Në pritje të muajit të Zotit
(last modified Tue, 07 May 2019 09:42:26 GMT )
May 07, 2019 11:42 Europe/Tirane
  • Në pritje të muajit të Zotit

Speciale për pritjen e muajit të bekuar të Ramazanit Sot xhamia ka një atmosferë tjetër. Të rinjtë kanë zbukuruar dyert dhe muret e xhamisë. Tapetet e xhamisë janë larë dhe pastruar. Pastrimi i pluhurit të xhamive dhe pastrimi i zemrave është një fillim i mirë për përgatitjen e një gostie të madhe.

Aromën e “verës” e sjellë era e lindjes

Aroma e Zotit vjen nga të gjitha anët

Percepto në këtë anë aromën e “verës së qiellit”

Është koha e gostisë qiellore

Përulu dhe pranoje këtë verë qiellore

Erdhi koha e gostisë, prandaj përgatitu

Sot xhamia ka një atmosferë tjetër. Të rinjtë kanë zbukuruar dyert dhe muret e xhamisë. Tapetet e xhamisë janë lartë dhe pastruar. Pastrimi i pluhurit të xhamive dhe pastrimi i zemrave është një fillim i mirë për përgatitjen e një gostie të madhe. Thuajse se pastrimi i pluhurit të xhamive është një hap për përmbysjen e pluhurit të jetës së përditshme dhe përgatitjen e zemrës për të marrë pjesë në gostinë e Zotit. Është një paralajmërim për këtë botë figurative në mënyrë që për një çast të kthehemi në veten tonë dhe të kujtojmë se një ditë kthehemi drejt Zotit të madhëruar, në po atë vend ku që nga fillimi ishim vetëm një baltë dhe me frymën hyjnore gjetëm jetë dhe gjallëri.

Me zërin ikametit të imamit të xhematit, besimtarët rregullojnë radhët e namazit dhe me pastërti dhe sinqeritet, dorëzojnë zemrat e tyre në robërinë para Zotit të madhëruar. “All-llahu Akbar – Zoti është më i madh se sa që të përshkruhet. Përsëritja e kësaj thirrje të Zotit, forcon zemrat e besimtarëve dhe ata mbështeten vetëm te Ai dhe vetëm nga Ai kërkojnë ndihmë. Pas namazit, fillon lëvizja më e madhe e njerëzve dhe ata pranë xhamisë shtrojnë sofrën. Dikush pyet: sot nuk është muaji i Ramazanit, sot është dita e fundit e muajit Sha’aban, atëherë pse po shtrojnë sofrën e iftarit? Një i djalosh i ri përgjigjet: sot shumë besimtarë kanë mirëpritur muajin e Ramazanit. Sot është dita e fundit e muajit Sh’aban. Profeti i nderuar i Islamit, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Muaji Sha’aban është muaji im dhe Ramazani është muaji i Zotit. Prandaj, çdo kush që agjëron në muajin tim, do të lutem për atë në ditën e Kiametit dhe ai që agjëron në muajin e Ramazanit, do të jetë i sigurt nga zjarri”. Ata të cilët numërojnë çastet për të përfituar nga dobitë e muaji i gostisë së Zotit, me agjërimin që bëjnë në muajin Sha’ban, dalin në pritje të muajit të bekuar të Ramazanit.

Në këtë mënyrë, nëpërmjet muezinit të xhamisë lajmërohet shfaqja e hënës së re. Zëri i këndimit të Salavatit për Hazretin Muhamed dhe familjen e tij e mbush atmosferën e xhamisë. Më pas, imami i xhematit duke uruar besimtarët për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, lexon një pjesë të lutjes së 44 nga libri “Sahife Saxhadije” e cila thotë:

«وَ الْحَمْدُ للهِ الَّذِی جَعَلَ مِن تِلْکَ السُّبُلِ شَهْرَهُ شَهْرَ رَمَضانَ شَهْرَ الصِّیامِ وَ شَهْرَ الإسْلامِ وَ شَهْرَ الطَّهُورِ وَ شَهْرَ التَّمْحِیص وَ شَهْرَ الْقِیامِ الَّذی انْزِلَ فِیهِ الْقُرْآنُ هُدَیً لِلنَّاسِ وَ بَیِّنَاتٍ مِنَ الهُدی وَ الْفُرْقانِ

“Lartësimi dhe falënderimi i takon vetëm Zotit të madhëruar i cili muajin e Tij, muajin e bekuar të Ramazanit, e ka bërë një prej rrugëve për t’i udhëzuar njerëzit. Muaji i Ramazanit është muaji i agjërimit dhe muaji i dorëzimit dhe nënshtrimit, është muaji i pastërtisë dhe faljes së mëkateve dhe muaji i qëndrimit zgjuar gjatë natës për të adhuruar. Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin është shpallur Kur’ani i shenjtë që të jetë udhëzues për njerëzit dhe të paraqet argumente të qarta për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta”.

