Korrik 26, 2020 16:11 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 11-16 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetet 11-13 të sures Zumer:

«قُلْ إِنِّی أُمِرْتُ أَنْ أَعْبُدَ اللَّـهَ مُخْلِصًا لَّهُ الدِّینَ»

11. Thuaj: Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij!  

«وَأُمِرْتُ لِأَنْ أَکُونَ أَوَّلَ الْمُسْلِمِینَ»

12. Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i myslimanëve!  

«قُلْ إِنِّی أَخَافُ إِنْ عَصَیْتُ رَبِّی عَذَابَ یَوْمٍ عَظِیمٍ»        

13. Thuaj: Unë i frikësohem dënimit të një dite të madhe, nëse kundërshtoj Zotin tim.

Në programin e kaluar, u përmend rëndësia e devotshmërisë, bamirësisë dhe durimit, të cilat janë shenja të besimtarëve. Ajetet në vazhdim i drejtohen Profetit (s.a.v.s) duke thënë: O Pejgamber! Thuaju mëkatarëve në mënyrë të qartë se unë jam i urdhëruar nga Zoti që të pastroj fenë dhe besimin ndaj Tij nga të gjitha llojet e mëkatit dhe t'i shërbej vetëm Zotit dhe gjithashtu të jesh një pionier midis besimtarëve, një pionier në adhurimin e Zotit dhe çliruar nga të gjitha veprat dhe sjelljet mëkatare. Ajetet vazhdojnë: Kush nuk i bindet urdhrit hyjnor do të ndëshkohet dhe në këtë mes nuk ka dallim midis Profetit dhe myslimanëve të tjerë. Dorëzimi ndaj urdhërimeve hyjnore është mënyra e shpëtimit nga zemërimi dhe ndëshkimi hyjnor në këtë botë dhe në botën tjetër dhe përgjegjësia e Profetit është më e madhe se ajo e njerëzve të tjerë. Profetët veten nuk e konsiderojnë mbi qeniet e tjera njerëzore dhe veten e tyre e vlerësuan ashtu si njerëz të tjerë, shërbëtorin e Zotit dhe të nënshtruar ndaj urdhrit të Tij. Kjo ishte një provë e vërtetësisë të tyre. Nga ana tjetër profetët e rremë që profetizuan, në vend që t'i ftonin njerëzit tek Zoti, ata i thërrisnin njerëzit drejt vetes së tyre ose vetvetes u jepnin privilegje të veçanta.

Nga këto ajete mësojmë:

  1. Profetët janë përgjegjës për komunikimin e mesazhit të Zotit tek njerëzit. Ata nuk thonë ose bëjnë asgjë nga vetja e tyre.
  2. Pastrimi i adhurimit të Zotit nga çdo mendim dhe sjellje idhujtare ka qenë një nga detyrat më të rëndësishme të profetëve.
  3. Në gjykimin e drejtësisë hyjnore në ringjallje, nuk ka ndonjë dallim midis profetëve dhe njerëzve të tjerë dhe ata nuk janë të privilegjuar.

Tani le të dëgjojmë ajetet 14-15 të sures Zumer:

«قُلِ اللَّـهَ أَعْبُدُ مُخْلِصًا لَّهُ دِینِی»

14. thuaj: Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.

«فَاعْبُدُوا مَا شِئْتُم مِّن دُونِهِ قُلْ إِنَّ الْخَاسِرِینَ الَّذِینَ خَسِرُوا أَنفُسَهُمْ وَأَهْلِیهِمْ یَوْمَ الْقِیَامَةِ  أَلَا ذَلِکَ هُوَ الْخُسْرَانُ الْمُبِینُ»

15. E ju pra , adhuroni pos Tij çka të doni! Thuaj: Të dështuar në ditën e kiametit janë ata që e kanë humbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është dështimi i njëmendët.  

