Prill 20, 2018 09:45 CET

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Në fillim ashtu si në edicionet e kaluara, do të shqyrtojmë një tjetër kategori të letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të vazhdojmë me tregimin e edicionit të kaluar.

Thamë se recitimi dhe transmetimi i tregimeve që nga kohërat e lashta ka qenë një profesion i përhapur në mesin e popujve të botës dhe shumica veprave epike dhe fetare të botës para se të shkruhen, ato janë transmetuar nga transmetuesit për popullin. Sipas Zhul Mul, studiues francez, tregimet dhe versionet gojore të cilat janë transmetuar nga gjeneratat e kaluara gojë më gojë, përbëjnë bazën e historisë së popujve. Historia ka filluar pikërisht nga këtu, sepse njeriu para se të shkruajë, ka krijuar tregime dhe këngë. Ata që tregonin këto tregime quheshin transmetues ose recitues apo edhe rapsodë dhe transmetimi i këtyre tregimeve në realitet konsiderohej një profesion. Sipas studiuesit të njohur iranian Dr. Mahxhub Muhaghegh, transmetuesit ishin një grup i njerëzve të cilët kanë qenë specialist për krijimin dhe thurjen e legjendave dhe nevojat e jetës së tyre i plotësonin nga kjo punë.

Zakoni i transmetimit të tregimeve ka qenë i përhapur në Iran që nga kohërat e lashta. Në Iran tradita e memorizimit të tregimeve kombëtare të transmetuara dhe të tregimeve të kreshnikëve, ka qenë i përhapur më së shumti në mesin e shtresës së feudalëve. Ata në atë kohë kanë qenë feudalë dhe pronarë të tokave të cilët kanë patur një dashuri ndaj historisë së paraardhësve të tyre dhe kanë treguar përkushtim të madh në këtë drejtim. Sipas dokumenteve të vjetra, mund të supozohet se tradita e transmetimit gojor të tregimeve dhe memorizimi i tregimeve rreth fitoreve në luftëra si dhe veprimet kreshnikëve dhe mbretërve, në Iran ka qenë e përhapur shumë kohë para ardhjes së Islamit. Kjo dëshmohet më së miri nga libri "Hezar Afsan" (Njëmijë Legjenda) i cili është shkruar në gjuhën Pahlavi dhe origjinali i tij ka ekzistuar deri në shekujt e parë të Islamit dhe u bë bazë e veprës së njohur me tregime "Njëmijë e një net".

Në fund të periudhës së dinastisë Sasanite, në Iran është shkruar një libër me titull "Khodajname" në gjuhën Pahlavi. Në këtë libër janë transmetuar ngjarje nga koha e mbretërve dhe një përmbledhje e tregimeve të lashta iraniane. Ibn Mukafa, mendimtari klasik iranian, këtë libër e ka përkthyer në gjuhën arabe dhe titullin e tij e ka caktuar "Sejrul-Muluk". Edhe pse autori ose autorët e këtij libri nuk dihen, mirëpo dihet se në atë kohë transmetuesit e tregimeve kishin një pozitë të lartë në shoqëri dhe konsideroheshin ndër njerëzit më të kulturuar dhe më të arsimuar.

Arti i transmetimit të tregimeve të vjetra ishte i përhapur edhe në periudhat pas përhapjes së Islamit në Iran dhe përveç "Shahnames" dhe "Gershaspnames", edhe veprat e tjera të njohura si tregimi "Samak Ajar", "Darabname", "Bakhtjarname" dhe disa vepra të tjera të cilat ekzistojnë edhe sot, në burim kanë qenë tregimeve dhe transmetime të cilat janë transmetuar nga transmetuesit përgjatë periudhave të ndryshme kohë pas kohe. Këto tregime nëpërmjet kësaj metode të transmetimit gojor kanë arritur nga një gjeneratë në tjetrën.

