Shkurt 03, 2016 11:09 CET

Në këtë emision do të shqyrtojmë raportin e fundit të Këshillit për të drejtat e njeriut të OKB, në samitin e 22-të të UPR (Universal Periodic Review-Shqyrtimi periodik universal), në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut nga administrata e SHBA.

Amerika një nga pretendentët më të mëdhenj për respektimin e të drejtave të njeriut në botë dhe që përdor të drejtat e njeriut si mjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të ndryshme, këtë herë po përballet me një sfidë serioze të shkeljes së të drejtave të qytetarëve të saj. Pas ardhjes së Barak Obamës në krye të SHBA, pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës zgjedhore për respektimin e të drejtave të qytetarëve amerikanë, në realitet gjendja e të drejtave të njeriut në Amerikë është bërë më kritike. Zbulimi i fakteve mbi përgjimet telefonike nga ana e NSA, monitorimi i email-eve dhe informacioneve në rrjetet sociale që përbëjnë shkeljen e privatësisë së qytetarëve amerikanë dhe qytetarëve të vendeve tjera, e kanë sjellë Amerikën në një situatë shumë të pafavorshme dhe të turpshme. Po ashtu, mbështetja e vendbanimeve të regjimit sionist, ndërhyrja në luftën kundër civilëve dhe njerëzve të pafajshëm nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, lufta dhe mbështetja e krimeve dhe sulmeve të tilla si ato të Arabisë Saudite në Jemen si dhe torturimet dhe aktet mizore të ushtrisë amerikane në Abu Graib dhe Guantanamo, janë fytyra e vërtetë e kësaj administrate para opinionin publik të botës. Dhuna sistematike dhe trajtimi çnjerëzor i zezakëve nga ana e policisë amerikane si dhe diskriminimi racor në Amerikë, kanë ndikuar që shumë njerëz të protestojnë nëpër rrugët e këtij vendi. Me këtë rast, në disa njësi federale të SHBA qytetarët për shkak të zemërimit të tyre të pamasë, e kanë konsideruar shtetin e tyre si pushtet ushtarak i cili kryen dhunë të paprecedentë.

Trazirat e përhapura këtyre ditëve në SHBA, njëkohësisht me shqyrtimin periodik universal (UPR) nga Këshilli për të drejtat e njeriut i OKB, dëshmon qartë për pozitën e të drejtave të njeriut në SHBA. Shqyrtimi periodik universal është një mekanizëm i OKB i cili shqyrton gjendjen e të drejtave të njeriut në të gjitha vendet e botës. Pra, njëherë në katër vjet shqyrtohet situata e të drejtave të njeriut në të gjitha shtetet anëtare të OKB, ku përfaqësues të çdo shteti diskutojnë ankesat, kritikat dhe rekomandimet lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut. Këshilli i të drejtave të njeriut në samitin e 22-të më 11 maj 2015, shqyrtoi situatën e të drejtave të njeriut në Amerikë dhe e paralajmëroi administratën amerikane në lidhje me detyrimet ndërkombëtare sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Në fund të takimit më 15 maj, Kombet e Bashkuara kanë lëshuar një raport mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Amerikë. Raporti i Këshillit për të drejtat e njeriut përmban 384 propozime me shkrim për përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut në Amerikë.

Këshilli i të drejtave të njeriut i OKB-së në raportin e tij të fundit ka zbuluar mbi 100 shkelje të të drejtave të njeriut në Amerikë dhe është kritikuar ashpër administrata amerikane për këtë gjendje të të drejtave të njeriut. Në këtë raport, OKB ka kërkuar nga Amerika të ndalojë arrestimin e emigrantëve si dhe të shqyrtojë akuzat e torturave që janë dokumentuar në raportin e fundit të Senatit amerikan dhe të kompozojë viktimat. Statistikat e larta të ekzekutimeve janë një nga kritikat tjera të shkeljes së të drejtave të njeriut nga ana e administratës amerikane. Edhe pse numri i ekzekutimeve në Amerikë ka rënë në vitet e fundit, mirëpo prapëseprapë vendi mbetet në mesin e 5 vendeve me numrin më të lartë të ekzekutimeve në botë. Ky raport i jep rekomandime të shumta administratës amerikane dhe kërkon dhënien fund të përdorimit të tepruar të forcës policore dhe represionit në luftën ndaj minoriteteve racore dhe emigrantët. Po ashtu administrata amerikane është kritikuar edhe për kushtet e papërshtatshme nëpër burgje si dhe vazhdimin e dënimit me vdekje.

