Shkurt 03, 2016 11:10 CET

Në këtë emision do të njihemi me diskriminimin gjinor në Angli dhe Francë.

Diskriminimi në të gjitha format e tij është i pamoralshëm dhe ilegal. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut si një dokument themelor për të drejtat e njeriut në nenin 1 të saj parashikon se: "Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata janë të pajisur me arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri tjetrit në mënyrë vëllazërore". Këtu flitet për barazinë njerëzore dhe mosdiskriminimin në mesin e tyre. Po ashtu në paragrafin 1 të nenit 1 të Paktit Ndërkombëtar për të drejtat civile, politike dhe paragrafin 2 të nenit 2 të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore po ashtu ndalohet diskriminimi nga ana e qeverisë. Prandaj, diskriminimi është i ndaluar ndaj çdo grupi të njerëzve.

Një nga format e diskriminimit është diskriminimi gjinor. Diskriminimi gjinor i referohet një situate në të cilën një person apo një grup për shkak të gjinisë së tyre abuzohet apo mund të jetë i neglizhuar. Diskriminimi gjinor zakonisht bëhet në formën e ngacmimit seksual, diskriminimit në punë dhe diskriminimi ndaj shtatzënave në punë, ku gruas shtatzënë nuk i njihen të drejtat e saj të parapara nga mjekësia. Diskriminimi në punësim dhe profesion është një formë e diskriminimit gjinor në bazë të së cilit një person për shkak të pabarazisë së tyre gjinore provohet në punë të ndryshme të papërshtatshme. Ky lloj i diskriminimit shprehet veçanërisht në paga si dhe në ndarjen e vendeve të punës midis meshkujve dhe femrave dhe çon në pabarazi dhe racizëm në një mjedis të punës dhe shumë herë gratë janë të diskriminuara në këtë aspekt.

Pavarësisht ekzistimit të dëshmive të besueshme, në Angli ka raste të ndryshme si në sferën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe diskriminimit të grave. Ky diskriminim jo vetëm në formën e ngacmimit seksual, mirëpo edhe në të drejtat sociale dhe ekonomike është mjaftueshëm i pranishëm dhe është në rritje. Statistikat zyrtare të paraqitura në shtypin britanik dhe publikimet zyrtare të dhunës dhe diskriminimit ndaj grave, vërtetë janë tepër shqetësuese. Bazuar në Ligjin për barazi të miratuar në vitin 2010 në Angli, diskriminimi ndaj çdo personi për shkak të gjendjes civile, shtatzënisë, të pasurit e fëmijës, paaftësisë, karakteristikave racore, kombëtare, fetare, gjinore është i ndaluar dhe i paligjshëm dhe në mjediset e punës, edukimit, familjes bile edhe ato sociale nuk duhet të praktikohet asnjë lloj i diskriminimit. Nga pikëpamja historike, ligji që ndalin diskriminimin apo ligji për barazi, i ka rrënjët në rregulla të ndryshme. Në vitin 1970 për herë të parë u miratua ligji për pagë të barabartë. Megjithatë, sipas një raporti të “The Telegraph” më 4 nëntor 2014, pavarësisht asaj q ligji për pagë të barabartë është miratuar në vitin 1970, akoma në Angli gratë vazhdojnë të paguhen më pak se burrat. Në këtë raport theksohet se 4 dekada pas miratimit të ligjit për pagë të barabartë, nëse krahasohet puna e grave dhe e burrave, shihet se gratë punojnë  gati dy muaj më shumë se burrat. Gratë paguhen 16 % më pak se burrat që i bie rreth 5 mijë euro me pak. Më shqetësuese është fakti tek diskriminimi i grave në punë me kohë të pjesshme për shkak se ato marrin një të pestën e pagës që marrin burrat. Gratë e moshës 40-60 përballen me diskriminim më të madh.

Gratë shtatzëna janë kategoria e cila po ashtu përballen me diskriminim në punë. Kompanitë britanike nuk janë të gatshme që të kompensojnë gratë shtatzëna dhe i detyrojnë ato të punojnë. Sipas The Guardian, në Mbretërinë e Bashkuar, zakonisht femrat midis 30 dhe 45 vjeç janë subjekt i diskriminimit. Ky diskriminim ndikon në pengimin e rritjes së popullsisë dhe martesave në këtë vend. Gratë britanike për shkak të ekzistimit të diskriminimit në punë të tilla si mungesa e punësimit dh e pagave më të ulëta se burrat, nuk pranojnë të mbesin shtatzëna.

