Ftesë për muajin Ramazan (Ramazani në Sahife Saxhadije)
(last modified Wed, 06 Jun 2018 09:36:46 GMT )
Qershor 06, 2018 11:36 Europe/Tirane

Selam për ty o muaji më i madh i Zotit dhe o festa e të dashuruarve në Perëndinë. Selam për ty o muaji më fisnik nga të gjithë muajt dhe o muaji më i mirë nga të gjitha ditët dhe orët!

Me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, miq të nderuar jemi pranë jush me programin “Ftesë për muajin Ramazan”. Selam për ty o muaji më i madh i Zotit dhe o festa e të dashuruarve në Perëndinë. Selam për ty o muaji më fisnik nga të gjithë muajt dhe o muaji më i mirë nga të gjitha ditët dhe orët! Selami dhe paqja qoftë mbi ty o muaji në të cilin afrohet përgjigja e lutjeve dhe realizimi i dëshirave dhe mbi këtë muaj që veprat në të janë të shumta!

Selami dhe paqja qoftë mbi ty o shoqëruesi ynë që ke pozitë dhe vlerë të lartë, dhe humbja e jote është e dhimbshme për neve! Ti je burim i shpresës dhe largësia jote shkakton vuajtje...! Selami dhe paqja qoftë mbi ty, në të cilin të liruarit e Zotit janë të shumtë. O sa i lumtur është ai i cili të respekton ty nëpërmjet vet teje...! (Pjesë nga lutja 45 e librit "Sahife Saxhadije").

Lutja dhe duaja nganjëherë bëhet si kërkesë për diçka që ka nevojë personi që lutët. Nganjëherë lutja është më e lartë se kjo fazë dhe manifestohet në formën e dashurisë. Pavarësisht se mund të thuhet se edhe dashuria është një prej nevojave të shpirtit, por për arsye se vet ajo është një nevojë plotësisht e pavarur, atëherë dashuria është një natyrë enigmatike në brendësinë e shpirtit njerëzor dhe luan rol më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e njeriut. Prandaj lutja e cila buron nga shpirti i dashuruar, është lloji më i lartë i duasë. 

Një prej lutjeve më të bukura në muajin e Ramazanit, është lutja e Imam Zejnul Abidin (a.s.) e cila ndodhet në librin “Sahife Saxhadije” e cila është bukuria e lutjeve dhe lutja e preferuar e besimtarëve që bëjnë lutje. Imam Saxhadi (a.s.) në lutjet e tij na mëson se duaja nuk do të thotë se ne të fitojmë diçka dhe nuk është për atë që ne lutjen ta bëjmë zëvendësim të përgjegjësive tona njerëzore dhe racionale. Në kulturën islame, lutja është diçka në të cilën manifestohet dashuria, është vetëdijesim i njeriut për botën dhe është sferë e paraqitjes së nevojave të mëdha njerëzore, si dhe forma më e mirë për të komunikuar me Fuqinë Absolute. Prandaj, lutjet e këtij imami të nderuar janë të mbushura me falënderimin dhe lartësimin e Zotit dhe kanë një përmbajtje të rrallë. Këto dua përmbajnë temat më të mira dhe më të larta në moralin individual dhe shoqëror. Imam Saxhadi (a.s.) me vetëdije të plotë dhe duke marrë kushtet kohore, njohuritë dhe mësimet burimore të shkollës shiite i ka paraqitur në formën e lutjeve për gjeneratat e ardhshme. Në realitet, ky libër thekson lidhjen e njeriut me Zotin, me veten dhe me të tjerët.

Libri “Sahife Saxhadije” në realitet është simbol i fjalëve të njeriut të përkryer të cilat janë manifestuar në formë të lutjeve, duave dhe bisedës së bukur me Zotin dhe u mëson mësimet më të bukura hyjnore atyre që e duan adhurimin e Zotit dhe vetminë me Zotin. Në këtë mes mund të përmendim bisedën e bukur të Imam Saxhadit (a.s.) me muajin e Ramazanit. Shëmbëlltyra e gnosticizmit dhe prijësi i rrugës së robit drejt Zotit, Imam Saxhadi (a.s.) në kohën e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit si gosti hyjnore, me mall dhe dashuri bisedonte me muajin e bekuar të Ramazanit dhe kujtonte të mirat dhe begatit e tij. Imam Saxhadi edhe në kohën e përfundimit të muajit të Ramazanit, përsëri me mall dhe dashuri bisedonte me muajin e Ramazanit dhe përshëndetej me këtë muaj të shenjtë. Nga Imam Saxhadi (a.s.) në librin e “Sahifa Saxhadije” janë transmetuar dy lutje në lidhje me muajin e bekuar të Ramazanit dhe leximi i këtyre lutjeve është shumë i dobishëm për t’u njohur me mirësitë e këtij muaji të bekuar dhe detyrat të cilat janë mbi supet tona gjatë këtij muaji. Njeriu duke bredhur në njohurit e këtyre lutjeve, e kupton se fillimi i muajit të Ramazanit, çfarë mirësi i sjell atij dhe me përfundimin e këtij muaji, çfarë sofre hyjnore mblidhet dhe ata të cilët nuk kanë agjëruar këtë muaj, çfarë humbje kanë pësuar.

