Pionierët e unitetit në botën  islame (speciale për fillimin e javës së unitetit)
(last modified Mon, 04 Dec 2017 07:46:32 GMT )
Dhjetor 04, 2017 08:46 Europe/Tirane

Këtë program e kemi përgatitur me rastin e fillimit të javës së unitetit dhe do të prezantojmë pionierët e unitetit në botën islame duke hedhur një vështrim edhe mbi pikëpamjet e tyre.

Jemi në ditët madhështore me rastin e përvjetorit të lindjes së Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Myslimanët sunitë më datë 12 rabiul-aval e konsiderojnë përvjetorin e lindjes së Hazretit Muhamed s.a.v.s. ndërsa myslimanët shiitë përvjetorin e lindjes së këtij njeriu të madh do të thotë Profetit të fundit të Zotit, e konsiderojnë më datë 17 rabiul-aval. Disa vite më parë, imam Khomejni (ra), lideri i ndjerë i Revolucionit Islamik të Iranit, i cili vetë ka qenë një prej thirrësve më të mëdhenj të unitetit në botën islame, këtë çështje e ka shfrytëzuar për afrim dhe bashkim të shkollave islame dhe periudhën kohore mes këtyre dy datave e ka shpallur "Java e Unitetit" në mesin e myslimanëve. Me shpalljen e këtyre ditëve si javë e unitetit islam, kjo periudhë kohore u shndërrua në një rast për forcimin e bashkimit dhe unitetit të Umetit Islam. Ashtu siç dihet, në mësimet e Islamit është theksuar në masë të madhe uniteti dhe bashkimi i myslimanëve, mirëpo aktualisht jemi dëshmitarë të konflikteve më të ashpra dhe më të papara mes vendeve islame. Në rrethanat aktuale kthimi në mësimet e Islamit dhe në jetën dhe veprën e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., më shumë se në çdo kohë tjetër është i domosdoshëm, sepse armiqtë e Umetit Islam përfitojnë më së shumti nga këto përçarje dhe konflikte. Kjo është në kohën kur ekzistenca e shndritur e Hazretit Muhamed s.a.v.s. jo vetëm që ka qenë dhe është dritë e udhëzimit të njerëzve, por ai është edhe një bazë mbështetëse që mund të bëhet bosht i unitetit të të gjithë myslimanëve të botës përball armiqve. Me rastin e fillimit të kësaj periudhe, në këtë program do të prezantojmë disa nga reformatorët e botës islame dhe do të paraqesim pikëpamjet e atyre të cilët kanë bërë përpjekje dhe kanë dhënë kontribut në krijimin e unitetit dhe integrimin e Umetit Islam.

...

Zoti i madhëruar në shumë ajete të Kur'anit të shenjtë, ka ftuar myslimanët për bashkim, ndërsa Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. dhe imamët ma'sum duke ndjekur Kur'anin e shenjtë, me fjalë dhe vepër, gjithmonë kanë qenë mbrojtës të unitetit të Umetit Islam. Për shembull në fillim të ajetit 103 të sures Ali Imran në Kur'anin e shenjtë, Zoti i madhëruar i fton myslimanët të ngjiten për litarin e Zotit dhe unitetin e ka përshkruar si një mirësi të madhe për myslimanët. 

”واعتصموا بحبل الله جمیعاً و لا تفرقوا واذکروا نعمت الله علیکم اذ کنتم اعداء فالف بین قلوبکم فاصحبتم بنعمته اخواناً...

"Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni mirësinë e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja duke vendosur dashuri mes juve dhe ju u bërët vëllezër..."

