Janar 27, 2024 20:43 Europe/Tirane
  • Përparimi në teknologjinë hapësinore është e drejtë e patjetërsueshme dhe legjitime e Iranit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Naser Kanani dënoi qëndrimin ndërhyrës të shfaqur nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 26 janar në lidhje me lëshimin e satelitit Soraya nga Irani.

Në përgjigje të kësaj deklarate, zëdhënësi iranian e bëri të qartë se Teherani nuk duhej të kërkonte leje nga asnjë vend për të përdorur teknologji paqësore për përparimin shkencor të vendit.

"Republika Islamike e Iranit rezervon të drejtën e patjetërsueshme dhe legjitime për të bërë përparime shkencore në fushën e hapësirës ajrore", tha ai.

"Deklaratat ndërhyrëse të trojkës evropiane, të cilat tregojnë vizionin e tyre egoist për përparimin e Iranit, nuk mund të ndikojnë në asnjë mënyrë në vendosmërinë e kombit iranian për të bërë përparim të vazhdueshëm në fushat e shkencës dhe teknologjisë", tha Naser Kanani.

“Pavarësisht një sërë interpretimesh arbitrare të rrënjosura në tendencat e njëanshme të disa palëve, nuk ka kufizime për aktivitetet shkencore dhe praktike të Republikës Islamike të Iranit në fushën e kërkimit hapësinor brenda kuadrit të rregulloreve ndërkombëtare”, theksoi ai, duke hedhur poshtë kategorikisht “imponimin e qasjeve të tilla jokonvencionale”.

Javën e kaluar, Forcat Ajrore Hapësinore të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) vendosën me sukses satelitin Soraya, të prodhuar nga Agjencia Hapësinore iraniane, në një orbitë 750 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës në 11 minuta.

Pas kësaj, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar lëshuan një deklaratë të përbashkët dhe dënuan lëshimin e satelitit iranian. Trojka evropiane pretendoi se lëshuesi hapësinor Kaem-100 përdorte teknologji thelbësore për zhvillimin e një sistemi raketash balistike që mund të lejonte Iranin të lëshonte raketa me rreze më të gjatë.

 

Tags