Korrik 26, 2020 12:16 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 79-83 të sures Sad.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetet 79-81 të sures Sad:

«قَالَ رَبِّ فَأَنظِرْنِی إِلَى یَوْمِ یُبْعَثُونَ»

79. Ai tha: Zoti im, më jep afat deri në ditën e ringjalljes!

«قَالَ فَإِنَّکَ مِنَ الْمُنظَرِینَ»

80. (Zoti) Tha: Po, je prej atyre të afatizuarëve,  

«إِلَى یَوْمِ الْوَقْتِ الْمَعْلُومِ»

81. deri në kohën e ditës së caktuar!

Në emisionin e kaluar thamë se mbi urdhrin e Zotit për sexhde përballë Adamit, Ibilisi nuk pranoi urdhrin dhe nuk pranoi të përkulet përballë Adamit. Mirëpo problemi i Iblisit nuk ishte vetëm mos përkulja në sexhde por ishte se ai në vend që pendohej dhe të kërkonte falje për atë që bëri, u mundua të justifikojë veten se është superior ndaj Adamit. Për këtë arsye perëndia atë e dëboi nga rangu i engjëjve. Këto ajete thonë: Në kohën kur shejtani ishte duke u dëbuar dhe larguar, kërkoi që Zoti t’i jepte atij afat deri në ditën e kiametit dhe t’i zgjatej jeta deri në atë kohë. Sigurisht ky afat i kërkuar nga djalli nuk ishte për të përmirësuar veprimin e tij të rëndë por për të devijuar njerëzit me qëllim që ai të hakmerrej. Me fjalë të tjera gabimi tjetër i bërë nga Iblisi ishte që në vend që veten ta konsideronte fajtor, fajtor bëri njerëzit dhe tha: Ky Adami është bërë shkak për dëbimin tim nga oborri i perëndisë. Kërkesa e Iblisit për më shumë afat është pranuar nga perëndia mirëpo jo deri në ditën e kiametit por deri në një afat të caktuar nga Zoti. Ky afat mund të jetë koha e fundit të jetës së njeriut në tokë ose dita kur imami i kohës të shfaqet, ose një ditë tjetër të cilën e di vetëm Zoti.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Kryeneçësia dhe mburrja e Iblisit është bërë shkak që ai në vend që të kërkojë falje nga zoti kërkoi afat për tu hakmarrë.
  2. Për Zotin, t’i japësh jetë të gjatë disa krijesave është e thjeshtë. Ai sa herë që ta shohë të arsyeshme e zgjat afatin e jetës si për të mirët ashtu edhe për të këqijtë.
  3. Problemi i Iblisit nuk ishte mosnjohja e Zotit apo kiametit, por rrënjët e devijimit të tij ishte fryma e mburrjes dhe kryeneçësisë. Kjo frymë u bë shkak që Iblisi të bëjë qëndresë përballë Zotit dhe të mos zbatojë urdhrin e tij.

Tani le të dëgjojmë ajetet 82-83 të sures Sad:

«قَالَ فَبِعِزَّتِکَ لَأُغْوِیَنَّهُمْ أَجْمَعِینَ»

82. Ai tha: Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur pre rrugës së drejtë që të gjithë,  

«إِلَّا عِبَادَکَ مِنْهُمُ الْمُخْلَصِینَ»

83. përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!

Thamë se djalli i kërkoi Zotit që t’i zgjasë jetën dhe Zoti për një afat të caktuar që Ai vetë e di, ia plotësoi kërkesën. Mirëpo pas asaj që Zoti i zgjati jetën, djalli u betua se qëllimi i kërkesës së tij ishte hakmarrja ndaj njeriut dhe përpjekja për ta devijuar atë dhe nuk ishte për të përmirësuar veten dhe gabimin e bërë. Është e habitshme se djalli betohet në Zot se do të devijojë njeriun. Ajo qe Iblisi pretendon se do të devijojë të gjithë njerëzit, në realitet është kulmi i kryeneçësisë së tij përballë Zotit dhe kjo vjen nga ajo se ai e kujton njeriun të dobët dhe të pafuqishëm. Mirëpo sipas ajeteve të kuranit, vetëm ata njerëz që ndjekin djallin devijohen dhe djalli nuk mund të detyrojë dikën ta ndjekë atë. Njerëzit kanë të drejtë përzgjedhjeje dhe mund të bëjnë qëndresë përballë prirjeve djallëzore. Pikërisht ashtu siç thuhet në ajetin 20 të sures Saba ku një grup besimtarësh nuk e ndjekin djallin. Vetë djalli pas gjithë asaj propagande se do të devijojë njerëzit, është detyruar të pohojë se njerëzit e pastër besimtarë të Zotit qëndrojnë jashtë ndikimit të tij dhe tek ata nuk ka asnjë rrugë depërtimi dhe ndërhyrjeje. Është e qartë se profetët dhe imamët janë njerëzit e pastër të Zotit. Ata janë të pastër nga çdo lloj mëkati dhe gabimi dhe janë të devotshëm në cdo çështje fetare. Edhe njerëzit e tij duke pastruar veten e tyre dhe duke ulur varësitë e tyre në këtë botë mund të arrijnë të qëndrojnë larg dhe të mbrohen nga çdo lloj prirjeje djallëzore. Lidhur me urdhrin për zgjatjen e jetës së djallit për devijimin e njerëzve ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Por të gjithë janë të mendimit se Zoti e ka krijuar njeriun me vullnet përzgjedhjeje dhe për atë janë prezantuar shumë rrugë në mënyrë që ai me vullnetin e vetë të bëjë zgjedhjen e duhur. Duke qenë se Zoti dëshiron që njerëzit të arrijnë perfeksionimin, për arritjen e tij njeriu duhet të përpiqet, të mundohet, të rezistojë dhe bëjë qëndresë. Ashtu si për përfitimin e dijes dhe zhvillimin duhet lënë mënjanë rehatia dhe mos angazhimi dhe duhen përballuar disa vështirësi, për zhvillimin shpirtëruar gjithashtu duhet bërë qëndresë përballë dëshirave lakmitare dhe devijuese të njeriut. Duhet thënë se prirjet lakmitare dhe djallëzore e nxisin njeriun në vazhdimësi. Sigurisht që disa njerëz të dobët dhe me shpirt të dobët, dorëzohen përballë armikut ( djallit) dhe disa të tjerë i bashkohen rangut të tij.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Njeriu përgjatë jetës së tij gjithmonë përballet me rrezikun e djallit dhe asnjëherë nuk duhet ta konsiderojë veten në siguri, sepse Iblisi është betuar se do të devijojë që të gjithë.
  2. Në disa raste një mëkat bëhet shkak për një mëkat akoma më të madh. Djalli bëri një mëkat dhe ajo ishte mos përkulja në sexhde përballë Adamit, mirëpo ky mëkat ishte baza e një mëkati akoma më të madh që është devijimi i njerëzve përgjatë historisë.
  3. Pastrimi i zemrës nga elementët jo hyjnorë dhe pastërtia në veprim, janë kusht për imunizimin e zemrës përballë veprimeve të Iblisit dhe njeriun e shpëton nga prirjet djallëzore.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

Tags