Me Husejnin (a.s.) (5) (Botëkuptimi dhe vigjilenca e shkollës husejnite)
(last modified Wed, 18 Aug 2021 18:35:46 GMT )
Gusht 18, 2021 20:35 Europe/Tirane
  • Me Husejnin (a.s.) (5) (Botëkuptimi dhe vigjilenca e shkollës husejnite)

Një prej kritereve kryesore dhe mësimdhënëse në kryengritjen e Husejn bin Ali (a.s.) është vigjilenca dhe botëkuptimi i qartë.

“O Zot! Vendose lëvizjen time mbi bazë të vigjilencës dhe vendose rrugën time vendose mbi bazë të udhëzimit dhe përcaktoje metodën dhe rrugën time drejt ngritjes dhe zhvillimit!”.

Një prej kritereve kryesorë dhe mësimdhënës në kryengritjen e Husejn bin Ali (a.s.) është vigjilenca dhe botëkuptimi i qartë. Vigjilenca në kuptimin terminologjisë, do të thotë shndritje dhe dritë e veçantë e cila krijohet si rezultat i të menduarit dhe shfrytëzimit të dritës së shpalljes dhe imametit në thellësinë e shpirtit të njeriut. Njerëzit të cilët nuk kanë vigjilencë, nuk kanë as jetë njerëzore, për arsye se mendja e tyre ndodhet në errësirë dhe ata nuk e shikojnë të vërtetën dhe pikërisht për këtë arsye, ata nuk e njohin as zhvillimin dhe as lumturinë. Kur’ani i shenjtë ka bërë një krahasim mes njerëzve të cilët në shpirtin e tyre kanë dritën e vigjilencës dhe atyre njerëzve të cilët nuk kanë një dritë të tillë dhe në këtë kuadër thotë: “A është i njëjtë ai njeri që ka qenë zemërvdekur dhe ne e kemi ngjallë atë dhe kemi krijuar një dritë për atë që nën rrezet e saj të ecë në mesin e njerëzve dhe ai njeri i cili thuajse është zhytur në errësira dhe nuk mund të dalë nga ato errësira? Në këtë mënyrë për jobesimtarët është zbukuruar ajo çfarë e bëjnë ata”. (En’am, ajeti 122).

Forca e vigjilencës dhe zhvillimi mendor i njeriut mund të vërehet në logjikën e Imam Husejnit (a.s.), madje edhe në pikën më të lartë të saj. Ai i përcaktoi rrethanat kritike të shoqërisë, e njohu rrugën dhe për të shpëtuar njerëzimin, e vendosi veten dhe familjen e tij përball stuhisë së ngjarjeve të rënda. Njerëzimi gjithnjë është përballur dhe përballet me komplote dhe djallëzi të djajve të cilët për realizimin e qëllimeve dhe ambicieve të tyre, me anë të propagandës gjithëpërfshirëse dhe të ngjeshur, i bëjnë viktima turmat e njerëzve në errësirën e injorancës. Në këtë kohë e vetmja rrugë e shpëtimit të njerëzve nga intriga e hipokrizisë, është vigjilenca dhe vetëdijesimi i njerëzve. Në ngjarjen e Ashurasë, njerëzit e stolisur me botëkuptim të qartë dhe me vigjilencë të vërtetë, kanë qëndruar përkrah imamit të tyre dhe kanë rezistuar deri në sakrifikimin e jetës së tyre, mirëpo një grup tjetër i njerëzve janë bërë viktimë në zjarrin e injorancës së tyre. Reflektimi në fjalët udhëzuese të Imam Husejnit (a.s.) gjatë kryengritjes së Ashurasë tregon forcën e përcaktimit dhe njohurinë e lartë të atij zotërisë në zgjedhjen e rrugës së drejtë. Imam Husejni (a.s.) e kishte ndjerë dhimbjen e humbjes së rëndësisë së fesë në shoqëri dhe bëri kryengritje për zbatimin e parimit për urdhërimin e veprave të mira dhe për ndalimin e veprave të këqija dhe për të ringjallur sunetin dhe mësimet e Profetit të nderuar të Islamit, Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Imam Husejnit (a.s.) ka thënë: “A nuk po shikoni se nuk po veprohet në bazë të së vërtetës dhe të drejtës dhe nuk po ndalohen veprat e këqija?!” Imam Husejni (a.s.) me maturinë dhe me botëkuptimin e tij plotësisht të qartë ka treguar për të gjithë myslimanët e të gjitha kohërave se çfarë duhet bërë dhe si duhet vepruar nëse një dorë ose një ngjarje shtrembëron dhe devijon shoqërinë islame nga binarët e vërtetë. Nëse shoqëria islame devijon rrugën dhe ky devijim arrin deri në atë nivel sa që vendoset në rrezik vetë tërësia e Islamit dhe mësimeve të Islamit, atëherë si duhet vepruar në rrethana të tilla? Imam Husejni (a.s.) u ka tërhequr vërejtjen të gjithëve në këtë çështje se atëherë kur korruptohet shteti, dijetarët dhe predikuesit e fesë dhe atëherë kur ata e komentojnë dhe interpretojnë Kur’anin e shenjtë dhe të vërtetat në mënyrë të devijuar dhe të mirat i paraqesin si të këqija dhe të këqijat i paraqesin të mira si dhe veprat e mira i paraqesin si vepra të këqija dhe veprat e këqija i prezantojnë si vepra të mira; besimtarët e vërtetë e kanë për detyrë që ta kthejnë shoqërinë islame në rrugën e drejtë të saj. Imam Husejni (a.s.) ka bërë kryengritje për ta zbatuar atë obligim të madh, do të thotë ripërtëritjen e sistemit islamik dhe për të luftuar kundër devijimeve të mëdha në shoqërinë islame. Në atë periudhë kohore, zbatimin e këtij obligimi e konsideroi të mundur vetëm nëpërmjet kryengritjes e cila vetë është shembull i madh i zbatimit të parimit për urdhërimin e veprave të mira dhe ndalimin e veprave të këqija. Vetëdijesimi me vigjilencë i Imam Husejnit (a.s.) në lidhje me rrugën dhe qëllimin, pasqyrohet më së miri në trajtimin e Imam Husejnit (a.s.) ndaj vështirësive. Për shembull, në disa transmetime thuhet se Imam Husejni (a.s.) sa më shumë që afrohej drejt mesditës së Ashurasë, tregohej i kënaqur me lëvizjen e tij reformatore dhe fytyra e tij bëhej më e shndritur gjithnjë e më shumë duke manifestuar shpirtin e sigurt të tij.