Në vazhdim të ajeteve të mëparshme ku Profeti thoshte se: Unë jam përgjegjës ta prezantoj sinqerisht fenë e Zotit dhe ta adhuroj Zotin me sinqeritet të plotë, këto ajete thonë: Unë e kam bërë këtë edhe në praktikë. Sepse unë së pari adhuroj vetëm Zotin dhe asgjë tjetër përveç Tij dhe së dyti, në këtë adhurim asgjë dhe askënd nuk e bëj partnerin e Tij. Pastaj politeistëve u thotë: Unë ju kam ftuar në fenë e pastër dhe të drejtë, por ju nuk e pranoni atë, adhuroni atë që dëshironi dhe ta dini se do të pësoni dëm dhe humbje të mëdha. Sepse duke adhuruar çdo gjë tjetër që nuk është Zoti, në të vërtetë ju keni dëmtuar veten dhe familjen tuaj në ringjallje. Mos supozoni se humbja financiare është humbja më e madhe. Përkundrazi, humbja e vërtetë është në botën tjetër. Dita kur njeriu mëkatar shikon se ka humbur talentin, aftësitë dhe të gjitha pasuritë e tij të dhuruara nga perëndia, ai kupton se nuk ka arritur asgjë tjetër përveç pikëllimit në vend që të arrinte përsosmërinë dhe lumturinë e përjetshme.

Nga këto ajete mësojmë:

  1. Profetët ishin pionierë në zbatimin e urdhëresave hyjnore. Ata qëndronin para të gjithëve, duke zbatuar urdhëresat hyjnore. Asnjëherë nuk ka qenë e tillë që ata t'i ftojnë njerëzit drejt së vërtetës dhe të mos i përmbahen asaj në praktikë.
  2. Një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të profetëve ishte pastrimi i fesë së Zotit nga të gjitha llojet e idhujtarisë, herezisë, besëtytnisë dhe shtrembërimit. Sepse ato janë ndër ndotësit më të  mëdhenj të fesë.
  3. Profetët kishin mision që të përhapin mesazhin e fesë së Zotit tek të gjithë njerëzit, por ata e dinin se një grup njerëzish nuk do e pranonin fjalën e tyre të drejtë. Sidoqoftë, ata nuk u dëshpëruan dhe nuk heqin dorë në misionin e tyre.
  4. Njeriu është përgjegjës jo vetëm për veten por edhe për familjen e tij. Rritja e fëmijëve bazuar në mësimet fetare dhe vlerat edukuese është një nga detyrat e prindërve në familje.

Tani le të dëgjojmë ajetin 16 të sures Zumer:

«لَهُم مِّن فَوْقِهِمْ ظُلَلٌ مِّنَ النَّارِ وَمِن تَحْتِهِمْ ظُلَلٌ ذَلِکَ یُخَوِّفُ اللَّـهُ بِهِ عِبَادَهُ  یَا عِبَادِ فَاتَّقُونِ»

16. Se ata do të kenë shtresa të zjarrit edhe sipër edhe përfundi. Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: O robërit e Mi, kinie frikë (dënimin)!

Ky ajet përshkruan situatën e humbësve të vërtetë në ringjallje dhe thotë: Flakët e ferrit i rrethojnë ato nga çdo anë dhe ata nuk kanë shteg shpëtimi. Në të vërtetë, ky është një paralajmërim për të gjithë njerëzimin që nëse nuk janë sakrifikues dhe të devotshëm në këtë botë dhe nuk i frikësohen Zotit, ata mund të përballen me një fat kaq të dhimbshëm në ringjallje.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Mosbesimi, idhujtaria dhe harrimi i Zotit shkakton mjerimin dhe ndëshkimin e njeriut. Ai që merr rrugën e idhujtarisë dhe pabesisë në botë, në jetën e përtejme, zemërimi dhe ndëshkimi hyjnor do të bien mbi të, të cilin do e përfshinë flakët zjarrit përvëlues.
  2. Mënyra e vetme për të hequr qafe rrezikun e ferrit është të jeni të devotshëm dhe të shmangni mëkatin. Mëkati është një substancë djegëse, e cila nëse parandalohet i jep fund zjarrit të xhehenemit.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags