Korrik 27, 2020 09:37 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 26-28 të sures Gafir.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Tani le të dëgjojmë ajetin 26 të sures Gafir:

«وَقَالَ فِرْعَوْنُ ذَرُونِی أَقْتُلْ مُوسَى وَلْیَدْعُ رَبَّهُ  إِنِّی أَخَافُ أَن یُبَدِّلَ دِینَکُمْ أَوْ أَن یُظْهِرَ فِی الْأَرْضِ الْفَسَادَ»

26. Faraoni tha: “Më lini mua ta mbys Musain, e ia le të thërrasë Zotin e vet, pse unë kam frikë se po ua ndryshon fenë tuaj, ose po nxit trazira në vend!” 

Në emisionin e kaluar folëm për ftesën që Musai i bëri Faraonit që të pranojë dhe t’i falet Zotit Një dhe të heqë dorë nga shtypja dhe torturimi i etnisë bin Israil. Ky ajet thotë: Përballë kësaj ftesë, e cila u shoqërua me udhëzim dhe mrekulli, Faraoni i cili ishte i zhytur në llumin e fuqisë dhe pasurisë, oborrtarëve dhe atyre që e rrethonin u tha: Nëse Musain e lemë të veprojë i lirë ai do ta ngre popullin në kryengritje kundër nesh, do të ndryshojë zakonet e populli dhe shoqërinë do ta drejtojë në korrupsion dhe vandalizëm. Në këtë kohë Faraoni ka parashtruar dy arsye për vendimin e tij për vrasjen e Musait. Ai thotë: Kam frikë së do të ndryshojë zakonet tuaja, ose të zbulojë korrupsionin në tokë. Nëse heshtim doktrina e Musait shumë shpejt do të zë vend në zemrat e popullit të Egjiptit dhe tradita e adhurimit të idhujve do të zëvendësohet me monoteizmin. Prandaj është e mirë që sa më shpejt që të jetë e mundur ta vrasim atë. Sigurisht që nga këndvështrimi i Faraonit, feja nuk është gjë tjetër veçse falja tek ai ose tek idhujt. Doktrina e tij është vetëm për të mashtruar njerëzit dhe një mjet për ta shpallur pushtetin e tij gjakderdhës dhe shtypës si hyjnor. Korrupsioni nga pikëpamja e faraonit është lëvizje e popullit kundër pushtetit të tij dhe çlirimin i njerëzve të privuar dhe eliminimi i mëkatit dhe idhujtarisë në shoqëri. Sigurisht që të tilla mjete propaganduese në përballje me të vërtetën nuk janë të kufizuara vetëm tek faraoni sepse historia ka treguar se shumë dashakeqës dhe të korruptuar për të justifikuar krimet e tyre dhe për tu përballur me njerëzit e Zotit, kanë bërë mashtrime dhe kanë përhapur gënjeshtra të pafundme. Pikërisht si sot ku anë e mbanë botës vihen re shenja të qarta të kësaj sjelljeje. Megjithatë, Faraoni duke përmendur këto arsye ka thënë se e vetmja rrugë është që të eliminohet Musai dhe atij t’i themi: Nëse thua të vërtetë se ty të ka dërguar Zoti, atëherë kërkoi Zotit që ty të shpëtojë nga dora jonë. Sigurisht jo të gjithë oborrtarët dhe këshilltarët e faraonit ishin të një mendimi me të. Ata e dinin se pozita e rëndësishme në mesin e etnisë bin Israil, do të sillte pasoja negative në rast se ai vritej dhe kjo do të krijonte kryengritje dhe mosbindje në shoqëri. Në të njëjtën kohë doktrina e tij do të sillte shumë ndjekës dhe besimtarë dhe gradualisht i gjithë pushteti do të dilte nga duart e faraonit.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Logjika e pushteteve shtypëse dhe faraonike bazohet në vrasjen dhe eliminimin e liderëve të së vërtetës
  2. Duke qenë se pushtetarët despotikë dhe shtypës, jetëgjatësinë e tyre e shohin në ruajtjen e situatës ekzistuese, ata çdo lloj lëvizjeje reformuese në shoqëri e quajnë të korruptuar dhe destabilizuese. Ata njerëzit e drejtë fetarë dhe të shoqërisë i cilësojnë si njerëz të korruptuar dhe dashakeq që kanë si objektiv të prishin rendin e shoqërisë.
  3. Në sistemet despotike dhe shtypëse, edhe nëse mbizotëron qetësia dhe siguria ajo është për shkak të rendit policor dhe jo për shkak të lirisë së mendimit dhe shprehjes

Tani le të dëgjojmë ajetin 27 të sures Gafir:

«وَقَالَ مُوسَى إِنِّی عُذْتُ بِرَبِّی وَرَبِّکُم مِّن کُلِّ مُتَکَبِّرٍ لَّا یُؤْمِنُ بِیَوْمِ الْحِسَابِ»

27. Musai tha: “Unë iu kam mbështetur Zotit tim dhe Zotit tuaj që të më mbrojë prej çdo kryeneçi, që nuk i beson ditës së përgjegjësisë!” 

