Tetor 13, 2022 19:50 Europe/Tirane
  • Uniteti nga këndvështrimi i ajeteve të Kur'anit të shenjtë (Java e Unitetit-2)

Në këtë program do të shqyrtojmë temën e unitetit islam nga këndvështrimi i ajeteve të Kur'anit të shenjtë.

Përshëndetje miq të nderuar. Ndodhemi në Javën e Unitetit Islam. Periudha kohore nga data 12 deri më datën 17 të muajit rabiul-aval ku ndodhen dy transmetime në lidhje me ditën e lindjes së Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. sipas pikëpamjes së dijetarëve sunitë dhe shi'itë, është emëruar Java e Unitetit. Kjo periudhë kohore me urdhrin e Imam Khomejnit (ra), themeluesit të Republikës Islamike të Iranit, është emëruar me emrin "Java e Unitetit Islam" në mënyrë që të jetë edhe një arsye më tepër dhe një simbol për ta forcuar sa më shumë bashkimin unitetin dhe bashkimin e botës myslimane dhe për t'u përballur dhe për të luftuar në mënyrë më serioze çfarëdo lloj mbjellje të përçarjes që iniciohet nga armiqtë e botës islame. Kjo javë për çdo vit festohet dhe kremtohet në vendet islame dhe në Republikën Islamike të Iranit gjithashtu për çdo vit organizohet Konferenca e Madhe Ndërkombëtare e Unitetit me pjesëmarrjen e dijetarëve myslimanë dhe personaliteteve të nivelit të lartë të botës islame nga vende të ndryshme, në mënyrë që të bashkëmendohet dhe të bisedohet për mënjanimin sa më shumë të pengesave në rrugën drejt unitetit dhe solidaritetit të vendeve islame dhe për të forcuar më shumë pikat e përbashkëta për unitet sa më të madh të Umetit Islam në botë.

Nuk ka dyshim se uniteti është mënyra e vetme për t'i dhënë forcë botës islame përballë sulmeve të pandërprera të armiqve, në mënyrë që Umeti Islam në botën e sotme, të bëhet më madhështor, më krenar dhe më i qëndrueshëm se në të kaluarën. Përkrah jetës dhe veprës së Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s. dhe imamëve të pastër (a.s), burimi kryesor për krijimin e unitetit islam dhe për të frymëzuar forcimin e këtij uniteti në botën islame, është Kur'ani i shenjtë dhe mësimet e këtij libri hyjnor. Të nderuar dëgjues, në vijim, duke uruar Javën e Unitetit Islam, do të hedhim një vështrim mbi disa nga mësimet unifikuese të këtij libri hyjnor.

Një nga çështjet themelore që Kur'ani e thekson më shumë se çdo gjë tjetër, është uniteti ndërmjet besimtarëve të fesë Islame. Kur'ani ishenjtë e ka trajtuar çështjen e unitetit të besimtarëve myslimanë në më shumë se pesëdhjetë ajete dhe ka treguar mënyrat dhe rrugët se si besimtarët myslimanë mund të arrijnë unitetin. Është interesante se ekziston pothuajse një numër përafërsisht i njëjtë i ajeteve kur'anore që i ndalojnë besimtarët myslimanë nga përçarja dhe mosmarrëveshjet. Tema e unitetit në Kur'anin e shenjtë është trajtuar me koncepte të tilla si: "ë gjithë kapuni për litarin e Zotit", "bashkohuni në veprim", "korrigjohuni", "bëni reformim në mesin e njerëzve", "ka krijuar miqësi mes tyre", "një Umet i unifikuar”, "një umet i ekuilibruar” dhe “vëllazëria”. Të gjitha këto koncepte dhe ajete kur'anore përmbajnë paralajmërime dhe udhëzime përkatëse me rrugën e arritjes së unitetit dhe integritetit të besimtarëve myslimanë. Si shembull, Kur'ani i shenjtë në ajetin 92 të sures Enbija, thotë:

«إِنَّ هذِهِ أُمَّتُکُمْ أُمَّةً واحِدَةً وَ أَنَا رَبُّکُمْ فَاعْبُدُونِ»

 “Vërtet, ky është umeti i juaj, një umet i unifikuar dhe unë jam Zoti juaj, prandaj më adhuroni vetëm mua”. Po ashtu në ajetin 52 të sures Mu'minun në Kur'anin e shenjtë thuhet:

