshironte ta prezantonte veten si Imam, i dërgoi khalifit 20 mijë dinar dhe në një letër i shkroi: "O prijësi i besimtarëve! Më jep mua pozitën e vëllait tim". Khalifi Abasit edhe pse ishte i mbushur me armiqësi dhe urrejtje ndaj Imam Hasan Askeri (a.s.), por në përgjigje të kësaj kërkese, i shkroi: "Pozita e vëllait tënd Hasan Askeri nuk është nga ana e jonë, por nga ana e Zotit. Ne gjithnjë jemi munduar të ulim pozitën dhe vlerën e tij, mirëpo për shkak të personalitetit të pastër, moralit të mirë, diturisë dhe adhurimit të Zotit; pozita e tij është ngritur gjithnjë e më lartë. Nëse ti ke të njëjtën pozitë në mesin e ndjekësve të vëllait tënd, atëherë nuk ke nevojë fare për konfirmimin tonë, ndërsa nëse nuk është kështu, ne nuk mund të bëjmë asgjë".

Këto fjalë të khalifit Abasit tregojnë shumë qartë këtë të vërtetë se drita të cilën e ka ndezur Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe Ehli Bejti (a.s.), nuk shuhet kurrë dhe gjithmonë do të jetë udhëzuese dhe shpëtuese e njerëzimit. Ashtu siç ka thënë edhe vetë Hazreti Muhamed s.a.v.s.: "Ehli Bejti im është si anije e profetit Nuh. Çdo kush që hipë në këtë anije, do të udhëzohet dhe do të shpëtojë, ndërsa çdo kush që nuk do të hipë në atë, do të mbytet".

Tags