Si ndodhi grushti i shtetit të bijve të Selmanit ndaj familjes Al Saud?
(last modified Sun, 09 Jul 2017 08:51:23 GMT )
Korrik 09, 2017 10:51 Europe/Tirane

Lëvizja e Mbretit të plakur të Arabisë Saudite, Selman Bin Abdulaziz, i cili nxorri  një dekret me anë të të cilit caktoi djalin e tij, Muhamedin, si Princ i Kurorës dhe trashëgimtar i fronit, nuk ishte e papritur. Ky pozicion ishte mbajtur deri tani nga nipi (djali i vëllait) të Mbretit të Arabisë Saudite, Princi Muhamed Bin Najef.

Vetë mënyra e emërimit të princit trashëgimtar dëshmoi se Arabia Saudite ndodhet me dekada larg normave më elementare të demokracisë. Muhamed bin Selmanështë djali i gruas së tretë te Selmanit dhe një nga 12 djemtë e mbretit Selman. Ai është një nga personat e rrallë në Arabinë Saudite që në një kohë shumë të shkrurtër ngjiti shkallët më të larta të pushtetit. Muhamed bin Selman pati edhe shans, sepse vëllai i tij më i madh diq para se Selmani të bëhej mbret. Muhamedi e nisi karrierën e tij në vitin 2009 duke punuar në administratën lokale të Riadit, ndërsa në vitin 2011 në kohën kur babai i tij u bë zv/princ trashëgimtar, posti i Muhamedit u rrit dhe u bëkëshilltar i lartë i qeverisë saudite. Edhe posti i dytë i Muhamed bin Selman në qeverinë qendrore saudite ishte këshilltar. Ai u zgjodh në këtë post në vitin 2012 pasi babai i tij u emërua princ trashëgimtar dhe zv/kryeministër i Arabisë Saudite. Muhamedi në atë kohë punoi si këshilltar i kryeministrit. Pika kulmore e karriesës së Muhamed bin Selman filloi në janarin e vitit 2015, kur me vdekjen e Abdullah bin Abdulazizit, babai i tij u zgjodh mbret i Arabisë Saudite. Një nga vendimet e para të mbretit Selman ishte emërimi i djalit të tij në postin e ministrit të mbrojtjes. Në prill 2015, Selmani e emëroi djalin e tij në postin e zv/princit të kurorës dhe që prej asaj kohe filloi të qarkullonte ideja se Muhamen bin Najef ishte vetëm përkohësisht princ trashëgimtar. Më 21 qershor 2017, spekulimet u kthyen në realitet dhe Muhamed bin Selman zëvendësoi djalin e xhaxhait të tij Muhamed bin Najef dhe u bë princ trashëgimtar i fronit mbretëror të Arabisë Saudite. Në këtë vend, detyra e zgjedhjes së princit trashëgimtar i takon Këshillit të Dijetarëve fetarë, këshill që u krijua në kohën e sundimit të Abdullah bin Abdulaziz. Allen Vald, në një shkrim në revistën Forbes, shkruan se mbreti Abdullah, i cili sundoi në vitet 2005-2015, e krijoi Këshillin e Dijetarëve me qëllim që të garantonte transferimin paqësor të pushtetit mes anëtarëve të familjes mbretërore. 31 nga 34 anëtarët e këtij këshilli votuan për Muhamed bin Selmanin. Ky i fundit, duke shfrytëzuar shansin dhe nepotizmin, arriti që për 30 muaj të ngjitet në majat e pushtetit të Arabisë Saudite dhe gjatë kësaj periudhe, për të vërtetuar aftësitë e tij qeverisëse, ka marrë edhe vendime të rëndësishme në nivel të brendshëm e të jashtëm. Ndër këto vendime dallojnë vendimet e mëposhtme:

1-Dekretimi i luftës kundër Jemenit

Në Mars 2015, Muhamed bin Selman dha urdhër për fillimin e agresionit kundër Jemenit dhe ky vendim u bë shkak që disa media arabe t’a quanin atë “Sadami saudit”. Megjithatë, ky vendim i papjekur dëshmoi se Muhamed bin Selman, para se të shfrytëzojë pjekurinë, largpamësinë dhe logjikën politike, shfrytëzon emocionin në marrjen e vendimeve të rëndësishme politike dhe të sigurisë. Agresioni saudit kundër Jemenit gjatë 27 muajve të fundit, jo vetëm që nuk realizoi asnjë fitore për regjimin saudit, por e shtoi edhe më shumë presionin e opinionit publik botëror kundër kësaj lufte dhe kjo politikë luftënxitëse ka krijua kundërshtime edhe në mesin e princave sauditë, të cilët kërkojnë dhënien fund të luftës kundër Jemenit, sepse kjo luftë po e radhit Arabinë Saudite në një nivel me regjimin e Izraelit si një regjim kriminel dhe fëmijëvrasës.

