ISIS-i i Khorasanit; Shfaqja e terrorizmit amerikan në Afganistan (1)
(last modified Sat, 18 May 2024 17:09:20 GMT )
May 18, 2024 19:09 Europe/Tirane

Grupi terrorist ISIS-i i Khorasanit e shpalli zyrtarisht ekzistencën e tij në janar të vitit 2015.

Grupi terrorist ISIS-i i Khorasanit e shpalli zyrtarisht ekzistencën e tij në janar të vitit 2015. Ky grup u formua nga një numër terroristësh të mundur në Irak dhe në Siri, të cilët u shpërngulën në Afganistan me mbështetjen e Amerikës.

Me shpalljen e ekzistencës së ISIS-it të Khorasanit në Afganistan, këtij grupi në këtë vend iu bashkuan disa individë dhe grupe vendase, si dhe një numër ish-anëtarësh defektorë të talebanëve. Për këtë arsye, përbërja e çuditshme e grupit ISIS-i i Khorasanit është një kombinim i ish-elementëve të milicisë të lidhur me grupet selefiste si talibanët e Pakistanit, rrjeti Hakkani në Afganistan, grupi Da'wah dhe lëvizja ekstremiste në Uzbekistan. Megjithatë, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, grupi terrorist ISIS-i i Khorasanit mundi të dominojë një sërë zonash rurale në veri dhe në verilindje të Afganistanit dhe, përmes sulmeve që kreu përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit, fitoi fuqi dhe një pozicion të veçantë në zhvillimet në terren në Afganistan, deri në atë masë saqë përpara se talebanët të rifitonin pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, grupimi ISIS u konsideronte si grupimi i dytë që prishte stabilitetin dhe sigurinë në këtë vend.

Provinca Nangarhar në Afganistanin lindor, e cila kufizohet me Pakistanin, gradualisht u bë baza kryesore e pranisë së grupit terrorist ISIS-i i Khorasanit në këtë vend. Në tre vitet e para të funksionimit të tij në Afganistan, ky grupim terrorist i fokusoi sulmet e tij terroriste ndaj pakicave, veçanërisht ndaj shiitëve, megjithëse ai planifikoi sulme edhe në rajone të ndryshme të Afganistanit, përfshirë Kabulin. Me vazhdimin e sulmeve vdekjeprurëse ndaj spitaleve, institucioneve publike dhe jofitimprurëse, si dhe shkollave në qytetet e mëdha në pjesë të ndryshme të Afganistanit, ky grupim shumë i rrezikshëm u bë jashtëzakonisht i urryer.

Përhapja e akteve vdekjeprurëse të ISIS-it në Afganistan dhe dobësia e qeverisë së vendit bënë që në vitin 2018 ky grupim të shndërrohej në një nga katër organizatat terroriste më të rrezikshme në botë, sipas Indeksit të Terrorizmit Global.

Megjithëse në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ushtria amerikane dhe qeveria afgane e asaj kohe pretendonin se do ta shtypnin ashpër këtë grupim në tokën e këtij vendi, operacionet e mëvonshme terroriste të ISIS-it të Khorasanit treguan se ky nuk ishte asgjë më shumë sesa një pretendim dhe se ky grupim terrorist nuk është çrrënjosur.

Gjatë presidencës së Mohammad Ashraf Ghani, ish-presidentit të Afganistanit, për arsye të ndryshme, ISIS-i jo vetëm nuk u ndal, por gama e sulmeve të këtij grupi terrorist u rrit më shumë.

Kjo ishte arsyeja pse në takime të ndryshme të dijetarëve sunitë dhe të njerëzve me ndikim në Afganistan, të gjithë e theksonin nevojën që qeveria e këtij vendi të merrej me vendosmëri me grupet tekfiriste, përfshirë ISIS-in. Madje, disa dijetarë sunitë të Afganistanit bënë thirrje për një kryengritje popullore në këtë vend për të shkatërruar ISIS-in.

Në vitet 2015 deri në 2020, përhapja e terrorit ka qenë një nga programet kryesore të ISIS-it në Afganistan. Dallimi ideologjik mes talebanëve hanefi dhe ISIS-it vehabi ishte dhe është shkaku kryesor i konfliktit mes këtyre dy grupeve. Naimul-Hak Hakkani, një nga zyrtarët kulturorë të talebanëve, tha në një intervistë: "Emirati Islamik (viz. Afganistani) është intelektualisht dhe juridikisht i ndryshëm nga selefizmi dhe ISIS-i. Ne, në Afganistan, ndjekim medhhebin hanefi dhe nuk kemi asnjë lidhje me selefizmin dhe ISIS-in. Gjithashtu, selefizmi dhe ISIS-i nuk kanë ndonjë pozitë popullore dhe të rëndësishme në Afganistan".

