Arbaini i imam Huseinit (as)
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:30:47 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:30 Europe/Tirane

Arbaini huseinian përkon me ditën e 20-të të muajit Sefer dhe 40 ditë pas epopesë së Ashures dhe martirizimit të Imam Huseinit (as) dhe 72 shokëve të tij besnikë. Dita kur robërit e Qerbelasë u kthyen nga Shami (Damasku), shkuan në Qerbela për të kryer pelegrinazhin në varrin e Imam Huseinit (as). Në këtë ditë, edhe Xhaber ibn Abdullah Ansari po vizitonte varrin e Imam Huseinit (as).

 

 

Xhaberi ka ardhur në Qerbela, një njeri i cili tani është i verbër, por një herë e një kohë, kishte parë fytyrën e bukur të Profetit Muhamed (savs), lavdinë dhe madhështinë e Aliut (as), fytyrën e ndritur të Hasanit (as), qetësinë dhe forcën e shikimit të Huseinit (as), dhe më vonë e pa edhe shkëlqimin e Zeinal-Abedinit (as) dhe madje edhe Imam Bagherin i njohur si Bagher al-ulum (as). Një burrë që në rininë e tij, shkruante thëniet dhe kujtimet e Pejgamberit, shumë vite pas Profetit, ishte i njohur me të afërmit dhe pjesëtar i të afërmve të  tij, tani ka ardhur në Qerbela me nxënësin e tij të ndershëm dhe fisnik Atije Avafi.

Është dita e pestë e muajit Sefer. Xhabiri është kthyer nga abdesi në Eufrat. Ka veshur një këmishë të gjatë dhe të bardhë, dhe flladi i freskët e shpërndan parfumin e këmishës së tij në hapësirën e Qerbelasë. Ai ecën ngadalë dhe në çdo hap thotë një zikr. Pak nga pak, mbërrin te varri ku tridhjetë e shtatë ditë më parë, dora e Imam Sexhadit (as) shkroi: “Ky është varri i djalit të  Aliut, Huseinit, i cili u martirizua duke qenë i etur ". Ai afrohet. Aroma e mollës mbulon gjithë hapësirën. Xhaberi dhe Atije Avafi afrohen në një  krater, aty ku u copëtua dhe prehet pa kokë njeriu më i dashur dhe më i mirë. Xhaberi i kërkon Atijes t’a vërë dorën e tij mbi varrin e Huseinit. Supet e vjetra dridhen, lotët rrëshqasin mbi fytyrën e rreshkur dhe mbi mjekrën e bardhë dhe ulen në këmishën e gjatë dhe të bardhë. Xhaberi i afron krahët më afër varrit dhe tre herë thërret: "Allahu është i Madh, Allahu është i Madh, Allahu është i Madh", dhe bie pa ndjenja. Atije i hedh ujë në fytyrë Xhaberit dhe plaku zimbajtës i Qerbelasë, fillon t’i hapë sytë. Qan përsëri dhe pëshpërit tri herë: “Ja Husein, Ja Husein, Ja Husein”. Nuk vjen asnjë përgjigje. Xhaberi vendos krahët në tokë dhe rënkon me trishtim: “A nuk ia kthen shoku përgjigjen shokut?” Xhaberi ia jep vetë përgjigjen vetes: “Ah si të më përgjigjesh kur mes trupin dhe kokën tënde i ndajnë dhjetëra shkretëtira? O Husein, unë dëshmoj se ti je biri i të Dërguarit të fundit. Biri i prijësit të besimtarëve, ti je gjithnjë i pandarë nga besimi. Ti je ylli i pestë i qiellit të imanit, biri i Fatimesë (s) dhe përse të mos jesh i tillë kur je ushqyer nga dora e Profetit (savs), kur je rritur dhe edukuar në prehrin e Imamit të besimtarëve, kur ke pirë nga gjiri i besimit dhe me Islam u ndave nga qumështi. Pate jetë të lumtur dhe vdekje madhështore dhe për hir të Zotit u fute në tokë pika-pika”

 

Xhaberi qan. Ai këndon lutje dhe zëri i tij i trishtuar mbush me dhimbje heshtjen e thellë të hapësirës së Qerbelasë. Nganjëherë  puth tokën, nganjëherë i merr erë dhe nganjëherë në heshtje kthen kokën e përqendron vështrimin në një pikë të largët të shkretëtirës së Qerbelasë. Edhe një herë vendos ndorën mbi varrin e Huseinit dhe thotë: “Dëshmoj se ti je ndjekësi i rrugës që e përshkoi vëllai yt Jahja ben Zekeria. Ai luftoi ndaj mosbesimit, të keqes dhe të shëmtuarës dhe u martirizua në këtë rrugë ashtu si ti.

Xhaberi u ngrit. Merrte frymë thellë dhe me çdo frymëmarrje dërgonte përshëndetje për çdo sahab. “Përshëndetje për Abasin, përshëndetje për Akbarin, përshëndetje për Kasemin, përshëndetje për Abdullah Razi, përshëndetje për Habibin, përshëndetje për Muslimin, përshëndetje....

Xhaberi qëndroi i heshtur. Sytë e verbër nuk kishin më lotë. Qëndroi për një çast dhe bëri me shenjë nga varri i Prijësit të dëshmorëve dhe tha: “ Betohem për Atë që e zgjodhi Muhamedin profet, se jemi me ju në martirizimin, sakrificat, besimin, vuajtjet dhe vetëmohimin tuaj”.

