Qershor 10, 2024 20:41 Europe/Tirane
  • Von Der Leyen: E djathta ekstreme nuk performoi aq mirë sa pritej

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ekstremi i majtë dhe i djathtë nuk kanë dalë aq mirë sa pritej në zgjedhjet e BE-së.

“Në të vërtetë, ka një rritje të ekstremit të djathtë dhe të majtës ekstreme. Kemi dy fenomene. Por, jo aq shqetësues sa parashikohej. Jo aq sa pritej. E kundërta është rasti. Ne patëm një fitore të fortë, si Parti Popullore Evropiane – kështu që kjo tregon se ju mund të përballoni presionin nga ekstremet dhe të jeni të suksesshëm ndërsa jeni në krye të përgjegjësisë së Bashkimit Evropian”, tha Ursula von der Leyen e cituar nga Sky News.

Ajo tha se do t’u afrohet partive socialdemokrate dhe liberale me të cilat ka punuar më parë për të formuar një shumicë në parlamentin evropian.

Sidoqoftë, partitë e ekstremit të djathtë kanë shënuar fitore të mëdha në zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian, duke i shkaktuar humbje kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit austriak Karl Nehammer.

Partia Popullore Evropiane (EPP) është gjithsesi në rrugën e duhur për të qenë grupimi më i madh me 189 deputetë në parlamentin evropian, të përforcuar nga fitoret e qendrës së djathtë në Spanjë dhe Poloni, pasuar nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve të qendrës së majtë me 135 vende.

 

Tags