Mars 09, 2018 09:42 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore.

Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij. Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të flasim për jetën me plotë batica dhe zbatica të këtij poeti të pashoq iranian.

Në edicionin e kaluar thamë se Xhelaludin Muhamed Balkhi i njohur me epitetin Mevlavi ose Mevlana, poeti dhe gnostiku i njohur iranian, ka lindur në qytetin Balkh i cili në atë kohë ishte një prej qyteteve të rëndësishme të krahinës Khorasani i Madh. Ai u edukua në një familje të shkencës dhe mendimit. Ai në periudhën e fëmijërisë, për shkak të agresionit të mongolëve ndaj Iranit, u shpërngul nga Balkhi së bashku me familjen e tij dhe pas udhëtimit disa vjeçar në qytete të ndryshme të rajonit si ato të Irakut, Hixhazit dhe Shamit, shkoi në qytetin Larande (Karamani i sotshëm në Turqi) dhe u vendos aty për qëndrim më të gjatë. Gjithashtu thamë se Mevlana që nga mosha rinore ka filluar të mbajë klasë mësimi për studentët e shkencave fetare dhe kuvende të ligjëratave fetare, ndërsa pas vdekjes së babait ai u zgjodh zëvendësi i tij në pozitën e udhëzuesit të muridëve.

Dr. Shafi’i Kadkani, profesor dhe studiues bashkëkohor iranian, gjithashtu beson: “Lindja tjetër e Mevlanas ka qenë në kohën kur ai u takua dhe u njoh me Shams Tabrizi”.

Shamsudin Malek Dad Tabrizi, ishte nga qyteti Tabriz dhe ishte një njeri me virtyte të larta dhe me një shkallë të lartë të përkryerjes. Në lidhje me jetën e tij, nuk ekzistojnë të dhëna të sakta dhe në burimet e biografive nuk janë sjell informacione të gjera rreth tij. Në lidhje me personalitetin e Shamsudin Tabrizit, duhet mbështetur vetëm në fjalët e Mevlanas dhe duhet thënë: “O Shams Tabrizi, ty të njeh dashuria dhe jo mendja”.

Shamsudin Tabrizi në fund të muajit xhemadul-akhar të vitit 642 h.k. (në fund të tetorit të vitit 1244), arriti në Konjë. Ashtu siç thuhet, takimi i tij me Mevlanan ka filluar me një pyetje dhe përgjigje interesante dhe pas 16 muajve shoqërimi të vazhdueshëm me Mevlanan, Shamsudin Tabrizi në vitin 643 h.k. (1245), u largua nga Konja dhe u nda nga Mevlana. Në lidhje me takimin e parë të Mevlanas dhe Shamsudin Tabrizit ekzistojnë transmetime në versione të ndryshme dhe gjithashtu janë krijuar edhe shumë legjenda dhe mitologji të ndryshme rreth këtij takimi, por që në këtë edicion nuk ekziston rasti të shqyrtojmë të gjitha ato.

Njohja e Shamsudin Tabrizi dhe Mevlanas, shkaktoi një ndryshim të plotë te Mevlanas. Me praninë e Shamsudin Tabrizit, jeta e Mevlanas mori një ngjyrë tërësisht tjetër. Mevlana i cili vet ishte një personalitet i mësimdhënies, ligjëratave dhe konsiderohej myfti i kohës së vet dhe që kishte kishte njohuri të plotë edhe rreth gnosticizmit dhe misticizmit tradicional, mirëpo Shemsudin Tabrizi e çoi atë drejt një gnosticizmi tjetër dhe sipas studiuesit bashkëkohor iranian Dr. Sirus Shamisa, Shamsudin Tabrizi, Mevlanan i cili nga papjekuria kishte arritur në pjekuri, e dogji të tërin.

Rezultati i gjithë jetës time nuk është më tepër se tre fjalë

Isha i papjekur, u bëra i pjekur, u dogja

Profesor Zarinkub në librin e tij "Pele pele ta molakate Khoda" (Shkallë-shkallë deri në takimin me Zotin), në lidhje me këtë takim shkruan: "Takimi me këtë të panjohur, ishte një shkëndijë magjike e cila sikur një mrekulli, ndryshoi tërësisht jetën e këtij fakihu dhe dijetari të madh iranian në Konjë dhe në këtë mënyrë për Mevlanan filloi një jetë e re. Një jetë e re e cila një asket dhe dijetar dhe ligjërues fetar e shndërroi në një gnostik, poet dhe në një të dashuruar të eksituar".  

Isha një asket i njohur në tërë vendin, isha pronar i minberit të ligjëratave

Mirëpo përcaktimi hyjnor ma bëri zemrën të dashuruar në ty dhe vetëm për ty duartrokas

Ashtu siç transmetohet, Mevlana në atë kohë ulej pranë Shamsudin Tabrizi sikur një nxënës pranë mësuesit dhe shkallë pas shkalle kalonte rrugën dhe pozitat e përkryerjes.  

Atë çfarë Shamsudin Tabrizi i mësoi Mevlanas, ishte mbi të gjitha ato që kishte mësuar dhe zbatuar Mevlana gjatë jetës së tij. Ai, Mevlanan e ktheu përsëri në botën shpirtërore të cilën ai e kishte përjetuar atë në periudhën e fëmijërisë në shtëpinë e babait të tij dhe i kujtoi atij dorëzimin absolut përpara Zotit dhe largimin nga të gjitha varësitë e kësaj bote materiale. Kjo është për arsye se ai besonte se këto varësi dhe lidhje të kësaj bote, janë pengesë në rrugën e arritjes pranë Zotit dhe deri në kohën kur nuk eliminohen këto pengesa, është e pamundur të realizohet "fena fil-lah" – shkrirja në botën hyjnore.

Sipas Dr. Zarinkub, Mevlana gjatë gjithë jetës së tij kishte kërkuar Zotin dhe botën metafizike dhe pavarësisht se veprimtaria e tij si ligjërues dhe mësues në mënyrë të vazhdueshme, e pengonte atë në rrugën e kërkimit të kësaj të vërtete, mirëpo tërheqja për të arritur në të vërtetën nuk ishte larguar nga ai as edhe për një çast. Shamsudin Tabrizi ishte për Mevlanan sikur një aromë e bukur nga bota shpirtërore. Mevlana në qenien e Shamsudin Tabrizit në mënyrë graduale e gjeti njeriun e përkryer dhe idealet e tij.

Në atë kohë Mevlana u largua tërësisht nga veprimtaria si ligjërues fetar dhe si mësues dhe më nuk merrej fare me mësimin dhe edukimin e njerëzve, por në vend të kësaj ai ishte i pranishëm në kuvendim me Shamsudin Tabrizin. Me një vështrim krahasimtar mbi artikujt ose diskurset e mbetura nga Shamsudin Tabrizi dhe veprat e Mevlanas, mund të kuptohet se disa prej tregimeve dhe mësimeve që kishte thënë Shamsudin Tabrizi në kuvendet e tij, më vonë ato janë transmetuar në Mesnevi të Mevlanas dhe disa ide dhe mendime të Shamsudin Tabrizit janë reflektuar në Mesnevi ose në divanin poetik "Ghazalijate Shams" të Mevlanas.

Disa nxënës të Mevlanas të cilët ishin të pakënaqur nga pushimi i veprimtarisë së Mevlanas si ligjërues dhe mësues dhe njëkohësisht i kishin zili Shamsudin Tabrizit, filluan ta keqtrajtojnë Shamsudin Tabrizin dhe këto keqtrajtime shkuan deri në atë masë saqë ai iku nga Konja pa e informuar fare Mevlanan dhe kjo ndarje zgjati mbi një vit. Është transmetuar se kjo ngjarje për Mevlanan ishte sikur një tragjedi e madhe dhe e padurueshme. Ai nga pikëllimi i madh i ndarjes së Shamsudin Tabrizit, nuk zhvilloi as veprimtarinë si ligjërues dhe mësues, por nuk krijoi as poezi. Muridët e Mevlanas të cilët shpresonin se me ikjen e Shamsudin Tabrizit përsëri do të zhvillohen kuvendët e ligjërimit dhe klasat mësimore të Mevlanas, për çdo ditë mblidheshin pranë portës së shtëpisë së Mevlans dhe ktheheshin të zhgënjyer në shtëpitë e tyre.  Mevlana në këtë periudhë i dërgoi disa muridë të tij për ta kërkuar Shamsudin Tabrizin, mirëpo për një kohë të gjatë nuk gjeti kurrfarë gjurmë të tij derisa një letër e Shamsudin Tabrizit nga Damasku arriti në duar të Mevlanas dhe Mevlana e dërgoi djalin e tiji Sulltan Valad që ta kthejë në Konjë Shamsudin Tabrizin.

