Dhjetor 06, 2023 19:50 Europe/Tirane
  • Gjykata iraniane urdhëron qeverinë amerikane dhe subjekte të ndryshme të paguajnë 50 miliardë dollarë për vrasjen e Gjeneral Soleimanit

Një gjykatë iraniane ka vendosur që qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe një numër individësh dhe subjektesh duhet të paguajnë gati 50 miliardë dollarë si kompensim për rolet e tyre në vrasjen e komandantit të lartë iranian, gjeneral-lejtnant Kasem Soleimani tre vjet më parë në një sulm me dron pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit.

Dega e 55-të e Gjykatës Ligjore të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Departamentit të Drejtësisë së Teheranit lëshoi të mërkurën vendimin kundër gjithsej 42 të pandehurve.

Gjykata vuri në dukje se e dha vendimin që kërkon dëmshpërblim financiar, moral dhe ndëshkues në lidhje me atentatin, pasi shqyrtoi hollësisht çështjen dhe pas tre seancave dëgjimore publike.

Gjykata me bazë në Teheran theksoi gjithashtu se vendimi u mor pas një ekzaminimi të plotë të ankesave të 3,318 shtetasve iranianë.

Qeveria amerikane, ish-presidenti Donald Trump, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo, ish-sekretari i mbrojtjes Mark Esper, ish-Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin Brian Hook, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA), Agjencia Qendrore e Inteligjencës ( CIA), Sistemi i Rezervës Federale si dhe kompanitë e armëve Lockheed Martin dhe Raytheon ishin mes personave dhe subjekteve që u gjetën përgjegjës për vrasjen e gjeneral Soleimani.

Gjykata urdhëroi të pandehurit të paguajnë një total prej 49.77 miliardë dollarësh si dëmshpërblim për pretenduesit në këtë rast. Përveç dënimeve financiare, gjykata ka urdhëruar të pandehurit që të publikojnë edhe një falje zyrtare ndaj paditësve.

Gjeneral-lejtnant Soleimani, komandanti i Forcës Quds të Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC), Abu Mahdi al-Muhandis, komandanti i dytë i Njësive të Mobilizimit Popullor të Irakut (PMU) dhe shoqëruesit e tyre u vranë në një sulm me dron autorizuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit më 3 janar 2020.

Të dy komandantët ishin shumë të nderuar në Lindjen e Mesme për shkak të rolit të tyre kyç në luftimin e grupit terrorist takfirist ISIS në rajon, veçanërisht në Irak dhe Siri.

Më 8 janar 2020, IRGC-ja vuri në shënjestër bazën Ain al-Asad të drejtuar nga SHBA-ja në provincën perëndimore të Irakut të Anbarit me një valë sulmesh raketore në hakmarrje për vrasjen e gjeneral-lejtnant Soleimani.

Sipas Pentagonit, më shumë se 100 forca amerikane pësuan "lëndime traumatike të trurit" gjatë sulmit në këtë bazë.

Irani e ka përshkruar sulmin me raketa mbi Ain al-Assad si një "shuplakë të parë".

 

Tags