Pikëpamjet e liderit (Fjalimi në ceremoninë e namazit të Fitër Bajramit)
(last modified Fri, 30 Jun 2017 06:07:16 GMT )
Qershor 30, 2017 08:07 Europe/Tirane
  • Pikëpamjet e liderit (Fjalimi në ceremoninë e namazit të Fitër Bajramit)

Tubimi më i madh i myslimanëve për faljen e namazit të  Fitër Bajramit në Iran, është tubimi që organizohet në xhaminë Mosala të Teheranit i cili për çdo vit organizohet nën drejtimin e Ajetullah Khamenei, liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit. Në këtë program do të paraqesim pikat më kryesore të fjalimit të liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit në ceremoninë e namazit të Fitër Bajramit.

Populli mysliman i Iranit pas një  muaji agjërimi, të dielën fali namazin e Fitër Bajramit me drejtimin e liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit, Ajetullah Khanenei në Mosalanë e madhe të Teheranit. Në këtë festë të madhe e cila është festa e robërimit pranë Zotit dhe e adhurimit dhe nënshtrimit ndaj urdhrave të Zotit të madhëruar gjatë një muaji agjërim të Ramazanit, populli i Iranit në qytete dhe fshatra të vegjël e të mëdha, organizon ceremoninë e namazit të Fitër Bajramit sipas urdhrit të Zotit dhe sunetit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Tubimi më entuziast dhe më i madh i popullit iranian për faljen e namazit të  Fitër Bajramit në Iran, është tubimi që organizohet në xhaminë Mosala të Teheranit që për çdo vit organizohet nën drejtimin e Ajetullah Khamenei, liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në ligjëratën e parë të namazit të Fitër Bajramit dha udhëzimet dhe këshillat morale dhe shpirtërore, ndërsa në ligjëratën e dytë foli rreth problemeve dhe çështjeve më të rëndësishme të Ummetit Islam. Në këtë program do të paraqesim pikat më kryesore të fjalimit të liderit suprem të Revolucionit Islamik të Iranit në ceremoninë e namazit të Fitër Bajramit.

Namazi i Fitër Bajramit nën drejtimin e Ajetullah Khamenei

Lideri i Revolucionit Islamik të Iranit duke uruar festën e Fitër Bajramit për të gjithë Ummetin Islam dhe për popullin iranian, uroi të gjithë myslimanët për agjërimin që arritën ta kryejnë me sukses dhe të kalojnë me nder këtë sprovë hyjnore. Ajetullah Khamenei muajin e Ramazanit e vlerësoi si një muaj të bekuar për popullin e Iranit dhe deklaroi: "Populli ynë në sjelljet e tij dhe në ceremonitë që organizuan besimtarët gjatë këtij muaji me të gjitha ritualet e tjera adhuruese, treguan shenjat e lidhjes dhe afrimit me Zotin. Në të gjitha ceremonitë përkatëse me muajin e Ramazanit mbretëronte një atmosferë spirituale, një atmosferë e afrimit pranë Fronit Hyjnor, mbretëronte një atmosferë e lidhjes me botën hyjnore dhe me plotë kuptimin e fjalës ishte një atmosferë e muajit të Ramazanit". Ai shtoi se agjërimi i të rinjve dhe i burrave e grave në ditët e gjata dhe me vapë të madhe të verës në të gjitha rajonet e vendit edhe në ato rajone në të cilat mbretëron vapë e madhe, tregon sipiritualitetin dhe ngritjen shpirtërore të besimtarëve, ndërsa vlerësoi lartë pjesëmarrjen e madhe të të rinjve në ceremonitë dhe në ritualet fetare, sidomos në mbledhjet për leximin e Kur'anit dhe tha se kjo është begati e vërtetë.

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në vazhdim tha se organizimi i sofrave të iftarit në mënyrë modeste dhe me ushqime sa më të thjeshta nëpër xhamitë dhe rrugët, është një traditë dhe zakon i mirë dhe i pëlqyeshëm, ndërsa falënderoi Zotin për këtë mirësi. Ajetullah Khamenei në vazhdim vuri në dukje edhe veprat bamirëse të myslimanëve agjërues të Iranit gjatë muajit të bekuar të Ramazanit si ndihma për lirimin e të dënuarve me burg të cilët nuk kanë kryer kundërvajtje me qëllim dhe sigurimin e shpenzimeve për kurimin e personave të sëmurë ku tha: "Ky muaji i Ramazanit me karakteristika të tilla kaloi për këtë popull, prandaj ishte muaj i Ramazanit me plotë kuptimin e fjalës dhe muaji i bekuar". Populli mysliman i Iranit në këtë muaj të Ramazanit që kaloi, me ndihmat financiare bamirëse, ndihmoi të lirohen nga burgu me qindra të burgosur të cilët ishin dënuar me burg për shkak të krimeve të paqëllimta ose për shkak të borxheve financiare.

Namazi i Fitër Bajramit nën drejtimin e Ajetullah Khamenei

Ajetullah Khamenei në pjesën tjetër të ligjëratës së parë të namazit të Fitër Bajramit vuri në dukje ritualet fetare në netët e Kadrit dhe tha: "Lotët e derdhura mbi fytyrat e besimtarëve, lutjet e kënduara me përulje dhe zemrat të cilat kanë ndje madhërinë e Zotit, janë shumë me vlerë. Këto rituale dhe këta elementë forcojnë bazën shpirtërore të një populli dhe e ndihmojnë atë për të kaluar rrugët e vështira".

Ai, gjithashtu, vuri në dukje organizimin e marshit protestues me rastin e Ditës Botërore të Kodsit në të premten e fundit të muajit Ramazan dhe deklaroi: "Qytetarët dolën në rrugë në masë të gjerë dhe disa prej tyre morën me vete edhe fëmijët për të protestuar në këtë ditë. Kjo lëvizje e madhe e popullit, me të vërtetë është një punë e madhe dhe një veprim historik me simbolet dhe karakteristikat e tij të veçanta. Veprime të tilla mbesin në histori si krenari e një populli".

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në fund të ligjëratës së parë të namazit të Fitër Bajramit, të gjithë i këshilloi që të ruajnë sukseset shpirtërore të arritura gjatë muajit të Ramazanit dhe tha: "Ajo çfarë është arritur në këtë muaj, është një rezervë hyjnore për ju. Këto rezerva ruani me çdo kusht. Leximin e Kur'anit mos e humbni, gjithnjë të keni parasysh përkushtimin me zemër në namaz. Këto janë suksese të cilat duhet ruajtur. Ky muaj ishte një ushtrim i asketizmit të vërtetë, një ushtrim për tu përkushtuar në Zotin, prandaj shfrytëzojeni këtë ushtrim në masën më të madhe! Ruajeni për vete këtë rezervë! E lusim Zotin e madhëruar që kënaqësia hyjnore dhe mëshira hyjnore, gjithmonë të jenë mbi ju!". Sipas haditheve profetike dhe transmetimeve fetare, edukimi i të menduarit dhe pastrimi i zemrës, dorëzimi dhe përulje përpara Zotit të madhëruar, reduktimi i mëkateve, thyerja e dëshirave të egos dhe gatishmëria për kryerjen e adhurimeve dhe veprave të mira, janë rezultatet më të rëndësishme të muajit të bekuar të Ramazanit për besimtarët dhe këto rezultate duhet të ruhen edhe pas muajit të shenjtë të Ramazanit. Ajetullah Xhavad Amoli, një prej dijetarëve të mëdhenj të shkollës shiite dhe komentues i Kur'anit të shenjtë, në lidhje me këtë çështje thotë: "Detyra më e rëndësishme e jona pas muajit të bekuar të Ramazanit, është ruajtja e rezultateve të këtij muaji të bekuar, ashtu siç na ka urdhëruar Zoti i madhëruar për ruajtjen e namazit dhe në Kur'anin e shenjtë thotë: "Ruajeni namazin tuaj!", edhe në lidhje me agjërimin ka porositur në mënyrë të njëjtë. Nëse në Kur'anin e shenjët Ai ka thënë: "Ruajeni namazin tuaj!", kjo nuk kufizohet vetëm me namazin, por besimtari duhet të kujdesët edhe për adhurimin në mënyrë që ky adhurim të ketë efikasitetin e vetë të veçantë. Por pasi namazi është shtyllë e fesë, në këtë rast namazi është theksuar, përndryshe edhe agjërimi është i njëjtë, prandaj ne kemi për detyrë që ta ruajmë atë". Ajetulla Xhavad Amoli duke theksuar në vazhdimin e lutjeve dhe duave edhe pas muajit të Ramazanit, thotë: "Ne, gjatë muajit të Ramazanit, përveç agjërimit, bëjmë edhe lutje dhe dua. Kjo shkollë, është shkolla e lutjeve dhe duave. Duaja është një parim! Në muajin e bekuar të Ramazanit janë porositur të këndohen shumë lutje, për arsye se duaja është një lloj adhurimi dhe luan rol përcaktues. Lutja është bisedimi me Zotin dhe paraqitja e kërkesës së njeriut pranë Zotit. Në fund mund të konkludojmë se ruajtja e muajit të Ramazanit, është ruajtja e pikërisht këtyre duave dhe lutjeve tona".