Profesioni i transmetimit të tregimeve në Iran, duke marrë parasysh historikun e gjatë të tij, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen dhe ringjalljen e një pjesë të rëndësishme të kulturës dhe traditave popullore. Sidomos në periudhat në të cilat shumica e popullit nuk ka patur aftësinë për shkrim dhe lexim, transmetimi gojor i miteve dhe mësimeve fetare ka qenë më shumë i përhapur. Transmetimi i tregimeve në periudhën e dinastisë Safavite kishte arritur në kulmin e vet dhe ka vazhduar deri më sot.

Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po kalojmë në botën e tregimeve iraniane dhe po vazhdojmë me tregimin Xhuzari dhe Thesari nga vepra e njohur "Njëmijë e një net".

Në edicionin e kaluar arritëm deri aty ka Xhuzari pas përfundimit të misionit me Abdulsamedin, u kthye në qytetin e vet dhe u takua me nënën e tij dhe shkuan së bashku në shtëpi.

Xhuzari i tregoi nënës sekretin e veprimit të duqeve dhe i kërkoi asaj që të mos i tregojë askujt këtë sekret. Vëllezërit e Xhuzarit pasi kishin shpenzuar të gjitha parat që i kishin marrë me mashtrim nga nëna, u kthyen përsëri në shtëpi. Xhuzar ashtu si më parë, përsëri ua fali gabimin atyre dhe i pranoi ata në shtëpi. Xhuzari për çdo ditë përgatiste ushqime të ndryshme dhe të gjithë së bashku ngrënin dhe pjesën e mbetur e shpërndanin për personat e varfër. Një natë kur Xhuzari ishte fjet, vëllezërit e pyetën nënën për sekretin e ushqimit dhe ajo nuk arriti të mbajë sekretin fshehur, prandaj ua tregoi atë dy djemve të tjerë, por u kërkoi atyre që ta mbajnë fshehur këtë sekret. Selimi dhe Salemi bërën një plan për t'i vjedhur duqit. Ata kërkuan nga kapiteni i një anije që në shkëmbim të një shume parash, natën kur Xhuzari ishte fjetur, ta merrte me vete dhe ta dërgonte në një vend tjetër.

Në mesnatë kur Xhuzari ishte në gjumë të thellë, Selimi dhe Salemi së bashku me dy shok të kapitenit të anijes, shkuan te Xhuzari dhe i lidhen duart dhe i mbyllën gojën dhe atë e nxorën nga shtëpia. Kapiteni i anijes dhe shokët e tij e morën Xhuzarin dhe e çuan në anije dhe u nisën në rrugëtimin e tyre.

Kur gdhiu mëngjesi, Selimi dhe Salemi i thanë nënës: "Nënë, Xhuzari ka shkuar me miqtë me tij". Nëna u pikëllua dhe qau nga ndarja e Xhuzarit. Selimi dhe Salemi i thanë asaj: "Ti e do Xhuzarin më shumë se neve". Nëna tha: "Edhe ju jeni bijtë e mi dhe unë iu dua shumë, mirëpo që nga koha kur ka vdekur babai jua, unë nuk kam pa gjë tjetër nga ju, përveç sjelljeve të këqija, ndërkohë Xhuzari gjithmonë është sjell mirë me mua dhe më ka bërë shumë të mira".

Selimi dhe Salemi me të dëgjuar këto fjalë, u zemëruan shumë. Filluan ta ofendojnë nënën dhe e rrahën atë. Pastaj ia morën asaj dy duqit e Xhuzarit. Një palë duqi që ishin me plotë flori dhe argjend, e ndanë atë pasuri mes vete. Mirëpo në lidhje me duqin magjistar, hynë në mosmarrëveshje. Filluan të grindën dhe deshën që ta ndajnë duqin në dy pjesë. Nëna bërtiti: "Djem të paditur. Këto duqi nuk mund të ndahen. Nëse ata i ndani përgjysmë, do ta humbin efektin e tyre. Leni ato këtu pranë meje dhe kur të dëshironi ushqim, ejani dhe merrni!"

