Një vështrim mbi lutjen e vizitës së Arbainit
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:35:18 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:35 Europe/Tirane

I gjithë aparati i propagandës së dinastisë emevite dhe pas saj i dinastisë abasite ka bërë përpjekje për ta mbajtur të izoluar dhe në errësirë ngjarjen e Ashurasë duke pretenduar se Husejni (a.s.) kishte bërë kryengritje kundër sistemit të drejtësisë dhe kundër Shtetit Islam dhe vetëm për interesa të kësaj bote!!

Disa njerëz besonin këtë propagandë të pavërtetë. Prandaj, prijësit fetar për ta mbajtur gjallë këtë ngjarje, vazhdimisht jepnin dekrete dhe udhëzime fetare. Lutja e vizitës së Arbainit është një prej këtyre udhëzimeve për ta mbajtur gjallë kujtimin dhe emrin e Imam Husejnit (a.s.) dhe të Ashurasë.

 

Imam Hasan Askeri (a.s.) thotë besimtari ka pesë shenja: "falja e 51 rekatëve namaz, vizita e varrit të Imam Husejnit (a.s.) në Arbain, vendosja e unazës në gishtin e dorës së djathtë, vendosja e ballit në dhe gjatë kohës së sexhdes dhe këndimi me zë i fjalisë “Bismilahi rrahmani rrahim”.

Ky transmetim i Imam Hasan Askeri (a.s.) tregon rëndësinë e lutjes së Arbainit në mesin e lutjeve të tjera që bëhen me rastin e vizitës së vendeve të shenjta. Mund të thuhet se ashtu sikur që namazi është shtyllë e fesë dhe e Sheritati, lutja e Arbainit dhe ngjarja e Qerbelasë është shtylla e Vilajetit. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj lutje, me këtë rast do të paraqesim shkurtimisht disa prej frazave të lutjes së Arbainit të cilën e ka shkruar Imam Xhafar Sadik (a.s.) për një prej shokëve të tij me emrin Safvan Xhamal.

Në fillim të kësaj lutje lexojmë:

اَلسَّلامُ عَلى وَلی الله و حَبیبهِ اَلسَّلامُ عَلى خَلیلِ الله و نجیبِه

Përshëndetja qoftë mbi mëkëmbësin e Zotit dhe mbi të dashurin e Tij! Përshëndetja e Zotit qoftë mbi mikun dhe të zgjedhurin e Tij!

“Selam” është një prej emrave të Zotit të madhëruar. Kur vizitori e shqipton këtë emër me gjuhën e tij, dëshiron të thotë: “O Imam, Zoti qoftë ruajtësi i shkollës dhe rrugës tënde dhe ta mbrojë atë nga sulmet e armiqve". Gjithashtu vizitori duke dhënë përshëndetje, e afron veten pranë atij zotërie dhe duke përsëritur këtë fjalë, e pastron edukatën, shpirtin dhe psikologjinë e vetë nga aspekti i afërsisë me atë, nga të gjitha virtytet e ulëta dhe papastërtitë. Ai deklaron se jo vetëm lufton me idhujt e brendshëm të vetë, por ashtu sikur ai zotëri, po lufton edhe me tiranët, zullumqarët, despotët dhe tradhtarët e shoqërisë.

اَلسَّلامُ عَلى صَفِىِّ اللَّهِ وَابْنِ صَفِیِّهِ اَلسَّلامُ عَلىَ الْحُسَیْنِ الْمَظْلُومِ الشَّهیدِ:

Përshëndetja e Zotit qoftë mbi robin e sinqertë të Tij dhe mbi të birin e robit të sinqertë të Zotit! Përshëndetja e Zotit qoftë mbi Husejnin i cili u martirizua në mënyrë të padrejtë!

