Tiparet morale, fetare dhe sociale të Imam Huseinit (as)
(last modified Thu, 28 Sep 2017 10:31:51 GMT )
Shtator 28, 2017 12:31 Europe/Tirane

Në faqen e historisë janë regjistruar shumë kryengritje dhe lëvizje. Por është vetëm një kryengritje që pas shekujsh tërheq vëmendjen e të gjithëve  dhe shkakton emocione sikur të ketë ndodhur një vit më  parë dhe ajo është kryengritja e Imam Huseinit (as). Kryengritja që e ngjalli përsëri Islamin. Duket sikur këtë fakt e vërteton thënia e  famshme e Profetit (savs), i cili ka thënë: "Huseini është prej meje dhe unë jam prej Huseinit".

Pra, jo vetëm që Huseini është fëmija i tij, por edhe mbijetesa e fesë dhe  e traditës së Profetit (savs) është arritur në sajë të Huseinit, dhe Islami ka mbijetuar nga sakrifica e tij dhe e shokëve të tij. Në këtë program, do të flasim për disa aspekte te personalitetit të lartë të Imam Huseinit (as).

 

Një nga tiparet e Imam Huseinit (as) ishte forca e vullnetit si dhe guximi dhe vendosmëria e tij. Guximi dhe vendosmëria janë bazat e fillimit të çdo pune ndërsa vullneti  ka një pozitë në mesin e virtyteve njerëzore. Një nga përparësitë e vullnetit është që njeriu nuk ndikohet nga presionet sociale dhe botëkuptimet e gabuara të të tjerëve nuk e prekin atë dhe ai zgjedh rrugën e drejtë të cilën e ndjek me vendosmëri deri në fund. Secili prej dy tipareve të personalitetit njerëzor që përmendëm më lart, manifestohen në mënyrën më të bukur dhe më të plotë në epopenë e Qerbelasë. Kur Imam Huseini (as) po largohej nga Medina, disa njerëz,  nga dashuria dhe mirësia, i thanë Imamit të largohej për në  Jemen apo ndonjë vend tjetër për njëfarë kohe, derisa situata politike e shoqërisë të ndryshojë pak. Imami, me vendosmëri dhe me vullnet të hekurt u përgjigj: "Betohem në Zot se edhe nëse nuk ka strehim për mua në botë, unë nuk do të pajtohem kurrë me pushtetin e Jezidit. Unë do të shkoj në Mekë".

 

 

Imam Huseini (as) është modeli më i mirë i dinjitetit jo vetëm në fjalë, por edhe në praktikë. Dinjiteti si karakter individual ose kolektiv nënkupton pamposhtjen, vetëvlerësimin, dinjitetin e shpirtit njerëzor dhe ruajtjen e personalitetit. Ata që janë të ndershëm dhe me dinjitet nuk kryejnë vepra të liga, nuk bëjnë gjëra të shëmtuara dhe janë gati të vdesin për të ruajtur dinjitetin e tyre dhe personalitetin e tyre. Nënshtrimi përballë padrejtësisë, përulja ndaj sundimit të egër dhe johuman, heshtja dhe durimi përballë njerëzve të ulët dhe bindja ndaj jobesimtarëve, mashtruesve dhe plaçkitësve, të gjitha burojnë nga denigrimi dhe poshtërimi i shpirtit. Sundimtarët Emevitë synonin t’i impononin Imamit turpin e besnikërisë ndaj tyre dhe u përpoqën që edhe me forcë ta detyronin atë t’u bindej  urdhrave të Jezidit,  por kjo ishte e papranueshme dhe Imam Huseini (as) e kundërshtoi atë, duke paguar çmimin me martirizimin e tij  dhe me robërimin e familjes së tij. Kur guvernatori i Medinës i kërkoi Imam Huseinit (as), besnikërinë ndaj Jezidit,  Imami kundërshtoi dhe besnikërinë ndaj Jezidit e quajti “turp”. Pasi numëroi vetitë e shëmtuara e të ndyra të Jezidit, Imam Huseini (as) tha: "Dikush si unë, nuk i jep besnikërinë një njeriut si ai!"