Në shoqërinë franceze, gratë nuk janë të imunizuara nga lloje të ndryshme të diskriminimit. Diskriminimi gjinor në formën e ngacmimit seksual ose diskriminimi në formën e punësimit është konsideruar të jetë një fenomen i zakonshëm në shoqërinë franceze. Parimi i barazisë midis grave dhe burrave në punë është paraparë në Traktatin e Romës në vitin 1957. Për më tepër, Ligji francez i punës i cili u miratua në vitet e 70-ta, ndalon çdo lloj diskriminimi, duke përfshirë racën, gjininë, preferencat seksuale, moshën, statusin familjar, shtatzëninë etj. Edhe në Francë dhe në përgjithësi në Evropë ekziston hendeku i dallimit në pagesë. P.sh në Evropë burrat paguhen 15 % më shumë se gratë, kurse në Francë 25 %.

Sipas ligjeve kombëtare franceze diskriminimi në punë në bazë të gjinisë konsiderohet vepër penale, edhe pse diskriminimi është i përhapur në vend dhe është bërë një çështje e vështirë. Megjithatë, në sistemin administrativ francez ekziston mendimi se rreziqet për gratë janë më të mëdha se për burrat, ku ekziston një qasje më konservatore në lidhje me punëdhënësit. Një nga arsyet kryesore të dominimit të meshkujve ndaj femrave sa i përket pagave, është fakti se sektori financiar është i dominuar nga meshkujt. Nivelet e të ardhurave të punëdhënësve francezë dhe dallimet e pagave midis burrave dhe grave me dallimet fiziologjike midis tyre janë të justifikuara. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (INSEE) më 1 janar 2013, në sektorin publik, mesatarisht, 18% më shumë paguhen meshkujt se femrat, kurse në sektorin privat paguhen 28 për qind më shumë meshkujt se femrat.

Në çështjet lidhur me statusin e punësimit, si dhe statusin e gruas, vlerësohet të jenë negativ. Sipas një raporti të paraqitur nga Shoqata e punësimit të menaxherëve, APEC (APEC), më 6 mars, 2015, barazia gjinore në postet kryesore mbetet një ëndërr paarritshme. Aktualisht meshkujt francezë marrin 8.5 % më shumë rrogë se femrat, kurse për nga aspekti i moshës, statusit të punësimit dhe nivelit të arsimit janë krejtësisht të barabartë. Për fat të keq, raporti thotë se hendeku i të ardhurave mes burrave dhe grave rritet sipas moshës. D.m.th se burrat dhe gratë gjatë kalimit të kohës në moshë shtohet edhe diferenca në pagë.

Mos-pagesa dhe mos-shpërblimi i njëjtë për burrat dhe gratë në Francë, e bënë këtë vend të dështuar edhe përkundër faktit se pretendon të jetë djepi i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut. Shumica e grave franceze vuajnë nga diskriminimi për shkak të dominimit të burrave në shoqëri. Numri i ankesave rreth ngacmimeve seksuale në Francë është në rritje. Punëdhënësit pas marrjes së ankesave i largojnë të dy personat e përfshirë në konflikt. Ngacmimi seksual në Francë është prezentë edhe tek funksionarë të lartë të vendit. Analizimi i informacioneve dhe statistikave zyrtare të publikuara në vitet e fundit në Francë, pasqyron faktin se pavarësisht anëtarësimit të vendit në traktatet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave, trendi në rritje i dhunës dhe diskriminimit ndaj grave është evident. Gratë franceze janë gjithmonë viktima të krimeve seksuale dhe diskriminimit në punësim dhe paga dhe në ndërkohë diferenca midis klasave shoqërore, ekonomike dhe kulturore e grave nuk ekziston. Me fjalë të tjera, gratë franceze shkencëtare, profesoresha, mësuese të punësuara në nivele të ndryshme, përjetojnë një lloj të caktuar të diskriminimit dhe dhunës.

Të nderuar dëgjues, në emisionin e radhës do të flasim mbi  diskriminimin gjinor në Amerikë dhe Kanada.

 

Tags