Atije u shtang dhe filloi tw mendonte: Si mund të jemi me Huseinin kur ne nuk ishim në Qerbela, nuk luftuam dhe nuk derdhëm gjak?! Nuk u përmbajt dhe iu drejtua Xhaberit duke thënë: “Zotria im, si është e mundur?”

Xhaberi u përgjigj : "Kam dëgjuar nga i dashur im, i Dërguari i Allahut (savs), që ka thënë: " Kushdo që e do një grup është me ta, dhe kushdo që e pëlqen dhe e pranon punën e një grupi, është partner në punën e tyre. Betohem për Atë që e zgjodhi Muhamedin profet të Tij, qëllimet dhe motivet e mia janë synimet dhe motivet e njëjta për të cilat Huseini dhe shokët e tij u martirizuan”.

 

Disa momente më vonë, mbërriti një karvan është plot dhimbje e trishtim. Karvani po kthehet në Qerbela pas dyzet ditëve të robërimit, vuajtjeve, vajtimit dhe lotëve dhe kërcënimeve dhe fyerjeve ndaj dëshmorëve të Qerbelasë. Megjithatë, ky karvan është krenar dhe nuk ka asgjë të ngjashme me momentin e largimit të tij nga Qerbelaja. Ky karvan shkatërroi dhe mposhti komplotin gjysmëshekullor të Emevitëve dhe po kthehet në Qerbela për të rinovuar besëlidhjen me gjakun e dëshmorëve të përvuajtur të Qerbelasë. Karvani i cili ishte plaçkitur dhe ishte detyruar të linte  Qerbelanë, tani po kthehet në Qerbela me një imazh fitimtari. Karvani  mbërriti në destinacion. Dielli i së vërtetës ka dalë nga reja e thashethemeve, gënjeshtrave dhe mashtrimit, duke goditur qepallat e mbyllura dhe duke hapur sytë e gjithë njerëzimit.

 

 

Është Arbaini. Koha e përkujtimit të gjakut që triumfoi ndaj shpatës, koha e vjeljes së produkteve të dashurisë dhe sakrificës, koha e rinovimit të besëlidhjes. Zejnebi (s) i ndërroi rrobat e saj. E dini çfarë veshi? Ka sjellë me vete disa amanete. Ato që u plaçkitën 40 ditë më parë dhe tani u morën përsëri. Tani ndihej aroma e dashur , nga e cila Zejnebi kishte qenë larg për dyzet ditë. Karvani u afrua nga Eufrati, dhe njerëzit i ngadalësuan hapat. Noman Bashir lëviz përpara dhe drejton karvanin.

 

Xhaberi, me këmbë të zbathura, po pret karvanin dhe derdh lot. Kur iu afrua Imam Sexhadit (as), Imami i tha: "Ti je Xhaberi?"   Ai i tha: ”Po o bir i Profetit”. Në atë kohë, Xhaberi e përqafon Imam Sexhadin , dhe qan me të madhe nga trishtimi për ndarjen e Imam Huseinit. Imam Sexhadi (as) i thotë Xhaberit: “ Xhaber, mungove dhe nuk na ndihmove në ditët e vështira të vetmisë dhe robërisë. O Xhaber! Betohem në Zot se në këtë vend i martirizuan burrat dhe të rinjtë tanë, i robëruan gratë tona dhe i dogjën çadrat tona” Më pas, Imam Sexhadi (as) i tregon Xhaberit varrin e secilit prej dëshmorëve të Qerbelasë: "Këtu është varri i Ali Akbarit, këtu është varri i Kasemit, këtu është varri i babait tim Huseinit." Atje, është varri i xhaxhait  tim Abasit ".

 

Imam Sexhadi (as), pas takimit me Xhaberin dhe Atijen, urdhëroi burrat të largoheshin nga varri i shenjtë. Në atë kohë, Zejnebi, e qetë dhe e emocionuar, u ul pranë varrit të vëllait të saj dhe me zë të dridhur tha: "O i dashuri i zemrës së Profetit të shenjtë të Allahut, ti je biri i Mekës dhe Minas, o  biri i Zahrasë dhe i biri i Ali Murtezasë! Ah, vëllai im! Pas 40 ditësh unë erdha përsëri tek ti. Vëllai im, në mesditën e Ashures, trupi yt ishte goditur nga aq shumë shigjeta, thika e shpata, saqë unë nuk munda të të njoh, por tani pas dyzet ditëve, ngrihu e më shiko. Me siguri as ti nuk do të më njohësh sot. Flokët më janë thinjur dhe trupi më është kërrusur dhe... me siguri nuk do më njohësh”. Kur Imam Sexhadi e pa dhimbjen dhe tronditjen e thellë të hallës së tij të përvuajtur, i tha: “Hallë e dashur, prit, qetësohu!” Zejnebi iu përgjigj: “ O Ali, o drita e syve të mi, më lër të qëndroj në Qerbela pranë vëllait tim.” Imami i tha: “Hallë e dashur, qetësohu dhe përmbahu, ti je kujdestarja e jetimëve”.

Ndërkohë, të gjithë anëtarët e karvanit filluan të vajtojnë dhe hodhën themelet e zisë dhe vajtimit për martirët e Qerbelasë. Secili me gjuhën e vet kujtonte ngjarjet dhe vuajtjet e Qerbelasë si dhe vuajtjet e robërisë në burgjet e regjimit të Jezidit. Kur pjesëtarët e Ehlibejtit të Profetit (savs) vajtonin mbi varret e dëshmorëve, nga qielli u derdh  gjak dhe trishtimi dhe pikëllimi  mbuluan shkretëtirën  e Nejnavasë.

 

 

Tags