Përshëndetje për Muajin e Ramazanit, muaji i cili është si ujë mbi zjarrin e të keqes dhe mëkatit.

Përshëndetje për Muajin e Islamit, muajin e dorëzimit para Zotit të madhëruar.

Përshëndetje për Muajin e Pastrimit i cili është muaj i pastrimit të shpirtit.

Përshëndetje për Muajin Sinqeritetit, muajin që e largon njeriun nga të metat dhe gabimet.

Përshëndetje për Muajin e Zgjimit, muajin e zgjimit në syfyr dhe adhurimit të Zotit gjatë natës.

Përshëndetje për Muajin e Bekuar i cili me spiritualitetin dhe mirësinë shpirtërore të tij, shumë dobi të panumërta i vendos në dispozicion të njeriut dhe në çastet e rralla dhe të mëshirës i fton shpirtrat që të pinë një gojë ujë të ëmbël nga njohuritë hyjnore.

Profeti i nderuar i Islamit, Hazreti Muhamed s.a.v.s. të cilin Zoti i madhëruar e ka bërë shëmbëlltyrë për të gjithë njerëzit, në kohën kur paraqitej hëna e muajit të bekuar të Ramazanit, kthehej drejt Kibles dhe ngrehte duart drejt qiellit dhe lutej: “O Zot! Shndërroje këtë muaj për ne në një muaj të ri, në një muaj të sigurisë dhe qetësisë, në një muaj të shëndetit fizik, në një muaj të hapjes së furnizimit dhe në një muaj në të cilin mënjanohen dhimbjet dhe vuajtjet! O Zoti i madhëruar! Na furnizo neve me agjërim dhe me zgjim gjatë natës për adhurim dhe me këndim të Kur’anit gjatë këtij muaji dhe na jep neve shëndet dhe qetësi gjatë këtij muaji!”

Hazreti Muhamed s.a.v.s. me ardhjen e muajit të nënshtrimit dhe robërimit para Zotit të madhëruar, gëzohej shumë dhe mirëpriste pranimin e vazhdueshëm të mëshirës dhe begatisë së Muajit të Agjërimit. Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. i përgjigjej urdhrit të Zoti të madhëruar i cili ka thënë:

«قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَ بِرَحْمَتِهِ فَبِذلِکَ فَلْیَفْرَحُوا هُوَ خَیْرٌ مِمَّا یَجْمَعُونَ»

“Thuaj me mirësinë dhe mëshirën e Zotit që (besimtarët) duhet të gëzohen dhe kjo është më e mirë se sa e gjithë ajo që mbledhin ata”. (Surja Junes, ajeti 58).

Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në muajit të bekuar të Ramazanit përgatitej për adhurim më shumë se në muajt e tjerë dhe e mirëpriste muajin e bekuar të Ramazanit në atë mënyrë sa që aftësia e tij psikologjike të mishërohej me bamirësinë dhe të kryej vepra të mira me gëzim më të madh dhe përgjatë gjithë muajit të Ramazanit të jetë i gatshëm tërësisht për t’u kthyer drejt Zotit të madhëruar. Hazreti Muhamed s.a.v.s. para ardhjes së muajit të bekuar të Ramazanit, merrte disa masa të rëndësishme të cilat e ndihmonin atë që të përgatitej më shumë për muajin e bekuar të Ramazanit dhe porosiste që edhe ne të ndjekim sjelljen dhe sunetin e tij për t’u udhëzuar në këtë drejtim.

Hazreti Muhamed s.a.v.s. për t’u përgatitur më mirë për agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, agjëronte në mënyrë të preferuar gjatë muajit Sha’ban dhe i lajmëronte besimtarët dhe shokët e tij për përpjekje më të mëdha në kryerjen e më shumë veprave adhuruese për Zotin gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Për të çuar përpara këtë qëllim dhe për ta vënë në praktikë atë, Hazreti Muhamed s.a.v.s. ua tërhiqte vëmendjen njerëz për karakteristikat e Ramazanit dhe për shtimin e shpërblimeve gjatë këtij muaji të bekuar. Profeti i nderuar i Islamit në ligjëratën e tij të fundit në muajin Sha’ban ka thënë:

