Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.), simbol i arsyes dhe i dashurisë
(last modified Thu, 09 Nov 2017 08:39:33 GMT )
Nëntor 09, 2017 09:39 Europe/Tirane

Mendimtari i njohur iranian Morteza Motahari ka thënë: “Një prej elementëve të pavdekshmërisë së Imam Husejnit (a.s.) është kjo që kryengritja e tij nga njëra anë është një veprim i logjikshëm dhe ka dimension racional dhe mbështetët nga logjikë, ndërsa nga ana tjetër, ajo ko depërtuar në thellësinë më të madhe të ndjenjave dhe të dashurisë.

Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.) në vitin 61 hixhri kameri, kundër dhunës dhe korrupsionit të pushtetit emevit, ishte e mbushur me heroizëm, sakrificë dhe luftë kundër padrejtësisë dhe për këtë arsye kjo ngjarje gjithmonë ngjall ndjenjat e myslimanëve dhe tek ata krijon pasion dhe dashuri ndaj Imam Husejnit (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë. Kjo karakteristikë e kryengritjes së Ashurasë është pikërisht ajo për të cilën Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Martirizimi i Husejnit (a.s.) krijon një zjarr në zemrat e besimtarëve i cili kurrë nuk shuhet”. Ky parashikim i Profetit Muhamed s.a.v.s. i cili është bërë para martirizimit të nipit të tij Imam Husejnit (a.s.), përgjatë gati 14 shekujve ka qenë i dukshëm në mënyrën më të mirë dhe marshi i miliona besimtarëve me rastin e përvjetorit të Arabinit të cilin e vërejmë për çdo vit, dëshmon më së miri këtë fakt.

Marshi i Arbainit

 

Por, a ishte kryengritja e Husejn bin Ali (a.s.) e bazuar vetëm në pasion, në dashuri dhe në ndjenja, apo kjo lëvizje për drejtësi ishte e bazuar edhe në racionalizëm, logjikë dhe në vështrimin mbi të ardhmen? Arsye zakonisht përkufizohet si një mjet për të siguruar interesat, qetësinë dhe kënaqësitë e kësaj bote materiale. Ky lloj i arsyes edhe pse është i dobishëm në vendin e vetë, mirëpo edhe mundësitë e devijimit janë të shumta në atë. Kjo është për arsye se njeriu pikërisht duke shfrytëzuar këtë lloj të arsyes, ka kryer shumë krime të mëdha, ka prodhuar shumë armë vdekjeprurëse dhe shumë popuj të tërë i ka vendosur nën koloni dhe shfrytëzim. Mirëpo arsyeja të cilën e ndjek Islami, është një arsye e cila shfrytëzohet në kuadër të vlerave të larta njerëzore dhe islame për ta çuar njeriun në lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në lidhje me këtë ka thënë: “Arsyeja është dy lloje: arsyeja e botës tjetër dhe arsyeja e jetesës”. Racionalizmi të cilin e ndjek Islami, është në një shkallë më të lartë dhe më të përkryer se sa arsyeja llogaritëse e kësaj bote, prandaj ky lloj i arsyes nuk i merr parasysh vetëm interesat materiale dhe individuale, por ajo ndjek mirëqenien dhe lumturinë e të gjithë njerëzve si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

 

Me këtë shpjegim, padyshim se Imam Husejni (a.s.) lëvizjen dhe kryengritjen e vetë e organizoi në bazë të arsyes dhe racionalizmit fetar dhe në bazë të mësimeve të shpalljes hyjnore dhe jo në bazë të racionalizmit të interesave të kësaj bote. Dr. Gholam Husejn Dinani, filozof i dalluar iranian, në mënyrë të qartë thotë: “Esencialisht unë Imam Husejnin (a.s.) e konsideroi personifikim të mendjes. Të dashurit e Zotit (evliatë) dhe profetët e Zotit janë personifikim i mendjes-arsyes. Nëse arsyeja dëshiron të personifikohet në një trup, atëherë ajo vendoset dhe është vendosur në trupin e evliave dhe të profetëve të Zotit”. Gjithashtu Khuxhetul-Islam Abdul Husejn Khosropenah, mendimtar tjetër iranian, në lidhje me racionalizmin e Ashuras thekson: “Nëse një person vetëm me racionalizmin e jetesës të kësaj bote dhe jo të botës tjetër,  i programon punët dhe thotë se duke programuar me arsye, do të fitojë më shumë të ardhura materiale dhe pushtet, padyshim se ky lloj i racionalizmit nuk është racionalizmi i Ashurasë”. 

Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.) që nga fillimi ishte e shoqëruar me racionalizëm dhe largpamësi. Ai me vëmendje ka vëzhguar të gjitha veprimet e Muavije bin Sufjan dhe e dinte se ai po mundohet të zbrazë brendësinë e fesë dhe të forcojë themelet e pushtetit të tij dhe të birit të vetë. Vazhdimi i kësaj politike, shoqërinë islame e çonte drejt humbjes për nga brendësia. Imam Husejni (a.s.) me njohje të plotë dhe të thellë të situatës së shoqërisë, e kishte kuptuar këtë çështje se pas gati gjysmë shekulli nga vdekja e gjyshit të tij Hazretit Muhamed s.a.v.s, shumë njerëz kishin rënë në dekadencë dhe korrupsion të ndryshëm, prandaj nga Islami kishte mbetur vetëm pjesa sipërfaqësore e tij. Ardhja në pushtet e një individi dëfryes dhe të degjeneruar si Jezid bin Muavije, e jepte këtë mesazh të hidhur se gjendja e shoqërisë do të shkojë drejt një katastrofe. Në rrethana të tilla, racionalizmi hyjnor dhe islam nuk e lejon heshtjen, sepse shpëtimit të fesë dhe shoqërisë i jep përparësi ndaj interesave personale. Kryengritja e Imam Husejnit (a.s.), gjithashtu, ishte e bazuar mbi këtë logjikë.

Mauzoleu i Imam Husejnit (a.s.)

Imam Husejni (a.s.) gjatë procesit të kryengritjes së tij vazhdimisht është përballur me individë të cilët mendonin vetëm për interesat e tyre të kësaj bote dhe lidhshmëria e jetës së tyre për këtë botë, nuk i kishte lejuar ata që ta kuptojnë këtë logjikë të Imam Husejnit (a.s.) të bazuar mbi nevojën e kryengritjes kundër dhunës dhe padrejtësisë për t’i çliruar të gjithë njerëzit. Edhe disa shokë të Imam Husejnit (a.s.) për nga dhimbja që kishin, u munduan ta pengojnë Imam Husejnin (a.s.) nga shkuarja në Qerbela dhe disa prej tyre e ftonin atë që të bëjë bej’at (besëlidhje) me Jezidit dhe të sigurojë një jetë të mirë dhe të qetë për vete në këtë botë. Dr. Dinani në lidhje me këtë lloj të individëve thotë: “Ata të cilët nuk qëndruan përkrah Imam Husejnit (a.s.) në Qerbela dhe nuk e shoqëruan atë në këtë kryengritje, ata ose ishin përball tij ose esencialisht ishin zhytur në rrugën e humbur ndërsa edhe nëse nuk kanë qenë të zhytur në rrugën e humbur, të paktën nuk mund të thuhet se kanë qenë në rrugën e përkryerjes, por ishin të preokupuar me arsyen llogaritëse të vetën”. Në bazë të racionalizmit islamik të Imam Husejnit (a.s.), bej’ati dhe besëlidhja me një person të degjeneruar si Jezid bin Muavije, ishte poshtërim dhe pranimi i këtij poshtërimi nuk mund të bëhej nga një personalitet në pozitën që ishte Imam Husejni (a.s.). Ai për këtë arsye ka thënë: “Unë vdekjen e konsideroj lumturi dhe jetën nën sundimin e zullumqarëve e konsideroi mjerim”.

Husejn bin Ali (a.s.) me maturi dhe largpamësi, pas refuzimit të bej’atit me Jezidin, shkoi në Meke ku qëndroi më shumë se katër muaj dhe atje gjatë takimeve që ka zhvilluar me vizitorët e Shtëpisë së Zotit që vinin nga rajonet e ndryshme të botës islame në këtë qytet të shenjtë, ka zbuluar planet e shëmtuara të pushtetit emevit dhe ka shpjeguar qëllimet e kryengritjes së vetë kundër këtij pushteti. Kjo veprimtari shkoi deri në atë masë saqë pushtetarët emevitë vendosen që ta mbysin atë, prandaj Imam Husejni (a.s.) u largua nga Meka dhe u nis drejt qytetit Kufe në Irak. Imam Husejni (a.s.) në bazë të detyrës islame, në disa raste sipas nevojës inkurajonte njerëzit që t’i bashkohen atij dhe për të vërtetuar të vërtetën e rrugës së tij, vazhdimisht ka paraqitur argumente të pamohueshme. Disa personalitete duke pranuar logjikën e mirë të tij, u bashkuan me karvanin e Imam Husejnit (a.s.), mirëpo shumica e njerëzve edhe pse e kuptonin vërtetësinë e fjalëve të Imam Husejnit (a.s.), por duke u mbështetur në mendjen e tyre shkurtpamëse që llogarit vetëm interesat e tyre, me pretekste të ndryshme nuk pranuan ta shoqërojnë Imam Husejnin (a.s.) në këtë kryengritje. Imam Husejni (a.s.) në skenën e betejës së Ashuras, gjithashtu nuk hoqi dorë nga këshillat për armiqtë e tij me qëllim që t'i udhëzojë ata. Ai duke shfrytëzuar racionalizmin islam, i ftonte ata në rrugën e të mirës dhe në rrugën e drejtë dhe kërkonte që të heqin dorë nga barbarizmi dhe t'i shmangen vrasjes. Mirëpo ata në përgjithësi, me përjashtim të disa personave, synonin vetëm luftën, gjakderdhjen dhe fitimin e pasurisë.