« وَ إِنَّ هذِهِ أُمَّتُکُمْ أُمَّةً واحِدَةً وَ أَنَا رَبُّکُمْ فَاتَّقُونِ»

 “Dhe ky është umeti juaj, një umet i unifikuar, dhe unë jam Zoti juaj, prandaj keni frikë vetëm nga unë!" Sipas këtyre ajeteve, duke qenë se të gjithë besimtarët myslimanët janë një umet dhe ecin në një drejtim dhe synojnë të realizojnë një qëllim të përbashkët, që është adhurimi i Zotit një, ata duhet të kuptojnë rëndësinë e motos kur'anore për një umet të unifikuar dhe të kuptojnë madhështinë e kësaj çështje dhe të eliminojnë përçarjet e mosmarrëveshjet. Kjo është për arsye se çdo lëvizje që çon në dualitet dhe në përçarje mes besimtarëve myslimanë, është një lëvizje të cilën e dëshirojnë armiqtë dhe është kundër thirrjes së Kur'anit.

Gjithashtu, duke qenë se roli i unitetit dhe solidaritetit të Umetit Islam është shumë i rëndësishëm dhe ka ndikim të madh në mburojën politike dhe shoqërore të besimtarëve myslimanë, me padyshim se myslimanët nën dritën e Unitetit Islam, mund të arrijnë madhështinë dhe krenarinë e merituar, prandaj, në ajetin 103 të sures Ale Imran në Kur'anin e shenjtë, myslimanëve u tërhiqet vëmendja për të kaluarën e hidhur të historisë, domethënë, i kushtohet vëmendje kohës para ardhjes së fesë Islame, kur ata digjeshin në errësirën e injorancës dhe në zjarrin e përçarjeve. Ky ajet kur'anor u kujton besimtarëve myslimanë se si ata me ardhjen e fesë Islame gëzonin mirësinë dhe begatinë e vëllazërisë islame dhe si rezultat ata mundën të shpëtojnë veten nga shkatërrimi dhe zhdukja. Kur'ani i shenjtë në këtë ajet duke iu drejtuar besimtarëve myslimanë, thotë:

 «وَاعْتَصِمُوا بِحَبْلِ اللَّهِ جَمِیعًا وَلَا تَفَرَّقُوا ۚ وَاذْکُرُوا نِعْمَتَ اللَّهِ عَلَیْکُمْ إِذْ کُنْتُمْ أَعْدَاءً فَأَلَّفَ بَیْنَ قُلُوبِکُمْ فَأَصْبَحْتُمْ بِنِعْمَتِهِ إِخْوَانًا وَکُنْتُمْ عَلَىٰ شَفَا حُفْرَةٍ مِنَ النَّارِ فَأَنْقَذَکُمْ مِنْهَا ۗ کَذَٰلِکَ یُبَیِّنُ اللَّهُ لَکُمْ آیَاتِهِ لَعَلَّکُمْ تَهْتَدُونَ».

“Dhe kapuni fort për litarin e Zotit [Kur’anit dhe Ehli Bejtit], e mos u përçani dhe mos u ndani në grupe-grupe; dhe kujtojeni mirësinë e Zotit për ju, atëherë kur ishit armiq me njëri-tjetrin [para dërgimit të Profetit s.a.v.s. dhe shpalljes së Kur'anit], pastaj Ai krijoi një lidhje dhe dashuri mes zemrave tuaja, dhe si rezultat, me mëshirën dhe mirësinë e Tij, u bëtë vëllezër, ndërkohë që ishit në buzë të një humnere të zjarrit, prandaj Ai iu shpëtoi prej asaj të keqe; kështu, Zoti ua bën të qarta shenjat e Tij [të fuqisë, mirësisë dhe mëshirës] në mënyrë që të udhëzoheni”.

