Prill 11, 2024 11:03 Europe/Tirane
  • Lideri i Koresë së Veriut: Duhet të jemi gati për luftë më shumë se kurrë

Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un tha se situata e paqëndrueshme gjeopolitike kërkon që Koreja e Veriut të jetë gati për luftë tani më shumë se kurrë.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, cituar nga Reuters, Kim, të mërkurën gjatë një inspektimi në Universitetin Ushtarak "Kim Jong-Il", shtoi: "Nëse armiku fillon një konfrontim ushtarak me Phenianin, Koreja e Veriut do të përdorë të gjitha mjetet dhe pa hezitim për t'i dhënë një goditje vdekjeprurëse armikut".

Në një raport mbi vizitën e Kim, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve shkroi herët të enjten: "Ai përshkroi situatën e ndërlikuar ndërkombëtare dhe situatën e paqartë e të paqëndrueshme ushtarake dhe politike në zonën rreth Koresë së Veriut dhe tha se tani më shumë se kurrë, ne duhet të jemi gati për luftë".

Gjatë udhëheqjes së Kim Jong-Un, Koreja e Veriut ka përshpejtuar zhvillimin e armëve dhe ka vendosur marrëdhënie të ngushta politike dhe ushtarake me Rusinë.

Pheniani ka akuzuar gjithmonë SHBA-në dhe Korenë e Jugut për rritjen e tensioneve ushtarake përmes "stërvitjeve ushtarake".

Pheniani konfirmoi kohët e fundit se ka testuar një raketë të re hipersonike me rreze të mesme veprimi me karburant të ngurtë nën mbikëqyrjen e Kim Jong-Un.

 

Tags