Zimbajtja për Imam Husejnin (a.s.)

Edhe martirizimi i Husejn bin Ali (a.s.) dhe i shokëve të tij besnikë, gjithashtu nuk kishte vetëm aspekt heroik dhe gnostik. Këta martirë të nderuar kishin besim të plotë në premtimin e Zotit për pozitën e tyre në parajsën e përjetshme dhe nga ana tjetër, kishin bindje se me derdhjen e gjakut të tyre, pushteti emevit do të shkojë drejt shkatërrimit. Imam Husejni (a.s.) dhe shokët e tij besnikë u bënë shëmbëlltyrë për liridashësit dhe drejtësidashësit, jo vetëm në kohën e tyre, por përgjatë gjithë historisë. Nga ana tjetër, robërimi i familjes së Imam Husejnit (a.s.), u shndërrua në një faktor për predikimin e qëllimeve të larta të kryengritjes së Ashuras dhe për të zbuluar krimet, dhunën dhe padrejtësinë e pushtetit emevit. Këto qëllime të larta nuk mund të realizoheshin pa u mbështetur te Zoti dhe pa një programim të saktë, racional dhe largpamës.

 

Një çështje tjetër që diskutohet në mesin e mendimtarëve islamë, është kjo që racionalizmi dhe logjika e kryengritjes së Ashurasë a ishte në kontradiktë me dashurinë dhe pasionin e saj? Disa mendojnë se kryengritja e Ashurasë ishte e bazuar vetëm në dashuri dhe ndjenja dhe pa ndërhyrjen e arsyes, sepse arsyeja nuk urdhëron një kryengritje fundi i së cilës është martirizimi. Mirëpo mendimtarët e mëdhenj islam besojnë se në Islam, arsyeja dhe dashuria nuk janë të ndara nga njëra-tjetra dhe arsyeja në shkallën e saj të lartë arrin në shkrirjen në ekzistencën e Zotit të madhëruar. Filozofi Gholamhusejn Dinani në lidhje me këtë thotë: "Koordinimi mes arsyes dhe dashurisë si rruga më e drejtë për arritjen tek Zoti i madhëruar, quhet "TARIKAT". Tarikati është rruga më me pandërmjetësim për të afruar pranë Zotit. Në Tarikat, arsyeja dhe dashuria nuk janë të ndara nga njëra-tjetra. Arsyeja dhe dashuria janë dy anë të një monedhe metali". Ai më pas duke përputhur këtë realitet ne Husejn bin Ali (a.s.), thotë: "Imam Husejni (a.s.) është personifikim i arsyes, është shkalla më e përkryer e arsyes e cila është paraqitur në formë të dashurisë. Kjo është dashuria racionale... Arsyeja e Imam Husejni (a.s.), është dashuria e tij dhe dashuria e Imam Husejnit (a.s.) është arsyeja e tij".

 

Në këtë mënyrë, edhe pse në racionalizmin materialist nuk kanë vend çështjet si sakrifica, martirizimi, besnikëria, lufta për dinjitet dhe lufta kundër padrejtësisë dhe çështje të tilla i konsiderojnë nën ndikimin e ndjenjave, dashurisë dhe entuziazmit të palogjikshëm, mirëpo në racionalizmin universal dhe largpamës të Islamit, të gjitha këto karakteristika të larta njerëzore janë të drejta dhe të logjikshme. Arsyeja dhe dashuria nën dritën e shpalljes hyjnore, veprojnë si dy krahë dhe rezultojnë me zhvillimin dhe përkryerjen e njeriut dhe kjo është pikërisht ajo e vërtetë e cila është manifestuar në mënyrën më të mirë në kryengritjen e pavdekshme të Ashurasë. Për këtë arsye Dr. Dinani thotë: "Ashura nga pikëpamja ime, është përvjetori i ngjarjes së madhe të takimit të dashurisë dhe arsyes ku arsyeja shkrihet në dashuri dhe dashuria shkrihet në mendje. Nëse njeriu do të arrijë në këtë shkallë, padyshim se ka arritur në përkryerjen e mjaftueshme". Parimisht lidhje e racionalizmit me dashurinë dhe pasionin e vetëdijshëm në kryengritjen e Imam Husejnit (a.s.), është bërë shkak që qëllimet e kësaj kryengritje të depërtojnë në shpirtra dhe martirët e saj të bëhen shëmbëlltyrë për të gjithë njerëzit, edhe për jomyslimanët. Mendimtari i njohur iranian Morteza Motahari në lidhje me këtë thotë: "Sekreti i pavdekshmërisë së Imam Husejnit (a.s.) është ky që kryengritja e tij, nga njëra anë është e logjikshme dhe ka aspekt racional dhe gëzon mbështetjen e logjikës dhe nga ana tjetër, kjo kryengritja ka depërtuar në thellësinë e ndjenjave dhe dashurisë".

Tags