 

Të qenit rob i Zotit, është një prej karakteristikave të Imam Husejnit (a.s.) dhe e ndjekësve të tij. Derisa një individ nuk arrin në shkallën e të qenit rob i pastër i Zotit, kurrë nuk mund të ecë drejt përkryerjes. Zoti i madhëruar në fillim të sures Safat thotë: “Betohem në ata të cilët në bazë të së vërtetës dhe sinqeritetit me zëmër në praninë Time qëndrojnë në radhë në pozitën e të nënshtruarit dhe të qenit rob i sinqertë; dhe më adhurojnë vetëm mua dhe përveç meje, nuk tregojnë vëmendje në asgjë tjetër”. Në ajetin 65 të sures Kehf, gjithashtu të qenit rob i sinqertë i Zotit është konsideruar burim i diturisë dhe i mëshirës hyjnore dhe në këtë ajet thuhet: “Musai a.s. dhe shoqëruesi i tij e takuan një prej robërve tanë të cilit i kemi dhënë një mëshirë dhe dhunti të madhe dhe atij i kemi mësuar dituri të madhe nga ana jonë”. Ky ajet tregon se pozita e të qenit rob e bënë njeriun që të përfshihet në mëshirën hyjnore dhe në zemrën e tij hapen portat e diturisë . Imam Husejni (a.s.) në pozitën e të qenit rob, arriti në kulmin e përkryerjes dhe u bë i zgjedhur i Zotit.

اَللّهُمَّ ... جَعَلْتَهُ سَیِّداً مِنَ السّادَةِ وَ قآئِداً مِنَ الْقادَةِ وَ ذآئِداً مِنْ الْذادَةِ وَ أَعْطَیْتَهُ مَوَارِیثَ الْأَنْبِیَاء.

O Zot! Unë dëshmoj se Ti e ke bërë Imam Husejnin (a.s.) një zotëri prej zotërinjve, një prijës prej prijësve dhe një mbrojtës prej mbrojtësve të së vërtetës dhe atij i ke dhuruar trashëgiminë e profetëve.

Evliatë ose mëkëmbësit e Zotit i thërrasin njerëzit në një rrugë vetëm atëherë pasi vetë ata të kenë kaluar atë rrugë më parë. Imam Aliu (a.s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Ne kurrë nuk u kemi urdhëruar juve për kryerjen e një veprimi, përveç pasi vetë ne e kemi kryer atë veprim”. Husejni (a.s.) është një udhëheqës i cili duke ecur përpara njerëzve, përballet me rreziqe si me burgosje, torturim, emigrim me dhunë dhe me martirizim, pastaj i fton njerëzit që ta ndjekin atë.

وَ بَذَلَ مُهْجَتَهُ فیکَ لِیَسْتَنْقِذَ عِبادَکَ مِنَ الْجَهالَةِ وَ حَیْرَةِ الضَّلالَةِ:

O Zot! Ai gjakun e zemrës dhe shpirtin e tij e ka flijuar në rrugën tënde në mënyrë që robërit e të shpëtojnë nga injoranca dhe nga rruga e humbur.

 

Një prej temave më kryesore të lutjes së Arbainit, është shpjegimi i filozofisë së kryengritjes së Ashurasë që në këtë fjali të shkurtë janë përfshirë të gjitha qëllimet e Imam Husejnit (a.s.). Imam Xhafer Sadik (a.s.) në mënyrë shumë të qartë thotë se Imam Husejni (a.s.) ka sakrifikuar të gjithë ekzistencën e tij për t’i shpëtuar robërit e Zotit nga prangat e injorancës, errësirës dhe nga rruga e humbur t’i drejtojë në rrugën e dritës dhe përkryerjes. Ky është pikërisht qëllimi final i të gjithë profetëve dhe të dërguarve të Zotit gjatë gjithë historisë i cili arriti kulmin e tij në kryengritjen e Ashurasë.