 

 

Në mëngjesin e Ashuras, në fillim të betejës, Imami tha: "Betohem në Zot, se nuk do të pranoj atë që më kërkojnë (nënshtrimin), derisa ta takoj All-llahun i larë në gjakun tim”. Në një tjetër fjalim madhështor në Qerbela, duke iu drejtuar ushtrisë së Kufes, duke refuzuar kërkesën e Ibne Zijadit për dorëzim dhe besnikëri, Imami tha: "Ibne Zijadi , më ka kërkuar të zgjedh mes  vrasjes dhe poshtërimit. Mos e dhëntë Zoti, që unë të zgjedh poshtërimin. Këtë nuk e pranon as Zoti dhe i Dërguari i Tij dhe askush nga njerëzit besimtarë e dinjitozë. Ne kurrë nuk do të preferojmë përuljen ndaj sunduesve mizorë, para martirizimit me nder dhe dinjitet ”. Në një rast tjetër, pasi u përball me ushtrinë e Horrit, Imam Huseini (as)  jetën nën presionin dhe shtypjen e të tjerëve e quajti vdekje, dhe më pas shtoi: "Unë nuk kam frikë vdekjen, vdekja është mënyra më e lehtë për të arritur dinjitetin. Vdekja në rrugën e dinjitetit është jetë e përjetshme, ndërsa jeta nën shtypje e padrejtësi është vdekje e përjetshme. Më frikëson mua nga vdekja? Sa mendjelehtë! A ka turp më të madh që për shkak të frikës nga vdekja, të duroj shtypjen dhe tiraninë? Nuk mund të më vrasësh më shumë se kaq. Vdekja në rrugën e Zotit është e mirëseardhur, por ju, duke më vrarë mua, nuk mund ta eliminoni lavdinë dhe dinjitetin tim. Pse të kem frikë nga vdekja? " Ky shpirt besnik dhe heroik, spikati edhe tek bijtë, vëllezërit dhe shokët e tij. Refuzimi i garancisë së jetës që u ofrua nga  Ibne Zijadi nga Abas bin Ali dhe vëllezërit e tij e dëshmon më së miri këtë. Nëse do e pranonin ofertën e Ibne Zijadit , ata mund të kishin mbijetuar, por deri në fund të jetës do të kishin jetuar me turpin e braktisjes së Imamit dhe  të pranimit të ofertës së Obejdullah Ibne Zijadit. Simboli i dinjitetit të tyre ishte mospranimi i ofertës, edhe atë me tonet më të ashpra dhe më të qarta: "Vdekja të marrtë o Shemr! Mallkimi i Zotit rëntë mbi ty dhe ofertën tënde! O armik i Allahut, na kërkon t'i bindemi shtypjes dhe mizorisë dhe të braktisim vëllain tonë Huseinin?”

 

 

Thjeshtësia dhe modestia e Imam Huseinit (as) ishte një nga virtytet e tij më të spikatur. Transmetohet se një ditë, Huseini (as) kaloi pranë një grupi njerëzish të varfër që kishin shtruar një sofër dhe po hanin copat e bukës që kishin mbledhur. Kur e panë Huseinin (as), ata e ftuan të ulej dhe të hante me ta. Imami u ul pranë tyre dhe filloi të hante. Pas pak kohe, Imami u kthye tek ata dhe u tha: "A e pranoni edhe ju ftesën time?" Ata thanë: Po, o bir i të Dërguarit të Allahut! Pastaj ata u ngritën dhe shkuan në shtëpinë e tij. Imam Huseini (as) me ato  ushqime që kishte në shtëpi i priti sa më mirë të ftuarit.

 

Një nga vlerat morale të njeriut është durimi. Imam Huseini (as) është një shembull gjithëpërfshirës  i durimit, i cili tregoi durimi me të gjitha përmasat dhe dimensionet e tij në jetën dhe sjelljen e tij ndaj njerëzimit. Imami  në ditën e Ashurss, kur presioni ushtarak, etja dhe probleme të tjera e preokuponin pa masë, me fytyrë të çelët  dhe me qetësi u drejtua nga shokët dhe u tha:” O bij të nderit dhe dinjitetit! Paqja qoftë mbi ju. Të jeni të lumtur se vdekja nuk është gjë tjetër, veçse një urë, e cila nga vështirësitë dhe vuajtjet, na kalon në një parajsë të madhe dhe begati të përjetshme”.

