Mars 09, 2018 09:41 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore” ku do të vazhdojmë me prezantimin e personalitetit të njohur iranian Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, një ndër poetët më të mëdhenj iranianë dhe me famë botërore. Idetë dhe mendimet e mëdha të tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme dhe shumë mendimtarë dhe letrarë janë ndikuar nga idetë e tij.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, poet dhe gnostik i madh i shekullit 7 hixhri kameri (13 të erës së re), ka jetuar në territorin e gjerë kulturor të Iranit. Në vazhdim të edicionit të kaluar, në këtë edicion do të flasim për jetën me plotë batica dhe zbatica të këtij poeti të pashoq iranian.  

Në edicionin e kaluar thamë se Xhelaludin Muhamed Balkhi i njohur me epitetin Mevlavi ose Mevlana, poeti dhe gnostiku i njohur iranian, ka lindur në qytetin Balkh i cili në atë kohë ishte një prej qyteteve të rëndësishme të krahinës Khorasani i Madh. Ai u edukua në një familje të shkencës dhe mendimit. Ai në periudhën e fëmijërisë, për shkak të agresionit të mongolëve ndaj Iranit, u shpërngul nga Balkhi së bashku me familjen e tij dhe pas udhëtimit disa vjeçar në qytete të ndryshme të rajonit si ato të Irakut, Hixhazit dhe Shamit, shkoi në qytetin Larande (Karamani i sotshëm në Turqi) dhe u vendos aty për qëndrim më të gjatë. Qyteti Larande ishte një ambient i përshtatshëm për ligjërim dhe mësimdhënie për Bahau Valad, babanë e Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi. Guvernatori i rajonit Larande i cili ishte nën sundimin e Sulltan Alaudin Kejkabad të dinastisë Selxhuke, mirëpriti me ngrohtësi Bahau Valad, familjen e tij dhe gjithashtu muridët e tij. Ai gjithashtu emëroi edhe një shkollë me emrin e Bahau Valad. Larande ishte një qytet i bukur dhe kishte objekte dhe monumente interesante nga periudhat e kaluara që tregonin fuqinë e Bizantit dhe gjithashtu të kohës së Greqisë së Vjetër. Banorët e dashur dhe ambienti i qetë i këtij qyteti, krijuan një atmosferë të përshtatshme dhe të shëndoshë për Bahau Valad i cili tani ishte i moshuar. Ai në këtë qytet me qetësi dhe siguri vazhdoi veprimtarinë e tij si ligjërues dhe mësues i shkencave fetare. Pikërisht në këtë qytet dhe me insistimin dhe inkurajimin e muridëve dhe të babait, Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi filloi të mbajë klasat dhe kuvendet e para për mësim dhe ligjërata. Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi në atë kohë kishte nivel të lartë të njohurive në shkenca të ndryshme fetare dhe në shkencat e tjera si në letërsi, gnosticizëm, Kur’an, hadith, komentim të Kur’anit, apologjetikë etj., ndërsa kishte mësuar që ligjëratat e tij t’i shoqërojë dhe zbukurojë me proverba, vargje poezish persiane dhe arabe di dhe me transmetimin e tregimeve dhe shembujve. Ai në këtë mënyrë depërtonte thellë në shpirtin e publikut, prandaj edhe arriti të gjerë ndjekës dhe murid të shumtë.

Alaudin Kejkabad Selxhuki, sulltani i territoreve romake i cili kishte dëgjuar famën e reputacionin e Bahau Valad në rajonet Arzanxhan, Malatije dhe Larande, krijoi interesim të madhe për tu takuar me Bahau Valad dhe për këtë arsye ai insistoi që Bahau Valad të shkojë në qytetin Konjë dhe të vendoset atje përgjithmonë. Qyteti i Konjës në atë kohë, ashtu sikur qytetet Balkh, Herat, Marv dhe Nishabur, konsiderohej një prej qendrave të mëdha të shkencës dhe kulturës. Oborri mbretëror i Selxhukëve e priti me ngrohtësi Bahau Valadin dhe familjen e tij. Sulltan Alaudin Kejkabad personalisht organizoi pritje solemne për Bahau Valad. Edhe shtresat e ndryshme të banorëve të qytetit Konjë si tregtarët dhe zejtarët dhe personalitetet e shquara të atij rajoni dolën edhe jashtë qytetit për ta pritur Bahau Valad dhe familjen e tij. Bahau Valad që në fillim të hyrjes në qytetin Konjë, pavarësisht ftesës së Sulltan dhe funksionarëve të oborrit mbretëror që shkonte pran Sulltanit, zgjodhi të banojë në një shkollë dhe ky veprim shtoi edhe më tepër reputacionin në mesin e banorëve të këtij qyteti.