 

Sipas Kur’anit të shenjtë, qëllimi i misionit të profetëve hyjnor përkufizohet në dy gjëra: njëri është informimi i njerëzve dhe tjetri është vetëdijesimi i tyre nëpërmjet edukimit të egos. Personat të cilët janë injorantë, nuk e dinë urdhrin e Zotit dhe personat që janë të ditur, por për shkak se nuk kanë arsye, nuk veprojnë në bazë të diturisë së vetë, nuk kanë aftësinë e duhur për edukimin e vetës ose të të tjerëve. Prandaj, profetët e Zotit janë dërguar për arsimim dhe edukimin e njerëzve, që të prezantojnë të mirat për njerëzit dhe praktikisht t’i udhëzojnë ata për të arritur në të mirën dhe lumturinë. Profeti i nderuar i Islamit gjithnjë ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit”. Në të vërtetë Imam Husejni (a.s.) në vazhdim të misionit të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe udhëzimit të njerëzve, nuk kishte rrugë tjetër përveç pranisë në fushën e betejës. Ai duhej t’i mësonte njerëzve dispozitat dhe urdhëresat e fesë dhe t’i udhëzojë ata në rrugën e veprimit. Natyrisht se të gjithë anëtarët e Ehli Bejtit (a.s.) e kishin këtë detyrë dhe nëpërmjet mësimit, ligjëratave dhe letërkëmbimeve, e kanë kryer këtë detyrë, mirëpo Imam Husejni (a.s.) ndodhej në rrethana në të cilat përveç veprimtarisë kulturore, ekzistonte nevoja edhe për luftë të armatosur. Ashtu sikur që në një frazë të kësaj lutje thuhet: “Imam Husejni (a.s.) në predikimin e tij nuk kursej asgjë dhe nuk kursej kurrfarë mjeti paqësor, prandaj më në fund e sakrifikoi edhe jetën e vetë në rrugën e Zotit për t’i shpëtuar robërit e Zotit nga injoranca dhe rruga e humbur”.

فَجَاهَدَهُمْ فِیکَ صَابِراً مُحْتَسِباً حَتَّی سُفِکَ فِی طَاعَتِکَ دَمُهُ وَ اسْتُبِیحَ حَرِیمُه:

O Zot! Husejni (a.s.) me durim luftoi me hipokritët, derisa atij iu derdh gjaku në rrugën tënde dhe iu robërua familja e tij.

 

Imam Husejni (a.s.) jo vetëm vetë ai në të gjitha fazat e kryengritjes, por me fjalët e veta, është munduar që ta ftojë edhe shoqërinë në durim dhe falënderimin e Zotit. Ky veprim ka nevojë për dëbimin nga zemra të dashurisë ndaj kësaj bote; sepse njeriu derisa ta ketë të lidhur zemrën për këtë botë, ngjarjet dhe faktorët materialë do ta lëkundin atë nga rruga e drejtë dhe kurrë nuk do të jetë i durueshëm dhe falënderues ndaj Zotit. Prandaj, Imam Husejni (a.s.)  në letrat e tij dhe në ligjëratat që ka mbajtur, mundohej të pastronte zemrat e njerëzve nga dëshirat e kësaj bote dhe në zemrat e tyre të gjallëronte dëshirën për martirizim dhe përjetësim në mënyrë që ata të bëhen njerëz të durueshëm dhe falënderues. Në lidhje me këtë në një rast ai ka thënë: "Ah sa e keqe je oj dashuri ndaj kësaj bote! Sa miq e kërkues ke vrarë gjatë natës e ditës dhe sa armiqësi ke futur mes miqve dhe i ke ndarë ata... Sidoqoftë çështjet po shkojnë drejt Zotit të madhëruar dhe çdo krijesë e gjallë në fund të fundit do ta kalojë këtë rrugë. Sa shumë është afruar koha e shpërnguljes nga kjo botë dhe kjo rrugë shkon ose drejt parajsës ose drejt jo parajsës".

