Korrik 09, 2017 09:45 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore".

Në këtë edicion do ta prezantojmë poetin dhe gnostikun e njohur iranian Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi, i cili ka jetuar në shekullin e pestë dhe në fillim të shekullit gjashtë hixhri kameri (shek. 11 dhe 12 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane.

Sipas bindjes së Dr. Shafi'i Kadkani, "në historinë e letërsisë persiane kur të thuhet "poezia para Senaji dhe poezia pas Senaji", lexuesi që ka njohuri të mjaftueshme e ndjenë shumë mirë dallimin e thellë në mes këtyre dy periudhave. Asnjë prej majave të poezisë persiane, as edhe Sa'adi Shirazi, Hafiz e as Mevlana nuk kanë krijuar një kthesë të tillë në historinë e poezisë persiane". Kjo thënie e Dr. Muhamed Reza Shafi'i Kadkani tregon pozitën e lartë dhe me ndikim të Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi, poetit, mendimtarit dhe gnostikut të madh iranian të shekullit të pestë dhe fillim shekullit të gjashtë hixhri kameri (shek. 11 dhe 12 të erës së re) në letërsinë persiane. Ai është një prej poetëve të mëdhenj të letërsisë së Iranit dhe themelues  i stilit të poemave gnostike dhe inspirues i Atar Nishaburi dhe i Mevlana.  

Abul-Maxhd Adem Senaji Ghaznavi ka lindur në vitin 464 hixhri kameri në qytetin Ghazne dhe ka vdekur më 11 sha'ban 525 hixhri kameri (8 maj 1131 të erës së re) dhe është varrosur po ashtu në qytetin Ghazne i cili në atë kohë ishte pjesë e territorit të Iranit dhe aktualisht ndodhet në lindje të Afganistanit. Periudhën e fëmijërisë dhe të rinisë, Senajiu e kaloi në qytetin Ghazne. Ai në këtë qytet filloi shkollimin dhe arriti në shkallët më të larta të shkencave të ndryshme duke filluar nga gjuha dhe letërsia arabe e deri te shkencat fetare si jurisprudenca, hadithi dhe komentimi i Kur'anit dhe shkencat e tjera të asaj kohe si mjekësia, astrologjia, filozofia dhe apologjetika. Ai zotëronte në nivel të lartë këto shkenca dhe kjo vërehet nga secila vepër e tij.

Familja e Senajiut ishte prej familjeve me origjinë dhe rrënjë iraniane të qytetit Ghazne dhe babai i tij ishte njeri intelektual. Sipas një burimi i cili mund të dokumentohet edhe nëpërmjet veprave të Senajiut, babai i tij kishte një reputacion të lartë si mësues dhe edukator i fëmijëve të funksionarëve shtetërorë të asaj kohe. Senaji në një familje dhe ambient të tillë siç ishte Ghzne në atë kohë që konsiderohej qendër e rëndësishme e shkencës dhe letërsisë, mësoi shkencat e njohura të asaj kohe në kohën kur akoma ishte shumë i ri. Ai për shkak se kishte njohuri të gjera rreth shkencave të asaj kohe dhe gjithashtu për shkak të gjuhës së mprehtë, qysh në moshë të re arriti të krijojë reputacion shumë të mirë pranë mendimtarëve, letrarëve dhe qarqeve intelektuale të asaj kohe në atë qytet. Senaji një pjesë të jetës së tij e kaloi në udhëtim dhe ka udhëtuar në Belkh, Sarakhs, Herat, Nishabur dhe në qytetet e tjera të Khorasanit të madh të asaj kohe. Gjatë këtyre udhëtimeve ai shfrytëzoi rastin dhe mësoi shkenca dhe njohuri të reja pranë dijetarëve dhe gnostikëve të njohur të asaj kohe si Muhamed bin Mansur Sarakhsi.