2-Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin

Padyshim, Republika Islamike e Iranit dhe Arabia Saudite janë dy fuqi rajonale, por ardhja në pushtet e mbretit Selman dhe marrja e postit të ministrit të mbrojtjes nga djali i tij Muhamedi, i transformoi marrëdhëniet mes Iranit dhe Arabisë Saudite nga rivalitet, në armiqësi. Që nga fillimi i vitit 2016, marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve janë ndërprerë. Në prishjen e këtyre marrëdhënieve, më shumë se cdokush tjetër ka ndikuar Muhamed bin Selman. Kjo për faktin se Muhamed bin Selman, me deklaratat e tij armiqësore ka dëshmuar se jo vetëm që nuk është i gatshëm të pranojë rolin e Iranit si fuqi rajonale, por mban në zemrën e tij një armiqësi të thellë kundër Iranit. Në qershor 2017, ai deklaroi hapur: “Duhet t’a shtyjmë luftën në territorin e Iranit”. Muhamed bin Selman u përpoq që ta shfrytëzojë frymën anti-iraniane të tij për të marrë postin e princit trashëgimtar të Arabisë Saudite duke  hapur rrugën drejt fronit mbretëror.

3-Reformat 2030, portreti i një reformatori

Një nga veprimet më të rëndësishme të Muhamed bin Selman në rrafshin e brendshëm ishte prezantimi i programit të reformave i njohur si Reformat 2030. Ai bëri përpjekje të shumta që këtë program ta shfrytëzojë për të dëshmuar aftësitë e tij udhëheqëse. Në lidhje me këtë, sajti analizues Stratfor shkruan: “ Muhamed bin Selman, projektoi jo vetëm strategjinë e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme të Arabisë Saudite, por edhe programin e reformave ekonomike i njohur si Reformat 2030, për ta prezantuar veten si i denjë për postin e mbretit”.

4-Vizitat diplomatike dhe kontaktet ndërkombëtare

Muhamed bin Selman e dinte mirë se për të marrë postin e princit të kurorës duhet të fitojë përkrahjen ndërkombëtare e sidomos përkrahjen e SHBA. Nuk ishte e rastit që shpallja e tij si princ i kurorës u bë vetëm një muaj pas vizitës së presidentit të SHBA Donald Trump në Arabinë Saudite.

5-Presionet ndaj Katarit

Me ndikimin e madh të Muhamed bin Selman, Arabia Saudite vuri në shënjestër edhe Katarin, me qëllim që Muhamedi të tregojë aftësitë dhe pushtetin e tij si dhe të dëshmojë pozitën superiore të Arabisë Saudite në botën arabe. Menjëherë pas krizës mes Arabisë Saudite dhe Katarit dhe pas ndërprerjes së marrëdhënieve dypalëshe, Muhamed bin Selman shfrytëzoi rastin për të mënjanuar Muhamed bin Najefin dhe për tu shpallur princ trashëgimtar.

 

 

Në këtë klimë të trazuar rajonale, mbreti Selman shkarkoi nga të gjitha funksionet Princin e parë, kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Arabisë Saudite, Muhamed bin Najef, dhe në vend të tij emëroi djalin e tij Muhamed bin Selman i cili do të vazhdojë të kryejë edhe funksionin e tij të deritashëm të ministrit të Mbrojtjes.Me vendimin e fundit është ndryshuar edhe një dispozitë e rëndësishme kushtetuese e Arabisë Saudite, sipas së cilës, për dallim nga dispozita e deritashme ku mbreti zgjidhet "midis djemve" të themeluesit dhe udhëheqësit Abdulaziz bin Abdurrahman bin Saud, qëndron se mbreti zgjidhet "në mes të djemve dhe nipërve të tij". Kjo ngjarje ka shkaktuar përcarje të thella në mesin e princave të regjimit Al Saud. Ky centralizim i autoritetit i ka zëmëruar shumë prej familjarëve të tij. Ngritja e princit Bin Salman ka thyer traditën në familjen mbretërore, ku respekti për më të vjetrit dhe ndarja e pushtetit në degë janë tradita shumë të respektuara. Asnjëherë më parë në historinë e Arabisë Saudite zëvendësi i princit, që është i dyti në radhën drejt fronit, nuk ka pasur kaq shumë kompetenca. Një mbret të ri, që do të sundonte për shumë dekada me ambiciet e tij, që duket të jenë të pafundme, kanë bërë që shumë zyrtarë sauditë dhe të huaj të dyshojnë që qëllimi i tij nuk është vetëm transformimi i mbretërisë, por edhe betonimi i sundimit të bijve të Selmanit në Arabinë Saudite.

 

Tags