Me Husejnin (a.s.) (6) (Pozita e Imam Husejnit (a.s.) pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s.)
(last modified Wed, 18 Aug 2021 18:37:55 GMT )
Gusht 18, 2021 20:37 Europe/Tirane
  • Me Husejnin (a.s.) (6) (Pozita e Imam Husejnit (a.s.) pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s.)

Profeti i nderuar i Islamit, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Për Husejnin (a.s.) është një pozitë në të cilën mund të arrijë vetëm me martirizim dhe ai ka dashamirës dhe përkrahës për të cilët ndërmjetëson dhe ndërmjetësimi i tij pranohet. Me të vërtetë Mahdiu (a.xh.) është prej fëmijëve të Husejnit (a.s.). Qofshin fatlum dashamirësit e Husejnit (a.s.) të cilët në ditën e Kiametit janë të shpëtuar”.  

Tani ndodhemi në ditët e zimbajtjes për Imam Husejnin (a.s.). Imam Husejni (a.s.) është ai që rruga dhe qëllimi i të cilit ka kaluar gjeneratat, shekujt dhe territoret gjeografik të vendeve dhe në çdo vend ka përhapur mësimin e ndërtimit të njeriut dhe mësimin e të qenit të lirë. Muhamed Ali Xhanah, themeluesi i shtetit të Pakistanit, në lidhje me Imam Husejnin (a.s.) ka thënë: “Në botë nuk mund të gjendet asnjë lloj trimërie më të mirë se sa atë trimëri të cilën e ka treguar Imam Husejnit (a.s.) nga aspekti i sakrificës, guximit dhe flijimit. Unë besoj se të gjithë myslimanët e botës duhet ta ndjekin shembullin e këtij martiri i cili e ka sakrifikuar veten në fushën e Qerbelasë në Irak”.  

Gandi, lideri i Revolucionit të Madh të Indisë, gjithashtu ka thënë: “Unë mësimin për çlirimin e kombit tim e kam mësuar nga shkolla e Imam Husejnit (a.s.)”.

Njerëzimi akoma është i etur për mësimet e shkollës së Ashurasë. Një shkollë kjo e cila u mëson njerëzve mësimin e sakrificës, sinqeritetit, besimit në Zot dhe luftës për të vërtetën dhe drejtësinë. Imam Husejni (a.s.) është një burim i pashtershëm i cili ua shuan etjen përgjithmonë njerëzve liridashës të botës.  

Imam Husejni (a.s.) që nga dita kur ka lindur, është rritur dhe edukuar në prehrin me plotë dashuri dhe më shirë të gjyshit të tij, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. kishte një vëmendje dhe dashuri të veçantë ndaj nipave të tij, Imam Hasanit (a.s.) dhe Imam Husejnit (a.s.) dhe kjo çështje ishte e qartë për të gjithë shokët dhe të afërmit e Profetit Muhamed s.a.v.s..

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i vendoste nipat e tij Imam Hasanin (a.s.) dhe Imam Husejnin (a.s.) mbi supet e tij dhe duke u kënduar vargje poezish, shfaqte dashurinë e vet ndaj tyre. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. nganjëherë mbante ligjërata në minber dhe sapo i shikonte Imam Hasanin dhe Imam Husejnin (a.s.), zbriste nga minberi dhe para syve të të gjithë njerëzve i merrte në përqafim ata dhe shfaqte dashuri ndaj tyre në mënyrë që të tregonte pozitën e këtyre dy nipave të tij para të gjithë njerëzve. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në përgjigje ndaj kësaj pyetje të shokëve të tij të cilët e pyetën atë: “O i Dërguari i Zotit! Cili prej anëtarëve të familjes tënde janë më të dashur për ty?”; ka thënë: “Hasani dhe Husejni”. Hazreti Muhamed s.a.v.s. në raste të ndryshme, i informonte njerëzit për pozitën dhe vendin e rëndësishëm të Ehli Bejtit (a.s.), sidomos të Imam Hasanit dhe Imam Husejnit (a.s.), thuajse ai me fjali dhe shprehje të ndryshme si dhe me sjellje të veçanta dhe me plotë dashuri, dëshironte të informonte njerëzit për dashurinë e vet ndaj Imam Hasanit dhe Imam Husejnit (a.s.) në atë mënyrë që ndoshta do të mund të parandalojë padrejtësinë, shkeljen e të drejtave dhe dhunën që do të bëhej në të ardhmen e afërt ndaj Ehli Bejtit të tij Në vazhdim do të paraqesim disa prej sjelljeve të bukura të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. që ka treguar ndaj nipit të tij Imam Husejnit (a.s.).