Një pjesë e poezisë së Senajiut përbëhet nga poezitë panegjirike të tij të cilat i ka krijuar gjatë kohës kur ai ishte funksionar i oborrit mbretëror të sunduesve të ndryshëm dhe lavdëronte princat dhe funksionarët e lartë shtetërorë. Ai gjatë kësaj periudhe, ashtu si poetët e tjerë oborrtarë, e kaloi jetën në dëfrim. Ai vazhdonte një jetë të tillë derisa në mënyrë të papritur vendosi të shkojë që ta vizitojë "Shtëpinë e Zotit" dha nga Belkhi u nis drejt Mekës. Sipas kritikëve të veprave të tij, vizita e Mekës krijoi mendime të tjera në zemrën e Senaji. Sipas Dr. Zebihullha Safa, studiues i historisë së letërsisë persiane, "ai u lirua nga errësira dhe u pasionua pas bukurisë së të vërtetës (Zotit). Ai hoqi dorë nga bota dhe u bë një poet i panevojë për pasurinë e kësaj bote".

Senaji kur u kthye nga Meka në qytetin Belkh, në personalitetin e tij u paraqitën shenjat e ndryshimit dhe të një revolucioni mendor dhe u mërzit nga poezia panegjirike dhe nga jeta në oborrin mbretëror, prandaj u kthye në devotshmëri dhe pikërisht kjo çështje ka lënë gjurmë të mëdha në veprat e tij. Shumë prej poezive fetare dhe asketike të tij të cilat konsiderohen privilegj dhe karakteristikë dalluese e poezisë së Senaji në krahasim me poetët e tjerë klasikë, janë krijuar gjatë kësaj kohe dhe në qytetin Belkh.

Senaji pas udhëtimeve të shumta dhe pas revolucionit shpirtëror, pas një kohe u kthye në qytetin Ghazne dhe filloi një jetë asketike dhe filloi të mbledhë poezitë e tij gnostike dhe etike. Nga Senaji përveç Divanit të odave, lirikave dhe rubairave të tij i cili përmban rreth 14000 vargje poezi, kanë mbetur edhe disa vepra të tjera në poezi.

Profesor Ahmed Atesh, studiues turk, rreth veprave të Senaji thotë: "Senaji ka mbledhur Divanin e poezive të tij dhe ndoshta më vonë me kërkesë të Ahmed bin Mas'ud Tishe, ndoshta ka bërë disa ndryshime në atë. Ai gjithashtu ka bërë një përmbledhje të përgjithshme të veprave të tij që ndoshta në këtë përmbledhje e ka futur edhe veprën "Hadika". Mirëpo para se vepra "Hadika" ose përmbledhja e veprave të tij të marrë formën përfundimtare, Senaji ka ndërruar jetë, prandaj nxënësit e tij poet aq sa kanë mundur të mbledhin nga veprat e tij, i kanë plotësuar më vonë këto dy projekte. Dallimet e mëdha në përmbajtje dhe në renditje të veprave të mëdha të Senaji ndoshta mund të shpjegohen në këtë mënyrë. Aktualisht ekziston një manuskript e vjetër dhe e çmuar e përmbledhjes së veprave të Senaji që sipas shenjave dhe karakteristikave të saj, mendohet se ajo është shkruar në kohërat e vjetra".

Veprat "Hadikatul-Hakika", "Sejrul-ibad ila al-mead", "Karnameje Belkh" dhe "Mekatibe Senaji", konsiderohen veprat kryesore të tij. Divani i poezive të Senaji përmban oda, pjesë poetike, terkibbande dhe tarxhihbandet, lirikat, rubairat dhe kalenderijat. Në manuskripten e vjetër të përmbledhjes së veprave të tij, përmbajtja është kategorizuar në bazë të tematikës. Sipas biografëve, Divani i Senaji ka patur 30000 vargje, ndërsa aktualisht në botimin e edituar nga Modarres Razavi i cili ka shfrytëzuar manuskriptet më të rëndësishme të Divanit të Senajiut, kjo vepër përmban 13780 vargje. Megjithëkëtë, në këtë botim dhe në botimin e Dr. Mezaheri Mosafa, profesor i Universitetit të Teheranit, ekziston një numër më i madh i vargjeve se sa ai që është përmendur nga vetë Senaji në parathënien e përmbledhjes së veprave të Senaji. Për shembull, në përmbledhjen e veprave të Senaji thuhet se gjithsej ekzistojnë 137 oda, 206 lirika dhe 443 rubaira. Mirëpo në kopjen e botuar vërehen mbi 300 oda, 408 lirika dhe 537 rubaira. Në manuskriptet në dorëshkrim të Divanit të Senajiut që ndodhen në Indi dhe në Londër, vërejmë edhe disa poezi të cilat nuk ekzistojnë në kopjen e botuar e cila edhe vetë ka poezi më shumë.  

