Tregimet dhe legjendat iraniane
Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.
Nëse e kujtoni në shqyrtimin e llojeve të letërsisë popullore, arritëm në fabula dhe duke shpjeguar karakteristikat e këtyre tregimeve, kemi shqyrtuar edhe disa prej temave më të zakonshme të këtij lloji të tregimeve si zgjuarsia, largpamësia, intriga dhe dëmi nga besimi te armiku ndërsa për shembuj të ndryshëm kemi transmetuar edhe tregime përkatëse. Temat e trajtuara në tregimet fabula janë të shumta dhe në këtë program nuk ka mundësi të shpjegohen të gjitha atë. Tema e fundit për të cilën do të flasim në kuadër të tregimeve fabula, është dëmi nga përgojimi, shpifja dhe futja e përçarjeve. Këtë temë do ta trajtojmë duke transmetuar tregimin “Luani dhe Lopa” nga vepra “Kelile va Dimne”. Në fillim po dëgjojmë përmbledhjen e shkurtë të tregimit.
Thuhet se një tregtar një herë ishte nisur në udhëtim së bashku me dy lopë. Gjatë rrugës të dy lopët ranë në një gropë prej balte dhe një prej tyre ngordhi ndërsa tjetra u lëndua shumë rëndë. Tregtari e la edhe atë ashtu të plagosur dhe vazhdoi rrugën. Lopa me shumë përpjekje, arriti të dalë nga ajo gropë me baltë dhe të shpëtojë, pastaj shkoi pranë në një fushë të gjelbëruar dhe të bukur pranë një pylli. Lopa pas disa ditëve arriti të shërohej dhe ta kthejë shëndetin e vetë përsëri dhe u majmë me ushqim të natyrës dhe nga gëzimi e hareja filloi të pëllas duke kënduar me zë të lartë.
Ajo fushë ishte territor i një luani i cili ishte sulltan i kafshëve të tjera aty. Luani i cili deri atëherë nuk kishte dëgjuar kurrë zërin e lopës, u tmerrua nga ai zë. Mirëpo nuk tha asgjë. Në oborrin mbretëror të luanit jetonin edhe dy çakaj që njëri quhej Kelile dhe tjetri Dimne. Dimne kishte shumë lakmi dhe ambicie, prandaj gjithnjë kishte dëshirë të afrohej pranë luanit dhe të konsiderohej një prej këshilltarëve të tij. Ai e kuptoi frikën e luanit nga zëri që bubulloi. Shkoi prej nga erdhi zëri dhe e takoi lopën dhe krijoi miqësi me atë.
Pastaj shkoi pranë luanit dhe e shfrytëzoi frikën dhe tmerrin e tij, për tu afruar më afër luanit. Dimne e pyeti luanin se për çfarë ishte frikësuar dhe kur luani i tregoi problemin atij, Dimne i tha atij se ky është zëri i një lope e cila ditë më parë ka ardhur në këtë fushë dhe pastaj e solli lopën pranë Luanit. Luani e pëlqeu lopën dhe e afroi atë pranë vete dhe gradualisht në të gjitha çështjet kërkonte këshilla nga lopa.
Dimne që ishte edhe ziliqar, u zemërua nga kjo lidhje e luanit me lopën dhe mendonte se lopa i ka zërë vendin atij. Për këtë arsye ai vendosi ta mbysë lopën dhe me përgojim, shpifje dhe intriga, e nxiti luanin kundër lopës. Ai i dërgonte luanit fjalë të këqija dhe gënjeshtra nga lopa dhe të njëjtën gjë e bënte pranë lopës. Ky veprim i Dimnes u bë shkak që luani gradualisht të krijojë urrejtje në zemrën e tij kundër lopës dhe në një veprim të ngutshëm ai e mbyti lopën. Gjatë gjithë këtyre ngjarjeve Kelile, miku i sinqertë i Dimnes, vazhdimisht e kundërshtonte atë, mirëpo ai nuk dëgjonte.
