Korrik 27, 2020 04:58 CET

Në këtë emision do të komentojmë ajetet 17-21 të sures Zumer.

Bismillah Al-Rahman Al-Rahim

Me përshëndetje për shpirtin e pastër të Profetit të nderuar të Islamit, hazretin Muhamed (s.a.v.s), të nderuar dëgjues ju ftojmë të njiheni me një tjetër emision të programit " Rruga drejt së vërtetës", ku do të njihemi me komentimin e një tjetër pjese të Kuranit Famëlartë.

Në vazhdim le të dëgjojmë ajetet 17-18 të sures Zumer:

«وَالَّذِینَ اجْتَنَبُوا الطَّاغُوتَ أَن یَعْبُدُوهَا وَأَنَابُوا إِلَى اللَّـهِ لَهُمُ الْبُشْرَى فَبَشِّرْ عِبَادِ»،

17. Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe ju drejtuan All-llahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoj robërit e Mi!  

«الَّذِینَ یَسْتَمِعُونَ الْقَوْلَ فَیَتَّبِعُونَ أَحْسَنَهُ  أُولَـئِکَ الَّذِینَ هَدَاهُمُ اللَّـهُ  وَأُولَـئِکَ هُمْ أُولُو الْأَلْبَابِ»

18. Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.  

Kurani në këto ajete gjithashtu përdor metodën krahasuese. Në programin e kaluar thamë se ishin politeistët dhe mëkatarët ata që për shkak të kryeneçësisë dhe paragjykimeve të tyre, nuk ishin të gatshëm të pranonin të vërtetën dhe të besonin në Zot. Por këtu flitet për ata njerëz që janë kërkues të së vërtetës, por ata që e kuptuan të vërtetën, e pranuan atë dhe iu drejtuan Zotit dhe iu nënshtruan mëshirës hyjnore. Besimi i vërtetë, natyrisht, varet nga adhurimi vetëm i Zotit dhe asgjë gjëje tjetër përveç Zotit. Qofshin idhujt prej guri ose prej druri / fryma e brendshme / bindja dhe adhurimi i sundimtarëve mizorë. Idhujtaria do të thotë shkelje. Në kulturën kuranore, shmangia e idhujtarisë do të thotë të shmangësh çdo lloj arrogance, mëkati dhe është mos nënshtrimi i njerëzve ndaj pushtetarëve tiranikë dhe fuqive hegjemoniste. Këto ajete më pas i referohen një grupi specifik të besimtarëve të Zotit, të cilët, duke braktisur kokëfortësinë dhe paragjykimet, dëgjuan fjalë të ndryshme dhe me ndihmën e arsyes dhe logjikës zgjedhën më të mirën. Ata janë të etur për të vërtetën dhe kudo që e gjejnë, ata e mirëpresin me gjithë zemër dhe pinë nga burimi i saj i qartë dhe i kulluar. Ata jo vetëm që kërkojnë të drejtën, por ata zgjedhin dhe ndjekin më të mirën. Në fakt, këto ajete i referohen mendimit të lirë të myslimanëve dhe zgjedhjes së tyre në çështje të ndryshme. Njerëzit racionalë dhe të arsyeshëm, në vend që të marrin qëndrimin kundër fjalës së drejtë, e dëgjojnë atë dhe pasi kanë gjetur të drejtën i dorëzohen asaj. Kjo është një shenjë arsyeje dhe mençurie. Sipas Kuranit, këta janë ata njerëzi që Allahu i ka udhëzuar dhe ata janë të mençur.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Kushti i besimit të vërtetë në Zot është të mos pranoni sundimin e mëkatarëve dhe t'i shmangni ata.
  2. Kur kemi të përballemi me një diskutim, fjalë dhe fraza të ndryshme, përmbajtja e tyre duhet të merret parasysh dhe jo folësit e atyre fjalëve apo statusi dhe karakteri i tyre dhe midis atyre fjalëve duhet të zgjidhen më të mirat.
  3. Nuk ka asnjë kontradiktë midis arsyes nga njëra anë dhe shpalljes hyjnore dhe mësimeve fetare nga ana tjetër. Që të dyja janë afrues të njeriut drejt Zotit dhe udhëzues të njerëzimit drejt përsosmërisë dhe shpëtimit.

Tani le të dëgjojmë ajetet 19-20 të sures Zumer:

«أَفَمَنْ حَقَّ عَلَیْهِ کَلِمَةُ الْعَذَابِ أَفَأَنتَ تُنقِذُ مَن فِی النَّارِ»

19. E, atij që i është përcaktuar vendimi për dënim, a mund ta shpëtosh ti prej zjarrit?  

«لَـکِنِ الَّذِینَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ لَهُمْ غُرَفٌ مِّن فَوْقِهَا غُرَفٌ مَّبْنِیَّةٌ تَجْرِی مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ  وَعْدَ اللَّـهِ  لَا یُخْلِفُ اللَّـهُ الْمِیعَادَ»

20. Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin.  

Meqenëse Profeti ishte i etur për të udhëhequr dhe shpëtuar të gjithë njerëzit, përfshirë mëkatarët dhe politeistët dhe vuajti shumë nga çoroditja dhe devijimi i tyre, këto ajete i drejtohen Profetit (s.a.v.s) duke thënë: A mendon se mund të shpëtosh ata njerëz që me zgjedhjen e tyre të gabuar, kanë marrë rrugën e ferrit? Nuk është aspak kështu. Ata që kanë ndërprerë të gjithë rrugët e komunikimit të tyre me Perëndinë nuk kanë asnjë mënyrë shpëtimi. As edhe Profeti nuk mund të bëjë asgjë për ata. Por përkundër këtij grupi, ata njerëz besimtarë dhe devotshëm kanë një status të lartë në ringjallje dhe ata do të dërgohen në kopshtet dhe pallatet e xhenetit. Jeta e tyre në Parajsë është e cliruar nga të gjitha dhimbjet dhe shqetësimet dhe ata do të jetojnë në siguri, rehati dhe prosperitet të plotë.