Kur'ani i shenjtë gjithashtu, besimin në një Zot dhe adhurimin e Zotit e konsideron bosht të unitetit politik dhe shoqëror të myslimanëve dhe sugjeron krijimin e një Umeti të unifikuar dhe thotë: "Me të vërtetë Umeti juaj është Umet i unifikuar dhe unë jam Zoti juaj, prandaj më adhuroni mua". (Sure Anbija, ajeti 92). Historia e viteve të para të Islamit gjithashtu paraqet këtë të vërtetë se Hazreti Muhamed s.a.v.s. duke u bazuar në parimin "La ilahe il-la Allah", me fjalët dhe veprat e tij, ka parandaluar përçarjet mes myslimanëve dhe kthimin e vlerave përçarëse të periudhës së injorancës. Pavarësisht faktit se Hazreti Muhamed s.a.v.s. nga mesi i arabëve u zgjodh për profet të Zotit dhe Kur'ani i shenjtë është shpallur në gjuhën arabe, thirrja e tij është bërë dhe përhapur jashtë çfarëdo lloj kufiri etnik, racist dhe gjuhësor dhe sjellja e tij ndaj myslimanëve arabë dhe joarabë, paraqet një model të lartë të drejtësisë. Për fat të keq, porositë e Hazretit Muhamed s.a.v.s. për ruajtjen dhe vazhdimin e madhërisë dhe dinjitetit të myslimanëve, nuk u respektuan në nivel të duhur pas vdekjes së Profetit Muhamed s.a.v.s. dhe Sakifa u shndërrua në një vend për krijimin e një varg mosmarrëveshjesh dhe kontradiktave në shoqërinë islame. 

Sakife mund të shndërrohej në një vend nga i cili do të shpërthente një zjarr i pashuar, por me maturinë dhe largpamësinë e Imam Aliut (a.s.) u shuan mosmarrëveshjet dhe uniteti i myslimanëve nuk u shkatërrua për shkak të ambicieve politike. Në këtë periudhë të rëndësishme historike, Imam Aliu (a.s.) hoqi dorë nga e drejta e tij legjitime dhe për shkak të ruajtjes së unitetit dhe bashkimit të myslimanëve, nuk mori qëndrime kundër khalifëve të tjerë. Mirëpo pas martirizimit të Imam Aliut (a.s.), përsëri u hap plaga e urrejtjeve dhe armiqësive të periudhës së injorancës dhe u përsëri u ndez zjarri i mosmarrëveshjeve dhe me ringjalljen e borgjezisë dhe fanatizmit fisnor, etnik dhe racist, u prish uniteti i botës islame. Në këtë periudhë, në fillim u ndryshua rruga e caktimit të khalifit dhe khalifati u bë një çështje trashëgimtare. Në periudhën e dinastisë Emevite, u zbatua një politikë e përçarjes dhe dallimeve racore dhe ndarjes etnike dhe kjo politikë krijoi rrethanat për ndarje shoqërore. Për këtë arsye, periudha e fundit e sundimit të familjes emevite, nuk ishte asgjë tjetër, përveç rebelimeve dhe kryengritjeve popullore si rezultat i shtimit të pakënaqësisë publike. Këto pakënaqësi u manifestuan në kuadër të kryengritjeve të ndryshme, mirëpo në mesin e të gjithë këtyre kryengritjeve, vetëm lëvizjet dhe kryengritjet e alevitëve dhe abasitëve arritën të lëkundin themelet e pushtetit emevit. Alevitët dhe abasitët në bashkëpunim mes vete, arritën ta rrëzojnë pushtetin e dinastisë Emevite, mirëpo zëvendës të emevitëve u bënë abasitët dhe jo alevitët... Ata pretenduan se do të krijojnë një epokë të re të drejtësisë, devotshmërisë dhe lumturisë në shoqërinë islame. Mirëpo për kundër asaj çfarë pretenduan abasitët, në këtë periudhë jo vetëm që nuk u krijua një epokë e re e drejtësisë, devotshmërisë dhe lumturisë në shoqërinë islame, por më shumë se në të kaluarën u krijuan rrethanat për përçarje dhe ndarje në botën islame.

 

