Arbaini në kulturën islame, mësimet dhe mesazhet (Emision special kushtuar Arbainit -2)
(last modified Wed, 07 Sep 2022 15:43:57 GMT )
Shtator 07, 2022 17:43 Europe/Tirane
  • Arbaini në kulturën islame, mësimet dhe mesazhet (Emision special kushtuar Arbainit -2)

Marshimin e Arbainit e kanë quajtur lëvizja e dashurisë dhe besimit

Në vitin 1319 Hixhri (1901) kur Mirza Hosein Nuri, autori i librit "Lulu Marxhan", për herë të fundit u largua nga Naxhafi drejt Qerbelasë, në këmbë dhe pa asnjë mjet lehtësues dhe me një grup prej 30 personash gjatë Arbainit Hoseinian, nuk e mendoi kurrë se kjo traditë e sinqertë dhe e pastër, e cila ishte lënë në harresë, do të bëhej aq e përhapur, sa që tani një turmë prej rreth 30 milionë të dashuruarish nga i gjithë Iraku dhe vendet e tjera islame do të tërhiqen në luginën e Qerbelasë së dashur. Vështrimi mbi këtë turmë të madhe në këtë botë të trazuar na mëson se një akt sinqeriteti ka një ndikim të madh e të gjerë. Kjo është fjala e Zotit që thotë: "...te Ai ngrihet fjala e mirë (besimi) dhe veprimi i mirë, e Ai i pranon"( Sure Fatir, ajeti 10).

Në marshimin e Arbainit, sipas statistikave të publikuara nga qeveria irakiane, numri i pelegrinëve arriti në më shumë se 27 milionë njerëz në vitin 2015, dhe 17,500 mokebe (stacione pritëse të njerëzve) u ngritën spontanisht nga grupe të ndryshme njerëzish në rrugën e pelegrinazhit të Imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) Kjo statistikë gjatë viteve të fundit për shkak të përhapjes së pandemisë së virusit korona vlerësohet të jetë më shumë se 16 milionë pelegrinë. Nga ana tjetër, vëllimi më i madh i shërbimeve vullnetare dhe falas si pushimi, transporti i pelegrinëve, shpërndarja e ushqimeve dhe vakteve të ndryshme mund të shihet vetëm gjatë ditëve të Arbainit Huseinian, kështu që në një mokeb, vetëm në një ditë janë shërbyer dhe shpërndarë 32 mijë racione ushqimi në tre vakte. Në të njëjtën kohë, në fytyrat e shërbëtorëve shkëlqen lumturia dhe kënaqësia kur ata kanë mundur t'i presin mirë pelegrinët.

Pikërisht këtu armiqtë janë të tronditur nga lavdia dhe madhështia e Arbainit dhe nga gjithë kjo dashuri e sakrificë, dhe duke censuruar rreptë lajmet e marshimit të Arbainit, ata po kërkojnë të kuptojnë se pse, ashtu si trupin e pastër të Aba Abdullah el-Huseinit (a.s) dhe të shokëve tij, nuk po mund të zhdukin kujtimin e tyre nga memoria e njerëzimit. Dhe si ka mundësi që kjo ngjarje e madhe të ketë një efekt ndriçues dhe zbulues për të larguar telashet dhe errësirat e epokës së ardhshme të historisë?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje shtrohet edhe një çështje tjetër e rëndësishme, ajo është se gjatë historisë ranë dëshmorë shumë njerëz, në Luftën e Parë Botërore u vranë qindra mijëra njerëz dhe nuk mbeti asnjë gjurmë prej tyre, por si është e mundur që në vitin 61 hixhri, në një zonë të shkretë të quajtur Qerbela, Imam Huseini (a.s) së bashku me 72 shokë të tij besnikë u martirizuan nga fronti i mosbesimit, dhe emrat e tyre mbetën në histori, dhe gjaku i tyre i pastër e drejtësikërkues akoma frymëzon zemrat dhe rrjedhat në histori? Madje mund të shohim se të gjitha makinat propagandistike ishin të pajisura për të izoluar dhe mbajtur në errësirë çështjen e Ashures ​​dhe për të shkatërruar imazhin e Imam Huseinit (a.s.) në mënyrë që të mos i lënë njerëzit të kuptojnë se çfarë ndodhi dhe cila është e vërteta e çështjes. Ata ishin të gatshëm të shpenzonin çdo gjë që kishin, me çmimin që emri dhe kujtimi i Huseinit (a.s) të mos mbetej në kujtesën e njerëzve të asaj kohe dhe të popujve në të ardhmen. Për këtë arsye, në mesin e epokës së sundimit të dinastisë Abasite, ata madje e shkatërruan varrin e Husein bin Ali (a.s) dhe derdhën ujë mbi të që ta fshinin nga mendjet kujtimin e tij.

Në ajetin 54 të sures Maide, Zoti u kujton atyre që kanë devijuar nga feja e Zotit se largimi i tyre nga feja nuk e dëmton Zotin. "S'ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin),(një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve, që lufton në rrugën e All-llahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo (cilësi e atij populli) është dhuratë e All-llahut që i jep atij që do. All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm".

