Shtator 28, 2017 11:21 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Personalitetet e shquara iraniane, krenari botërore". Në këtë edicion do të prezantojmë poetin e njohur iranian Anvari Abjurdi i cili ka jetuar në shekullin e gjashtë hixhri kameri (shek. 12 të erës së re) në territorin e gjerë të kulturës dhe letërsisë iraniane.

Avhadudin Muhamed bin Ali Anvari është një prej poetëve të njohur iranian të gjysmës së dytë të shekullit të gjashtë hixhri kameri (shek. 12 i erës së re). Nuk dihet viti i lindjes së tij me saktësi, mirëpo dihet se ai ka jetuar gjatë periudhës së sundimit të dinastisë Selxhuke në kohen e sundimit të Sulltan Sanxharit. Ai ka lindur në qytetin Abjurd, një qytet i vogël mes qyteteve Nesa'e dhe Sarakhs në rajonin e Khorasanit, në një familje dashamirëse e letërsisë, poezisë dhe kulturës. Anvari rininë e tij e kaloi duke mësuar shkencat e kohës së tij dhe përveç letërsisë, ai kishte zotërim edhe në shkencat e tjera si filozofi, matematikë, muzikë dhe astrologji, prandaj mori edhe epitetin "Hakim". Babai i tij ishte një prej funksionarëve shtetëror të asaj kohe, prandaj ai krijoi mundësitë dhe kushtet e mira për shkollimin e të birit të tij. Ai në shkollën Mansurije të Tusit e cila ishte një prej shkollave të zhvilluara në atë kohë, mësoi shkencat racionale (filozofike) dhe transmetuese, gjë që edhe vetë në një poezi të tij pohon se ai zotëron në nivel të lartë shkencat e ndryshme.

Anvari konsiderohet një prej dijetarëve dhe mendimtarëve të dalluar të kohës së tij dhe poezitë e tij  përmbajnë shkencat dhe njohurit e fushave të ndryshme të asaj periudhe. Sugjerimet, aludimet, ilustrimet dhe temat e krijimeve të tij, të gjitha tregojnë mjeshtërinë dhe zotërimin e nivelit të lartë të Anvarijut në shkencat si logjika, muzika, astronomia, matematika, shkenca natyrore, astrologji dhe filozofi. Burimet dhe librat e tjera të ndryshme, vërtetojnë këtë pretendim të poetit në shkencë dhe filozofi. Aufi në librin e tij "Lebabul-Albaba" ka lavdëruare pozitën e tij shkencore. Anvari kishte një besim të madh në Ibn Sina dhe disa kanë thënë se ai ka shkruar me shkrimin e tij disa prej veprave të Ibn Sinait. Ai gjithashtu ka shkruar edhe një vepër në shpjegimin e veprës "Isharat" të Ibn Sinait me titull "Al-Besharat fi Sharhi Al-Isharat".

Anvari në këtë periudhë të mësimit të shkencave, fitoi një talent të mirë edhe në letërsi dhe poezi dhe qysh në moshën e rinisë arriti të hyjë në oborrin mbretëror të Seulltan Sanxharit dhe sipas mendimit të shumë studiuesve dhe kritikëve të veprave të tij, ai pjesën më të madhe të jetesa së vet e ka kaluar në shërbim të Sulltan Sanxharit ku ka krijuar shumë poezi panegjirike për atë. Pas një periudhe që sipas vetë poetit, kishte zgjatur 30 vite, Anvari u tërhoq nga oborri mbretëror dhe vendosi të merret me asketizëm që sipas disa studiuesve, ai qëndroi në Balkh derisa vdiq në fund të shekullit të gjashtë hixhri kameri (shek. 12 të erës së re). Ai vdiq në qytetin Balkh dhe u varros pranë varrit të Sulltan Ahmed Khadravije.

Në lidhje me këtë se cilës shkollë fetare i përkiste Anvari, ekzistojnë mosmarrëveshje. Disa biografë atë e kanë konsideruar ndjekës të shkollës shii, mirëpo duke marrë parasysh poezitë dhe ambientin në të cilin ka jetuar, mund të thuhet se ai kishte prirje si ndjekës i shkollës sunite. Ai në poezitë e tij, ka lavdëruar katër khalifët e parë të Shtetit Islam, ndërsa kishte një dashuri të veçantë për Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe për Hazretin Ali (a.s.).

Sipas biografëve, Anvari pasi vërejti madhështinë dhe luksin e një poeti i cili kalonte pranë shkollë në të cilën jepte mësim, vendosi që të krijojë një poezi në formë ode dhe të futet në oborrin mbretëror të Sulltan Sanxharit. Me krijimin e kësaj ode, Anvari përgjatë 30 viteve punoi në shërbim të Sulltan Sanxharit dhe ishte shoqërues i tij në udhëtim dhe qëndrim.

Ngjarja e "afrimit të yjeve" është konsideruar si ngjarja më e rëndësishme në jetën e Anvarit. Thuhet se ai për shumë vite kishte punuar si astrolog në oborrin mbretëror. Ai më datë 29 xhemadul-akhar të vitit 582 hixhri kameri, parashikoi afrimin e yjeve në muajin e Peshores. Anvari mendonte se në atë ditë do të ndodhë një revolucion i madh në botë. Mirëpo nuk ndodhi asgjë. Kjo çështje u bë shkak për zhgënjimin dhe dështimin e Anvarit, ndërsa poetët filluan ta qortojnë dhe të tallen me atë. Anvari në përgjigje ndaj protestës së Sulltan Sanxhar, ka përmendur paraqitjen graduale të gjurmëve të këtij afrimi të yjeve. Dijetarët më vonë duke analizuar dhe studiuar këtë parashikim të Anvarit, arritën në këtë përfundim se ajo çfarë ka parë Anvari në afrimin e yjeve, nuk ishte e padrejtë, sepse atë ditë përkojnë me lindjen e Çangizkhanit të Mongolisë dhe me këtë lindje në realitet bota është përmbysur. Sipas mendimit të këtyre dijetarëve, parashikimi i Anvarit përputhet me shkatërrimin e Khorasanit si pasojë e sulmit të Çangizkhanit.

