Sekreti i qëndrueshmërisë së Ashurasë (5)
(last modified Sun, 30 Aug 2020 10:00:02 GMT )
Gusht 30, 2020 12:00 Europe/Tirane
  • Sekreti i qëndrueshmërisë së Ashurasë (5)

Në këtë edicion do të flasim rreth një tjetër sekreti të qëndrueshmërisë së Kryengritjes së Ashurasë.

Një prej rrugëve dhe zakoneve më themelore të jetës dhe veprës së profetëve të Zotit ishte lufta kundër regjimeve hegjemoniste, tiranëve dhe despotikëve deri në rrëzimin e tyre. Të gjithë ata me urdhrin e Zotit, kishin mision që të shkatërrojnë sistemet sunduese të padrejta dhe të dhunshme dhe ta themelojnë një sistem të drejtë për administrimin e shoqërisë. Sipas Kur’anit të shenjtë dhe burimeve historike, profeti Ibrahim a.s. ishte flamurtar i besimit në një Zot përball sistemit të dhunshëm të mbretit Nemrud, Hazreti Musai a.s. ka bërë kryengritje kundër sundimit arrogant dhe të dhunshëm të Faraonit, Hazreti Isai a.s. është ngritur kundër cezarëve ambicioz dhe gjakpirës të Romës, ndërsa Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka luftuar kundër klasës borgjeze dhe të dhunshme të fisit Kurejsh dhe udhëheqësve despotik të Persisë së Lashtë. Qëllimi i të gjithë profetëve të Zotit ishte ky që t’i çlirojnë dhe shpëtojnë popujt e shtypur nga prangat e robërisë dhe skllavërisë dhe të ngjallin në mesin e tyre moralin për të kërkuar dinjitet dhe për ta luftuar poshtërimin në mënyrë që ata t’i gëzohen mirësisë dhe begatisë së të qenit të lirë.

Imam Aliu (a.s.) i cili ishte edukuar në familjen e profetësisë dhe më shumë se çdo kush tjetër ishte i njohur me shpalljen hyjnore të profetëve, në një udhëzim për vetëdijesimin e njerëzve dhe ngritjen e vigjilencës për besimin në një Zot, ka thënë: “Me të vërtetë Zoti i lartësuar ka dërguar Hazretin Muhamed s.a.v.s. me shpallje hyjnore për t’i çliruar njerëzit nga skllavëria dhe robërimi (i ambicieve për pushtet dhe pasuri) dhe t’i drejtojë ata drejt adhurimit të Zotit Një dhe të qenit vetëm robër të Tij. T’i largojë ata nga paktet (poshtëruese dhe robëruese) dhe t’i bëjë që të jenë të zotuar ndaj pakteve dhe besëlidhjeve që sjellin dinjitet fetar dhe t’i lirojë ata nga nënshtrimi verbal me vetëdije t’i vendosë nën nënshtrimin e urdhrave të Zotit Një dhe t’i çlirojë ata nga zgjedha e nënshtrimit para tiranëve dhe t’i vendosë ata nën udhëheqjen e udhëheqësve të merituar fetar”. (Al-Hajah 2/29; El-Vafij 3/22).

Në një vështrim të përgjithshëm, ky realitet bëhet edhe më i qartë se sunduesit despotikë dhe tiranë me padrejtësi dhe dhunë, mundohet t’i robërojnë popujt në mënyrë që të forcojnë themelet e pushtetit të tyre të padrejtë dhe t’i realizojnë qëllimet e tyre djallëzore dhe anti-njerëzore në çfarëdo forme të mundshme me kërcënim, me para, me veprime terroriste dhe me anë të veprimeve dhe masave shtypëse. Mirëpo profetët e Zotit me të gjithë forcën e tyre qëndronin dhe rezistonin përball pushtetarëve ambiciozë dhe të dhunshëm dhe sundimeve idhujtare duke vetëdijesuar njerëzit dhe duke luftuar në mënyrë që nën dritën e ideve burimore dhe liridashëse sipas besimit në një Zot, t’i lirojnë njerëzit nga të gjitha prangat dhe lidhjet poshtëruese. Kur’ani i shenjtë në lidhje me Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. thotë: “Ai ua heq nga supet e tyre peshën e rëndë dhe prangat e zinxhirëve robërues dhe i liron ata tërësisht”. (A’raf: 157).