Nga të gjitha ditët e vitit, muaji i Ramazanit është i vetmi muaj në të cilin krijohet mundësia e përgjithshme për të paraqitur robërimin para Zotit dhe për të adhuruar Zotin e madhëruar. Prandaj, besimtarët në rrethana dhe kushte të ndryshme individuale, shoqërore dhe klimatike, gjejnë mundësinë më të madhe për t’u nënshtruar para urdhrave hyjnor dhe për të adhuruar Zotin. Ata para agimit manifestojnë në vete këtë parim kur’anor i cili thotë: “I çojnë trupat e tyre nga shtretërit dhe adhurojnë Zotin e tyre nga frika dhe lakmia”. (Sexhde, 16). Prandaj Imam Saxhadi (a.s.) në një frazë tjetër të fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, i drejtohet muajit të bekuar të Ramazanit me këto fjalë: “Zoti i madhëruar e ka vendosur çelësin e muajt të ri për punë të re. Nga Zoti i cili është Krijuesi i im dhe Krijuesi i yt, i cili është vlerësuesi im dhe vlerësuesi yt, i cili na ka dhënë formë mua dhe ty, kërkoi që ty të bëjë muaj të begatisë dhe koha të mos e humbë begatinë tënde!”. Në këtë frazë të bukur të lutjes së Imam Saxhadit (a.s.), muaji i bekuar i Ramazanit është kujtuar si muaji i begatisë dhe si çelës i lumturisë.

Imam Saxhadi (a.s.) në lutjen numër 44, muajin e Ramazanit e prezanton në këtë mënyrë: “Muaji i agjërimit dhe muaji i Islamit, muaji i pastërtisë dhe pastrimit, muaji i të qëndruarit zgjuar gjatë natës dhe muaji i Kur’anit, muaji në të cilin janë shpallur argumentet dhe udhëzimet e qarta për njerëzit”.

Njeriu në këtë muaj mund të arrijë në përkryerjen hyjnore. Në të vërtetë, muaji i Ramazin është një muaj në të cilin njeriu  mund të arrijë në shkallët e larta të përkryerjes, për arsye se këto kushte nuk janë gjithmonë të përgatitura. Prandaj, Imam Saxhadi (a.s.) me gjuhën e duasë ka dhënë disa urdhëresa për besimtarët dhe thotë: "O Zot, na jep neve mundësi që në këtë muaj, me bamirësi dhe vepra të mira të shkojmë pranë të afërmve, dhe me falje dhe bujari të solidarizohemi me fqinjët tanë, dhe të pastrojmë pasurinë dhe kapitalin tonë nga të drejtat e njerëzve të tjerë dhe të pastrojmë atë duke paguar zekatin, dhe të pajtohemi me atë i cili është larguar nga ne. Pavarësisht se ai ka bërë padrejtësi ndaj neve, të mos anashkalojë nevojat e drejtësisë, dhe të bëjmë paqe me atë që ka bërë armiqësi me ne, përveç me atë të cilin në rrugën tënde dhe vetëm për Ty jemi bërë armiq, sepse ai është një armik me të cilin nuk bëjmë miqësi dhe është nga partia me të cilin nuk bashkohemi!" Imam Saxhadi (a.s.) në një pjesë tjetër nga biseda e tij me Ramazanin, përshkruan atë si shoqëruesin më fisnik dhe si periudhën kohore më të mirë në jetë dhe thotë: "Selam dhe përshëndetje për ty o shoqëruesi më fisnik në të gjitha periudhat kohore dhe o muaji më i mirë nga të gjitha ditët dhe orët e jetës time!".

