Mars 09, 2018 09:41 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Në edicionin e kaluar u njohëm me pamjen natyrore të provincës Azerbajxhani Perëndimor dhe shkurtimisht prezantuam qytetin e bukur dhe historik Orumije, qendër e kësaj province. Në këtë edicion do të vazhdojmë udhëtimin tonë në provincën Azerbajxhani Perëndimor dhe do të shkojmë në qytetin Takab.

Qyteti Takab është një prej qyteteve të njohura të provincës Azerbajxhani Perëndimor i cili ndodhet në juglindje të kësaj province. Qyteti Takab është qendër e rrethit Takab dhe kufizohet me provincat Zanxhan, Azerbajxhani Lindor dhe Kurdistan. Ky rreth ashtu si rajonet e tjera të Azerbajxhanit Perëndimor, është një rreth me toka bujqësore. Toka pjellore e këtij rajoni dhe burimet e mjaftueshme të ujit janë bërë shkak për zhvillimin shumë të mirë të bujqësisë në këtë rajon. Gruri, elbi, bathë dhe bishtajore, perime, bimët foragjere, molla, rrushi, pjeshka etj... konsiderohen produktet më të rëndësishme të këtij rrethi. Kullosat e gjera dhe toka pjellore e rrethit Takab është bërë shkak edhe për zhvillimin e mirë të blegtorisë në këtë rajon dhe produktet e ndryshme të blegtorisë konsiderohen pjesë të rëndësishme të eksportit të këtij rajoni. Kultivimi i bletarisë gjithashtu konsiderohet një prej profesioneve më të rëndësishme të banorëve të këtij rajoni.

Rrethi Takab ka me dhjetëra monumente dhe objekte historike të periudhës para dhe pas Islamit që një prej tyre mund të përmendet "Takhte Sulejman" (Froni i Sulejmanit) i cili ndodhet 45 km në verilindje të qytetit Takab. Objektet e mbetura nga faltorja e madhe e Zarathustras nga periudha e dinastisë Sasanite me emrin "Azargoshasb" dhe kalaja antike Sarughurkhan së bashku me xhaminë e madhe të qytetit Takab dhe vendet e tjera natyrore dhe historike, përbëjnë vendet më të bukura turistike të këtij rajoni. Duke marrë parasysh rëndësinë e Fronit të Sulejmanit në vazhdim të këtij edicioni do ta prezantojmë këtë trashëgimi botërore.

Froni i Sulejmanit është një prej qendrave më të rëndësishme dhe më të njohura në historinë e civilizimit të Iranit dhe të botës që është regjistruar si monumenti i katërt i Iranit në listën e trashëgimisë botëror të UNESCO-s. Historiku i këtij rajoni nga aspekti i vendbanimit të njerëzve daton që nga 3000 vjet më parë. Ky kompleks kulturor-historik ka një sipërfaqe 124 mijë m2 dhe gjatë periudhave të ndryshme ka qenë vendbanim i popujve Mad, Parth, Sasani dhe Mongol. Ky kompleks si nga aspekti arkeologjik si nga aspekti i lidhjes me dokumente të shkruara historike dhe mitologjike në veriperëndim të Iranit, është plotësisht i pashoq. Froni i Sulejmanit në realitet përbëhet nga mbetjet e një kalaje të madhe në të cilët ndodhen objekte historike të periudhës Sasanite si faltorja e madhe Azargoshasb. Kjo kala antike e cila është në formë veze, ndodhet në një nivel më të lartë se sa fushat tokat që e rrethojnë dhe rreth e rrotull asaj gjendet një mur i madh dhe i fortë me 37 kulla mbrojtëse. Lartësia mesatare e këtij muri është 6-8 metër dhe trashësia e tij rreth 4 metër. Struktura e murit dhe rrethojës së jashtme të kalasë i përket periudhës së dinastisë Sasanite, por në periudhën e dinastisë Ilkhani (shek. 13) disa pjesë të rrënuara të këtij muri, janë rindërtuar.