“O njerëz! U ka ardhur juve muaji i Zotit me begatinë, mëshirën dhe faljen. Muaji i cili është muaji më i mirë pranë Zotit. Ditët e tij, janë ditë më të mira dhe netët e tij janë netët më të mira dhe orët e tij janë orët më të mira. Ai është muaji në të cilën ju jeni ftuar në gostinë e Zotit dhe ju jeni vendosur para bujarisë dhe respektit hyjnor. Në këtë muaj, frymëmarrjet tuaja janë lartësim i Zotit, gjumi juaj në këtë muaj është adhurim, veprat tuaja në këtë muaj janë të pranuar dhe lutjet tuaja në këtë muaj marrin përgjigje. Me urinë dhe etjen tuaj në këtë muaj, kujtojeni urinë dhe etjen e ditës së Kiametit. Jepni lëmosh për të varfërit, bonjakët dhe nevojtarët tuaj! Respektoni të mëdhenjtë tuaj dhe tregohuni të mëshirshëm ndaj më të vegjëlve dhe bëni bamirësi ndaj të afërmve tuaj! Pendohuni për mëkatet tuaja para Zotit të madhëruar! Gjatë kohës së namazit, lutuni me duart lartë para Fronit Hyjnor, sepse në atë kohë janë çastet më të mira dhe Zoti i madhëruar në ato çaste i shikon me mëshirë robërit e Tij...”

Në bazë të këtyre udhëzimeve, mund të thuhet se agjërimi i muajit të Ramazanit dhe adhurimet dhe veprat e tjera fetare nuk janë vetëm një veprim fizik, por janë veprime që burojnë nga arsyeja dhe zemra të cilat paraqitën në formën e ndjenjës dhe përzihen me atë, prandaj çdo herë kur ato veprime kryhen larg ndërhyrjes së mendjes dhe zemrës, janë vetëm veprime të thata, të parëndësishme dhe imituese të cilët nga preokupojnë neve vetëm me veten, mirëpo nuk ushtrojnë ndikim. Për ta aktivizuar mendjen dhe zemrën përkrah trupit, duhet të mendojmë dhe të thellohemi, të gjejmë njohje dhe me kryerjen e veprave të mira, ta bëjmë rrjedhëse këtë perceptim dhe këtë mendim në agjërimin tonë.

Tani kur jeta moderne ka reduktuar dashurinë mes zemrave dhe një sjellje indiferente po sundon mbi jetën, sipas Ajetullah Khamenei, aroma shpirtërore e muajit të bekuar të Ramazanit për çdo vit paraqitet si një freski nga parajsa të cilën Zoti madhëruar e fut në ferrin e zjarrtë të botës materiale dhe na jep neve këtë rast që të ulemi edhe në këtë sofër hyjnore të këtij muaji dhe të futemi në parajsë. Disa njerëz gjatë këtyre 30 ditëve futen në parajsë, disa njerëz të tjerë me begatin e atyre 30 ditëve, futen në parajsë për tërë vitin dhe disa të tjerë për tërë jetën. Ndërsa janë edhe disa të tjerë të cilët neglizhojnë këtë mirësi hyjnore që është për të ardhur keq dhe është vetëm humbje.

Në këtë mënyrë me anë të agjërimit, urisë dhe etjes, me anë të dashurisë dhe bamirësisë, kënaqësia e Zotit me robin besimtare fiton superioritet dhe prioritet nga çdo gjë dhe njeriu arrin të afrohet pranë Fronit Hyjnor deri në atë masë sa që Zoti i madhëruar nuk vendos më kurrfarë pengese mes Tij dhe robit të vet. Kjo është pozita e të dashurve të Zotit.

Në një hadith Kodsi thuhet se rezultati i agjërimit është ngrënia pak dhe të folurit pak e cila sjell urtësinë. Ndërsa urtësia sjell njohjen dhe besimin e sigurt. Kur një rob të arrijë në besimin e sigurt dhe në bindshmëri, atëherë nuk ka frikë dhe brengosje se si po kalon jetën dhe se a është në vështirësi apo në qetësi. Kjo është pozita e atyre që janë të kënaqur. Zoti i madhëruar thotë: “Secili që sillet në përputhje me kënaqësinë time, atij i jap tre karakteristika: falënderimin me të cilin nuk shoqërohet padituria, kujtimin i cili nuk ka harresë dhe një dashuri e cila i jep përparësi dashurisë time jo dashurisë së krijesës time. Kur robi të më dashurojë mua, edhe unë do ta dua atë. Dashurinë e tij ndaj meje do t’i tregojë të gjithë robërve dhe atij do t’ia hapi sytë e zemrës që ta shikojë bukurinë e madhërisë time dhe nuk e privojë atë nga dituria për krijesat e mia. Me atë bisedoj nëpërmjet lutjeve e fshehtësive në errësirën e natës dhe në dritën e ditës”.

Me hyrjen e muajit të bekuar të Ramazanit, shoqërohemi me lutjen e Imam Saxhadit (a.s.) i cili thotë: “O Zot! Përshëndete Muhamedin dhe familjen e tij dhe na inspiro neve me njohjen e mirësisë së muajit të Ramazanit dhe respektimin e privatësisë së këtij muaji!”

 

Tags