Prill 09, 2018 09:48 CET

Në emër të Zotit Një, krijuesit të gjithësisë! Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi me edicionin e radhës së programit “Tregimet dhe legjendat iraniane”. Së pari, në vazhdim të edicioneve të kaluara, do të prezantojmë një tjetër degë të letërsisë popullore persiane. Më pas së bashku me ju miq të nderuar do të shkojmë në botën e tregimeve iraniane dhe do të dëgjojmë një tregim të ri”.

Në dy edicionet e kaluara në shqyrtimin e tematikës së këngëve popullore, kemi folur rreth ninullave dhe përveçse kemi shqyrtuar lashtësinë e këtij lloji të këngëve popullore, thamë se ninullat pasi që nuk janë të krijuara nga poetët zyrtarë por janë krijuar nga nënat në çastet e veçanta me plotë dashuri, nga aspekti letrar kanë një strukturë të dobët. Ninullat kanë tematikë të ndryshme. Në shumicën e ninullave iraniane, dëshirat dhe idealet e nënave janë në kulmin më të lartë, dëshirat si rritja e fëmijës, arsimimi dhe leximi i Kur’anit nga fëmija dhe vizita e vendeve të shenjta si dhe zgjedhja e bashkëshortes për fëmijën. Nëna të gjitha dëshirat e veta në formën e ninullave, i këndon për fëmijën e saj dhe me këto dëshira e edukon dhe e rit atë:

Nina nëna, mu bëfsh lule e dashur dhe bilbil i dashur

Natën mu bëfsh mburojë dhe rrëmbyes i zemrës time

Nina nëna shko në shkollë dhe shko të vizitosh vendet e shenjta...

Nëna përveç këtyre dëshirave, në kuadër të ninullave lutet edhe për shëndetin e fëmijës dhe në realitet disa vargje të ninullave i kushton kësaj tematike dhe e lut Zotin që fëmija i saj të jetë me shëndet dhe të këtë trup të shëndoshë:

Fli oj lule, fli oj lule, fli oj shportë me zymbyl

Lulja ime as në gjumë, lulja ime as zgjuar, lulja ime mos u sëmurë kurrë

Nëse do të sëmurët lulja ime, o Zot ruaje lulen time

Një tjetër tematikë e ninullave trajton të qenët e babait në udhëtim dhe kthimin e tij nga rruga. Kjo tematikë në ninullat e rajoneve të ndryshme të Iranit, është shumë e përhapur. Kjo temë e shumë trajtuar në ninulla, paraqet një pjesë të kushteve familjare dhe shoqërore si dhe mënyrën se si jetojnë familjet iraniane, prandaj për hulumtuesit e antropologjisë këto ninulla përbëjnë një fushë të përshtatshme studimore për ta njohur jetën e njerëzve në qytete dhe fshatra të ndryshme.

Nina nëna oj lule e bukur, babai ka shkuar në ushtri

Nina nëna oj lulja mento, babai yt ka shkuar, unë mbeta vetëm

Nina nëna lulja fëstëkut, babai yt ka shkuar për t’i shërbyer vendit

Nina nëna oj lulja e bukur, babai yt ka shkuar, Zoti e ruajt

Nina nëna oj lulja fëstëkut, babai yt përgatit valixhet për udhëtim

Nina nëna oj lulja e rrushit, babai yt ka shkuar, mos u trazo

Nina nëna na erdh lajmi, që babai u kthye nga udhëtimi

Këto ninulla përveçse paraqesin dashurinë mes burrit dhe gruas, tregojnë strukturën familjare dhe mënyrën e kryerjes së detyrave të babait dhe nënës në familje. Në bazë të kësaj, babai për të plotësuar nevojat e jetës, duhet të punojë jashtë shtëpisë dhe nganjëherë të shkojë edhe në udhëtim ndërsa nëna është përgjegjëse për administrimin e çështjeve brenda shtëpisë dhe përgjegjëse për edukimin dhe rritjen e fëmijëve.

Temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po paraqesim tregimin e radhës me titull “Xhuzari dhe thesari”

Ishte një tregtar i cili kishte tre djem me emra: Selim, Salem dhe Xhuzar. Ai e donte shumë djalin e tij të vogël Xhuzarin dhe për këtë arsye Selimi dhe Salemi kishin xhelozi ndaj Xhuzarit dhe filluan ta urrenin atë. Tregtari ishte plakur dhe kishte frikë se pas vdekjes së tij, Selimi dhe Salemi do ta keqtrajtojnë Xhuzarin dhe nuk do t’i japin pjesë nga trashëgimia e tij. Për këtë arsye, ai vendosi që para vdekjes, të ndajë pasurinë e vetë mes fëmijëve. Prandaj, ai një ditë i ftoi miqtë dhe të afërmit në shtëpinë e tij dhe në prani të tyre, ndau pasurinë e vetë në katër pjesë. Tre pjesë të saj ua ndau djemve dhe një pjesë e ndali për vete dhe për gruan e tij. Nuk kaloi shumë kohë kur tregtari vdiq. Selimi dhe Salemi nuk ishin të kënaqur me pjesën e pasurisë që kishin marrë nga babai dhe dëshiruan të marrin edhe pjesën e pasurisë e cila i kishte takuar Xhuzarit. Kështu mes tre vëllezërve u krijuan mosmarrëveshje dhe konflikt. Selimi dhe Salemi paditën Xhuzarin pranë gjykatësit dhe e dërguan atë nga një gjykatë në tjetrën. Ata shpenzuan shumë para në këtë rrugë, mirëpo i gjithë mundi i tyre nuk solli rezultat dhe i mbaruan të gjithë paratë. Më në fund erdhi një ditë që ata nuk kishin kurrfarë pasurie. Atëherë shkuan pranë nënës, e rrahën atë dhe i morën parat që ia kishte lënë asaj babai i tyre dhe ikën. Kur Xhuzari erdhi në shtëpi, nëna duke qarë, i tregoi atij se si e kishin keqtrajtuar atë të dy djemtë. Xhuzari e përqafoi atë dhe me dashuri i tha asaj: “Mos u pikëllo oj nënë e dashur! Zoti do t’ua kthejë atyre këtë veprim të shëmtuar. Ti qëndro me mua dhe unë punoj dhe me atë çfarë fitoj, do t’i plotësoj nevojat e jetës tonë”. Nëna u qetësua. Xhuzari siguroi një rrjet për peshkim për të shkuar të peshkojë me atë. Ai për çdo ditë në mëngjes, merrte rrjetën dhe shkonte në det dhe peshkonte, pastaj i shiste peshqit dhe me parat që fitonte, plotësonte nevojat e jetës së tij dhe të nënës së vetë. Ata kishin një jetë të thjeshtë dhe të mirë. Mirëpo Selimi dhe Salemi bridhnin të papunë dhe për dëfrimet e tyre shpenzonin paratë që i kishin marrë me dhunë nga nëna e tyre derisa erdhi një ditë që i mbaruan paratë dhe mbetën duke lypur. Ata këmbëzbathur, bridhnin nëpër rrugë dhe lypnin ushqim nga shtëpitë e njerëzve sa për të mbetur gjallë. Nganjëherë shkonin në shtëpinë e nënës dhe duke u lutur, i kërkonin asaj ushqim. Nënës i digjej zemra për ata dhe nëse kishte ushqim në shtëpi, u jepte atyre dhe u thoshte: “Hani shpejtë dhe ikni nga këtu, sepse nëse do të kthehet Xhuzari dhe do t’iu takojë juve këtu, do të zemërohet”. Selimi dhe Salemi hanin ushqimin dhe iknin para se të kthehej Xhuzari. Një ditë, Xhuzari u kthye në shtëpi papritur dhe i pa vëllezërit e tij duke ngrënë ushqim. Nëna u turpërua nga Xhuzari dhe uli kokën, mirëpo përkundër asaj që priste ajo, Xhuzari nuk u zemërua fare. Por me dashuri përshëndeti vëllezërit dhe tha: “Mirëserdhët. Po habitem që më keni kujtuar mua dhe nënën! U gëzova që u takuam”. Vëllezërit u turpëruan dhe thanë: “O vëlla, edhe ne jemi përmallur për ty dhe