Ekziston një mendim serioz se aktiviteti i ISIS-it në Afganistan nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të paktën disa qarqeve të caktuara në sistemin e sigurisë të qeverisë së atëhershme afgane gjatë epokës së Mohammad Ashraf Ghani dhe, gjithashtu, edhe të amerikanëve.

Fjalimi i Zahir Kadir, përfaqësuesit të provincës Nangarhar në Asamblenë Kombëtare të Afganistanit në vitin 2015, i cili njoftoi se ISIS po shpërngulej në këtë provincë me helikopterë dhe se mbështetja e disa qarqeve qeveritare për grupin terrorist ISIS ishte mjaft e qartë, pati një jehonë të gjerë në media dhe në mes të popullit të Afganistanit. Por qeveria e Afganistanit në atë kohë zgjodhi vetëm heshtjen përballë këtij qëndrimi të deputetit Zahir Kadir.

Hetimet tregojnë se as në qeverinë e mëparshme të Afganistanit dhe as në qeverinë aktuale të talebanëve, aktivitetet e grupimit ISIS në Afganistan jo vetëm që nuk janë dobësuar, por ai po përdor tokën e Afganistanit për të kryer sulme kundër vendeve fqinje, përfshirë Iranin dhe Pakistanin.

Ky grup, i cili e quan veten "Shteti Islamik - Provinca e Khorasanit" (ISIS-K), që në fillim, pjesën më të madhe të sulmeve të veta e kishte përqendruar kundër shiitëve të Afganistanit. Kështu, pak kohë më parë, në vitin 2021, nëpërmjet një akti kriminal, brenda dy javësh radhazi gjatë lutjeve të së Premtes, ky grup martirizoi dhe plagosi dhjetëra shiitë në provincat Kunduz dhe Kandahar.

Këto dy sulme terroriste të ISIS-it e ekspozuan qeverinë talebane ndaj kritikave dhe protestave të shumta dhe, në njëfarë mënyre, e dobësuan pozitën e këtij grupimi përsa i përket aspektit të qeverisjes në sytë e opinionit publik afgan. Dobësia e tepruar e qeverisë talebane në ndalimin e makinës vrasëse të ISIS-it kundër shiitëve ishte ndërkohë që talebanët, pas rikthimit në pushtet, ishin zotuar të ofronin siguri, veçanërisht për minoritetet.

Ndonëse motoja e grupit "ISIS-i i Khorasanit" është të marrë nën kontroll pjesë të Turkmenistanit, Uzbekistanit, Afganistanit, Pakistanit dhe një pjesë të Iranit, shumica e operacioneve të këtij grupi janë kryer në Pakistan dhe në Afganistan, dhe më pas në Iran. Në këtë drejtim, gjatë viteve të fundit, grupimi terrorist ISIS me bazë në Afganistan dhe në disa zona kufitare të Pakistanit ka kryer 5 sulme vdekjeprurëse dhe të përgjakshme brenda Iranit duke përdorur tokën e këtyre dy vendeve. Dhe këto krime kanë ndodhur nën mbështetjen e disa vendeve arabe të rajonit dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"ISIS-i i Khorasanit", në bashkëpunim me grupe të tilla si “Lashkar-e-Jhangvi”, ka kryer operacione të shumta në drejtim të qëllimeve separatiste në kufijtë juglindorë të Iranit, në rajonin Baluchistan.

Sulmet e grupit terrorist "ISIS-i i Khorasanit" në Iran, që përfshijnë sulmin në ndërtesën e Asamblesë Islamike (Parlamentit) të Iranit dhe në Mauzoleun e Imam Khomeinit (r.a.) në vitin 2017, sulmin në paradën ushtarake të Forcave të Armatosura të Iranit në qytetin Ahvaz në vitin 2018, dy sulmet vdekjeprurëse në faltoren Shahcheragh në Shiraz në vitet 2022 dhe 2023, si dhe sulmin e pabesë në Kerman më 3 janar 2024, ndaj pjesëmarrësve në përvjetorin e martirit gjeneral-lejtënantit Kasem Sulejmani, komandantit legjendar të Frontit të Rezistencës, përshkruajnë dosjen e zezë dhe kriminale të ISIS-it në Iran.