Pra, Imam Husejni (a.s.) duke u inspiruar nga mësimet e shpalljes hyjnore dhe nga mësimet profetike dhe udhëzimet alevite që predikojnë dinjitetin dhe luftojnë poshtërimin e njeriut, u ngrit në këmbë për të rezistuar përball dhunës dhe padrejtësive të mëdha të pushtetit Emevit. Me fjalë të tjera, lufta kundër padrejtësisë dhe dhunës është një tjetër qëllim dhe sekret i qëndrueshmërisë së Epopesë Husejnite. Imam Husejni (a.s.) kishte parë dhe përjetuar nga afër veprimet luftënxitëse të Muavijës në luftën e Sifinit, terrorin e personalitetit të Imam Aliut (a.s.), martirizimin e Haxher bin Adi dhe shokëve të tij, martirizimin e Malek Ashtar, martirizimin e Imam hasan Muxhteba (a.s.), shtypjen dhe vrasjen e myslimanëve shiitë, prandaj gjithnjë ndjente përgjegjësi dhe vuante shumë nga gjithë kjo padrejtësi dhe agresion derisa Muavije përkundër marrëveshjes së paqes që kishte nënshkruar me Imam Hasan Muxhteba (a.s.), e uli në fronin e pushtetit djalin e tij Jezidit i cili qysh në atë kohë njihe si njeri që bënte mëkate haptazi, si njeri i shfrenuar, që pinte alkool, si dhe për shumë devijime të tjera që i bënte në mënyrë të hapur dhe të fshehur. Prandaj, Imam Husejni (a.s.) sidomos në kohën e pa se Jezidi po synon me kërcënim të marrë bej’at nga ai, e kuptoi se më nuk mund të qëndrojë i qetë dhe të jetë dëshmitar i dhunës, padrejtësisë dhe agresionit për çdo ditë e më shumë të dinastisë së pistë Emevite dhe familjes së Abu Sufjanit. Pikërisht për këtë arsye, Imam Husejni (a.s.) ka shfrytëzuar dhe përdorur të gjitha rastet dhe mundësitë për të zbuluar natyrën zullumqare të pushtetit Emevit dhe për të zgjuar dhe vetëdijesuar opinionin publik.

Imam Husejni (a.s.) në kohën kur e pa ushtrinë e Hurr-it para vetes, duke iu drejtuar atyre dhe shokëve të tij tha: “O njerëz! I Dërguari i Zotit s.a.v.s. ka thënë: secili person që e shikon një sundues të padrejtë dhe zullumqar i cili i bën të lejuara veprat e ndaluara nga Zoti dhe i bën të ndaluara veprat e lejuara nga Zoti dhe thyen besëlidhjen hyjnore dhe vepron në kundërshtim me jetën dhe veprën e Profetit s.a.v.s. dhe bënë mëkate dhe padrejtësi në mesin e robërve të Zotit, ndërsa ai përball këtyre veprimeve hesht dhe zgjedh të qëndrojë indiferent dhe as me vepër dhe as me fjalë nuk e kundërshton atë sundimtar, Zoti i madhëruar do ta vendosë atë në po të njëjtin vend të ferrit në të cilin do ta vendosë edhe atë sundimtar zullumqar”.

Imam Husejni (a.s.) në vazhdim të fjalëve të tij udhëzuese ka paraqitur disa prej devijimeve dhe shtrembërimeve të pushtetit Emevit dhe ka thënë: “Dijeni që këto vazhdimisht po ndjekin urdhrat e djallit dhe e kanë bërë të nevojshme për vete nënshtrimin para djallit dhe kanë lënë anash tërësisht nënshtrimin para urdhrave të Zotit dhe i kanë bërë që veprat e këqija, korrupsioni dhe ligësia të bëhen në mënyrë të hapur. Ata kanë pushuar zbatimin e ndalesave hyjnore dhe kanë gllabëruar të gjitha pasuritë publike të cilat i përkasin të gjithë myslimanëve. Ata veprat e ndaluara nga Zoti i kanë bërë të lejuar ndërsa veprat e lejuara nga Zoti i kanë bërë të ndaluara dhe unë nga të gjitha ata jam më meritor për udhëheqjen e Umetit Islam”. (Nasul-Muhen, f. 115; Tabarij 4/304).

Pavarësisht të gjithë këtyre udhëzimeve vetëdijsuese ku në pyetje ishte fati dhe lumturia dhe fatkeqësia, e vërteta dhe e gabuara, drejtësia dhe padrejtësia dhe me një fjalë Zoti dhe djalli, me mijëra njerëz të cilëve u kishte ardhur në maje të hundës padrejtësia dhe veprimet anti-islame të pushtetit Emevit dhe kishin shkruar e dërguar 12 mijë letra për ta bindur Imam Husejnin (a.s.) që të niset në drejtim të Kufes dhe për t’i liruar ata nga sundimi i pushtetit tiran të Jezidit, jo vetëm që nuk dolën në skenë për ta ndihmuar Imam Husejnin (a.s.), përveç një numri të vogël prej tyre, por me kërcënimin e Ubejdulla bin Zijad, hoqën dorë nga të gjitha zotimet dhe besëlidhjet e tyre dhe në ditën e Ashurasë me të gjitha forcat luftuan kundër Imam Husejnit (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë. Ata krijuan një tragjedi, bënë vrasje dhe plaçkitje dhe robëruan anëtarët e mbetur të Epopesë Husejnite dhe i çuan ata në Kufe dhe në Sham dhe kryen krimin më të madh në historinë e njerëzimit. Imam Husejni (a.s.) shkakun e kësaj tragjedie e përshkruan në këtë mënyrë: “Njerëzit që janë robër të botës materiale dhe të mirave të saj dhe feja është vetëm në maje të gjuhës së tyre, veprojnë në emër të fesë deri në kohën kur të sigurohen interesat e tyre dhe sapo të përballen me vështirësi dhe kriza, besimtarët e vërtetë të fesë bëhen të paktë në numër”. (Buhar 44/383).