Anvari është një prej poetëve më të mëdhenj dhe një prej atyre që gjatë periudhës së jetës së tij, u vërtetua dhe afirmua mjeshtëria dhe arti i tij në poezi dhe letërsi. Shumë poetë pasardhës e kanë vlerësuar dhe lavdëruar atë si mjeshtër i një shkalle të lartë dhe disa prej tyre shkuan edhe më larg duke cilësuar atë si një prej tre "profetëve" të poezisë persiane. Për të shqyrtuar këtë çështje dhe arsyet e saj, duhet hedhur një vështrim të paktën të shkurt mbi periudhën kohore dhe rrethanat e saj në të cilën ka jetuar ai.

Periudha e jetës së poetit Anvari duhet të konsiderohet kulmi i krijimit të odave. Siç duket ata të cilët kanë lavdëruar pozitën e lartë të poetit Anvari, theksimi i tyre ishte kryesisht në odat e tij. Në periudhën në të cilën ka jetuar poeti Anvari, oda ishte zhanri më i përhapur dhe më i zhvilluar i poezisë, për arsye se ky profesion siguronte edhe burimet financiare për poetët, por edhe bëhej shkak që poetët dhe intelektualët të njiheshin më lehtë pranë Sulltanit dhe në oborrin mbretëror të mbretërve.

Duke hedhur një vështrim mbi odat të cilat janë krijuar gjatë asaj kohe, shumë lehtë mund të kuptohen karakteristikat e tyre. Sipas Dr. Abdulhusejn Zarinkub, studiuesit të dalluar bashkëkohor iranian, "në këto oda të panagjerikëve, funksionari shtetëror ose sulltani lavdërohej jashtë mase dhe atij i dedikoheshin të gjitha virtytet pozitive dhe superiore si bujaria, burrëria, bamirësia, guximi, fuqia dhe fitorja duke u shoqëruar me plotë gënjeshtra dhe kryesisht poetët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, kërkonin dhurata nga personi që lavdëronin".

Anvari ishte poet i kësaj periudhe, do të thotë i periudhës së lulëzimit të odës ose poezive panegjirike. Ai kishte shpenzuar të gjithë pasurinë e trashëguar nga babai për të jetuar një jetë të lumtur dhe më pas për të siguruar të ardhura sistematike materiale, e shfrytëzoi talentin dhe shijen e tij duke u përkushtuar në poezi dhe nuk zgjati shumë kohë derisa ai u bë një prej krijuesve të njohur të odave dhe poezive panegjirike.  

Mirëpo me siguri se ky lloj i poezive të tij në epokën bashkëkohore mund të jetë i pëlqyer vetëm për një kategori të studiuesve të cilët zotërojnë në nivel të duhur shkencat, artet dhe rrethanat e veçanta historike të asaj kohe, ndërsa në mesin e popullit të zakonshëm nuk kanë ndonjë pozitë të vlefshme. Nga poeti Anvari, përveç odave panegjirike, kanë mbetur edhe poezi të tjera të krijuara në formën e rubairave, lirikave dhe pjesëve poetike.

Nga pikëpamja e studiuesve të letërsisë, Anvari në shumë sfera të poezisë së tij kishte novacione të reja nga aspekti arteve të oratorisë dhe nëse ai krahasohet me poetët e tjerë bashkëkohanikë, atëherë ai mund të konsiderohet një poet novator.

Prej karakteristikave të tjera të gjuhës poetike të Anvarit, mund të përmendet forca e përshkrimit, e shprehjes së tregimeve të ndryshme dhe dialogut, karakteristikë e cila më pak vërehet tek poetët e tjerë bashkëkohanikë të tij .

Një kopshtar i merrte aromë lule vjollcës

Oj me shpinë të thyer e  me rroba vjollce

Në çfarë gjendje të ka sjellur ty jeta

Akoma nuk je mplakur, por je thyer shpejtë

Ajo tha: pleqtë i thyen koha

Në rini duhet të thyesh

Dr. Shafi'i Kadkani në lidhje me gjuhën poetike të Anvarit, thotë: "Gjuha e poezisë së Anvarit, është gjuha më e thjeshtë dhe më pastër nga të gjitha gjuhët e poezisë së kohës së tij. I vetmi poet që mund të krahasohet me atë në këtë aspekt, është Sa'di Shirazi i cili ka jetuar një shekull më vonë, përndryshe në mesin e bashkëkohanikëve të tij dhe poetëve para tij, askush nuk ka krijuar poezi deri në këtë nivel natyror dhe të thjeshtë.  Anvari kishte njohuri shumë të gjera të gjuhës dhe e njihte shumë mirë edhe gjuhën e popullit edhe gjuhën e shtresave të arsimuara, edhe gjuhën e vjetër edhe gjuhën e cila përdorej në kohën e tij".

Divani i poezive të Anvarit sipas mendimit të studiuesve të veprave letrare, konsiderohet një prej burimeve më të rëndësishme për shqyrtimin e gjuhës së poezisë së shekullit të gjashtë hixhri kameri, si dhe konsiderohet standardi më i mirë për të shqyrtuar vlerat dhe shtresat shoqërore dhe zhvillimin e tyre deri në fund të shekullit të gjashtë hixhri kameri.

Tags