Oborri mbretëror i dinastisë Selxhuke ishte qendër ku mblidheshin poetët, shkencëtarët dhe shkrimtarët e njohur të gjuhës dhe letërsisë persiane. Gjuha persiane në këtë dinasti konsiderohej gjuhë zyrtare e administratës, ndërsa edhe shumica e dijetarëve, gnostikëve dhe poetëve e historianëve përdornin gjuhën persiane në veprimtarinë e tyre.

Kuvendët e mësimdhënies dhe debateve të Bahau Valad dhe Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi, filluan menjëherë pas hyrjes së tyre në Konjë. Pasioni dhe gjallëria e kuvendeve dhe klasave mësimore të Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi së ri për çdo ditë mblidhte numër më të madh të publikut, sidomos të të rinjve nga shtresat e ndryshme të shoqërisë. Mevlana ishte vetëm 24 vjeç kur i vdiq babai dhe e gjithë përgjegjësia për administrimin e familjes së babait dhe për edukimin dhe udhëzimin e muridëve, i mbeti atij.

Në atë kohë Sejed Borhanudin Muhakik Termidhiu, mësuesi i Xhelaludin Muhamed Balkhi dhe murid besnik i Bahau Valad, arriti në Konjë dhe e inkurajoi vazhdimisht Mevlanan për të studiuar dhe reflektuar në veprat e Bahau Valad. Mevlana më pas shkoi në Sham për të vazhduar shkollimin. Ai atje shtatë vite mësoi në shkollat e Damaskut, Alepos dhe më pas në Kajsarije dhe Konjë nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e Sejed Borhanudin Muhakik Termidhiut. Këto shtatë vite studim dhe reflektim e shndërruan Mevlanan nga një dashamirës i ri i dijes, në një myfti dhe dijetar të madh dhe në të njëjtën kohë në një i salik të pozitës së lartë në rrugën e gnosticizmit.

Mevlana Xhelaludin Muhamed Balkhi në moshën 33 vjeçare u kthye në Konjë dhe konsiderohej një dijetar i madh i shkencave fetare. Mevlana në këtë kohë gëzonte respektin e shumë dijetarëve të tjerë fetarë si të Saraxhudin Ormavi dhe Sadrudin Konjavi. Mevlana zhvillonte klasë të veçanta për nxënës dhe studentë të shkencave fetare dhe kuvende të ligjëratave për shtresat e ndryshme të shoqërisë.  

Njohurit e gjera dhe oratoria e lartë e Mevlanas u jepte një atmosferë të veçantë kuvendeve ku ai mbante ligjërata për shtresat e ndryshme të shoqërisë. Ai kishte një ton modest të zërit dhe natyrë të sinqertë në ligjëratat për publikun dhe këto karakteristika i krijuan atij një reputacion të madh në këtë qytet. Ligjëratat e tij ushtronin një ndikim të madh mbi publikun. Edhe klasat mësimore të Mevlanas kishin tërheqje dhe atraktivitet të madh për studentët dhe ai përveç në shkollën e tij, jepte mësim edhe në disa shkolla të tjera të qytetit Konjë. Ai kur shkonte në shkollat e tjera, zakonisht shoqërohej nga një numër i madh i njerëzve.

Mevlana ishte shumë i afërt me njerëzit dhe shumë modestë sa që edhe në rrugë kur dikush i bënte ndonjë pyetje në lidhje me çështjet fetare, ai ndalej dhe me dashuri dhe respekt, i jepte këshillat e nevojshme njerëzve.

Në kuvendët e ligjëratave të Mevlanas merrnin pjesë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Përkrah të rinjve si Husamudin Çelebi i cili ishte prej nxënësve të veçantë të Mevlanas, në këto kuvende merrnin pjesë edhe njerëz të moshuar që nuk dinin shkrim lexim, por që kishin një pasion të madh si Salahudin Zarkub Konjavi.

Salahudin Zarkub Konjavi ishte një burrë plak fshatar dhe i paarsimuar, mirëpo në realitet ai ishte një sufist me pasion të madh. Ai vazhdimisht merrte pjesë në kuvendet e ligjëratave të Mevlanas dhe tregonte një pasion të madh për këto kuvende. Në këtë kohë Mevlanas i vdes bashkëshortja Gohar Khatun dhe ai mbeti i vetëm. Mevlana për t’i shmangur kësaj vetmie, për çdo ditë e më tepër zhytej në studime, në mësimdhënie, në debate dhe ligjërata. Në atë kohë fëmijët e Mevlanas të cilët ishin kthyer nga shkolla e Damaskut në Konjë, kishin nevojë për më shumë përkujdesje. Mevlana në këtë mënyrë e pa të nevojshme që të martohet përsëri. Ai kësaj radhe u martua me Kara Khatun Konjavi e cili ishte me origjinë iraniane dhe e njihte shumë mirë gjuhën persiane. Bashkëshortja e re e Mevlanas shumë shpejtë arriti t’i japë një jetë dhe gjallëri të re familjes së Mevlanas.

Tags