Përballë kërcënimi me vdekje që u bë nga faraoni, Musai me qetësi të plotë dhe pa pasur frikë nga ky kërcënim deklaroi se përballë kërcënimeve tuaja unë mbështetem tek Zoti që është Krijuesi im dhe i juaj. Derisa Zoti mos dashtë dhe mos e lejoftë, ju nuk keni fuqi të bëni asnjë gjë. Ai Zot që në kohën kur unë erdha në këtë botë dhe ju menduat të më asgjësonit me urdhër të Tij nëna më futi në një shportë dhe më lëshoi në lumen Nil. Pastaj ju me dorën tuaj më nxorët nga lumi dhe më rritët në mesin tuaj. Sot po ai Zot është mbështetësi im dhe kam besim se do të më mbrojë nga dora juaj gjakatare dhe shtypëse. Mirëpo nëse është vullnet I Tij që unë të martirizohem, unë jam gati për martirizim dhe nuk kam aspak frikë. Me pak fjalë unë veten tim ia kam përkushtuar Atij dhe e di se bëhet ajo që Ai dëshiron dhe jo ajo që ju dëshironi.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Mos të kemi frikë nga kërcënimet e armikut. Të mbështetemi tek Zoti, pasi të gjitha gjërat janë në dorën e tij dhe e dimë se ai është fuqia e pafundme dhe mbi të nuk qëndron askush.
  2. Despotizmi dhe hegjemonizmi, janë karakteristika të faraonit edhe pse ai që ka këto karakteristika mund të mos jetë në pozitën e faraonit.
  3. Kundërshtimi i së vërtetës bëhet shkak për mos krijimin e besimit tek Zoti dhe në ditën e kiametit.

Tani le të dëgjojmë ajetin 28 të sures Gafir:

«وَقَالَ رَجُلٌ مُّؤْمِنٌ مِّنْ آلِ فِرْعَوْنَ یَکْتُمُ إِیمَانَهُ أَتَقْتُلُونَ رَجُلًا أَن یَقُولَ رَبِّیَ اللَّـهُ وَقَدْ جَاءَکُم بِالْبَیِّنَاتِ مِن رَّبِّکُمْ  وَإِن یَکُ کَاذِبًا فَعَلَیْهِ کَذِبُهُ  وَإِن یَکُ صَادِقًا یُصِبْکُم بَعْضُ الَّذِی یَعِدُکُمْ  إِنَّ اللَّـهَ لَا یَهْدِی مَنْ هُوَ مُسْرِفٌ کَذَّابٌ»

28. Një njeri besimtar nga familja e faraonit që e fshehte besimin e vet, tha: “A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është All-llahu, derisa prej Zotit tuaj u ka sjellë argumente? Nëse ai është rrenës, për vete e ka rrenën, e nëse është i drejtë, juve do t’ju godit diçka nga ajo që ai ju premton. S’ka dyshim se All-llahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe është rrenës. 

Në mesin e oborrtarëve ndodhej njëri prej të afërmve të tij i cili kishte krijuar besim tek Musai mirëpo besimin e vet e mbante të fshehtë me qëllim që të në kohë të vështira të nxitonte për të ndihmuar Musain. Ai kur kuptoi se faraoni kishte si synim të vriste Musain dhe jeta e tij ishte në rrezik, ai hodhi hapin në mbrojtje të Musait nga ky komplot i faraonit. Ai i foli faraonit me këtë logjikë dhe tha: Musai pretendoi se ai Zot që është krijues, është krijues i gjithësisë dhe administrimi është në dorën e tij. Ai e ka zgjedhur Musain për të drejtuar njerëzit për të thënë të vërtetën e Tij dhe këtë e tregon mrekullia e tij. Prandaj rreth tij mos veprimi me nxitim dhe mendoni për pasojat e veprave tuaja, përndryshe do të pendoheni. Ai në vazhdim tha: Veprimi i Musait është brenda dy mundësive ose ai thotë të vërtetën ose gënjen. Nëse gënjen në fund të fundit gënjeshtra do t’i dalë sheshit dhe ai do të skandalizohet në mesin e njerëzve. Mirëpo nëse ai thotë të vërtetën atëherë premtimet lidhur me ndëshkimin hyjnor do të zbatohen dhe ju do të eliminoheni. Prandaj vrasja e tij, nuk i përshtatet logjikës dhe mendjes dhe për këtë është mirë të mos ndërmarrim vrasjen e tij.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Musai për të asgjësuar kërcënimin e faraonit u mbështet tek Zoti ndërsa Zoti një prej të afërmve të faraonit i dha mision që ta mbështesë atë.
  2. Në disa raste puna dhe shprehja e mendimeve në aparatin despotik dhe shtypës është për të parandaluar kërcënimet dhe presionet e shtypësve dhe një mision i tillë nuk bie ndesh me besimin në Zot.
  3. Në dialogun me kundërshtarët duhen lënë mënjanë fanatizmat dhe të mos themi: Ne themi të drejtën dhe ju gaboni. Ne duhet të përdorim metodën e besimtarit në oborrin e faraonit. Ai tha Musai ose thotë të vërtetën ose gënjen. Nëse thotë të vërtetë ajo që ai ka premtuar do të bëhet dhe në këtë mënyrë ai ka rikujtuar atë që është e vërtetë. Nëse Musai gënjen, pasojat do të përfshijnë vetë atë.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags