ISIS-i i Khorasanit; Shfaqja e terrorizmit amerikan në Afganistan (2)
(last modified Sat, 18 May 2024 17:16:54 GMT )
May 18, 2024 19:16 Europe/Tirane

Me intensifikimin e sulmeve dhe programeve sabotuese dhe terroriste të grupit ISIS-i Khorasanit nga territori i Afganistanit drejt vendeve të tjera, veçanërisht fqinjëve, është shtuar nevoja për t'u përballur me këtë grup në formën e konsensusit rajonal.

Përshëndetje të nderuar dëgjues! Në programin e mëparshëm folëm për formimin, veprimet dhe drejtuesit e degës së Khorasanit të grupit terrorist ISIS. Në këtë program synojmë të prezantojmë mbështetësit dhe burimet financiare të këtij grupi, si dhe të shqyrtojmë kërcënimin e ISIS-it të Khorasanit me bazë në Afganistan për vendet fqinje. Ju ftoj të qëndroni me ne.

ISIS-i njihej si një nga organizatat terroriste më të pasura në botë, të paktën deri në vitin 2020. Ndryshe nga organizata terroriste Al-Kaeda, e cila kryesisht financohej nga donacionet e të tjerëve, udhëheqësit e ISIS-it miratuan një strategji të re financiare që bazohej në vetë-mjaftueshmërinë dhe mosvarësinë nga burimet e jashtme financiare. Natyrisht, kjo nuk përjashton ndihmën e disa sponsorëve të huaj, të cilët u dhanë miliona dollarë organizatave terroriste aktive në Siri, përfshirë edhe ISIS-in.

Një nga këto burime financiare të ISIS-it është grabitja e bankave. Terroristët e ISIS-it, pasi hynë në Mosul dhe pushtuan provincën Nineveh në Irak, plaçkitën pronat e bankave të mëdha në Mosul dhe zhvatën rreth 430 milionë dollarë. Kur ky grup hyri në Tikrit dhe Falluxha si dhe në 13 qytete të tjera irakiane, ata vodhën asetet e 62 bankave publike dhe private.

Shitja e naftës nga vendburimet e zonave të pushtuara nga ISIS-i në Siri dhe në Irak ka qenë gjithashtu një burim kryesor i të ardhurave të ISIS-it në këto vite. Grupi terrorist ISIS kontrollonte burimet e naftës në veri të Sirisë dhe disa linja të transportit të naftës në Irak për disa vite dhe e kryente transportin e naftës nga këto kufij për në Turqi. Statistikat kanë treguar se ISIS-i shiste naftë në vlerën e të paktën një milion dollarëve në ditë.

Një pjesë e konsiderueshme e naftës nga zonat e pushtuara në Irak dhe Siri nga terroristët e ISIS-it iu shit ndërmjetësuesve rajonalë me çmim shumë më të ulët se çmimet e tregut global të energjisë dhe hyri në treg me kamionë cisternë përmes Turqisë.

Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike ka qenë një nga mënyrat e tjera të sigurimit të burimeve financiare për ISIS-in në vitet e fundit. Përveç përfitimit të kultivimit të drogës në Afganistan, ISIS-i prodhoi dhe mbolli gjithashtu lëndë narkotike si opium dhe hashash në disa zona si "Hamam Al-Alil" dhe "Muhalabiya" në jug të Mosulit.

Njëkohësisht me kultivimin dhe shitjen e drogës u rrit edhe dëshira e këtij grupi për të prodhuar substanca psikoaktive, si pilulat Captagon. Pas një muaji të marrjes nën kontroll të disa fabrikave farmaceutike në qytetin Alepo në Siri, të ashtuquajturat fabrika farmaceutike “Asia”, ISIS-i filloi të prodhojë nga këto fabrika pilula narkotike, të cilat janë ndër pilulat narkotike sintetike më të rrezikshme dhe më të forta.

Një tjetër kanal i financimit të ISIS-it është shitja e objekteve antike. Terroristët e ISIS-it shkatërruan dhe plaçkitën monumentet e lashta duke pretenduar se ato janë një shembull i politeizmit dhe i idhujtarisë. Sipas raportit të "The Guardian", forcat e ISIS-it mundën të përvetësonin objekte të rëndësishme që ishin pjesë e trashëgimisë kulturore të Sirisë përmes gërmimeve që bënë në Siri. Këto gërmime u bënë veçanërisht në zonën "An-Nabek" rreth malit Kalamun në perëndim të Damaskut. Disa nga këto vepra datojnë para 8000 vjetësh dhe çmimi i tyre mund të arrijë në 36 milionë dollarë në tregun e hapur.

Gjithashtu, një numër i madh i individëve dhe personaliteteve të pasura të vendeve arabe të Gjirit Persik u kanë ofruar burime të mëdha financiare grupeve terroriste aktive në Irak dhe Siri, veçanërisht ISIS-it. Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit gjatë viteve të pikut të pushtetit të ISIS-it, në 2014 dhe 2015, në mesin e këtyre personave, 28 persona ishin nga Arabia Saudite, 12 persona nga Iraku, 5 persona nga Kuvajti, si dhe një numër tjetër personash nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Katari e mbështetën ISIS-in.

Natyrisht, gjobëvënia ndaj korporatave dhe rrëmbimi i personave duhet të përfshihen gjithashtu në listën e burimeve të financimit të grupit terrorist ISIS.

Me intensifikimin e sulmeve dhe programeve sabotuese dhe terroriste të grupit ISIS-i i Khorasanit nga territori i Afganistanit drejt vendeve të tjera, veçanërisht fqinjëve, është shtuar nevoja për t'u përballur me këtë grup në formën e konsensusit rajonal. Në pjesën e fundit të këtij programi, synojmë të shqyrtojmë shkurtimisht kërcënimet e ISIS-it kundër Afganistanit, fqinjëve të tij dhe disa vendeve të rajonit.

Ardhja e talebanëve në pushtet në Afganistan, e cila e ka zhytur vendin në trazira ekonomike, ka të ngjarë të bëjë që luftëtarët talebanë të priren drejt ISIS-it të Khorasanit. Përveç kësaj, ish-anëtarët e shërbimeve të inteligjencës afgane dhe të forcave speciale, të cilët u trajnuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u detyruan të largoheshin nga puna, është e mundur t'i bashkohen ISIS-it të Khorasanit. Prandaj, duket se ekzistenca e milicive të pakënaqura, të specializuara e të trajnuara krah për krah me ISIS-in e Khorasanit është një kërcënim afatgjatë për pakicat etnike-fetare, veçanërisht për komunitetin shiit Hazara të Afganistanit.

Vendndodhja gjeografike e Afganistanit, e cila ka krijuar një platformë të përshtatshme për zbatimin e projekteve të përbashkëta midis Azisë Qendrore, Iranit, Pakistanit dhe Indisë, mund t'i krijojë mundësi të panumërta ISIS-it të Khorasanit për të arritur qëllimet e tij, në mënyrë që të ushtrohet presion mbi fqinjët e Afganistanit për të krijuar pengesa dhe kufizime nëpërmjet tyre. Për shembull, ndërhyrja në projektin energjitik CASA-1000, i cili është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të tregut rajonal të energjisë dhe do ta kthejë Afganistanin në një udhëkryq të tranzitit të energjisë në rajon, do të shkaktojë shumë shqetësime për Pakistanin, që sigurisht, do të jetë një mundësi e dyfishtë për aktivitetet sabotuese të ISIS-it të Khorasanit në Pakistan.

Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA-së mbi terrorizmin tregon se që nga nëntori 2020, kishte 66 luftëtarë të njohur me origjinë indiane të lidhur me ISIS-in, asnjë prej të cilëve nuk u kthye në Indi. Autoritetet indiane mbeten ende të shqetësuara rreth përdorimit të internetit për të rekrutuar terroristë, si dhe për të nxitur tensionet ndërfetare në Indi.

Pakistani, gjithashtu, për shkak të "kufijve të tij të shpuar" dhe "strehave të sigurta natyrore" në zonat fisnore, është selia kryesore e grupeve militante, për këtë arsye vepron si një "qendër logjistike" për ISIS-in e  Khorasanit për të zgjeruar operacionet ushtarake. Konkretisht, në zonat veriperëndimore të Pakistanit, ku banon grupi shiit, sulmet terroriste të ISIS-it të Khorasanit janë të përhapura.