Vendet anëtare në Këshillin e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar SHBA që të ndërmarrë masa serioze për t’i dhënë fund punësimit të fëmijëve, trafikimit njerëzor si dhe dhunës seksuale ndaj grave autoktone në Alaska. Sipas Human Rightas Watch (HRW), SHBA në raundin e parë të UPR në vitin 2010 kishte marrë 240 rekomandime nga shtetet anëtare të Këshillit të të drejtave të njeriut dhe kishte pranuar rreth 170 rekomandime dhe ishte zotuar për përmbushjen e tyre. Megjithatë qeveria amerikane ka dështuar në përmbushjen e këtyre rekomandimeve. Rreth 1/5 e rekomandimeve që u janë dhënë Amerikës në raundin e parë të UPR, ishin bërë në përputhje me traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Për shembull, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar miratimin e rekomandimeve lidhur me konventat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Grave dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, por asnjë nga këto traktate për të drejtat e njeriut, akoma nuk janë nënshkruar dhe miratuar.

Në samitin e Këshillit të të drejtave të njeriut u shqyrtua edhe trajtimi brutal dhe diskriminimi racor që bëhet nga ana e policisë amerikane, ku një gjë e tillë u konsiderua si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut në Amerikë dhe mori kritika të ashpra nga vendet anëtare të këtij këshilli. James Cadogan, këshilltar i lartë i zv/prokurorit të përgjithshëm të SHBA, ka thënë: “Vdekja tragjike që ndodhi në Baltimore, pastaj vrasja e Majkëll Brown në Misuri, e Erik Barner në Nju Jork, Tamir Rajs në Ohajo dhe Valter Skat në Karolinën jugore, janë raste që për një kohë të gjatë janë debatuar në shoqërinë amerikane në lidhje me respektimin e drejtësisë në Amerikë. Këto ngjarje, vërtetë na detyrojnë që jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra të përmirësohemi dhe të punojmë më shumë në hetimin e këtyre vrasjeve”. Megjithatë avokati Morales beson se administrata amerikane mund të bëjë shumë më tepër se një hetim i thjeshtë. Ai ka thënë: “Dhuna e tepruar nga policia përbënë pjesën më të madhe të kritikave në raportin e UPR dhe ekzistojnë statistika të besueshme që flasin mbi numrin e madh të të vrarëve nga ana e policisë amerikane si dhe për shtimin e dhunës raciste të përdorur në këtë vend”. 

HRW më 12 maj 2015, nxjerrë raportin 127 faqesh të titulluar “Pashpirtësia dhe mizoria: Përdorimi i forcës kundër personave me aftësi të kufizuara mendore në burgjet e SHBA”. Raporti 127 faqesh i HRW flet mbi abuzimet, dhunën dhe rrahjen e të burgosurve nga ana e zyrtarëve të burgjeve në Amerikë dhe një veprim i tillë është kritikuar ashpër nga kjo organizatë. Sipas këtij raporti, shpeshherë cak i dhunës janë të burgosurit me të meta fizike dhe psikike. Në raportin e HRW akuzohen zyrtarët e burgjeve amerikane se rrahin rregullisht të burgosurit me të meta mendore. Rojet dhe stafi i burgjeve në mënyrë të përsëritur përpiqen për t’ua thyer hundët, nofullat dhe brinjët të burgosurve me të meta dhe shpeshherë për shkak të dhunës së tepruar, vjen edhe deri te vdekja e të burgosurve. Jamie Fellner, këshilltar i lartë i HRW, ka thënë: “Situata e të sëmurëve mendorë nëpër burgjet amerikane është shumë e rrezikshme dhe madje edhe vdekjeprurëse”. Edhe pse nuk k të dhëna kombëtare në këtë drejtim, HRW tregon se mbi 5100 të burgosur me të meta mendore në Amerikë i nënshtrohen rregullisht dhunës.

Jamil Davar, drejtor i programit të të drejtave të njeriut të Unionit amerikan për liri civile, ka thënë: “Amerika në shumë sektorë si në sigurinë kombëtare, drejtësinë civile, të drejtat ekonomike dhe sociale dhe politikën e emigracionit, ka të kaluar të errët në krahasim me vendet tjera demokratike”. Sipas Jamil Daver, OKB ka dhënë  një mesazh të fortë për mosrespektimin e të drejtave të njeriut në Amerikë. Raporti në mënyrë eksplicite deklaron se Amerika ka një rrugë të gjatë në angazhimet e saj në fushën e të drejtave të njeriut. Administrata e SHBA deri në shtator 2015 ka mundësi t’i përgjigjet rekomandimeve të bëra nga Këshilli i OKB për të drejtat e njeriut.

 

Tags