Vepra "Karnameje Belkh" është një poemë e vogël e cila quhet edhe vetëm "Karname" dhe përmban 497 vargje. Studiuesit e veprave të Senajit këtë poemë e kanë vlerësuar si përshkrim i gjendjes së Senajiut, prandaj nga ky aspekt kjo vepër ka rëndësi të veçantë. Profesor Modarres Razavi e ka bërë editimin dhe botimin e kësaj vepre. "Karname" nga aspekti gjuhësor, do të thotë libër i punës dhe me këtë emër emërtohen librat të cilët tregojnë punë të rëndësishme dhe të mëdha që mund t'i kryejë një person. Për shembull "Karnameje Ardeshir Papekan". Kjo vepër e Senajiut është emërtuar me këtë emër për këtë arsye se në këtë vepër është diskutuar në mënyrë satirike rreth veprave të disa personaliteteve të mëdha, prandaj për këtë arsye kjo vepër quhet edhe "Mutajjbe Name". Për tu informuar rreth jetës personale dhe familjare të Senajiut, poema "Karnameje Belkh" mund të konsiderohet burimi më i mirë për studiuesit e jetës dhe veprave të Senajiut, për arsye se Senajji në këtë vepër në rreth 500 vargjeve, ka përshkruar shkurtimisht pjesë nga jeta e tij personale dhe familjare, ka folur rreth babait të vetë dhe rreth disa personaliteteve bashkëkohorë të tij.

Vepra "Hadikatul-Hakika va Tarikatu al-Shariatu" e Senajiut e cila njihet edhe me titullin "Ilahiname", është një poemë të cilën Senaji e ka filluar me lavdërimin e Zotit dhe me përshkrimin e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe këtë vepër e ka ndarë në disa kapituj si arsyeja, shkenca, dashuria dhe urtësia. Ai në këtë vepër për të shprehur bindjet dhe mendimet e tij, ka përdorur shumë tregime të bukura dhe tërheqëse. Deri më tani janë shkruar shumë shpjegime në lidhje me këtë vepër dhe nga kjo vepër janë ndikuar edhe poetë të mëdhenj si Nizami dhe Khakani në krijimin e poezive të tyre. Vepra "Hadikatul-Hakika va Tarikatu al-Shariatu" në letërsinë persiane është poema e parë gnostike dhe poeti i njohur iranian Mevlana e pëlqente në masë të madhe këtë vepër dhe shumë tematika të saj ka ritreguar në Mesnevinë e tij. Botimi me kredibilitet më të madh i kësaj vepre është ai i Profesor Modarres Razavi.

Vepra "Sejrul-ibad ila el-mead" është një vepër tjetër e Senajiut e cila është një poezi simbolike dhe gnostike. Në këtë poezi përshkruhet një lloj udhëtimi në botën metafizike me një gjuhë të qëndrueshme dhe të bukur. Sipas shumë studiuesve dhe kritikëve të veprave të Senajiut, kjo vepër konsiderohet një prej veprave më të njohura poetike gnostike të gjuhës dhe letërsisë persiane.

Vperat "Akl Name", "Eshk Name", "Tarikul-Tahkik" she shumë vepra të tjera poetike pretendohen se janë të Senajiut, mirëpo kritikët dhe stilistikët kanë dyshime rreth kësaj çështje.

Temën do ta vazhdojmë në edicionin tjetër.

Tags