Mars 21, 2024 11:15 Europe/Tirane
  • Sanksione të reja amerikane me pretekstin e programit raketor dhe bërthamor të Iranit

Në ditën e parë të vitit 1403 hixhri diellor, që përkoi me datën 20 mars 2024, Departamenti i Thesarit i SHBA-së vendosi sanksione të reja kundër Republikës Islamike të Iranit me pretekstin e programit të raketave balistike, bërthamore dhe mbrojtëse të Teheranit.

Sipas agjencisë së lajmeve të Radio-Televizionit të Iranit, Departamenti Amerikan i Thesarit pretendoi të mërkurën në një deklaratë se Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së, e njohur si OFAC, ka identifikuar dhe sanksionuar tre rrjete furnizimi me bazë në Iran, Turqi, Oman dhe Gjermani, të cilat kanë mbështetur programet e raketave balistike, bërthamore dhe mbrojtëse të Iranit.

Departamenti Amerikan i Thesarit pretendoi se këto rrjete, të cilat janë të bazuara në Iran, Turqi, Oman dhe Gjermani, kanë siguruar fibra karboni, rrëshirë epokside dhe mallra të tjera për industrinë raketore të Iranit.

Brian Nelson, ndihmës-sekretari amerikan i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, pretendoi gjithashtu: “Përmes rrjeteve komplekse të fshehta të prokurimeve, Irani kërkon të furnizojë aktorët keqdashës në mbarë botën me sisteme armësh që nxisin konflikte dhe rrezikojnë jetë të panumërta civilësh”.

Ky zyrtar i lartë i Departamentit të Thesarit të SHBA-së deklaroi: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përdorin mjetet e tyre për t'i prishur këto rrjete dhe për t'u kërkuar llogari vendeve që ndihmojnë në shumëfishimin e dronëve dhe raketave të Iranit”.

Muajin e kaluar, Departamenti i Thesarit i SHBA-së prezantoi masa ndëshkuese që synonin programet e prokurimit të raketave balistike dhe dronëve të Iranit, ndërsa Uashingtoni kërkonte të rriste presionin ndaj Teheranit për mbështetjen e Boshtit të Rezistencës kundër agresionit izraelit në Gaza.

Qeveria demokratike e presidentit Biden, e cila pretendoi një qasje diplomatike ndaj Iranit si dhe përpjekje për t'iu kthyer marrëveshjes bërthamore (JCPOA), deri më tani jo vetëm që nuk ka arritur të kthehet në marrëveshje, por me sanksione të njëpasnjëshme me pretekstin e programit të mbrojtjes parandaluese të Republikës Islamike të Iranit, përfshirë raketat balistike, dronët, ato bërthamore dhe të drejtat e njeriut, kanë lëvizur në përputhje me politikat e dështuara të presionit maksimal të administratës së ish-presidentit Donald Trump.

Irani ka thënë vazhdimisht se programet e tij ushtarake, përfshirë industrinë e tij raketore, janë të destinuara për parandalim dhe mbrojtje dhe nuk u nënshtrohen negociatave.

 

Tags