Pavarësisht të gjitha këtyre mosmarrëveshjeve, në periudhën e mesjetës, bota islame kishte fuqi të madhe nga shumë aspekte, ndërkohë që shtetet evropiane ishin të dobëta dhe relativisht të prapambetura. Mirëpo zhvillimet dhe lëvizjet të quajtura iluministe dhe rezultatet ekonomike, politike, ushtarake dhe civilizuese në mënyrë graduale përmbysën situatën dhe krijuan rrethanat për vendosjen e superioritetit dhe kolonizimin e shteteve evropiane mbi vendet islame. Edhe pse hyrja e kolonizimit në botën islame u bë shkak për shtimin e përçarjeve dhe ndarjeve në botën islame, mirëpo ky zhvillim krijoi edhe kushtet për paraqitjen e disa lëvizjeve pozitive për bashkimin e myslimanëve. Këto ishin lëvizjet dhe kryengritjet politike dhe shoqërore në mesin e myslimanëve të botës përball despotizmit të brendshëm dhe kolonializmit të jashtëm. Myslimanët me iluminizmin e reformatorëve si Sejed Xhamaludin Asadabadi, Abdurrahman Kavakebi, Eghbal Lahur etj., e kuptuan se rrënjët e prapambetjes së tyre janë në përçarje dhe përçarja e botës islame është rezultat i veprimeve dhe politikës së sunduesve despotik dhe shteteve kolonialiste që në shumë raste ishin dy anët e një monedhe. Kryengritja e botës islame kundër despotizmit dhe kolonializmit nuk kufizohej vetëm në sferën intelektuale dhe ideologjike, por ajo përfshinte edhe shumë sfera të tjera politike dhe shoqërore, pavarësisht se nuk u kurorëzua me unitetin e plotë të shoqërive islame.   

Sejed Xhamaludin Asadabadi është reformatori i parë dhe më i rëndësishëm fetar dhe thirrësi i unitetit islam në shekullin e fundit. Ai hynë në grupin e reformatorëve fetarë të cilët në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, bënin përpjekje që të pastrojnë besimin fetar nga besëtytnitë dhe devijimet dhe të kthehen në Islamin burimor në mënyrë që nëpërmjet këtij kthimi, mësimet fetare të përputhen me arsyen dhe nevojat kohore dhe udhëzimet e Islamit të bëhen rrugëzgjidhje për njeriun e epokës moderne. Gjatë kësaj lëvizje reformatore, lufta kundër perëndimit në aspekte të ndryshme kishte një pozitë dhe rëndësi të veçantë dhe duke marrë parasysh perëndimin si një prej shkaqeve më të rëndësishme për prapambetjen e popujve të lindjes dhe sidomos të shoqërive islame, uniteti dhe bashkimi i myslimanëve konsiderohej si rrugëzgjidhja përfundimtare e këtij problemi.  Sejed Xhamaludin Asadabadi në këtë lëvizje ideologjike dhe politike kishte rol ideologjik, por kur paraqitej nevoja ai dilte në skenë edhe si një veprues dhe me anë të letërkëmbimeve me krerët e vendeve islame, me publikimin e revistave, me mbajtjen e fjalimeve në mesin e njerëzve, ndiqte projektin e unitetit islam. Ighbal Lahuri ashtu si Sejed Xhamaludin Asadabadi, është një prej teoricienëve dhe pionierëve të unitetit të botës islame, pavarësisht se pikëpamja dhe vështrimi i tij ndaj unitetit të vendeve islame nuk është i njëjtë me atë të Sejed Xhamaludin Asadabadi. Ighbal Lahuri besonte se myslimanët nuk kanë asnjë mosmarrëveshje serioze dhe themelore me njëri-tjetrin dhe pajtohen mes vete rreth parimeve kryesore. Nga pikëpamja e Ighbal Lahurit, boshti kryesor për unitetin e myslimanëve është teohidi (besimi në një Zot), Kur'ani dhe suneti i Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Kjo është për arsye se teohidi krijon një uniteti të pandashëm dhe bëhet shkak për bashkimin dhe unifikimin e myslimanëve në të ide dhe veprim.

سید جمال‌الدین اسدآبادی اولین و مهمترین اصلاح‌طلب دینی و منادی اتحاد اسلامی در قرون اخیر است.

Sejed Xhamaludin Asadabadi është reformatori i parë dhe më i rëndësishëm fetar dhe thirrësi i unitetit islam në shekullin e fundit. 