Krijuesit e ceremonisë së Arbainit janë këta besimtarë që në heshtje, por fuqishëm, ecën në gjurmët e së vërtetës dhe filluan një lëvizje të madhe për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta, dritë nga errësira dhe për të folur kundër gënjeshtrës dhe tiranisë së saj, qoftë edhe me çmimin e jetës dhe gjakut të tyre për të qenë krenarë përgjithmonë. Ashtu si Imami i tyre, ata duan të zbulojnë shenjat e fesë së Zotit dhe të përhapin paqen dhe sigurinë në dritën e saj. Ky ishte qëllimi kryesor i kryengritjes së Imam Huseinit.  Ai tha: “O Zot! Ti e di se qëllimi ynë nuk është të garojmë për pushtet dhe të fitojmë të mirat e kësaj bote, por qëllimi ynë është të kthejmë shenjat e fesë Tënde në vendin e tyre dhe të reformojmë Mbretërinë Tënde, në mënyrë që të shtypurit dhe robtë e Tu të gjejnë siguri dhe të përmbushin obligimet e tyre dhe të respektohen traditat dhe urdhrat e fesë Tënde".

Marshimi i  Arbainit quhet një rrugëtim dashurie dhe besimi. Një lëvizje në të cilën janë motivuese dhe veprojnë besimi i zemrës dhe besimet e vërteta, dhe në të shpaloset dashuria dhe mendimi i Ehli Bejtit të Pejgamberit (a.s.). Ky marshim ka një histori të gjatë dhe tani shfaqet si një i rini e pjekur dhe e shoqëruar me shumë mësime. Sipas Imam Huseinit (a.s): “Përvojat e gjata dhe të shpeshta rrisin fuqinë e logjikës”. Dashamirët e Huseinit në mënyrë spontane bëjnë përgatitjet për udhëtimin në Qerbela ditë apo edhe javë para 20 Safarit apo Arbainit. Padyshim që prania e kësaj popullate masive në një ose më shumë rrugë krijon shumë probleme. Por pelegrinët i durojnë këto probleme me përulje dhe modesti. Fryma e vëllazërisë dhe e afërsisë mes tyre është faktori më i rëndësishëm për të përballuar vështirësitë dhe një mësim i madh për brezat e ardhshëm, se nën hijen e unitetit dhe solidaritetit, mund të krijohet një forcë tërheqëse magnetike dhe të organizohet një manifestim madhështor dhe popullor. Pelegrinët përpiqen të ndjekin mësimet e Husein bin Aliut kur ai i tha djalit të tij: "Biri im! Qëndro i palëkundur në rrugën e së vërtetës, edhe nëse ajo është e hidhur dhe e vështirë".

Në një hadith të të Dërguarit të Zotit (s.a.v.s.) thuhet: “Miqësia e besimtarit me besimtarin është prej degëve më të mëdha të besimit, dhe kushdo që dashuron për hir të Zotit dhe urren për hir të Zotit, që jep për hir të Zotit dhe përmbahet për hir të Zotit, është një nga të zgjedhurit."

Tashmë udhëtarët e Arbainit me po atë dashuri dhe mirësi janë zgjedhur për të prezantuar për botën kulturën e dinjitetit dhe lirisë. Ata janë të stolisur me cilësi të bukura njerëzore dhe mësojnë humanizmin dhe dashurinë, sepse Imami i tyre tha: “Përpiquni të fitoni cilësi të bukura morale dhe nxitoni për të fituar këto pasuri shpirtërore".

Edhe shërbimet e poseduesve të mokebeve krijojnë gjithashtu një atmosferë dashurie dhe miqësie, dhe të gjithë garojnë për të shërbyer sa më mirë dhe kështu promovojnë këtë veçori të bukur. Ata nga Imami i tyre kanë dëgjuar se: "Kush i shërben vëllait të tij fetar për hir të Zotit, Zoti do ta ndihmojë atë në kohën e vështirësive dhe do t'ia largojë hallet e botës më shumë sesa shërbimet e tij. E kush e largon trishtimin nga zemra e besimtarit, Zoti ia largon pikëllimin në këtë botë dhe në ahiret, e kush bën mirë, Allahu do t'i bëjë mirë, e Allahu i do ata që bëjnë mirë".

Flamuri i kryengritjes së Imam Huseinit u ngrit për të vendosur të vërtetën dhe drejtësinë.

Ditën e Arbainit, pelegrinët e përshëndesin me statusin e tij të lartë atë, i cili është trashëgimtar i atributeve të të gjithë pejgamberëve të pastër dhe i cili u shtyp dhe ra dëshmor në mbrojtje të fesë së të gjithë profetëve, e cila është monoteizmi i pastër. Ata lidhin besën me idealet e mëdha të Imam Huseinit (a.s.) dhe betohen për të ndihmuar të shtypurin nga shtypësi dhe për t'u përballur me shtypjen dhe padrejtësinë. Duke qenë se ky ideal përtej çdo feje dhe rituali, është një gjë e natyrshme dhe njerëzore, marshimi i Arbainit ka marrë një aspekt ndërkombëtar, ka përfshirë shumë myslimanë dhe jomyslimanë nga vende të ndryshme evropiane dhe amerikane. Ndërkohë, myslimanët e vendeve si Siria, Jemeni, Bahrejni dhe Afganistani, duke marrë pjesë në ceremoninë e Arbainit, u tregojnë të tjerëve për krimet e kryera në vendet e tyre nga qeveritë perëndimore, nga regjimi Al Saud dhe agjentët e tyre terroristë dhe takfiristë, dhe në këmbim marrin mbështetjen e vëllezërve myslimanë. Ky komunitet i madh u mëson të gjithëve se duhet të mbajnë gjallë të vërtetën dhe kujtimin e martirizimit e të sakrificës përballë stuhisë propagandistike të armikut dhe të mbrojnë vlerat e larta njerëzore dhe morale.

Tags