Me kalimin e kohës, shtoheshin më shumë problemet e Imamit, por ai dukej se ishte më i durueshëm se më parë. Një nga pjesëtarët e ushtrisë së armikut thotë: "E pashë Huseinin në momentet më të vështira të Ashuras dhe luftës. Betohem për Zotin se kurrë nuk kam parë një njeri që i janë vrarë  bijtë, familja dhe shokët e tij, por në të njëjtën kohë të jetë kurajoz  dhe i fortë si Huseini." Natyrisht, sipas dëshmitarëve në ngjarjen e Qerbelasë, fokusi më i lartë i durimit ishte momenti kur Imami ra në tokë dhe kaloi momentet e fundit të jetës së tij duke pëshpëritur: " O Zoti im, unë pres verdiktin Tënd, nuk ka zot tjetër përveç Teje, Ti je strehim për ata që kërkojnë strehim dhe nuk ka strehues tjetër përveç Teje, unë do të pres të zbatohet vullneti Yt”.

Një nga karakteristikat më të spikatura të Imam Huseinit (as) është guximi i tij unik. Imam Huseini (as) luftoi në Ashura në një kohë që ai i kishte humbur të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij. Dhimbja, uria dhe etja godasin rëndë çdo qenie njerëzore. Megjithatë, Imami vazhdonte sulmet e tij të guximshme dhe zbriste si rrufe mbi ushtrinë e armikut, duke i rrëzuar në tokë armiqtë si gjethet e pemës. Një nga ata që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes së Ashuras ka thënë: "Nuk pashë askënd më të guximshëm se Huseini, sepse kur ai sulmonte, armiqtë ikin prej tij si kafshët e dobëta para luanit”. Abas Mahmud Akad, një autor dhe filozof egjiptian, në lidhje me këtë shkruan: "Në racën njerëzore, askush nuk është më i guximshëm se Huseini (as) në ditën e Ashuras".

 

Një tipar tjetër i Imam Huseinit është dashuria për namazin dhe adhurimin ndaj Zotit, që është një nga shenjat dalluese të shërbëtorëve hyjnorë. Imami në natën e Ashuras, kur ishte në rrethim të plotë dhe armiku ishte i gatshëm të sulmonte, dërgoi te ushtria armike vëllain e tij Abasin së bashku me dy shokë të tjerë, për ti kërkuar që ta shtynte luftën për ditën tjetër, dhe të lejonin që atë natë ta kalonin në falje dhe lutje. Huseini, simboli i besimit, i pastërtisë dhe humanizmit, kujtimi i vetëm i Pejgamberit (savs), nga njerëzit që e konsideronin veten Ummet dhe që pretendonin se ndjekin ligjin e Islamit dhe Kur'anit, kërkoi një natë afat për tu falur dhe për t’iu lutur Zotit dhe tha: "Kërko afat këtë natë, Zoti e di se sa e dua namazin, recitimin e Kur’anit, lutjen dhe faljen". Hoseini e kaloi atë natë duke u falur dhe lutur. Por ai lutjen më të bukur dhe më të plotë e bëri në ditën e Ashuras. Në momentet e fundit të jetës së tij, një shigjetë me tre maja u ngul në zemrën e tij. Në ato çaste, Imami i ngriti duart drejt qiellit dhe pëshpëriti: "O Zot i Madh dhe i Lavdishëm,  madhështia dhe fuqia Jote janë pa fund, dhe dënimi Yt i rëndë, Ti nuk ke nevojë për asgjë, unë jam i dashuri i Profetit Tënd dhe biri i të dashurit Tënd. Ky popull na luftoi, na mohoi, nuk na ndihmoi dhe na vrau". Pastaj ai ra në sexhde . Sexhdeja e tij ishte vendosja e fytyrës së tij të bekuar mbi tokë, ndërsa shehadeti dhe selami i tij ishte ndarja e shpirtit nga trupi dhe vendosja e kokës mbi shtizë. Pjesë e këtij namazi sublim ishte recitimi i një pjese të sures el-Kahf që u dëgjua  nga koka e tij fisnike, kur ajo ishte në shtizë.

 

Tags