اَشْهَدُ اَنَّ اللَّهَ مُنْجِزٌ ما وَعَدَکَ وَ مُهْلِکٌ مَنْ خَذَلَکَ وَ مُعَذِّبٌ مَنْ قَتَلَکَ :

Dëshmoj se Zoti i madhëruar do ta realizojë atë që të ka premtuar ty dhe do t'i shkatërrojë ata të cilët të kanë poshtëruar ty dhe vrasësit e tu do t'i dënojë me dënim të rëndë.

 

Një tjetër mesazh i lutjes me rastin e Arbainit, është përjetësimi dhe pavdekshmëria e epopesë së Ashurasë dhe kjo në të vërtetë tregon një mesazh hyjnor dhe realizimin e premtimit të Zotit. Hazreti Zejneb (s.a.) në ligjëratën e saj në kuvendin e Jezid bin Muavije, ka thënë: "O Jezid! Bëje çfarëdo intrige e mashtrime që dëshiron, bëje çfarëdo veprimi që të dëshiron dhe mos kurse kurrfarë përpjekje dhe aftësie që ke! Betohem në Zotin se nuk mund të zhduk emrin tonë dhe nuk mund të shuan dritën e shpalljes tonë. Ti nuk mund ta percepton madhërinë e çështjes tonë dhe kurrë nuk do të mund ta pastrosh njollën e zezë të kësaj dhune dhe padrejtësisë që ke bërë ndaj nesh! A mund të jetë diçka tjetër përveç kësaj që planet e tua janë të dobëta dhe periudha e sundimit tënd është e shkurtë dhe njerëzit e tu të shpërndarë? Në atë ditë kur lajmëtari do të thërrasë: informohuni, mallkimi i Zotit qoftë mbi grupin e padrejtë dhe të dhunshëm!" Në realitet Hazreti Zejneb (s.a.) në atë pozitë të vështirë dhe historike, me një vetëbesim të thellë lajmëroi se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe bëri një parashikim shumë të saktë dhe sot edhe pas disa qindra viteve, ne po vërejmë rezultatet e tij në mënyrë shumë të qartë.

Në fund mund të themi se Imam Husejni (a.s.), ashtu sikur profetët e Zotit, vetë doli para dhe i ftoi të tjerët në rrugën e tij. Imam Husejni (a.s.) gjatë largimit nga Meka në mesin e vizitorëve të Shtëpisë së Zotit, tha: "Sot vendi i sakrificës tonë është Qerbela dhe ahrami ynë është qefini. Për ta shpëtuar Islamin, duhet ta sakrifikojmë jetën tonë. Vetëm ata të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë jetën e vetë, le të më shoqërojnë mua; jo ata të cilët shpresojnë në famë, pasuri dhe fitore sipërfaqësore. Të më shoqërojnë mua vetëm ata, qëllimi i të cilëve është takimi me Zotin". Për këtë arsye, shoqëruesit dhe ndihmuesit e Imam Husejnit (a.s.), njihen si shoqëruesit më të mirë dhe prehen pranë këmbëve të Imam Husejnit (a.s.), prandaj ne pas përshëndetjeve për Imam Husejnin (a.s.), i dërgojmë përshëndetje të gjithë atyre dhe themi:

"فَمَعَکُمْ مَعَکُمْ لَا مَعَ عَدُوِّکُمْ صَلَوَاتُ اللَّهِ عَلَیْکُمْ وَ عَلی أَرْوَاحِکُمْ وَ أَجْسَادِکُمْ وَ شَاهِدِکُمْ وَ غَائِبِکُمْ وَ ظَاهِرِکُمْ وَ بَاطِنِکُمْ آمِینَ رَبَّ الْعَالَمِین:

Jemi me ju dhe jo me armiqtë tuaj, përshëndetja e Zotit qoftë mbi ju dhe mbi shpirtrat tuaj dhe mbi trupat tuaj dhe mbi praninë dhe mungesën tuaj dhe mbi të dukshmen dhe të padukshmen tuaj! Amin e Zoti i të gjithë botëve!

 

Tags