Korrik 26, 2020 15:53 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 7-8 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetin 7 të sures Zumer:

«إِن تَکْفُرُوا فَإِنَّ اللَّـهَ غَنِیٌّ عَنکُمْ وَلَا یَرْضَى لِعِبَادِهِ الْکُفْرَ وَإِن تَشْکُرُوا یَرْضَهُ لَکُمْ  وَلَا تَزِرُ وَازِرَةٌ وِزْرَ أُخْرَى ثُمَّ إِلَى رَبِّکُم مَّرْجِعُکُمْ فَیُنَبِّئُکُم بِمَا کُنتُمْ تَعْمَلُونَ إِنَّهُ عَلِیمٌ بِذَاتِ الصُّدُورِ»

7. Nëse ju nuk besoni, All-llahu nuk është nevojtarë për ju; megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju. Ndërkaq, nuk do ta bartë asnjë mëkatarë barrën e tjetrit. Pastaj, e ardhmja juaj është vetëm te Zoti juaj, e AI do t’ju njoftojë me atë që keni vepruar. Vërtet, Ai e di shumë mirë se çka mbajnë zemrat. 

Në emisionin e kaluar folëm për mirësitë e dhuruara nga Zoti si krijimi i njeriut dhe i kafshëve. Ky ajet flet për falënderimin dhe thotë: Disa njerëz i shohin mirësitë e Zotit dhe në çdo moment janë falënderues ndaj Tij. mirëpo disa të tjerë ose neglizhojnë ndaj mirësive dhe vetëm sa i përdorin ato, ose përkushtohen tek mirësitë por ato nuk i konsiderojnë të dhuruara nga Zoti. Ata kujtojnë se mirësitë që ata posedojnë, janë rezultat i përpjekjeve të tyre dhe për këtë nuk e konsiderojnë të nevojshëm falënderimin. Është e qartë që Zoti nuk ka nevojë për falënderimin e njerëzve. Për Zotin nuk përbën ndryshim nëse të gjithë njerëzit e botës bëjnë mëkate dhe nuk e falënderojnë Atë, sepse Zoti nuk ka nevojë për ekzistencën tonë qoftë edhe për falënderimin tonë. Është e vërtetë që Zoti u ka dhënë krijesave të tij detyrën e falënderimit dhe kjo jo sepse ai ka nevojë për falënderimet e njeriut por për shkak se shpirti i falënderimit bëhet shkak për ngritjen e moralit dhe spiritualitetit të njeriut. Kurani lidhur me urdhrin e Zotit për të qene falënderues thotë: Falënderoni nënën dhe babain për mundimet e tyre. Ajeti vazhdon duke përmendur një parim të përgjithshëm në sjelljen e njerëzve dhe thotë: Çdokush duhet të jetë përgjegjës për veprimet e veta dhe për ato që ka bërë. Askush nuk ka të drejtë që përgjegjësinë e veprimit të vet t’ua ngjisë të tjerëve dhe të largohet prej përgjegjësisë. Në ditën e kiametit, Zoti mëkatin e një njeriu nuk ia ngjesh një një tjetri pasi me dijen e tij të pafundme gjykon çdo sjellje të njeriut.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Urdhrat fetare, si namazi dhe agjërimi në asnjë mënyrë nuk tregojnë se Zoti ka nevojë për lutjet tona. Por ashtu si mësuesi u jep mësime nxënësve që ata të mësojnë, urdhrat e Zotit janë si mësime për ngritjen e nivelit ton spiritual.
  2. Zoti me krijesat e tij vepron në formë të drejtë dhe çdokush merr shpërblim dhe ndëshkim sipas veprimeve të veta. Për këtë arsye varësia fisnore, racore apo familjare nuk vlen aspak në ditën e kiametit.
  3. Zoti i njeh shumë mirë ambiciet dhe qëllimet tona dhe veprimet tona i llogarit në bazë të tyre.

Tani le të dëgjojmë ajetin 8 të sures Zumer:

«وَإِذَا مَسَّ الْإِنسَانَ ضُرٌّ دَعَا رَبَّهُ مُنِیبًا إِلَیْهِ ثُمَّ إِذَا خَوَّلَهُ نِعْمَةً مِّنْهُ نَسِیَ مَا کَانَ یَدْعُو إِلَیْهِ مِن قَبْلُ وَجَعَلَ لِلَّـهِ أَندَادًا لِّیُضِلَّ عَن سَبِیلِهِ  قُلْ تَمَتَّعْ بِکُفْرِکَ قَلِیلًا  إِنَّکَ مِنْ أَصْحَابِ النَّارِ»

8. E kur e godit njeriun ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e Tij i je ndonjë të mira (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë është lutur Atij, dhe i përshkruan shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë më mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”

Në vazhdim të ajetit të mëparshëm, ku është folur për falënderimet dhe mos falënderimet e njeriut, ky ajet përmend një shembull konkret dhe thotë: Disa njerëz në kohën kur në jetë përballen me vështirësi, si sëmundjet fizike apo problemet ekonomike, i bëjnë thirrje dhe i drejtohen Zotit. Ata prej Zotit kërkojnë që të zgjidhë problemin e tyre dhe nëse ky problem është shkaktuar për shkak të mëkatit apo neglizhencës së tyre, Zoti ata t’i falë. Mirëpo pikërisht po këta njerëz, atëherë kurë u zgjidhet problemi ose atyre Zoti u jep mirësi të reja, harrojnë zgjidhjen e problemit që kishin dhe angazhohen në çështjet e kësaj bote. Në disa raste ata përfshihen dhe zhyten aq thellë në këtë botë saqë e harrojnë Zotin dhe kujtojnë se janë të tjerët ata që ndikojnë dhe përcaktojnë fatin e jetës së tyre. Për këtë ata në vend që t’i drejtohen Zotit, u drejtohen njerëzve të tjerë dhe bëhen shkak për devijimin e të tjerëve.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Në besimet e shkurtra që krijohen në momente nevoje, njeriu vetëm në një moment të caktuar kujton Zotin mirëpo përgjatë jetës së tij ai e harron Zotin. Një besim i këtillë nuk është efikas dhe me ndikim.
  2. Edhe pse problemet në jetë, për njeriun janë të vështira mirëpo ato janë edhe të dobishme. Një prej dobive të problemeve është zgjimi i njeriut nga neglizhenca dhe ajo që e bën njeriun të rikujtoi se kush është burimi.
  3. Njerëzit me potencial të ulët, arrijnë mirëqenien dhe qetësinë në kohën kur rikujtojnë problemet e mëparshme dhe rolin e Zotit në zgjidhjen e tyre.
  4. Çdo mirësi në këtë botë nuk është shenjë e lumturisë reale. Mëkatarët dhe të devijuarit mund të përdorin mirësi të shumta në këtë botë, mirëpo në ahiret këto mirësi për ata janë shumë të pakta dhe të pa llogaritura.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

Tags