Luani u pendua dhe u zemërua nga mbytja e lopës dhe Dimne mundohej që ta nxjerrë nga kjo gjendje luanin. Gjatë këtij procesi, Kelile që ishte zemëruar me veprimet e Dimnes, e qortonte atë dhe i tërhiqte vërejtjen atij për pasojat e rënda të përgojimit, shpifjes dhe intrigave. Më në fund, një natë një leopard dëgjoi bisedat e Kelile dhe Dimnes dhe i tregoi ato nënës së luanit. Nëna e luanit e cila u zemërua shumë për këtë padrejtësi që është bërë ndaj lopës, shkoi e takoi luanin dhe i tregoi atij të gjithë ngjarjen dhe e nxiti luanin që të marrë hakun e lopës. U mbajt një kuvend dhe më në fund me gjithë dëshmitë dhe argumentet që ekzistonin, Dimne u gjykua dhe luani lëshoi urdhrin për mbytjen e Dimnes.
Personazhet kryesore të këtij tregimi janë: Dimne që konsiderohet heroi kryesor dhe është ambicioz dhe përçarës. Kelile është miku dhe shoku më i ngushtë i Dimnes i cili është largpamës. Lopa e cila në këtë tregim është kundër hero dhe shumë mendjelehtë. Luani i cili është i fuqishëm dhe sulltani i pyllit. Leopardi që është dëshmitar i ngjarjes dhe në fund nëna e luanit e cila është shumë e mençur dhe e matur.
Tregimi "Luani dhe Lopa" përbën kapitullin e parë të librit "Kelile va Dimne" dhe konsiderohet tregimi kryesor i kësaj vepre. Për këtë arsye edhe titulli i veprës është marrë nga ky tregim, prandaj titulli i kësaj vepre "Kelile va Dimne" që është ruajtur në të gjitha përkthimet e kësaj vepre, është marrë nga emrat e dy personazheve kryesore në tregimin "Luani dhe Lopa". Tema kryesore e tregimit është shpifja dhe përgojimi që bëhet shkak për ndarjen e miqve nëpërmjet individëve dashakeqës. Mirëpo kjo nuk është e vetmja temë e tregimit "Luani dhe Lopa". Zilia, kryengritja kundër sistemit ekzistues, guximi dhe trimëria, intriga dhe mashtrimi dhe padrejtësia që bëhet ndaj njerëzve mendjelehtë dhe të dobët; janë prej temave të rëndësishme të këtij tregimi relativisht të gjatë me titullin "Kelile va Dimne". Gjatë tregimit "Luani dhe Lopa" janë paraqitur edhe 18 tregime sekondare që transmetohen nga gjuha e heronjve. Në këtë tregim, nëpërmjet gjuhës së personazheve të tregimit trajtohen edhe çështje të ndryshme morale dhe shoqërore duke zbuluar kështu shumë sekrete rreth gjendjes së mbretërve dhe kushteve të funksionarëve të oborrit mbretëror. Për këtë arsye, duke analizuar sociologjinë e këtij tregimi dhe të tregimeve të ngjashme me këtë, mund të kuptohen shumë çështje shoqërore dhe politike të ndryshme.