Një prej fjalive të veçanta të Hazretit Muhamed s.a.v.s. që tregon pozitën dhe vendin e lartë të Imam Husejnit (a.s.) është një fjali shumë e njohur në të cilën ai ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Zoti i madhëruar e do atë i cili e do Husejnin”. Ky hadith i Hazretit Muhamed s.a.v.s. ka zinxhir të fortë të transmetimit dhe dijetarët e shkollës sunite gjithashtu e kanë transmetuar atë me dokumentacion të fortë dhe të sigurt në burimet tyre.

Në burimet islame thuhet se Hazreti Muhamed s.a.v.s. një herë doli nga një gosti në të cilën ishte i ftuar. Aty e pa Husejnin (a.s.) i cili ishte duke lozur me fëmijët e tjerë nëpër rrugë. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. shkoi pranë Husejnit dhe i hapi krahët e tij që Husejni t’i shkojë në përqafim atij. Mirëpo Husejni (a.s.) filloi të ikte nga një anë në tjetrën ndërsa Hazreti Muhamed s.a.v.s. i buzëqeshte atij dhe e ndiqte atë dhe pasi e mori në përqafim, e puthi në fytyrë dhe në ballë. Më pas u drejtuar nga njerëzit të cilët e shikonin me çudi këtë skenë dhe tha: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit dhe Zoti e do atë i cili e do Husejnin”.

حُسَیْنٌ مِنِّی وَاَنَا مِنْ حُسَیْنٍ اَحَبَّ اللَّهُ مَنْ اَحَبَّ حُسَیْنًا

Një ditë Imam Husejni (a.s.) ishte duart e Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe ai luante me Husejnin dhe e bënte atë të qeshte. Ajshe i tha: “O i Dërguar i Zotit! Pse e do kaq shumë atë?!” Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Si të mos e dua atë kur ai është fryt i zemrës time dhe drita e syve të mi, mirëpo Umeti im do ta martirizojë atë. Çdo kush që e viziton varrin e tij pas martirizimit, Zoti do t’i japë atij një shpërblim aq të madh sa një vizitë e Haxhit për mua”.

Imam Husejni (a.s.) njëherë hyri në kuvendin në të cilin ishte Profeti i nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe Hazreti Muhamed s.a.v.s. me zë të lartë në mënyrë që të gjithë të pranishmit ta dëgjojnë, tha: “Mirëserdhe o zbukuruesi i qiejve dhe i tokës!”. Njëri prej personave të pranishëm me emrin Abi bin Ka’b, me çudi, tha: “O i Dërguari i Zotit! Përveç juve, a konsiderohet edhe dikush tjetër zbukurues i qiejve dhe i tokës?” Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “O Abi bin Ka’b, betohem në atë i cili me të vërtetë më ka dërguar mua për profet, me të vërtetë Husejn bin Ali (a.s.) në qiej është i njohur më shumë se sa në tokë. Emri i tij pranë Fronit Hyjnor është shkruar në këtë mënyrë: “Me të vërtetë Husejni është dritë e udhëzimit dhe anija e shpëtimit””.