Namazi i Fitër Bajramit

Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në ligjëratën e dytë të namazit të Fitër Bajramit vuri në dukje edhe çështje të rëndësishme të Iranit dhe të botës islame dhe të rajonit të Lindjes së Mesme. Ai tha: "Populli i Iranit duhet të jetë krenar dhe kokëlartë, për arsye se ka kryer punë të mëdha. Duhet të gëzohet, duhet të kultivojë shpresën në zemër, sepse janë kryer vepra të mëdha. Në këtë muaj të Ramazanit dhe pak para fillimit të muajit të Ramazanit, së pari u zhvilluan ato zgjedhje me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve dhe kjo ishte një punë e madhe. Së dyti, u organizua edhe marshi i Ditës Botërore të Kodsit, që konsiderohet gjithashtu një punë shumë e madhe. Gjithashtu, sulmi raketor i fuqishëm i Gardës Revolucionare të Iranit kundër bastioneve të grupit terrorist ISIS në Siri, ishte një veprim i madh si kundërpërgjigje për sulmet e fundit terroriste në Teheran". Ajetullah Khamenei këto veprime i quajti rezerva shoqërore të popullit të Iranit të cilat janë fituar pikërisht ashtu si rezervat shpirtërore në muajin e bekuar të Ramazanit, prandaj duhet ruajtur. Ai në vazhdim tha: "Ruajtja e këtyre rezervave varët nga kjo që populli ta ruajë unitetin e tij, bashkimin dhe solidaritetin e vetë, motivin revolucionar të tij, si dhe lëvizjen drejt realizimit të qëllimeve dhe idealeve të larta të Revolucionit! Këto duhet ruajtur në zemrat e secilit qytetar!".

Ajetullah Khamenei në vazhdim theksoi nevojën e përkushtimin edhe në fushën e kulturës dhe tha: "Ne, kemi korridore depërtuese në fushën e kulturës në masë të madhe, do të thotë korridoret e depërtimit të armikut në fushën e kulturës janë të shumta. Prandaj, është përgjegjësi e institucioneve shtetërore dhe e strukturave të gjera qytetare që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë depërtimin e armikut në këtë fushë". Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në një fjalim në një takim me studentët, të rinjtë i ka quajtur "oficerë të luftës së butë" dhe ka theksuar se duke marrë parasysh disa dobësi në strukturat kulturore, të rinjtë në fushën e kulturës, duhet të jenë gjithmonë në gjendje gatishmërie dhe të veprojnë pa pritur urdhrin e autoriteteve të larta. Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në një pjesë të ligjëratës së dytë të namazit të Fitër Bajramit tha: "Ajo çfarë thamë më parë, ka këtë kuptim se në të gjithë vendin, të rinjtë dhe intelektualët e mendimtarët, me iniciativën e vetë të çojnë përpara projektet kulturore, të njohin korridoret kulturore dhe të kryejnë veprime për plotësimin e këtyre nevojave. Termi "veprim sipas zgjedhjes", nuk do të thotë veprim i paligjshëm dhe ofendime".

Ajetullah Khamenei në vazhdim tha: "Forcat revolucionare para se gjithash duhet të kujdesën për të mos e prishur rendin dhe sigurinë e vendit, të kujdesën për qetësinë e vendit dhe të kujdesën që armiqtë të mos keqshfrytëzojnë gjendjen e vendit, si dhe të respektojnë ligjet. Kjo përgjegjësi në radhë të parë është mbi supe të forcave revolucionare të cilat janë të interesuara dhe dëshirojnë që vendi të ecën drejt realizimit të qëllimeve të tij të larta".

Ajetullah Khamenei në lidhje me çështjet e botës islame tha: "Trupi i Ummetit Islam ka shumë plagë! Kriza në Jemen, është një plagë e madhe për Ummetin islam, kriza e Bahrejnit, si dhe çështjet e ndryshme në vendet islame, gjithashtu, janë plagë për Ummetin Islam. Bota islame në mënyrë të qartë duhet të mbështesë popullin e Jemenit dhe të distancohet dhe të dënojnë regjimet e dhunshme të cilët sulmojnë në këtë mënyrë popullin mysliman të Jemenit gjatë muajit të Ramazanit. Bota islame duhet të mbështesë popujt e shtypur, popullin e Bahrejnit dhe Kashmirit, gjithashtu nuk duhet ta harrojë". Lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit në vazhdim theksoi: "Populli ynë mund të bëhet mbështetës i kësaj lëvizje të madhe të botës islame. Ashtu sikur ne deklarojmë në mënyrë të qartë qëndrimet tona ndaj miqve, armiqve, kundërshtarëve dhe opozitarëve, edhe bota islame sidomos intelektualët, sidomos dijetarët dhe mendimtarët e botës islame, gjithashtu, duhet ta ndjekin këtë metodë dhe të marrin qëndrime të qarta në mënyrë që Zoti i madhëruar të jetë i kënaqur me ata, edhe pse të tjerët dhe tiranët të zemërohen me ata".

Ajetullah Khamenei në fund të fjalës së tij në këtë ceremoni bëri këtë lutje: "O Zot! Të betoj në Muhamedin dhe familjen e tij, shtoji të mirat tua për Ummetin Islam për çdo ditë e më shumë! O Zot! Të betoj në Muhamedin dhe familjen e tij, na njih neve me detyrat dhe obligimet tona për çdo ditë e më shumë!".

Tags