nënën, por kishim turp të vinim në shtëpi nga sjelljet e këqija që kemi patur me ty. Djalli na kishte mashtruar neve dhe ne jemi sjell keq me ty. Tani jemi penduar nga e kaluara jonë”. Xhuzari mori në përqafim ata dhe tha: “Unë nuk kamë armiqësi dhe urrejtje ndaj juve. Qëndroni këtu dhe jetoni me ne”. Nëna bëri lutje për Xhuzarin dhe tha: “Biri im, qoftë i kënaqur Zoti me ty, sepse ti më kënaqe mua!” Në këtë mënyrë vëllezërit u pajtuan dhe Selimi dhe Salemi u vendosen për të jetuar në atë shtëpi. Xhuzari për çdo ditë herët në mëngjes zgjohej nga gjumi dhe shkonte për peshkim. Peshkonte dhe pastaj shiste peshqit dhe me parat e fituar blinte bukë dhe mish dhe kthehej në shtëpi. Kaloi një muaj dhe Selimi dhe Salemi në shtëpinë e Xhuzarit vetëm hanin dhe flinin dhe nuk punonin asgjë. Një ditë në mëngjes Xhuzari si gjithnjë shkoi në det, hodhi rrjetën në det dhe e nxori. Rrjeta ishte zbrazët. Xhuzari shkoi në një zonë tjetër të detit. Përsëri hodhi rrjetën dhe priti për një kohë, por edhe kësaj radhe rrjeta ishte e zbrazët. Shkoi në një pjesë tjetër të detit, por përsëri rrjeta e tij ishte e zbrazët. Ai deri në perëndim të diellit qëndroi në det për të peshkuar, mirëpo nuk pati sukses. Thuajse deti ishte zbrazur nga peshqit. Më në fund humbi shpresat, vendosi rrjetën mbi shpinë dhe me duar bosh dhe zemrën plotë pikëllim, u nis drejt shtëpisë. Gjatë rrugës arriti te një dyqan bukëpjekës. Aty pa shumë njerëz të cilët prisnin në radhë për të blerë bukë. Ai qëndroi në një qoshe larg njerëzve. Bukëpjekësi e pa atë dhe e thirri: “Xhuzar, a do bukë?” Xhuzari mbeti i heshtur dhe nuk u përgjigj. Bukëpjekësi e pa rrjetën e zbrazët të Xhuzarit dhe e kuptoi se ai nuk kishte peshkuar asgjë atë ditë. Mori disa copë bukë dhe pak para dhe ia dha ato Xhuzarit dhe i tha: “Merri këto dhe në vend të parave nesër më sjell peshk!” Xhuzari i turpëruar mori bukën dhe paratë dhe u nis në rrugë. Me para bleu mish dhe shkoi në shtëpi me bukë dhe mish dhe ia dha ato nënës që të përgatisë ushqim. Të nesërmen Xhuzari u zgjua nga gjumi më herët se zakonisht. Morri rrjetën e peshkimit dhe shkoi pranë detit. Hodhi rrjetën në det jo vetëm një herë, por disa herë. Mirëpo nuk peshkoi asnjë peshk. Deri në perëndim të diellit ai bridhte nga një vend në tjetrin dhe bëri të gjitha përpjekjet për të peshkuar, mirëpo nuk pati sukses. Më në fund humbi shpresat nga peshkimi dhe me rrjetën në shpinë u nis drejt shtëpisë. Gjatë rrugës arriti pran dyqanit të bukëpjekësit. Bukëpjekësi e pa atë dhe e thirri. Përsëri i dha atij disa copë bukë dhe pak para dhe i tha: “Mos u pikëllo! Nesër me siguri do të kesh sukses që të peshkon peshq, pastaj vjen dhe më paguan borxhin”. Mirëpo edhe të nesërmen, Xhuzari u kthye me rrjet të zbrazët nga deti. Bukëpjekësi përsëri i dha atij bukë dhe para dhe ai arriti të sigurojë ushqim për nënën dhe vëllezërit. Edhe katër ditë të tjera kaluan në këtë mënyrë dhe Xhuzari nuk kishte sukses në peshkim. Në mëngjesin e ditës së shtatë, Xhuzari tha me vete: “Duhet ta ndërrojë vendin e peshkimit. Kësaj radhe do të shkoj në liqenin e Karunit ndoshta kësaj radhe peshqit do të bien në rrjetën time”. Prandaj shkoi në liqenin e Karunit.

Tags