Në lidhje me rrethanat dhe shkakun e zbritjes së ajetit 103 të sures Ale Imran të Kur'anit të shenjtë, thuhet se ky ajet ka zbritur në lidhje me dy fiset arabe të Medinës të njohur me emra Evs dhe Khazrexh, të cilët kishin luftë, përçarje dhe konflikt mes tyre për më shumë se njëqind vjet, dhe brez pas brezi, mes tyre kishte luftë dhe vëllavrasje gjatë ditës dhe natës, derisa Zoti dërgoi Profetin e nderuar të Islamit, Hazretin Muhamed s.a.v.s., i cili është profet i mëshirës dhe dashurisë, dhe ata u e pranuan fenë Islame dhe me mirësinë e Islamit dhe të Kur'anit të shenjtë, u zhduk ajo urrejtje dhe armiqësi e gjatë mes tyre dhe ata u bënë vëllezër. Ky ajet kur'anore e quan unitetin mes besimtarëve myslimanë si një mirësi të madhe dhe kërkon nga besimtarët myslimanë që të mësojnë nga epoka e hidhur historike e përçarjeve dhe kaosit dhe të përpiqen të ruajnë unitetin mes tyre. Sipas koncepteve të këtij ajeti, njerëzit që ishin të privuar nga qytetërimi, kultura dhe sjelljet njerëzore, kur u futën nën strehën e fesë Islame dhe Kur'anit të shenjtë, me unitet dhe integritet, vendosen themelet e një shoqërie të re dhe të zhvilluar, që ylli i shndritur i fatit të tyre ndriçoi sytë e errësuar te botes dhe mbushi me shpresë zemrat e njerëzve të zhgënjyer dhe të pashpresë. Në vend të konfliktit dhe mosmarrëveshjes me njëri-tjetrin, ata iu drejtuan bashkimit dhe vëllazërimit, në vend të gjakderdhjes dhe vrasjeve, ata bënë hapa drejt paqes dhe drejtësisë sociale dhe në vend të injorancës dhe egoizmit, ata u përkushtuan drejt shkencës dhe dashurisë ndaj llojit njerëzor. Prandaj, në një periudhë të shkurtër kohe, ata ndriçuan botën e zhytur në errësirë ​​dhe brutalitet me dritën e diturisë dhe mësimeve të Kur'anit dhe të etikës islame.

Në shumë ajete të Kur'anit të shenjtë flitet për sekretin e unitetit dhe për rrënjët e vëllazërisë islame. Në ajetin 46 të sures Enfal në Kur'anin e shenjtë thuhet: "Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e mos u grindni e mos luftoni me njëri-tjetrin, sepse dobësoheni dhe dështoni dhe u humbet fuqia dhe madhështia juaj. Dhe bëni durim, se me të vërtetë Allahu është me durimtarët".

Nëse reflektojmë me më shumë vëmendje në këtë ajet dhe në disa ajete të tjera të Kur'anit të shenjtë, e kuptojmë qartë se sekreti i unitetit të myslimanëve dhe motivi i Unitetit Islam është në bindjen ndaj Zotit dhe Profetit të Tij, dhe arritja deri në këtë shkallë të përsosmërisë dhe vetëdijes fetare është e mundur vetëm nën hijen e durimit dhe qëndrueshmërisë. Prandaj, ky qëllim i lartë nuk mund të realizohet pa pasur durimin dhe qëndrueshmërinë e nevojshme. Në këtë ajet Kur'ani i shenjtë kërkon nga besimtarët myslimanë që të shmangin grindjet dhe mosmarrëveshjet me njëri-tjetrin, sepse si pasojë e kësaj shfaqet dobësia dhe u zhduket krenaria, madhështia dhe fuqia e myslimanëve.

Miq të nderuar! Sipas asaj që u tha dhe sipas ajeteve të Kur'anit të shenjtë, çështja e unitetit të shoqërive islame është një çështje e rëndësishme dhe e parësore dhe të gjitha shoqëritë islame duhet ta vënë unitetin dhe integrimin në krye të veprimeve të tyre dhe të shmangin armiqësitë dhe mosmarrëveshjet. Në këtë drejtim, duhet të dimë se ajo që është e rëndësishme për ne, myslimanët, është të shtojmë njohuritë tona për mësimet islame, për mësimet kur'anore dhe për jetën e veprën e Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Në këtë mënyrë, duke ndjekur mësimet e pastra dhe burimore të Islamit, të ngadhënjejmë mbi dhimbjen dhe sëmundjen e përçarjes dhe ndarjes, e cila sot konsiderohet të jetë një nga dhimbjet më të rëndësishme dhe më të mëdha të botës islame, dhe duke shfrytëzuar të përbashkëtat e fesë, t'i japim fryt mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe integrimit të botës islame dhe shoqërive myslimane në mbarë botën. Të jemi të sigurt se ky unitet do të jetë çelësi i suksesit dhe krenarisë së botës islame në botën bashkëkohore.

Tags