Janar 03, 2024 14:30 Europe/Tirane
  • Shpërthime terroriste në Kerman, në përvjetorin e martirizimit të Kasem Sulejmani, deri më tani 73 persona të vrarë

Si pasojë e dy shpërthimeve terroriste në rrugën e varrezave të dëshmorëve në qytetin Kerman të Iranit, deri më tani është raportuar për vrasjen e 73 personave dhe plagosjen e 170 të tjerëve.

Sot, e mërkurë më 3 janar 2024, në Iran po shënohet katërvjetori i martirizimit të gjeneral Kasem Sulejmani, komandantit të ndjerë të forcave "Kuds" të Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit.

Sipas disa burimeve lokale, shkak i këtyre shpërthimeve kanë qenë dy çanta shpërthyese të cilat terroristët i kanë shpërthyer me kontroll nga largësia. Disa burime të tjera kanë thënë se ishin dy terroristë kamikazë të cilët kanë shpërthyer brezin e tyre në fillim të rrugës hyrëse drejt varrezave të dëshmorëve të Kermanit.

Gjeneral Kasem Sulejmani më 3 janar të vitit 2020, në kohën kur kishte shkuar në Irak me ftesë zyrtare të autoriteteve të Irakut, si pasojë e një sulmi terrorist të forcave agresore amerikane në afërsi të aeroportit të Bagdadit, është martirizuar së bashku me Abu Mahdi Al-Muhendis, zv/shefi i forcave të mobilizimit popullor "Hashd Sha'bi" të Irakut dhe tetë personave që i shoqëronin këta dy.  

Me rastin e katërvjetorit të martirizimit të gjeneral Kasem Sulejmani, qytetarët iranianë nga rajone të ndryshme të Iranit kanë shkuar në qytetin Kerman për të shprehur nderimet e tyre pranë varrit të këtij heroi të madh të rezistencës.

Por rreth mesditës sot janë dëgjuar dy shpërthime në rrugën e varrezave të dëshmorëve të qytetit Kerman dhe sipas burimeve, këto ishin shpërthime terroriste.

Sipas autoriteteve të sigurisë së provincës Kerman, deri më tani është konfirmuar se si pasojë e këtyre shpërthimeve terroriste janë vrarë 73 persona dhe janë plagosur 170 të tjerë. Ekipet e emergjencës janë mobilizuar menjëherë dhe kanë transferuar të plagosurit në spital.

 

 

 

 

 

 

Tags