Vetëm në aktin terrorist të ISIS-it në qytetin Kerman, për të cilin mori edhe përgjegjësinë, dy forca të këtij grupi shpërthyen brezat e tyre shpërthyes në mesin e njerëzve pjesëmarrës në ceremoninë përkujtimore të përvjetorit të martirizimit të gjeneralit Sulejmani, ku nëpërmjet këtij sulmi, ranë dëshmorë 94 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Është me vend të dihet se në fund të vitit 2014, Abu Bakr al-Baghdadi, lideri i ISIS-it në Irak dhe Siri, prezantoi Hafiz Said Khanin, një shtetas pakistanez, si udhëheqësin e ISIS-it në Khorasan. Hafiz Said Khan kishte premtuar më parë besnikëri ndaj Abu Bakr al-Baghdadit së bashku me disa talebanë ekstremistë pakistanezë. Gjithashtu, Abu Bakr al-Baghdadi zgjodhi Abdul-Rauf Kazemin, udhëheqësin e një dege të talebanëve afganë, si zëvendës të Hafiz Saeed Khanit.

Hafiz Said Khan, lideri i parë i grupit "ISIS-i i Khorasanit", sipas pretendimit të Amerikës u sulmua nga një sulm me dronë të këtij vendi në korrik të vitit 2016. Amerikanët pretenduan se e vranë atë dhe mbi 30 anëtarë të këtij grupi. Pas Hafiz Saeed Khanit, një nga anëtarët ekstremistë të ISIS-it i quajtur Abdul-Hasib mori drejtimin e këtij grupi. Abdul-Hasib, i cili ishte më i famshëm se Hafiz Said Khani dhe zëvendësi i tij për mizori dhe zemërgurësi, e udhëhoqi grupin deri në vitin 2017.

Aksioni më i rëndësishëm i grupit terrorist ISIS-i i Khorasanit gjatë kohës së Abdul-Hasibit ishte sulmi në spitalin ushtarak në Kabul, ku u vranë më shumë se 50 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Abdul-Hasib u vra në një sulm në provincën Nangarhar pas sulmit ndaj Spitalit Ushtarak të Kabulit. Pasardhësi i Abdul-Hasibit ishte një person më radikal i quajtur Abu Sejid, i cili ishte lider i këtij grupi për një kohë të shkurtër, por edhe ai u vra ashtu si Abdul-Hasib, ish-kreu i grupit. Udhëheqësit e ardhshëm të grupit "ISIS-i i Khorasanit" janë pak të njohur derisa lidershipi i grupit arriti tek një person i quajtur Islam Faruki. Ky person, i cili kishte marrëdhënie të ngushta me "Lashkar-e-Taiba", "Rrjetin Hakkani" dhe disa grupe të tjera terroriste, u arrestua nga talebanët në prill të vitit 2020. Pas arrestimit të Islam Farukit në qershor 2020, në drejtim erdhi një tjetër terrorist ekstremist, i cili e quante veten "Shahab al-Muhaxhir".

Sanaullah Ghafari, i cili njihet më mirë me pseudonimin "Shahab al-Muhaxhir", ka lindur më 24 tetor 1994 në afërsi të rrethit Shakardara në veri të Kabulit dhe është emëruar si "Emir i ISIS-it të Khorasanit" që nga viti 2020. Sipas raporteve të lajmeve, familja e tij emigroi nga India në Afganistan. Ghafari i kreu studimet fetare në Kabul dhe disa vite më vonë, ai mori një diplomë inxhinierie nga Kolegji Politeknik i Universitetit të Kabulit.

Sanaullah iu bashkua grupit terrorist "Rrjeti Hakkani" ndërmjet viteve 2010 dhe 2012 dhe u bë agjent terrorist në terren deri në largimin e tij nga grupi në vitin 2015. Ndër veprimet kriminale të Sanaullah Ghafarit, apo Shahab al-Muhaxhirit, pas marrjes së prijësisë së ISIS-it, ishte sulmi në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit, i cili ndodhi më 26 gusht 2021, gjatë evakuimit nga Afganistani, dhe gjatë të cilit u vranë të paktën 182 persona, përfshirë 169 civilë afganë.

Në pjesën tjetër do t'ju tregojmë më shumë për veprimet dhe aktivitetet kriminale të Degës së Khorasanit të grupit terrorist ISIS.

Tags