Në bazë të mësimeve hyjnore, të gjitha çështjet dhe veprat e njeriut, i përkasin kohës përkatëse të tyre. Prandaj, besimtarët shfrytëzojnë më së shumti kohën e tyre dhe disa periudha kohore i konsiderojnë të çmuara për kalimin e rrugës Sejrosuluk dhe pasi e shfrytëzojnë atë në mënyrë më të mirë, e kujtojnë me fjalë të mira atë periudhë kohore. Në këtë mënyrë disa periudha kohore përmbajnë raste aq shumë të mira dhe të veçanta sa që njeriu duke i shfrytëzuar ato raste, arrijnë në rezultate përcaktuese për fatin e tij njerëzor. Në këtë mes muaji i Ramazanit si shpirt i kohës, ka një rol të pazëvendësueshëm në çuarjen përpara të procesit për përkryerjen shpirtërore të njeriut, prandaj netët, ditët dhe çdo çast i këtij muaji, e çojnë njeriun në lartësitë e qiellit për ta shikuar bukurinë dhe madhërinë e Zotit. Në lidhje me këtë çështje, Imam Saxhadi (a.s.) këtë muaj të bekuar e përshkruan si një shoqërues fisnik dhe si periudhën më të mirë kohore të jetës së tij dhe në kohën e ndarjes nga muaji i Ramazanit, e përkëdhel atë me fjalë të bukura duke kujtuar dobitë, të mirat dhe begatitë e këtij muaji dhe duke zbuluar në këtë mënyrë fshehtësitë e këtij muaji për të tjerët. Në një pjesë tjetër të bisedës së Imam Saxhadit (a.s.) me muajin e bekuar të Ramazanit, lexojmë: "Selami dhe paqja qoftë mbi ty! Sa karakteristika dhe veprime të pa pëlqyera janë larguar nga vetëm për shkak tëndin dhe sa shumë të mira dhe begati na kanë ardhur neve vetëm nën hijen tënde!". Në këtë fjali të Imam Saxhadit (a.s.), nga njëra anë muaji i bekuar i Ramazanit është konsideruar parandalues i të këqijave dhe nga ana tjetër, ky muaji i bekuar është përshkruar si një re pranverore që sjell shiun e mëshirës hyjnore.

Imam Saxhad (a.s.) kur vinte fundi i muajit të bekuar të Ramazanit, me mall dhe dashuri e këndonte lutjen 45 të Sahife Saxhadije në të cilën ka thënë: "Muaji i Ramazanit qëndroi në mesin tonë dhe duhet falënderuar dhe lartësuar Zoti për këtë, sepse ky muaj me vete ka sjell mëshirën hyjnore dhe ai ishte një shoqërues shumë i mirë për ne. Ne në shoqërim të këtij muaji, kemi arritur në shumë të mira dhe begati. Muaji i Ramazanit ishte një shok i cili me vete solli mëshirë, falje dhe begati për ne". Profeti i nderuar i Islamit gjithashtu në ligjëratën Sha'banije ka thënë: "Muaji i bekuar i Ramazanit sjell begati, mëshirë dhe falje për ju". Ai i cili ishte dhe të jetë shok dhe shoqërues i këtij muaji, merr begatinë, mëshirën dhe faljen e këtij muaji. Prandaj, përshëndetje e ndarjes me këtë muaj është për atë i cili ka qenë i shoqëruar dhe i mishëruar me këtë muaj dhe ky muaj ka qenë mik i tij. Njeriu me mikun ose me një person që për një kohë ka qenë i shoqëruar me atë, bënë përshëndetjen e ndarjes. Ai i cili në të vërtetë nuk e di as kur kishte filluar muaji i bekuar i Ramazanit dhe në çfarë kohe ka kaluar ai, pse ka filluar dhe pse përfundoi, në realitet nuk ka përshëndetje të ndarjes për atë. Në një pjesë të kësaj përshëndetje me mall dhe dashuri të ndarjes, thuhet: "Selami dhe paqja qoftë mbi ty që përshëndetja e ndarjes nuk është nga malli dhe heqja dorë nga agjërimi yt, nuk është nga lodhje dhe mërzitja! Selami dhe paqja qoftë mbi ty që par fillosh, je diçka që ne e kërkojmë dhe para se të përfundosh, shkakton pikëllim dhe pikëllim për ne!".

Mesazhi kryesor i muajit të Ramazanit është se kjo periudhë kohore një muaj përmban shumë begati dhe të mira për njeriun për arritjen e përkryerjes, prandaj ashtu si lutje e përmendur më lartë, njeriu mund të ulët dhe të bisedojë me këtë muaj.

E lusim Zotin e madhëruar që në këtë muaj hyjnor, të gjithë besimtarët agjërues dhe ata që dëshirojnë lumturinë hyjnore, duke lexuar lutjet e librit "Sahife Saxhadije" të mëshirohen më shumë me ato dhe të përfitojnë sa më shumë nga njohuritë e thella dhe t'i zbatojnë ato në jetën e tyre të përditshme!

Tags