Dijetarët e shkollës sunite dhe shiite në disa raste kanë transmetuar nga Xhabir bin Abdullah Ansari i cili ka thënë: “Unë shumë herë kam dëgjuar Profetin e nderuar Hazretin Muhamed s.a.v.s. i cili në lidhje me Husejn bin Ali (a.s.) ka thënë: “Ai i cili dëshiron të shikojë zotërinë e të rinjve të parajsës dhe ta njohin atë, le ta shikojnë Husejn bin Aliun (a.s.)”.  Në librin “Amali” të autorit Shejkh Sadugh gjithashtu janë transmetuar thënie të bukura të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. në përshkrimin e madhërisë së Imam Husejnit (a.s.). Në një prej tyre Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “O njerëz, ky është Husejni i biri i Aliut, njeheni atë. Betohem në atë në duart e të cilit është jeta ime, ai dhe dashamirësit dhe përkrahësit e tij dhe dashamirësit e dashamirësve të tij janë në parajsë”. Do të thotë se Imam Husejni (a.s.) në ditën e Kiametit ndërmjetëson për shpëtimin ndjekësve she dashamirësve të fesë së vërtetë dhe shumë njerëz me ndërmjetësimin e Imam Husejnit (a.s.) hyjnë në parajsë.

Imam Husejni (a.s.) kishte rreth 7 vite kur gjyshi i tij i dashur dhe i mëshirshëm Hazreti Muhamed s.a.v.s. ndërroi jetë. Mirëpo ajo që më së shumti vërehet në lidhje me jetën e Imam Husejnit (a.s.) sidomos gjatë kohës së Profetit të nderuar të Islamit dhe që është dëgjuar nga gjuha e Hazretit Muhamed s.a.v.s., është kjo që në raste dhe ngjarje të ndryshme, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka lajmëruar për martirizimin e Imam Husejnit (a.s.). Hazreti Muhamed s.a.v.s. e dinte se martirizimi do ta ruajë Imam Husejnin (a.s.) deri në amshim, prandaj pikërisht për këtë arsye Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka folur shumë për ta prezantuar Imam Husejnin (a.s.), rrugën dhe metodën si dhe martirizimin e tij. Në bazë të kësaj në një transmetim nga Imam Xhafer Sadik (a.s.) thuhet se ai ka thënë: “Metoda e Hazretit Muhamed s.a.v.s. ka qenë kështu që kur Imam Husejni (a.s.) shkonte afër tij, ai e afronte atë afër vetes dhe i thoshte Imam Aliut (a.s.): “Ruaje Husejnin!” Pastaj e përqafonte dhe e puthte atë dhe qante. Imam Husejni (a.s.) zakonisht pyeste: “o baba, pse po qan?” Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. thoshte: “O biri im i dashur! Po puthi ato vende në të cilat do të godasin ty me shpatë!”.

Gjithashtu, në një transmetim të vlefshëm thuhet se një ditë Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ishte në shtëpinë e Umu Selma. Imam Husejni (a.s.) i cili në atë kohë ishte fëmijë, erdhi pranë Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Umu Selma shpejtë i shkoi përpara, por e pa që Imam Husejni (a.s.) ishte në gjoksin e Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe Profeti i nderuar ishte duke qarë dhe e sillte një gjë në dorën e tij. Hazreti Muhamed s.a.v.s. i tha asaj: “Umu Selma! Më erdhi Xhibrili dhe më informoi mua se ky biri im do të vritet dhe më ka sjell një sasi të dheut të varrit të tij. Ky është dheu i atij vendi dhe kur të shndërrohet në gjak, dihet se Husejni im është vrarë”. Umu Selma tha: “O i Dërguari i Zotit, lute Zotin e madhëruar që ta mënjanojë këtë tragjedi!”. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. tha: “Zoti i madhëruar me anë të shpalljes më ka lajmëruar mua se për Husejnin ekziston një pozitë aq e lartë sa që mund të arrihet vetëm me martirizim dhe ai ka dashamirës dhe përkrahës për të cilët do të ndërmjetësojë dhe ndërmjetësimi i tij do të pranohet. Dhe me të vërtetë Mahdiu (a.xh.) është prej bijve të Husejnit. Qofshin të lumtur dashamirësit dhe përkrahësit e Husejnit të cilët në ditën e Kiametit janë të shpëtuar”.

 

Tags