Megjithëse përpjekjet e fundit të ISIS-it të Khorasanit për t'u riforcuar në zonat fisnore të Pakistanit mund të krijojnë më shumë hapësirë ​​për bashkëpunim oportunist, i cili mund të përfundojë me marrjen e ndihmës nga grupet pakistaneze anti-shiite si "Lashkar-e Jhangvi" dhe "Sipah-a-Sahaba", si dhe me mbështetjen e nënkuptuar të ndërhyrësve mund të çojë në ndarjen territoriale të Pakistanit dhe forcimin e forcave antiqeveritare.

Megjithatë, nëse shqyrtojmë historikun e sulmeve të ISIS-it të Khorasanit në vendet fqinje të Afganistanit në vitet e fundit, është një pikë e spikatur që përqendrimi i këtij grupi terrorist mbi Iranin është rritur. Grupi ISIS, në sulmin e tij të fundit në Iran, përmes dy agjentëve të tij terroristë vrau më shumë se 90 njerëz nga turma që merrte pjesë në ceremoninë e përvjetorit të gjeneral-lejtënantit Kasem Sulejmani dhe plagosi qindra të tjerë.

Ndodhja e disa sulmeve terroriste në Iran, duke përfshirë sulmin në faltoren Shahcheragh në Shiraz dhe atë në ceremoninë e përvjetorit të dëshmorit Sulejmani në Kerman, vitin e kaluar dhe këtë vit, për të cilat ISIS-i i Khorasanit mori përgjegjësinë, tregon se ky grup takfirist ka përshpejtuar lëvizjet e tij dhe është duke u përpjekur për të organizuar shumicën e operacioneve sabotuese.

ISIS-i i Khorasanit, në bashkëpunim me grupe të tilla si "Lashkar-e Jhangvi", i cili është një grup militant radikal në Pakistan, ka kryer operacione të shumta në kufijtë juglindorë të Iranit në rajonin Baluchistan për qëllime separatiste si dhe ka përgjakur e shtier nën tokë një numër të konsiderueshëm qytetarësh iranianë.

Analistët besojnë se sulmet terroriste të ISIS-it në Iran tregojnë praninë e ISIS-it në Afganistan si një mjet për të bërë presion dhe për të krijuar pasiguri e kërcënim për Iranin si një vend me ndikim në rajon. Irani, me popullsinë e tij me shumicë shiite, ka qenë në qendër të vëmendjes së grupeve ekstremiste dhe takfiriste, si dhe mbështetësve të tyre, dhe ata po përpiqen të afrohen më shumë e të kërcënojnë Iranin përmes zgjerimit të aktiviteteve të tyre në vendet fqinje të Iranit.

Disa ekspertë besojnë se përballja me Rusinë është një nga arsyet e shfaqjes në Afganistan të ISIS-it, i cili ishte projektuar në bazë të programeve amerikane dhe sioniste. Në këtë mënyrë, qëllimi i aktivitetit të ISIS-it në Afganistan dhe në Pakistan është transferimi i luftës në një front të ri, pra në Azinë Qendrore, dhe krijimi i pasigurisë në vendet e Azisë Qendrore, në mënyrë që ata të kenë mundësi ta vendosin Rusinë në shumë kufizime. Sepse në atë rast Moskës do t'i duhet të përballojë kosto të mëdha sigurie për të ruajtur integritetin dhe sigurinë e saj territoriale, dhe nga pikëpamja ekonomike, një situatë e tillë do t'i sjellë dobi Amerikës. Nga ana tjetër, preokupimi i Rusisë me vetveten mund të rrisë fuqinë e ndikimit të Amerikës në shoqëritë evropiane dhe kështu të diktojë politikat e saj të dëshiruara në Evropë.

Duke marrë parasysh atë që u tha dhe duke marrë parasysh dimensionet dhe shtrirjen rajonale të kërcënimeve të ISIS-it të Khorasanit, duket se zgjidhja më përfundimtare për të parandaluar aktivitetet terroriste të ISIS-it në vendet e rajonit dhe për të parandaluar zgjerimin e tij në rritje është krijimi i një koalicioni të përbashkët mes vendeve si Rusia, Kina, Irani, India, Pakistani dhe Afganistani për të luftuar seriozisht kundër këtij grupi terrorist. Sepse nëse këtij grupi terrorist i jepet më shumë hapësirë dhe nuk ndalen veprimet e tij terroriste, ne mund të dëshmojmë edhe një herë ndezjen e akteve terroriste dhe të tmerrshme të ISIS-it në botë. Por, kësaj radhe në Afganistan dhe zonat përreth.

Tags