Shamsudin Tabrizi u kthye në Konjë, mirëpo keqtrajtimet vazhduan edhe më shumë dhe u bënë shkak që në vitin 640 h.k. Shamsudin Tabrizi përsëri të zhduket. Që nga ajo kohë, nuk ekzistojnë kurrfarë të dhënash në lidhje me Shamsudin Tabrizin. Në disa transmetime thuhet se atë e kanë vrarë duke e therë me thikë, ndërsa në disa të tjera thuhet se atë e kanë hedhur në një pus dhe e kanë mbytur.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi nuk e besoi vdekjen e Shamsudin Tabrizit. Për dy vjet e kërkoi atë vazhdimisht dhe personalisht u hodh në kërkim të Shamsudin Tabrizit duke shkuar edhe në Damask etj.. Sipas Dr. Sirus Shamisa, "Mevlana kur i humbi shpresat për ta gjetur Shamsudin Tabrizin në botën e jashtme, me patjetër u kthye ta kërkojë atë brenda në veten e tij dhe pikërisht kjo ndjenjë i jepte atij qetësi".

Znj. Annemarie Schimmel, studiuese dhe mendimtare e njohur gjermane, në librin e saj "Madhëria e Shamsit", ka bërë një kritikë dhe analizë të veprave të Mevlanas. Ajo në lidhje me jetën e Mevlanas pas Shamsudin Tabrizit thotë: "Jeta dhe koha e Mevlanas kalonte në adhurim, mendim, debate dhe nganjëherë me kuvendin e Sama-së... Në qenien e Mevlanas janë përsëritur tre faza inspiruese. Ai pas eksperiencës dhe përjetimit me plotë pasion dhe djegie nga dashuria e Shamsudin Tabrizit, gjeti qetësi në shoqërim të Salahudin Zarkub, ndërsa ndikimi i Husamudin Çelebi e çoi atë në përkryerjen më të lartë mendore. Ai pas kalimit të rrugës së përkryerjes në dashurinë e Shamsudin Tabrizit dhe qetësisë në miqësinë me Salahudin Zarkub si "murshid dhe shejkh" (udhëzues), u kthye përsëri në botë dhe u paraqit në formën e mësuesit".  

Jeta e Mevlanas pas shumë baticave dhe zbaticave të mëdha, më në fund arriti në çastet e fundit. Mevlana në ditët vjeshtore të vitit 672 h.k (1273 të erës së re), dobësohej dhe vyshkej për çdo ditë e më tepër dhe mjekët humbën shpresat për të diagnostifikuar sëmundjen e tij. Mevlana Xhalaludin Muhamed Belkhi ky poet, gnostik dhe mendimtar i madh iranian, më në fund ditën e diele më 5 xhamadil-akhar të vitit 672 hixhri kameri që përkon me 17 dhjetor të vitit 1273, në moshën 68 vjeçare ndërroi jetë.

Në mëngjesin e ditës së nesërme, kur nxorën kufomën e Mevlanas nga shkolla, i gjithë qyteti duke përfshi njerëz të shtresave të larta dhe të shtresave të thjeshta, ishin në zi për vdekjen e Mevlanas. Një grup i muridëve të Mevlanas këndonin ajete kur'anore dhe një grup përcillnin kufomën e Mevlanas duke kënduar pjesë nga Mesnevia e tij dhe nga poezitë e tij. Kufoma e Mevlanas gjatë gjithë ditës është mbajtur mbi supe të muridëve dhe dashamirësve të tij. Grumbullimi i madh i njerëzve në ceremoninë e varrosjes së Mevlanas u bë shkak që kjo ceremoni të zgjasë deri në mbrëmje.

Për të gjithë banorët e Konjës ishte shumë e vështirë ndarje me këtë emigrant iranian i cili me dhjetëra vite kishte jetuar në mesin e tyre dhe kishte marrë pjesë në pikëllimin, vështirësitë dhe në gëzimet e tyre. Me vdekjen e Mevlanas, oborri mbretëror i dinastisë Selxhuke u zhytë në një heshtje dhe zi të madhe. Për disa javë i gjithë qyteti ishte në zimbajtje dhe tërësisht i heshtur. Modestia e sinqertë dhe e johipokrite e Mevlanas ishte bërë shkak që edhe besimtarët e krishterë dhe të feve të tjera të tregonin respekt të veçantë për atë dhe të merrnin pjesë në pikëllimin dhe zimbajtjen për këtë gnostik të madh islam.

Tags