Imam Husejni (a.s.) ishte një detet i tërë me dituri dhe njohuri dhe me njohje të thellë që kishte për Zotin e gjithësisë, gjithnjë bënte dua dhe lutje duke shpalosur zemrën e tij pranë Zotit të madhëruar. Imam Husejni (a.s.) në shumicën e rasteve bënte këtë lutje duke thënë: “O Zot! Vendose lëvizjen time mbi bazë të vigjilencës dhe vendose rrugën time vendose mbi bazë të udhëzimit dhe përcaktoje metodën dhe rrugën time drejt ngritjes dhe zhvillimit!”. E gjithë ajo që ekziston në kryengritjen e Imam Husejnit (a.s.) është lufta e vazhdueshme kundër simboleve të së keqes dhe injorancës. Imam Husejni (a.s.) i bënë thirrje njerëzve drejt vigjilencës dhe te ata ndez zjarrin e zgjimit dhe vetëdijesimit. Vigjilenca është element i nevojshëm i qenies së njeriut. Historia tregon këtë se njerëzit pa vigjilencë pa e ditur fare, bien në grackën e djallit dhe mashtrohen. Në këtë kryengritje, Imam Husejni (a.s.) e mëson njeriun se si duhet të jetojë dhe ndryshon vështrimin e njeriut ndaj jetës. Ai me këtë mesazh të tij i drejtohet të gjithë njerëzimit që njeriu të gjejë pozitën e tij të lartë në sistemin e krijimit dhe të mos zhytet në baltën e të këqijave. Kjo është për arsye se të qenit i lirë dhe liria është element i bukur që e meriton çdo njeri. Në realitet, gjaku që u derdh në tokë në atë ditë, ka ujitur fidanin e lirisë dhe rezistencës përball padrejtësisë dhe tiranisë për gjithë historinë e njerëzimit. Mendimtari i madh iranian Dr. Sejed Xhafer Shahidi thotë: “Kryengritja e Ashuras në atë në mënyrë sipërfaqësore mbeti pa rezultat, mirëpo ajo u pasuar jo vetëm me një rezultat, por me shumë rezultate të mëdha. Kjo kryengritje me krimet çnjerëzore të Jeziditi, në mënyrë sipërfaqësore u shua, por kurrë nuk u shua zjarri i kësaj kryengritje. Nganjëherë me kryengritjen e sinqertë të Sulejman biri i Sorad dhe nganjëherë me kryengritjen dhe sistemin qeverisës të Mokhtar Thekafi i cili bëri kryengritje në emër të hakmarrjes për gjakun e Imam Husejnit (a.s.), mesazhi i Imam Husejnit (a.s.) u ngjallë dhe që nga ajo kohë e këndej ky mesazh ka qenë inspirim për të gjithë ata të cilët janë nën vuajtjen e dhunës dhe tiranisë së pushteteve sunduese”.