Mirëpo Selimi dhe Salemi nuk dëgjuan fjalët e nënës. Deri në mëngjes vazhduan grindjet rreth duqeve. Rastësisht në shtëpinë e një fqinji të tyre atë natë mysafir ishte një prej funksionarëve të ushtrisë së mbretit. Ai kishte dëgjuar grindjet dhe ofendimet e Selimit dhe Salemit mes vete. Nga fjalët e tyre kishte kuptuar çështjen e duqeve magjistar. Të nesërmen në mëngjes, shkoi te mbreti dhe i tregoi atij të gjithë ngjarjen që kishte dëgjuar natën e kaluar. Mbreti urdhëroi ushtarët e tij që të shkojnë dhe të arrestojnë Selmin dhe Salemin. Ushtarët shkuan dhe arrestuan të dy vëllezërit dhe i çuan ata para mbretit. Ata i torturuan aq shumë derisa pohuan se posedojnë duqit magjistar. Mbreti ua mori atyre duqit magjistar dhe të dy i burgosi.

Kaloi një vit. Selimi dhe Salemi akoma ishin në burgun e mbretit dhe Xhuzari punonte në anije derisa një dita deti u trazua. Anije u mbyt në ujë. Të gjithë pasagjerët e anijes vdiqën me përjashtim të Xhuzarit. Ai më në fund arriti në bregdet dhe u nis në këmbë derisa arriti në një karvan i cili shkonte në Arabi. Kryetari i këtij karvani ishte një njeri tregtar i cili kishte një zemër të mëshirshme. Ai e pa Xhuzarin dhe dëgjoi ngjarjen se çfarë i kishte ndodhur. Ai i kërkoi Xhuzarit që të bashkohet me atë dhe të punojë për këtë tregtar. Xhuzari pranoi dhe u bashkua me Karvanin në rrugëtim.

Ata vazhduan rrugëtimin derisa arritën në qytetin Xhide. Rastësisht ata arritën në kohën e Haxhit. Tregtari vendosi që të shkojë për të vizituar Qaben. Ai mori me vete edhe Xhuzarin në Meke. Xhuzari ishte duke bërë tavafin kur papritur sytë e panë një fytyrë të njohur dhe ai menjëherë vrapoi drejt tij. Ai ishte Abdulsamedi. Xhuzar shkoi pranë tij dhe e përshëndeti.  

Abdulsamedi u gëzua nga takimi me Xhuzarin. Atë e mori në përqafim dhe e pyeti: çfarë po bënë këtu?

Xhuzari i tregoi Abdulsamedit ngjarjen që i kishte ndodhur. Abdulsamedi e çoi atë në shtëpinë e vet dhe tregoi shumë bujari ndaj tij dhe pastaj i tha atij: "Xhuzar parashikimi im është ky që kanë përfunduar ditët tua të vështira. Përfundoje ceremoninë e Haxhit dhe eja me mua". Xhuzari e falënderoi tregtarin dhe u përshëndet me atë dhe u kthye pranë Abdulsamedit.

Abdulsamedi i dha atij unazën vulë që kishte marrë nga thesari i Shamardalit dhe tha: "Unë këtë unazë po ta japë ty dhe çdo herë që ke ndonjë dëshirë, fërkoje me dorë gurin e kësaj unaze dhe menjëherë do të shfaqet shërbëtori i unazës i cili e ka emrin "Ra'ad dhe do ta plotësojë dëshirën tënde".

Ai i tha këto fjalë dhe e fërkoi dorën mbi gurin e unazës. Ra'di u shfaq menjëherë. Abdulsamedi e prezantoi Xhuzarin pranë Ra'dit dhe tha: "O Ra'd nga tani, ky person është pronari yt". Ra'di u kthye nga Xhuzari dhe tha: "Jam në shërbim, zotëria im!".

Xhuzari mendoi pak pastaj tha: "Ra'd dëshiroi që të më dërgosh mua në qytetin dhe shtëpinë time!" Pastaj u përshëndet me Abdulsamedin. Vendosi në gisht unazën dhe hipi mbi supe të Ra'dit.

Ra'di lëshoi një britmë dhe u ngrit në qiell. Disa orë fluturoi në qiell. Ishte mesnatë kur ai e zbriti Xhuzarin në tokë në oborrin e shtëpisë së tij dhe pastaj u zhduk.

Tregimin do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm.  

Tags