Nga këto ajete mësojmë se:

  1. Misioni kryesor i profetëve është që t'i udhëzojnë njerëzit në rrugën e  drejtë dhe t'u tregojë atyre mënyrën e duhur për të jetuar. Në të njëjtën kohë, prosperiteti dhe shpëtimi i njerëzve nuk janë në duart e profetëve dhe varen vetëm nga sjellja dhe veprimet e vetë njerëzve.
  2. Ai njeri që për shkak të zellit, paturpësisë dhe kokëfortësisë i mbyll vetes rrugën e njohjes së të vërtetës, në të vërtetë ai i ka bllokuar vetes së tij rrugën e shpëtimit dhe përsosmërisë.
  3. Nëse besojmë në Zot, duhet të dimë se premtimet e Tij për parajsën dhe ferrin janë në mënyrë të prerë dhe të saktë dhe për këtë duhet të bëjmë kujdes në veprat tona.

Tani le të dëgjojmë ajetin 21 të sures Zumer:

«أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّـهَ أَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَسَلَکَهُ یَنَابِیعَ فِی الْأَرْضِ ثُمَّ یُخْرِجُ بِهِ زَرْعًا مُّخْتَلِفًا أَلْوَانُهُ ثُمَّ یَهِیجُ فَتَرَاهُ مُصْفَرًّا ثُمَّ یَجْعَلُهُ حُطَامًا  إِنَّ فِی ذَلِکَ لَذِکْرَى لِأُولِی الْأَلْبَابِ»

21. A nuk e sheh se All-llahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndanë në tokë nëpër burime, mandej me të mbijnë bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme, pastaj ajo thahet dhe ti e sheh ata të zverdhur dhe pastaj e bën atë të llomitur. S’ka dyshim se në këtë ka argument për të zotët e mendjes.

Pas një krahasimi të shkurtër midis fundit të jobesimtarëve dhe besimtarëve, ky ajet kthehet edhe një herë në diskutimin e monoteizmit dhe ringjalljes dhe i referohet rënies së shiut nga qielli, si një ndër arsyet e monoteizmit.  Nëse nuk do të ishte një sistem i tillë, gjegjësisht avullimi i deteve, formimi i reve dhe lëvizja e tyre në pjesë të ndryshme të tokës që më pas sjellin dëborën dhe shiun, shumica e tokës do të bëhej e thatë dhe pasi bimësia do të zhdukej, jeta do të ishte e vështirë dhe e pamundur. Edhe banorët e deteve dhe oqeaneve nuk do të mund të furnizoheshin me ujin e nevojshëm për bujqësi dhe pije. Për shkak se uji i detit është i pasur me kripëra dhe minerale dhe nuk mund të ëmbëlsohet përveçse me mjete dhe pajisje të shtrenjta. Por meqenëse shumica e ujit ka përdorim bujqësor, kjo nuk është ekonomikisht e mundshme. Por në natyrë ky problem është zgjidhur në mënyrë të mahnitshme. Kështu, kur uji i detit avullon dhe ngrihet sipër, kripërat dhe mbetjet e tjera nuk avullojnë. Uji pastrohet nga papastërtitë dhe bie në formën e shiut dhe dëborës, i pastër, i kulluar dhe i gatshëm për t’u përdorur / padyshim, është Krijuesi i gjithësisë ai që në këtë mënyrë, ujin e deteve e kthen në ujë e ëmbël në formë të natyrshme dhe të pastruar nga solucionet dhe papastërtitë, me qëllim që ky ujë të përdoret nga njerëzit dhe gjallesat e tjera. Uji i shiut ruhet në depozitat nëntokësore dhe akujt e borës në fund të maleve dhe gradualisht rrjedh nëpër burime, puse dhe lumenj për t’u shfrytëzuar. Duke menduar për këtë mirësi të madhe hyjnore, që është thelbi i jetës njerëzore dhe i të gjitha gjallesave dhe bimëve në tokë, njeriu arrin të kuptojë madhështinë dhe fuqinë e pafundme të Zotit.

Nga ky ajet mësojmë se:

  1. Të kuptuarit e fenomeneve natyrore dhe saktësia e tyre është teologji dhe njohje e Zotit. Pra, nuk duhet t’i lëmë pas dore dhe t’i kapërcejmë lehtë këto dukuri.
  2. Nga një ujë dhe tokë, prodhohen pemë, lule dhe fruta shumëngjyrëshe dhe të larmishme gjë e cila nënkupton fuqinë dhe madhështinë e Zotit.
  3. Një nga shenjat e mençurisë është se, përveç kuptimit të fenomeneve natyrore, ne gjithashtu të kërkojmë të njohim burimin e ekzistencës.

Me përfundimin e këtij emisioni, ju të nderuar dëgjues iu lëmë nën përkujdesjen e Zotit të Madhërishëm dhe Fuqiplotë. Jemi në pritje të propozimeve dhe mendimeve tuaja deri në emisionin e ardhshëm.

 

Tags