Abduhu dhe Rashid Rida dhe Kavakebi, gjithashtu ishin thirrësit e tjerë të unitetit islam. Abduhu ashtu si Sejed Xhamaludin Asadabadi, një prej shkaqeve më kryesore të përçarjes dhe ndarjes në botën islame, e konsideronte ndarjen mes shkollës shiite dhe sunite. Prandaj, duke shkruar një komentim mbi veprën Nahxhul-Belagha, ai është munduar që të teorizojë unitetin islam në shtratin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes shkollave islame. Abduhu në teorinë e unitetit të botës islame thekson në tre parime: një, nevoja për ekuilibrimin e arsyes dhe fesë në Islam; dy, nevojën për ixhtihad në çështjet fetare duke u bazuar në parimin e teohidit, standardet racionale dhe në nevojat kohore; dhe parimi i tretë është lidhja mes lirisë dhe vullnetit të njeriut në binjagëzim me përgjegjësinë dhe detyrën. Uniteti, integriteti dhe zgjimi i myslimanëve në vendet islame, ishin gjithashtu prej brengave më të rëndësishme dhe prioritet i veprimtarisë së Rashid Rida. Ai në kohën kur reformatorët dhe intelektualët e rinj arabë ndiqnin koncepte si pan-arabizmi, patriotizmi arab dhe kryengritja arabe, besonte se e vetmja rrugë për tu çliruar nga prapambetja dhe për arritjen e progresit, është uniteti në botën islame dhe afrimi mes shkollave islame. Kavakebi gjithashtu në librin "Tabaje' al-Istibdad", despotizmin e shikon si pengesë të unitetit të vendeve islame dhe e sulmon ashpër atë. Ai thekson rolin e Islamit dhe sidomos të parimit të teohidit për mohimin e despotizmit dhe për vërtetimin e lirisë dhe si rezultat unifikimin e myslimanëve të botës. Ai besonte se deri në kohën kur myslimanët të jenë robër të despotizmit dhe nën dhunën e këtij fenomeni, nuk mund të bashkohen.

از سمت راست: کواکبی، عبده و رشید رضا

Nga e djathta: Kavakebi, Abduhu dhe Rashid Rida

Shejkh Shaltut, ish-myfti i madh i Egjiptit dhe Shejkh i Universitetit të Az'harit dhe Ajetulla Al-Dhma Boruxherdi, një prej autoriteteve të mëdha fetare të myslimanëve shiitë, ishin prej dijetarëve më të vonshëm të cilët kanë ngritur zërin e unitetit në botën islame dhe mendonin për formimin e një Asambleje për Afrimin e Shkollave Islame mes dijetarëve shiitë dhe sunitë. Prirjet për afrim mes shkollave islame që ndiqnin këta dy dijetarë të mëdhenj, kanë ushtruar ndikim të madh në bashkimin e myslimanëve dhe në themelimin e kornizës teorike për unitetin islam. Në bazë të kësaj qasje, Shejkh Shalut ka lëshuar dekretin e tij të njohur dhe të rëndësishëm. Në bazë të këtij dekreti, ndjekësit e katër shkollave kryesore sunite mund t'i referohen edhe dijetarëve të shkollë shiite (12 imamite) në lidhje me çështje të ndryshme fetare. Ajetullah Al-Udhma Boruxherid ishte një prej autoriteteve të dalluara fetare dhe dijetar i madh i cili gjithmonë ka pas në qendër të vëmendjes unitetin e myslimanëve dhe afrimin e shkollave fetare. Ai besonte se çështjet e jurisprudencës, duhet të shqyrtohen jo vetëm në nivel të shkollave 12 imamite, por në nivel të të gjitha shkollave të tjera islame të jurisprudencës dhe për çdo çështje për të cilën ekziston mosmarrëveshje, duhet të merren parasysh argumentet e të gjitha shkollave. Ideja për unitetin e botës islame dhe mënjanimin e mosmarrëveshjeve historike mes myslimanëve shiitë dhe sunitë, është ndjekur edhe nga shumë dijetarë të tjerë ë mëdhenj si Imam Khomejni, i cili edhe në teori edhe në praktikë ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajetullah Khamenei gjithashtu është ai i cili realizoi në veprim ëndrrën e krijimit të Asamblesë për Afrimin e Shkollave Islame. 

شیخ شلتوت، آیت الله بروجردی، امام خمینی و آیت الله خامنه ای

Shejkh Shaltut, Ajetullah Boruxherdi, Imam Khomejni dhe Ajetullah Khamenei

Dëgjues të nderuar, shpresojmë që me vazhdimin e rrugës së këtyre pionierëve të unitetit në botën islame, në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të unitetit të Umetit Islam në bazë të mësimeve islame dhe zbatimit të mësimeve të Profetit të nderuar të Islamit s.a.vs.!

Tags