Kulmi i zhvillimit të Fronit të Sulejman i përket periudhës së dinastisë Sasanite dhe në këtë vend është ndërtuar faltorja Azargoshasb e cila në atë kohë ishte faltorja më e mirë dhe më e respektueshme. Kjo faltore që nga periudha e sundimit të dinastisë Ilkhani e më pas, është quajtur "Takhte Sulejmani" (Froni i Sulejmanit). Në qendër dhe në pjesën jugore të kalasë, ndodhet një liqen në formë veze i cili ka një harmoni dhe ngjashmëri interesante me murin në formë veze rreth këtij kompleksi. Ky liqen ushqehet nga disa burime që ndodhen në shtratin e tij. Liqeni është i gjatë 120 m dhe i gjerë 80 m dhe ka thellësi rreth 65 metra. Uji i tepërt i liqeni nxirret nëpërmjet kanaleve që ekzistojnë rreth tij dhe shfrytëzohet për ujitjen e tokave bujqësore. Uji i këtij liqeni ka kripëra të shumta minerale dhe për këtë arsye masa e  sedimentimit në kanale është aq e madhe sa që njëri prej tyre me kalimin e kohës ka krijuar një shtrat në formë muri me lartësi 2 metër. Ky mur duke marrë parasysh formën dhe materialin e tij, që nga e kaluara njihet si "Dragoi i Gurit".

Përkrahë objekteve antike të periudhës Sasanite, në këtë rajon ndodhen edhe objekte të periudhë historike Mongole të cilat kanë karakteristika të veçanta sidomos nga aspekti i artit të zbukurimit në forma të ndryshme si ato me gjips dhe plaka parceloni. Larmia e zbukurimeve me plaka parceloni të periudhës islame në Fronin e Sulejmanit është aq e madhe sa që ato mund të klasifikohen dhe të kategorizohen në grupe dhe degë të ndryshme të artit të arkitekturës. Mirëpo më i rëndësishëm është zbukurimi me pllaka parceloni të shkëlqyera me sfond të kaltër dhe bruz të cilat në vete janë të zbukuruara me figura të kafshëve mitologjike si Foniks (Simorgh) dhe dragonjtë.

Kompleksi antik Froni i Sulejmanit në periudhën e para Islamit konsiderohej qendra më e madhe arsimore, fetare, shoqërore dhe faltorja më e shenjtë e iranianëve, mirëpo u shkatërrua në vitin 624 të erës së re dhe gjatë sulmit të perandorit romak Herakliut në Iran. Përkrah objekteve antike dhe historike të llojllojshme, të bukura dhe enigmatike në zonën Froni i Sulejmanit, ndodhen edhe burimet e ujitë të ngrohtë. Këto burime janë prej ujërave sulfuror dhe me të gazuar dhe të ngrohtë të cilat janë shumë të dobishme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës dhe dhimbjeve të reumatizmit. Ekzistenca e këtyre burimeve përkrah objekteve dhe veprave të çmuara historike bëhet shkak që me mijëra turistë ta vizitojnë këtë rajon gjatë vitit. Vlen të theksohet, duke marrë parasysh faktin se kompleksi Froni i Sulejmanit ndodhet në një zonë malore dhe në një lartësi relativisht të madhe detare, ka dimra të ftohtë dhe me plotë dëborë  ndërsa në stinën e verës ka klimë të freskët, koha më e mirë për ta vizituar këtë zonë historike është në stinën e pranverës dhe në gjysmën e parë të stinës së verës.

Xhamia e madhe ose kryesore e qytetit Takab është një tjetër monument historik i njohur në rrethin Takab. Historiku i kësaj xhamie daton rreth 100 vjet më parë dhe ka një arkitekturë të bukur, prandaj është regjistruar në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit. Xhamia e madhe e qytetit Takab është ndërtuar në vitin 1332 h.k. (1914) me urdhër të gjeneralit Husejnali Khan Afshar në periudhën sundimit të mbretit Nasirudin të dinastisë Ghaxhare. Kjo xhami është ndërtuar nga arkitektët lokalë. Pjesa e sipërme e portës hyrëse të kësaj xhamie nëpërmjet një korridori të mbuluar me çati në formë harku, lidhet me sallonin kryesor të xhamisë. Sallonet e vjetra për ritualet e mbrëmjes, gjithashtu kanë ballkone me harqe dhe shtylla të rrumbullakëta të ndërtuara me tulla dhe pjesa e sipërm e tyre është ndërtuar me gurë.    

Tags