Ne, tani më tepër do të trajtojmë fjalët dhe sjelljen e cila është përfaqësues i personazhit dhe moralit dhe sjelljes së heronjve dhe pikëpamjeve të tyre ndaj çështjeve të ndryshme. Tregimi ka një ngjarje e cila zhvillohet në botën njerëzore. Një tregtar inkurajon djemtë e tij që të punojnë dhe të fitojnë. Njëri prej tyre për të zhvilluar tregti, niset drejt rajoneve të ndryshme të botës. Ai ka lopë të cilat i lidh për karroce dhe niset në rrugë. Karroca sharron në një baltë dhe një prej lopëve ngordhë dhe tjetra me shumë vështirësi arrin të dalë nga balta. Ajo pastaj shkon në një fushë në afërsi të territorit të një luani. Nga këtu tregimi hyn në botën kafshëve dhe në realitet nga këtu fillon tregimi kryesor. Që nga fillimi i tregimit, heronjtë kryesorë janë prezantuar dhe përshkruar njëri pas tjetrit. Luani është i ri, me mburrje dhe autoritar. Dimne është lakmitar dhe me ambicie të mëdha ndërsa Kelile është i zgjuar, konservator dhe largpamës. Dimne është heroi i kryesor i tregimit dhe analizon me kujdes fillimin dhe mbarimin e të gjitha veprimeve dhe në realitet janë motivet dhe vendimet e tij që e çojnë para tregimin. Në përgjithësi në këtë tregim ekzistojnë disa veprime me motive të veçanta. Veprimi i parë bëhet nga Dimne i cili afrohet pranë luanit dhe dëshiron të informohet për arsyen e shqetësimit dhe brengosjes së tij. Frika dhe stresi i luanit atë e gëzon, sepse ai duke shfrytëzuar këtë pikë të dobët, mund të gjejë një pozitë të mirë pranë luanit. Kelile e ndalon atë që të hulumtojë gjendjen dhe veprimin e luanit sepse ai konsideron se një veprim i tillë nuk është meritë e shtresës së çakajve. Mirëpo Dimne që priste një rast të tillë dhe në atë ekziston një motiv shumë i fortë për të arritur në një pozitë të lartë, nuk pranon që të heqë dorë nga vendimi që ka marrë. Në fund pas shumë polemikave dhe diskutimeve të gjata që zhvillohen mes këtyre dy personazheve, Dimne e fillon punën e tij. Arritja e çdo qëllimi, ka nevojë për përgatitjen e disa kushteve. Së pari është një veprim me një motiv ambicioz, do të thotë shkuarje e Dimnes pranë luanit. Ai shkon pranë luanit dhe deklaron dashurinë dhe gatishmërinë e vet për shërbim. Dimne paraqet një pjesë të zgjuarsisë dhe mençurisë së vetë pranë luanit dhe me shumë modesti, përulje dhe nderime, tërheq vëmendjen e luanit për vete. Gradualisht luani fillon të shoqërohet me sinqeritet më të madh me Dimnen. Luani më në fund i tregon arsyen se pse është i brengosur dhe i stresuar, ndërsa Dimne e qetëson luanin. Lëvizja e dytë e Dimnes për të arritur deri te qëllimi i tij, fillon me shkuarjen e Dimnes për ta sjellur lopën pranë luanit. Lopa, me mashtrime dhe mendime të mira, sillet pranë luanit. Luanit i pëlqen lopa dhe bëhet mik me atë. Nga këtu zgjohet ndjenja e zilisë te Dimna dhe zilia i verbëron Dimnes sytë e mendjes dhe të maturisë. Nga këtu e më pas, zili është shtytës i Dimnes. Ai veprimin e tij e kishte filluar me qëllim që të afrohet pranë Sulltanit, mirëpo tani konsideronte se ka humbur çdo gjë. Pendimi dhe zilia zë vendin e çfarëdo lloj maturie të drejtë. Në këtë mes as këshillat e mikut të tij të sinqertë Kelile, nuk kanë efekt. Zili jo vetëm që i kishte verbëruar sytë atij, por i kishte mbyllur edhe veshët e tij. Lëvizja e tretë e Dimnes, do të thotë përgojimi, shpifja dhe krijimi i përçarjeve, fillon me qëllim të zhdukjes së lopës. Kjo është pjesa e rëndësishme e tregimit dhe tema kryesore e tregimit që i gjithë tregimi sillet rreth boshtit të kësaj ngjarje, për të cilin do të flasim në edicionin e ardhshëm.