Në të vërtetë njerëzit të cilët e shesin fenë për këtë botë materiale dhe me një kërcënim ose me pak para, heqin dorë nga parimet, qëllimet dhe idealet fetare dhe njerëzore, janë faktorë kryesor për forcimin dhe vazhdimin e pushteteve të padrejta, të dhunshme dhe djallëzore. Në realitet ata të cilët me heshtje dhe me indiferencë dhe me mosmbështetje ndaj liderëve të vërtetë dhe popullorë, mbështesin sundimtarë tiranë dhe të padrejtë, janë pjesëmarrës dhe partnerë në të gjitha krimet që bëjnë sundimtarët tiranë sepse janë pikërisht ata të cilët forcojnë bazat dhe themelet e sundimtarëve barbarë dhe e bëjnë të mundur vazhdimin e jetës së tyre. Imam Xhafer Sadik (a.s.) ka thënë: “Nëse populli nuk do ta kishte ndihmuar pushtetin Emevit..., ata kurrë nuk do të mund të grabisnin të drejtën tonë të vërtetuar me shpallje hyjnore dhe të na privojnë neve nga ajo”. (Kafij 5/106).

Në bazë të kësaj thënie, nëse populli i Kufes që kishte shkruar 12 mijë letra për Imam Husejnin (a.s.), nuk do t’ia kishte kthyer shpinën dhe nuk do të kishte bërë tradhti dhe nuk do t’i shkonin në ndihmë pushtetit të Jezidit, a do të ishte krijuar tragjedia e Ashurasë?

Në një transmetim tjetër fetar thuhet: “Krimineli dhe viktima që të dy janë futur në zjarrin e ferrit dhe që të dy po digjen”. Krimineli digjet dhe vuan dënimin për shkak se ka kryer çfarëdo lloj veprimi të padrejtë dhe kriminal, ndërsa viktima e padrejtësisë digjet dhe vuan dënimin për shkak se është ngritur në mbështetje të kriminelit dhe e ka ndihmuar atë. Në realitet, rrënjët e të gjitha devijimeve, sabotimeve, shkeljeve të besës, tradhtive, moszbatimin e dy parimeve themelore të besimit në Zot dhe në botën tjetër.

Imam Aliu (a.s.) me të gjithë qenien e vet e kishte përjetuar zbatimin e këtyre dy parimeve dhe gjatë një ligjërate, duke dënuar dhe duke u distancuar nga çfarëdo lloj dhune dhe padrejtësie, ka thënë: “Betohem në Zotin e madhëruar, nëse do ta kalojë të gjithë natën deri në mëngjes mbi një kaçube me ferra i lidhur në pranga dhe zinxhir dhe të më zvarrisin mbi tokë, për mua është më e mirë dhe më e durueshme se sa kjo që në ditën e Kiametit të hyj në prani të Zotit dhe të Dërguarit të Zotit me prehër dhe turp të ndotur me padrejtësi dhe dhunë ndaj njërit prej robërve të Zotit ose uzurpimin e ndonjë pasurie materiale të kësaj bote. Si mund të bëjë padrejtësi ndaj një personi për shkak të një trupi që të gjitha fijet e tij shumë shpejtë shkojnë drejt shkatërrimit dhe për një kohë të gjatë mbetet në dhe”. (Nahxhul-Belagha ligjërata 224).

Imam Husejni (a.s.) ishte i edukuar me këso mësime që kishin për bosht kryesor luftën kundër padrejtësisë, prandaj edhe ai si mund të heshtë përball padrejtësive dhe të mos ngrehet në këmbë përball krimeve të pushtetit Emevit duke thirrur: “A nuk po shikoni se nuk po veprohet sipas drejtësisë dhe nuk po ndalohen veprat e gabuara dhe të ndaluara?! Në rrethana të tilla, njeriu besimtar është i përmalluar të takohet me Zotin e tij dhe nuk mund të qëndrojë i heshtur dhe indiferent”.

Durimi i padrejtësisë dhe dhunës së pushtetit Emevit ishte aq shumë i rëndë për Imam Husejnin (a.s.) sa që ai e preferonte vdekjen më shumë se sa vazhdimin e jetës dhe në lidhje me këtë ka thënë: “Me të vërtetë, unë vdekjen (martirizimin në rrugën e Zotit) nuk e konsideroj gjë tjetër përveçse lumturisë dhe kënaqësisë, ndërsa jetën nën hijen e tiranëve dhe zullumqarëve nuk e konsideroi asgjë tjetër përveçse turp dhe mjerim”. (Tabarij 5/404; Tohf el-Ukul 174).

Tags