Në tragjedinë e Qerbelasë, kampi i tendave të ushtrisë së Imam Husejnit (a.s.) ka qenë vendi i mbledhjes së njerëzve me vetëdije dhe devotshmëri fetare nga të gjitha shtresat e shoqërisë të cilët e kishin perceptuar dhe kuptuar në mënyrë të drejtë detyrën e vet dhe pozitën historike të kësaj kryengritje. Botëkuptimi i thellë dhe njohja e të vërtetës ka qenë karakteristikë kryesore heronjve epik të Qerbelasë. Ata shumë mirë e dinin se çfarë dëshironin, në çfarë rruge kanë vendosur hapin dhe me çfarë njerëz janë në luftë. Ata e dinin shumë mirë se nëse sunduesit e pushtetit Emevit do të bëhen flamurtar të Islamit, atëherë do të zhduket feja islame dhe nëse ata nuk veprojnë, sundimtarët tiranë dhe të korruptuar do ta shuajnë dritën e virtyteve njerëzore dhe devotshmërisë. Në mesin e personaliteteve të mëdha të Qerbelasë e vërejmë Hazretin Abas (a.s.). Ai ka vendosur një dritë të ndezur para të gjitha gjeneratave të njerëzve dhe nga largësi të gjithë njerëzit i thirr drejtë nderit, dinjitetit dhe virtyteve njerëzore. Ai ishte një personalitet shumë i dalluar në trimëri, në aftësi luftarake, në adhurimin e Zotit, në qëndrimin zgjuar gjatë natës për adhurim dhe në njohjen e të vërtetës. Qëndresa dhe rezistenca e Hazretit Abas (a.s.) ishte deri në atë nivel sa që Imam Xhafer Sadik (a.s.) e vlerësonte lartë besimin absolut dhe botëkuptimin e tij të qartë dhe vigjilent dhe në një rast duke iu drejtuar Hazretit Abas (a.s.), ka thënë: Dëshmoj se ti as për një çast nuk treguar dobësi në veten tënde dhe nuk ke dyshuar kurrë në rrugën tënde, por rruga dhe fati yt ishte përcaktuar mbi besimin dhe vigjilencën në fenë Islame”.

Imam Husejni (a.s.) me kryengritjen e tij të pavdekshme pasqyroi një të vërtetë të bukur dhe ajo e vërtetë është kjo që në kohën kur padrejtësia dhe tirania dhe e keqja të ngadhënjejë mbi një shoqëri njerëzore dhe të shuhet drita e mirësisë dhe e virtyteve të larta njerëzore, njeriu duhet të ngrihet në këmbë për ringjalljen e vlerave fetare, madje edhe nëse në këtë rrugë duhet ta sakrifikojë jetën e vet. Prandaj, pikërisht nga ky aspekt kryengritja e Imam Husejnit (a.s.) u shndërruar në një epope madhështore dhe metoda dhe personaliteti i tij u bë shëmbëlltyrë për të gjithë lëvizjet drejtësidashëse dhe reformatore të shoqërisë njerëzore. Kështu që epopeja e Qerbelasë nuk përfundon me martirizimin dhe flijimin e një grupi prej 72 personave, por dimensionet dhe përmasat e gjera të saj përfshijnë të gjithë njerëzimin. Mesazhi i Imam Husejnit (a.s.) edhe në epokën bashkëkohore dhe në kohën e tanishme është një paralajmërim për të gjithë besimtarët myslimanë të botës dhe ai mesazh është ky që nëse qëndrojnë të heshtur dhe indiferentë përball problemeve dhe vështirësive me të cilat po përballet bota islame, do të krijohen më shumë rrethana për shtrirjen e sundimit të fuqive hegjemoniste në vendet e tyre. Prandaj, besimtarët myslimanë me ruajtjen e unitetit dhe bashkimit të tyre, duhet të shtojnë dhe ta forcojnë vetëdijesimin dhe vigjilencën e tyre fetare dhe të mbrojnë ekzistencën e vet dhe të mos dorëzohen dhe të mos pranojnë kërkesat e padrejta të fuqive hegjemoniste!

 

Tags